Domosdoshmëria e pyetjeve

Postuar më: 11 February 2017 13:22

agimi faqe 3Shënime për vëllimin me tregime “Papagajtë jeshilë” të autorit Dorian Isai, Dituria 2015/Autori shprehet në parathënien e 6 tregimeve se kërkon t’i hapë secilit një proces në gjykatën e ndërgjegjes.

Nga Agim Baçi

Jemi të gatshëm ta rrëfejmë vetveten? Përgjigjja ndonjëherë është shumë më e vështirë se  të njohësh e të pranosh të tjerët. Ndonjëherë kemi frikë nga disa përgjigje, disa herë kemi frikë nga disa mendime. Dorian Isai ka provuar të futet përmes rrëfimeve të shkurtra tek ai labirinth i pafundmë i njeriut kur i duhet të pohojë fuqinë dhe pafuqinë e tij dhe gjithë magjinë mes kësaj beteje. E nëse në pesë tregimet e para të librit “Papagajtë jeshilë” ai ka vënë në qendër dashurinë dhe tradhtinë, në tregimin e fundit të vëllimit me të njëjtin titull, duket sikur bota ndalet për të dhënë disa përgjigje të tjera, që shpesh gjatë rrugëtimit në jetë i harrojmë.

Në qendër të rrëfimit janë Alen dhe Maria. Të dy jetojnë në një fermë që po shkon drejt vetmisë që kur mbi gruan rrotullohet vdekja prej kancerit. Në sfond qëndron humbja e të birit që ka vendosur në një dilemë gjithë marrëdhënien e mëvonshme të bashkëshortëveve, ndërkovë që i viziton vetëm Ylviu, i afërmi që ata e trajtojnë si nip – një biznesmen i dështuar-, që ka nuhatur mundësinë e një trashëgimie të fermës nga dy pleqtë.  Por monotonia e pritjes së vdekjes së Marias  prishet nga dhurata prej dy papagajsh jeshilë të Ylviut. Kënga dhe loja me ta e kthejnë çiftin në një ribashkim shpirtëror, në një rinjohje të asaj që kishin qenë. Mes tyre rikthehet biseda, pranimi për atë që i ati ka menduar gabim me të birin dhe të shoqen që ka refuzuar gjithçka pas vdekjes së të birit.

Në mënyrë krejt paradoksale, dy papagajtë e dhuruar nga “nipi” që të trembin dy bashkëshortët e t’u shpejtonin vdekjen, në fakt rikthejnë këngën, lojën, e bashkë me ta dhe njeriun që kërkon të flasë. Sepse vdekja nuk është mbyllja e syve, por është mospranimi, është mungesa e syve, mungesa e lojës, mungesa e fytyrës kthyer nga tjetri. E kur bashkëshortët shihen në sy, dhembja për vdekjen kthehet në një bisedë si nevojë, si rrugëtim për diku tjetër, ku gjithçka mund të rregullohet. Ajo lojë dhe ajo buzëqeshje sfidon gjithë lajmet për fundin e botës, ndërkohë që  nëna kërkon të jetë sërish mundësia për një rifillim.

“-Alen, – e prishi qetësinë Maria, por ndjeu se nuk pati guxim ta vazhdonte mendimin. I mori dorën e tij në të sajën dhe kur ky veprim i dha sigurinë që kërkonte, vazhdoi:

-Ndoshta është më mirë që po iki unë e para. Kështu mund t’i them djalit se ty të vjen keq, se të kanë shkatërruar këto vite pa atë… që do të silleshe ndryshe po ta dije se si do të shkonin gjërat atë natë. Kështu që, kur të takoheni atje përtej, do ta keni më të lehtë të bëni paqe”. (Dorian Isai, “Papagajtë jeshilë”, f. 182, Dituria 2015).

Nuk ka fund. Era dhe shiu i marrë, që duken si shenjat e fundit të botës, janë zvogëluar përballë fluturimit mbi sup të papagajve dhe frymëmarrjes së bashkëshorteve përballë njëri tjetrit, ashtu përqafuar. Një pikturë për njeriun që gjen shtegun se si ta bëjë vdekjen një partnere në rrugëtim, si vazhdim të jetës. Dhe ai çast duket sikur përmbledh gjithçka të mëparshme, kur njeriu nuk vlerëson hapin, kur s’mendon për humbjen, e kur për një çast beson se mund të jetë i përjetshëm. Autori shprehet në parathënien e 6 tregimeve se kërkon t’i hapë secilit një proces në gjykatën e ndërgjegjes. Dhe gjithçka në rrëfim e bart këtë përpjekje, deri sa përqafimi i çiftit rrëzon gjithë kotësitë dhe ofron një pamje drejt njeriut, drejt përqafimit me gjithçka që vlen.  Ndaj dhe pyetjes së Rudinës në tregimin e parë, “A e don mamin tim”, duket se i përgjigjet po rrëfimi i fundit, “Papagajtë jeshilë”, ku fundi rikujton nevojën  e njeriut për të ndjerë një përqafim, një zë që e thërret nga brenda, që i kujton jetën, që i kujton çastet drejt gjërave që vlejnë.

Proza e Dorian Isait provokon – provokon rrugët për të kuptuar përmes gabimit, përmes pendesës, përmes pranimit. Nuk ndalet në moralizime. Më shumë ndërton pyetje. Nuk ka fund. Nuk ka vdekje. Ka pyetje dhe vetëm pyetje, që kanë nevojë për një përgjigje. Shpesh, përdor emra, vende e personazhe që i përkasin vendit ku jeton, Italisë. Por në fakt, vetëm me një gërvishtje të lehtë, kupton se aty është njeriu që udhëton dhe që nuk ka adresë të saktë, por ka pyetje që kanë rëndësi të ngrihen. Isai ka guxuar dhe ia ka arritur të hapë një proces kuptimi dhe meditimi, fatmirësisht me një shqipe poetike.

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *