50 hijet e retorikës populiste

Postuar më: 17 February 2017 09:36

Valbona NathanailiNga Valbona Nathanaili*

Retorika populiste e përdorur nga Rilindja gjatë fushatës vazhdon të përdoret me të njëjtin model dhe me të njëjtën mungesë përgjegjshmërie edhe sot, katër vjet më pas, kur janë në krye të vendit. Duket sikur po kërkon të shtyjë ditët deri në zgjedhjet e ardhshme, shkruan Nathanaili.

Disa ditë më parë, në të gjitha mediet zuri vend lajmi i vjedhjes së disa milionë eurove, ndërsa transportoheshin rrugës për në Rinas. Rasti i disatë dhe në rrethana pak a shumë të njëjta me të mëparshmet, brenda një harku kohor pak më të gjatë se një vit. Pas çudisë, mosbesimit dhe humorit që i shoqëruan këto grabitje tepër të thjeshta e argëtuese, aq sa të vinte keq që nuk ishe aty rrotull, sepse mund të të hidhnin edhe ndonjë thes me euro po t’u kërkoje, mbërriti lajmi i mirë “Hajdutët u kapën!”.

Por më shumë rëndësi se lajmi i mirë, në këtë rast i duhet vënë veshi lajmit të keq. Lajmi i keq është retorika populiste e përdorur nga pushtetarët e vendit, në ngushëllim të shqetësimit të përgjithshëm shoqëror për këto ngjarje të shëmtuara, të tipit “Paratë e shqiptarëve janë të sigurta në banka”. Qëndrimi ndaj vjedhjes së bankave është i ngjashëm me qëndrimet e mbajtura në raste njëlloj të shëmtuara e të dhimbshme në sektorë të tjerë të rëndësishëm. Mbas vdekjes së nënës me foshnjën në bark pas një nate të tërë sorollatjesh sa në një spital në tjetrin, mbërriti edhe qëndrimi i ministrit përkatës, i cili na siguroi se “sistemi funksionon”, ndërkohë që pas çdo denoncimi, pothuaj të përditshëm, për mësues që rrahin nxënësit dhe nxënës që rrihen me njëri-tjetrin a rrahin mësuesin, në ekran shfaqet ministrja e Arsimit me të njëjtën fytyrë të pikëlluar dhe me të njëjtën frazë: “Do e nis ditën time të punës nesër me marrjen e masave përkatëse”.

Populizmi është t’iu thuash njerëzve çfarë duan të dëgjojnë dhe zakonisht funksionon më mirë në raste krizash, nga pala që kërkon të vijë në pushtet. Nuk ka rëndësi se si do e bësh, rëndësi ka të prekësh njerëzit aty ku i dhemb më shumë. T’i shkundësh. T’i bësh të të vijnë nga prapa. Në një vend demokratik apo edhe kuazi-demokratik, – ky rasti i dytë besoj se jemi ne, – të votojnë për ty. Mbas vitit 1990 vazhdojmë ta dëgjojmë nga i njëjti kor politikanësh. Pa përjashtim edhe nga këta të Rilindjes. Rilindja erdhi në pushtet afro katër vjet më parë dhe shpresa ishte se gjërat do të ndryshonin për mirë në këtë vend, pas një periudhe të stërzgjatur tranzicioni dhe me ulje e ngritje të shumta, por nën drejtimin e një personi i cili kishte kaluar një kohë të gjatë në pushtet, – tri mandate si kryetar bashkie.

Së pari, kur një drejtues qëndron gjatë në pushtet e ka të vështirë të ruajë staturën e një burri reformator. Ose shkurt e ka të vështirë të marrë reforma të vërteta. Sa më e vështirë është gjendja ekonomike e vendit, aq më i vështirë bëhet realizimi i misionit, ndërtuar mbi bazën e një retorike populiste. Arsyet mund të jenë të shumta, por nëse përjashtojmë paaftësinë dhe mungesën e përgjegjshmërisë për rolin që të është besuar, ndër kryesoret është edhe trysnia e klasës së pasur, e cila nuk mund të bëhet më e pasur në një vend të varfër, – pa industri dhe pa një shtrat zhvillimi, – duke zgjatur edhe më shumë ditën e punës, duke ulur edhe më shumë rrogat e punonjësve, apo duke i detyruar të punojnë shtatë ditë në shtatë, por duke kërkuar të marrë sa më shumë copa nga pasuria kombëtare që del në ankand. Thënë ndryshe, synimi është të marrin pasuri të gatshme me sa më pak shpenzime dhe jo të gjejnë mënyra inovative për ta shtuar këtë pasuri. Dhe trysnia që ushtrojnë mbi pushtetin shfaqet në të gjitha format. Dyzimi është se kjo trysni ka funksionuar sa kohë që realiteti i përditshëm është i ndryshëm nga ai që serviret nga retorika e mësipërme.

Së dyti, përdorimi i retorikës populiste i bën edhe më të dyshimta synimet e rilindasve të sotëm. Thjesht i shndërron në demagogë. Demagogët populistë zakonisht janë mjeshtër në kombinimin e populizmit me nacionalizmin dhe rezultojnë të suksesshëm në rang personal, por shkatërrimtar sa iu takon interesave të vendit. Akoma, janë mjeshtër në prezantimin në media. Janë mjeshtër në përdorimin e zhargonit, por gjysmën e të cilit nuk e kuptojnë, veçanërisht kur bëhet fjalë për terma ekonomikë.

Retorika populiste e përdorur nga Rilindja gjatë fushatës vazhdon të përdoret me të njëjtin model dhe me të njëjtën mungesë përgjegjshmërie edhe sot, katër vjet më pas, kur janë në krye të vendit. Duket sikur po kërkon të shtyjë ditët deri në zgjedhjet e ardhshme. Ose më shumë se të hartojë reforma, të mbajë pushtetin. Më shumë se të punojë në interes të vendit, të kujdeset për pasurimin e një grupi të caktuar njerëzish. Në raste të ngjashme dështimesh në botë, zakonisht, krerët e qeverisë pushojnë nga puna teknokratët reformatorë, si koka turku për mosrealizimin dhe mënyrë për të zgjatur pushtetin. Në këtë mënyrë veproi Nestor Kirchner (Argjentinë) me ministrin e tij të Financave Roberto Lavagna, ose Vladimir Putin (Rusi) me Kudrin më 2011, – të paktën në shenjë vullneti të mirë ndaj atyre që i kishin zgjedhur. Këtu ose mungojnë reformatorët edhe në nivele më poshtë kryeministrit, ose ai vetë e ka vendosur se nuk do të kërkojë një mandat të dytë, sikundër ka deklaruar kohë më parë.

Dhimbja që shkaktojnë politikat që bëhen pengesë për begatinë e një vendi, i detyron njerëzit të kërkojnë ndryshim. Por a ofron tregu i politikanëve aktualë, kandidatë për kryeministra të ardhshëm, personin e duhur për të zbatuar reformat e domosdoshme për ecjen përpara të vendit? Shembujt që vijnë nga shumë vende në botë tregojnë se deri ku mund të arrijë dëshpërimi popullor në raste të ngjashme.

*studiuese e shkencave të komunikimit

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *