Abuzimi me konceptin e opinionit publik

Postuar më: 17 February 2017 09:38

Roland LamiNga Roland Lami*

Këto ditë dëgjohet të artikulohen nga eksponentë të rëndësishëm të politikës shqiptare sidomos ajo e djathta, koncepte si: “interesi publik”; “interesi kombëtar”; “e mira e përbashkët”, “populli i majtë”, “populli i djathtë”, “popull që tejkalon partinë”, madje edhe “vullnet i përgjithshëm”. Këto koncepte dominojnë ligjërimin e eksponentëve të rëndësishëm të së djathtës këto ditë, në prag të protestës së 18 shkurtit në debate të ndryshme publike, parlamentare, mediatike, tryeza bisedimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE apo SHBA.

Në parim, ata që përdorin koncepte të tilla tentojnë të përçojnë idenë se ekzistojnë objektiva afatgjatë dhe thelbësorë të shtetit dhe interesa të pandryshueshëm të qytetarëve në përgjithësi dhe se politika posedon instrumente të nevojshme për t’i identifikuar këta interesa dhe detyrimin e përfaqësimit të tyre në ligjërime politike dhe programet qeverisëse. Kjo mënyrë e të menduarit në këtë formë zbulon natyrën populiste të pushtetit dhe të politikës në përgjithësi, që nevojitet të shpjegohet. E para, është e vështirë të përcaktohen objektivat dhe interesat më të rëndësishëm të një shoqërie, pasi nuk jemi të sigurt nëse ekzistojnë por edhe nëse ekzistojnë, mungojnë instrumentet për t’i identifikuar ato. E dyta, shoqëritë moderne siç është dhe e jona kanë natyrë pluraliste dhe komplekse dhe nuk janë homogjene siç janë shoqëritë në sistemet totalitare. Kështu që nuk ka një interes, por përkundrazi pluralitet interesash. Së treti, interesat e disa grupeve shpesh proklamohen nga subjektet politike si interesa publikë ose kombëtarë, por pyetja që lind në të tilla raste është sa legjitime janë ato për pjesën tjetër të shoqërisë? Nisur nga argumentet që jepen mbi mundësinë e pluralitetit shoqëror krijohet një ndjenjë skepticizmi mbi përdorimin e koncepteve të mësipërme.

Ky skepticizëm përforcohet akoma më shumë në nivelin e ushtrimit të pushtetit. Është i njohur fakti se qeveritarë të niveleve të ndryshme apo liderë të partive të ndryshme kur synojnë të marrin një vendim, perceptimin e interesit publik e kanë të mbështetur më shumë në intuitë apo të dhëna relativiste që ofrojnë sondazhet në rastet më të mira, se sa në vlerësime objektive, pasi mungojnë mjetet për ta ofruar një gjë të tillë. Kështu që, çështja e përcaktimit të interesit publik nisur nga instrumentet që kanë në dispozicion partitë politike dhe qeveria mbetet problematik dhe evaziv në të njëjtën kohë. Pikërisht, te kjo hapësirë e kufizuar bëhen përpjekje të gjenden mundësitë legjitime për të pretenduar shkallën e përfaqësimit të interesit publik.

Një nga këto instrumente është protesta, ku shkalla e pjesëmarrjes tregon deri diku shkallën e legjitimitetit apo delegjitimitetit të pushtetit apo kauzën e drejtë të opozitës. Në të tilla aktivitete grupe të ndryshme sociale nën drejtimin e sindikatave apo shoqërisë civile (në rastin tonë e strukturave politike) bashkohen bazuar në kërkesat dhe nevojat e paplotësuara nga partia në pushtet për të kërkuar zgjidhje politike. Shkalla e pjesëmarrjes tregon deri diku nivelin e pakënaqësisë në raport me pushtetin. Sa më shumë rritet numri i pjesëmarrësve, aq më shumë rriten shanset që opozita ta konsiderojë qeverinë si delegjitime.

Në rastin tonë situata është pak specifike dhe efikasiteti i përdorimit të një instrumenti të tillë mbart shumë probleme nëse e marrim si indikator përcaktues të votëbesimit pro apo kundra një force politike. Kjo për arsye se numri i anëtarësisë në dy partitë kryesore gjatë një harku kohor 20-vjeçar është relativisht i konsiderueshëm. Kjo masë njerëzish përbën pjesën aktive në aktivitetet e partive respektive për shkak të bindjes dhe interesave. Njëkohësisht, rekrutimi i simpatizantëve në masë në administratën lokale dhe qendrore i vendos ato përballë detyrimit për të qenë pjesë e aktiviteteve të këtyre forcave politike jo vetëm të shtyrë nga bindjet dhe simpatitë politike, por më shumë për të mbajtur vendin e punës. Nëse i referohemi kontekstit, situata komprometohet akoma më shumë nisur nga dy fakte shtesë. Së pari, është PD që po i fton njerëzit të protestojnë më 18 shkurt, nuk po i gjen njerëzit në protestë, siç po ndodh në Rumani. Së dyti, janë strukturat e PD që po i mobilizojnë njerëzit për të protestuar, nuk është shoqëria civile ajo që i mobilizoi njerëzit, si në rastin e Rumanisë. Në këto kushte e kemi të vështirë të përcaktojmë shkallën e përfaqësimit të interesit publik të artikuluar nga forcat politike referuar shkallës së pjesëmarrjes në protestë, pasi numri i anëtarësisë te të dyja forcat nuk është i pakët.

Nënvlerësojmë elementin sasior për një moment dhe i mëshojmë elementit cilësor, pra nivelit të pakënaqësisë dhe formave të shfaqjes së këtij niveli. Nëse opozita pretendon se “populli i djathtë” ka krijuar bindjen se kërkesat e tyre nuk marrin më përgjigje nga kjo qeveri dhe si e tillë duhet të ndryshojë qeverisja. Të njëjtën gjë mund të pretendojë qeveria e sotme nesër në opozitë me “popullin” e saj të majtë mbështetës. Nuk besoj se është e vështirë në realitetin tonë të stimulosh një pakicë për të kërkuar zgjedhjet të parakohshme, në emër të shumicës, duke mobilizuar simpatizantët dhe anëtarësinë e saj. Kujtojmë këtu protestat e socialistëve 2009 – 2011. Nëse ndodh, pra që të synojmë rrëzimin e pushtetit nëpërmjet përdorimit të militantëve dhe simpatizantëve, mos jemi në kushtet e krijimit të një precedenti politik?

Në të njëjtin paqartësi është edhe faktori ndërkombëtar, si palë e paanshme në lojën politike pozitë – opozitë, ku është përqendruar shpresa e opinionit publik dhe atij politik. Kjo paqartësi lidhet si me mungesën e tagrit për të përcaktuar forcën politike që përfaqëson më shumë interesin publik, ashtu dhe me mungesat e instrumenteve matëse që lënë të kuptojnë për shkallën e mbështetjes. Roli i tyre mbetet shumë i rëndësishëm jo në përcaktimin e palës që ka të drejtë, por në orientimin e tyre drejt mekanizmit që përcakton forcën që përfaqëson më mirë të paktën nga pikëpamja sasiore interesin publik. Kjo formë gjendet në mekanizmat kushtetues, siç janë zgjedhjet. Por a mund të ofrojnë faktori ndërkombëtar si zgjidhje mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme kur gjatë këtyre viteve e ka njohur qeverinë aktuale si të ligjshme? Sa e moralshme mund të konsiderohet kjo gjë? Njëkohësisht, a ka tagrin ligjor – kushtetues për të detyruar palët në organizimit e zgjedhjeve të parakohshme nën justifikimin e mbrojtjes së interesit publik, kur zgjedhjet duan dhe katër muaj të mbahen? A mund të ofrohet një formulë e tillë nga faktori ndërkombëtar, ku precedenti në fjalë mund të imitohet edhe nga vende të tjera si p.sh. Maqedonia, Kosova, që po kalojnë të njëjtat probleme si ne? Sa do të kontribuonte kjo gjë në rajon dhe më gjerë?

Në këto kushte me të drejtë lind pyetja: Si do ta marrim vesh se cilat nga palët përfaqëson interesin publik? Dhe cili është mekanizmi që e mundëson këtë gjë?

Sistemi e ka zgjidhur këtë dilemë duke ofruar instrumentin e zgjedhjeve si i vetmi mekanizëm objektiv që përcakton shumicat – pra, vullnetin e shumicës. Palët mund t’i drejtohen sovranit për të vërtetuar nëse pretendimet e tyre përfaqësojnë interesin e shumicës ose jo në dy forma. E para, mund t’i drejtohen duke anashkaluar afatet kushtetuese të mbajtjes së zgjedhjeve dhe këtu mund të na lindë një precedent (zgjedhje jo në përputhje me afatet kushtetuese, por me pretendimet se sovrani i zhvillon zgjedhjet kur e gjykon të arsyeshme – kujdes, kush e përcakton masën e sovranit në kushtet tona!). E dyta, mund t’i drejtohen duke respektuar afatet kushtetuese, pra kohës kur është përcaktuar për të zhvilluar zgjedhjet. Nëse opozita nuk shfrytëzon këtë instrument kushtetues siç janë zgjedhjet për t’iu adresuar kërkesave të sovranit pasi nuk pret dot afatet kohore të përcaktuara nga kushtetuta por zgjedh forma të tjera jashtë institucionale, çfarë ndodh? Jemi përballë dy alternativave: ose të krijojmë një precedent dhe nuk i parashikojmë efektet e tij në të ardhmen e afërt, ose jemi në kushtet e përdorimit të një mjeti që sistemi politik nuk e njeh.

Gjithmonë nëse e marrim si të mirëqenë që opozita i qëndron idesë së qëllimit të protestës. Nëse opozita synon ta përdorë këtë protestë thjesht për të mobilizuar njerëzit e saj dhe njëkohësisht për të testuar humorin e elektoratit në prag zgjedhjesh, kjo manovër politike nuk i bën keq sistemit. Në radhë të parë opozita shfrytëzon një mekanizëm siç është protesta për të mobilizuar njerëzit e saj, rritur kohezionin mes militantëve dhe simpatizantëve, përforcuar ndjenjën e vetëvlerësimit etj. Në krahun tjetër, qeveria detyrohet të bëhet më e përgjegjshme në ditët në vazhdim, për sa kohë masa e njerëzve që proteston nuk është e vogël. E fundit, jo më pak e rëndësishme, njerëzit në kushtet kur mungojnë aktivitetet me natyrë protestuese nga ana e shoqërisë civile shfrytëzojnë këtë moment për të shfryrë pakënaqësitë e tij. Kështu që, le ta shohim pozitivisht këtë protestë për sa kohë mbetet simbolike.

Pedagog UET

 

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *