Tri imazhe për të njëjtën politikë

Postuar më: 11 January 2017 09:49

twitter-public-opinionNga Roald Hysa*

Vdekja në burg në Kosovë e një aktivisti të lëvizjes Vetëvendosje është një akt i rëndë, por ajo po përdoret për të prodhuar një fetish, shkruan Roald Hysa. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për përdorime të tilla, pasi ato nëpërkëmbin të vdekurin, por edhe e fusin vendin në rrugë pa krye.

Krijimi i fetisheve në botën moderne është pjesë e një marketimi të një figure çfarëdo dhe për ta vënë në epiqendër të vëmendjes së publikut, dhe kjo është një shfaqje e rëndomtë në tregun e biznesit e të kinemasë apo sportit. Kjo që sapo përmendëm është pjesë e një marketimi të gjerë të biznesit për të komercializuar produktet nëpërmjet figurave të ndryshme mediatike që vijnë nga bota e artit. “Fetishi mund ta ketë origjinën vetëm në ndërthurje me një artikulim emergjent të një ideologjie me formë komode, që e përkufizon vetveten brenda dhe kundër vlerave sociale dhe ideologjive fetare të dy tipeve radikalisht të ndryshme të shoqërisë jo-kapitaliste, kur ato e hasin njëra-tjetrën në një situatë të vazhdueshme ndërkulturore”. Ky është një shpjegim që na vjen për fetishin nga antropologu Uilliam Pietz. Fetishet mund të jenë të shumëllojshme të para në këtë këndvështrim, por ajo që shënjon historinë moderne është fetishi i Merilin Monrosë në vitet ’60 të shekullit të kaluar i Andi Uorholl. Poparti i Uorhollit u vu në shërbim të marketimit të produkteve të ndryshme dhe industria amerikane pati sukses në shitjet e saj.

Ndërkaq nga ana e tjetër e kampit perëndimor rreth figurave politike ndërtoheshin aureolat e shenjtorëve mbi kokat e marksistëve që drejtonin vendet e bllokut komunist. Stalini ishte babai i popujve dhe portretizohej si një burrë babaxhan që nuk e zë gjumi për të mirën e popujve sovjetikë. Ai ishte udhëheqësi shpirtëror e lëndor drejt lumturisë. Ho shi Mini, komunist i devotshëm, i cili jetonte me hallet e popullit, Mao ce Duni udhëheqësi i madh i Kinës drejt progresit, Fidel Kastro udhëheqësi i lavdishëm i Kubës, Enver Hoxha udhëheqësi që e nxori Shqipërinë nga errësira e shekujve dhe e kishte mendjen te Kosova. Majtizmi dhe marksizmi patën një periudhë ngjitjeje gjatë kësaj kohe dhe njëkohësisht në vendet ku u aplikua filozofia marksiste ndikoi në strukturimin social të popullsisë me shkatërrimin e klasave të vjetra dhe “ngritjen” e klasës punëtore dhe fshatare. Figura që u fetishizua më shumë nga të gjithë këto, por që nuk u përmend deri tashti është ajo e Çe Gevarrës. Një personazh me karakter të fortë, bashkëluftëtar i Fidel Kastros, i shquar për luftën guerile, “një revolucionar i pandreqshëm”. Ajo çka e dallon nga udhëheqësit e tjerë komunistë, të cilët vdiqën në shtratin e tyre nga pleqëria është se pas fitores së revolucionit kuban, megjithëse u zgjodh ministër, ai e la postin e lartë dhe shkoi në Bolivi të eksportonte atje “revolucionin proletar” dhe u pushkatua nga ushtria e regjimit bolivian pasi u kap. Kjo e rrethoi atë me aureolën e martirit dhe e bëri pjesë të popartit marksist për ta kthyer më pas në një figurë inspiruese për të gjithë marksistët e botës.

Edhe sot e kësaj dite figura e fetishizuar e Çe Gevarrës, i cili la rehatinë e kolltukut ministror është një inspirim për marksistët e vegjël, që tërheqin hashash me nargjile, dhe duke ëndërruar “revolucionin proletar” shijojnë të mirat e kapitalit. Nën shembullin e fetishit të Çe Gevarrës po imitohet edhe një fetish i ri në Kosovë me Astrit Deharin, i cili fatkeqësisht e mbylli jetën e vet tragjikisht. Madje marksistët e vegjël të Tiranës e kanë imprintuar fetishin e Astrit Deharit edhe te “21 dhjetori” e në vende të tjera. Fatkeqësisht apo fatmirësisht ajo që përfaqëson Astriti nuk ka lidhje me Tiranën, madje as në Kosovë nuk është kuptuar si duhet kulti i Astrit Deharit. Ky është kulti i idhujtarisë moderne. Ndoshta sot mund të mos kuptohet si duhet, por nesër mund të përdoret me efikasitet për të krijuar lëvizjen e duhur “anti-pushtet”.

Merilin Monro, Çe Geverra dhe Astrit Dehari janë tri imazhe që në fund të fundit kanë të njëjtin synim, të shesin imazhin e një sistemi, të një ëndrre, e cila e karikon tregun dhe njerëzit mund të blejnë pastaj.

*gazetar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *