Detajet: Gjashtë njerëz të gjyqësorit tërhiqen para vetingut

Postuar më: 01 February 2017 09:38

drejtesiaNjë anëtare e Gjykatës së Lartë, një anëtar i asaj Kushtetuese, një prokuror dhe tre gjykatës të tjerë janë tërhequr vullnetarisht nga sistemi. Dy prej tyre sepse shumë shpejt dalin në pension, të tjerët japin sqarime të ndryshme

Nga Leonard Bakillari

Në “filtrin” e parë të reformimit të drejtësisë “ngecën” gjashtë gjyqtarë dhe prokurorë, edhe pse në shpjegimet publike të tyre, në asnjë rast dorëheqjet nuk lidhen me procesin e vetingut. Pesë gjyqtarë dhe një prokuror kanë dhënë dorëheqjen ose nuk kanë paraqitur dokumentet justifikuese të pasurisë pranë ILDKP brenda afatit të parashikuar në ligj. Dy prej tyre u tërhoqën për shkak se dalin në pension. Dje ishte dita e fundit e afatit për dorëzimin e dokumentacionit nga gjyqtarët dhe prokurorët dhe në përfundim të këtij procesi janë të paktën 6 pjesëtarë të sistemit të drejtësisë që nuk kanë dorëzuar dokumentet justifikuese.

Automatikisht ata përjashtohen nga sistemi i drejtësisë, por kjo nuk do t’i përjashtojë nga një hetim i mundshëm nëse prokuroria mund të ketë dyshime mbi burimin e ligjshëm të pasurisë së tyre. Këtë gjë e paralajmëroi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përveçse përshëndeti largimin vullnetar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në një koment në statusin e tij tha se “dardha e ka bishtin mbrapa”, teksa replikonte me një komentues.

Por thuajse të gjithë gjyqtarët e dorëhequr kanë dhënë shpjegimet e tyre për largimin nga sistemi i drejtësisë. Ndër emrat më të rëndësishëm janë Vladimir Kristo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe Mirela Fana, anëtare e Gjykatës së Lartë.

Të dy këta gjyqtarë u përzgjodhën nga shorti për të qenë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi kandidaturat e tyre i ishin dërguar Kuvendit respektivisht nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Vladimir Kristo nuk kishte dorëzuar formularin e vetëdeklarimit me argumentin se mandati i tij në Gjykatën Kushtetuese ka përfunduar prej kohësh. Në një prononcim për Gazetën Panorama Kristo thotë se paraqitja e kandidaturës së tij në shortin për Këshillin e Emërimeve është bërë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, pa marrë më parë miratimin e tij.

“Për shortin me gogla që u hodh të premten për anëtarët e KED, në të cilin unë u bëra pjesë në mënyrë të njëanshme nga kryetari i kësaj Gjykate pa dijeninë dhe vullnetin tim. Për të njëjtat arsye si më lartë, por edhe për faktin se unë jam në konflikt interesi në raport me objektin e veprimtarisë së këtij Këshilli, deklaroj se Nuk do të jem pjesë e tij. Konflikti i interesit qëndron në faktin se, ky Këshill do të përzgjedhë edhe Anëtarin e Gjykatës Kushtetuese që do të jetë zëvendësuesi im…”, thotë Kristo.

Ai u emërua në Gjykatën Kushtetuese në prill të vitit 2007 dhe në të njëjtin muaj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese konstatoi përfundimin e mandatit të tij. Por Kristo vijoi të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij, i cili nuk është kryer ende dhe që pritet të zëvendësohet pas krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

Gjyqtarja e dytë që dha dorëheqjen edhe pse ishte zgjedhur anëtare e Këshillit të Emërimeve ishte Mirela Fana, e cila thotë se tashmë do t’i përkushtohet botës akademike. Zyrtarisht konfirmohet se znj. Fana i ka paraqitur dorëheqjen Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Presidentit të Republikës. Ajo është emëruar në Gjykatën e Lartë në prill të vitit 2009 dhe sipas ligjit duhet të qëndronte në detyrë edhe për më shumë se një vit. Surprizë ka qenë edhe dorëheqja e gjyqtarit Ilir Çeliku, i cili së fundmi ishte transferuar nga Gjykata e Tiranës në Apelin e Vlorës. Çeliku nuk ka dhënë ende arsyet e dorëheqjes, por konfirmohet se nuk ka paraqitur dokumentet që do t’i nënshtrohen procesit të vetingut pranë Inspektoratit të Pasurive.

Dy gjyqtarë të tjerë, njëri në Elbasan, Ilir Pashaj dhe një në Kukës, Drita Velaj. Gjyqtari Pashaj i është nënshtruar një procedimi disiplinor me kërkesë të ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, i cili fillimisht kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit dhe më pas një masë më të butë ndaj tij. Ndërsa gjyqtarja tjetër e dorëhequr, Drita Velaj mësohet se është në prag pensioni dhe kjo mendohet të jetë arsyeja e mosdorëzimit të formularit të pasurisë nga ana e saj. Në të njëjtën situatë është dhe prokurori i Krujës, Sulejman Tola, i cili pas mosdorëzimit të dokumenteve pranë ILDKP sqaroi se pas pak ditësh ai do të dilte në pension pas më shumë se 35 vitesh punë në prokurori.

Procesi i dorëzimit të dokumenteve është faza e parë e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nga rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë vetëm 6 prej tyre nuk dorëzuan dokumentet brenda afatit. Por paralelisht me këtë proces, duket se dhe ambasada amerikane po përdor filtrat e saj për të “vettuar” gjyqtarët dhe prokurorët.

Gjatë javës së shkuar, në ambasadën amerikane janë thirrur të paktën 30 gjyqtarë dhe prokurorë të lartë, të cilët ishin pajisur më parë me vizë amerikane. Në zyrën konsullore atyre ju janë kërkuar pasaportat dhe më pas në to iu është vënë një vulë që tregon se vizat e tyre janë anuluar. Në listën e njerëzve të drejtësisë tashmë me viza të revokuara mësohet se ka gjyqtarë dhe prokurorë të rëndësishëm.

Sipas burimeve mësohet se mes tyre ka gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe disa drejtues prokurorish në rrethe. Asnjërit prej tyre nuk i janë bërë me dije arsyet, por në një njoftim për mediat para pak ditësh ambasada amerikane tha “në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.

Në të njëjtin njoftim ambasada thotë se këtë veprim e ka ndërmarrë përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin. Por nuk dihet nëse motivi i refuzimit të vizave për të paktën 30 zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë është korrupsioni, apo arsye të tjera. Por nga ana tjetër ligji për vetingun parashikon që në rast refuzimi vize apo dëbimi nga një vend i huaj, gjyqtari apo prokurori mund të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë.

Me krijimin e institucioneve të vetingut mbetet për t’u parë nëse ambasada amerikane do të dërgojë pranë tyre informacionet që disponon për gjyqtarët dhe prokurorët që tashmë janë pa vizë amerikane. Po ashtu mbetet për t’u parë nëse këto informacione përbëjnë shkak për largimin e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë.

 

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *