Flasin prindërit e Ermirës: Ajo e donte bashkëshortin e saj

Postuar më: 15 February 2017 10:03

ermira1Pesë ditë pas vrasjes së vajzës së tyre, Fiqeret dhe Floresha Arapi, prindërit e Ermira Dushit (Arapi), nga fshati Ngurrëz i Lushnjës, thyejnë heshtjen dhe flasin për tragjedinë e ndodhur në familjen e tyre.

Në një intervistë për “Panorama” ata thonë se nuk arrijnë ta besojnë dot se vajza e tyre ka pasur lidhje me personin tjetër që u gjet i vrarë në të njëjtën makinë me të, Drini Drevenin.

Sipas tyre, e bija e donte bashkëshortin e saj dhe mohojnë që ajo të ketë pasur një lidhje tjetër.

Babai i Ermirës shprehet se po hidhet baltë mbi vajzën e tij pas kësaj ngjarjeje që i ka tronditur ata familjarisht. Sipas tij, ceremonia e varrimit të Ermirës në fshatin Ngurrëz është bërë me mirëkuptimin e të dy familjeve.

“Është e vërtetë që dhëndri nuk erdhi në varrim, pasi ai është lënduar nga këto që ka dëgjuar. Por prindërit e tij kanë ardhur dhe ne kemi pasur komunikim me ta pas ngjarjes”, shprehet Fiqeret Arapi.

Ai thotë se nuk do ta prishë miqësinë me familjen Dushi. Për shkak se kanë edhe një mbesë, vetë dhëndri i ka vënë në dijeni pas ngjarjes se do ta takojnë dhe ta marrin sa herë të duan.

Sipas tij, vajzës iu bënë të gjitha nderet që meritonte një fëmijë që ikën aq e re në moshë.

Kurse nëna e Ermirës, Floresha, përlotet dhe e ka të vështirë ta përballojë tragjedinë që ka ndodhur në familjen e saj.

“Jemi pa fjalë. Nuk e meritonte të vdiste kaq e re. Kërkojmë të na zbardhet ngjarja. Se çfarë e lidhte vajzën time dhe personin që ishte me të në makinë, ata e morën me vetë në varr, prandaj që ne të kemi informacion për vetën tonë, për fëmijët tanë dhe fëmijën e saj, duhet që policia të na japë fakte e dëshmi”, shprehet për “Panorama”, mes lotëve nëna e 29­ vjeçares.

Ashtu sikurse i shoqi, edhe ajo nuk mund ta besojë se vajza e tyre ka pasur një lidhje jashtëmartesore, pasi siç shprehet e bija e donte të shoqin dhe nuk kishin asnjë problem apo mosmarrëveshje mes tyre.

“Nuk kam si ta shpjegoj dhimbjen. Vetëm një nënë mund ta dijë se çfarë dhimbje është ajo e fëmijës. Nuk mund ta dijë askush tjetër. Kur e mësuam ngjarjen, im shoq mbeti gati i ngrirë dhe unë po ashtu, dhe po rrinim pa fjalë. Nuk po na dukej e vërtetë. Edhe kur do të nisesha për të ardhur këtej, po shpresoja se do ta gjeja gjallë. Nuk ma pranonte vetja që vajza ime aq energjike që e donte jetën të më kishte ikur pa më thënë asnjë fjalë. Nuk ishte e përballueshme. Nuk mbaj mend se si jemi bërë gati e jemi nisur dhe nuk di se si e kam përballuar idenë që e pashë të shtrirë, pa jetë. Ishte sikur kisha vdekur vetë. Edhe tani s’e besoj dot se e kam varrosur këtu në fshatin e saj të lindjes”, shprehet nëna e Ermira Dushit Arapi, e cila u gjet bashkë me Drini Dervenin pa jetë në makinën e këtij të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *