Tre subjekte në një roman për dashurinë dhe modernitetin

Postuar më: 07 January 2017 10:24

ndue-dedajRomani “Unaza e virgjëreshes “ i shkrimtarit Ndue Deda/“Unaza e virgjereshës”  përqendrohet  në historinë e një  “ burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë  e njohur  që ka  tërhequr deri vonë, madje edhe  sot e kësaj dite, kërshërinë e  të huajve për  Shqipërinë ekzotike.   Në romanin e tij  autori Ndue Deda  kërkon  të depërtojë në botën  e brendshme komplekse  të virgjëreshës, ku  forca  e përbetimit  në një anë  dhe tërheqjet e instiktit femëror në anën tjetër  janë  në një  ndeshje sekrete të denjë për  vëshgimin  e hollë të psikanalzës

Nga Preç Zogaj

Ndue Deda, një publicist i talentuar, i njohur si lëvrues i poezisë së kultivuar dhe hulumtues i trashëgimisë etnokulturore të  krahinës së Mirditës e më gjerë,  ka vite që i ka ardhur rrotull prozës së shkurtër e të gjatë  si për t’u matur me të e vënë në provë  aftësitë e tij për ta shkruar po aq mirë sa  poezinë, esenë, reportazhin apo studimet.  Romani i tij  voluminoz “ Unaza e virgjëreshës”, botuar nga shtëpia botuese ‘Geer”,  vjen si produkt i kësaj përgatitjeje të gjatë e të gjithanshme, që na kujton porositë dhe ekzigjencat e shkrimtarëve  të  tillë si Floberi në Francë apo  Jakov Xoxa në  Shqipëri për të mbledhur  për librin që ke ndërmend të shkruash më shumë lëndë  se sa do të përdorësh,  duke e organizuar  në mënyrë të tillë që  lënda e papërdorur të kuptohet se është aty rreth e  rrotull.

Siç mund të merret me mend nga titulli “Unaza e virgjereshës”  përqendrohet  në historinë e një  “ burrneshe” të Shqipërisë së veriut, një temë  e njohur  që ka  tërhequr deri vonë, madje edhe  sot e kësaj dite, kërshërinë e  të huajve për  Shqipërinë ekzotike.   Në romanin e tij  autori Ndue Deda  kërkon  të depërtojë në botën  e brendshme komplekse  të virgjereshës, ku  forca  e përbetimit  në një anë  dhe tërheqjet e instinktit femëror në anën tjetër  janë  në një  ndeshje sekrete të denjë për  vëshgimin e hollë të psikanalizës, ku  vullneti  i gruas-burrë  triumfon, por nuk e shuan kryengritjen e femrës brenda saj.  Çfarë fshihej në personin e dyfishtë  të virgjëreshës së përbetuar, një grua nën maskën e një burri, apo një “ burrë” me fërgëllimat shpirtërore të një gruaje?  “Unaza e virgjëreshës” i arratiset ekzotikës dhe steriotipeve  të njohura për këtë temë  dhe na çon te  këto fshehtësi të  ndjera , të dhimbshme, dramatike, që lidhen me  shpirtin  dhe  natyrën e  gruas.  “Ky ishte teatri  absurd shqiptar, pa maska, ku luhej drama e tjetërsimit të femrës”, thotë autori.    

Por është e pasaktë të thuhet se libri në fjalë  është  historia e  Dines,  personazhit të burrneshës.  Romani është shumë më kompleks se kaq, madje  mund të themi se “Unaza e virgjëreshës” është një mozaik  i  tre  romaneve më të vegjël apo nënromaneve që i  bashkon metafora e  dashurisë dhe  modernitetit, si kredot   shpirtërore, intelektuale dhe ideoartitike të autorit në sfondin e  gjithë subjektit.

Është, së pari, romani i dashurisë së Bdek Divelit me Hirnen. Bdeku ( Benedikti) është një  publicist dhe shkrimtar i njohur në Arbën. Hirna është  një grua shumë e bukur në  të njëjtin  qytet, eksperte turizmi, mbesa e virgjëreshës  Dine. Dashuria  e tyre ka shkrepur dhe ka humbur një ditë të  largët   në një letër dashurie  të shkruar e  të fshehur nga Hirna  në  faqet e një libri që nuk do të hapet për shumë vite nga Bdeku. Shumë vite me vonë ata do të ritakohen si në baladat e rinjohjes. Ai  ka një grua, ajo ka një burrë, të dy kanë fëmijë, por e gjithë   jeta e tyre në   njëzet e vitet e ardhshme do të jetë një  tundim dhe një përpjekje për t’u rikthyer  në dashurinë e  papërmbushur në korrigjim të devijimeve që  kanë ndodhur.  Ky është ligji i dashurisë.

Është një histori  tipike nga ato që  i gjejmë  shpesh në letërsinë  botërore, por që në faqet e romanit të Ndue Dedës ka veçorinë se vjen për ta tronditur  mjedisin e mbërthyer gjatë në një dogmatizëm  arkaik,  viktimë  e të cilit  ka qenë rëndom  pikërisht shpirti i dashuruar dhe i lirë. Romanca e dashurisë së Bdekut  dhe Hirnes si roman  i jetuar  ecën paralelisht me romanin për virgjëreshën që Bdeku e mbledh pjesë-pjesë nga  largësia e viteve  dhe e bashkon  siç bashkohen puzlat, duke krijuar  kësoj mbivendosje  dhe nënvendosje  që lidhin natyrshëm të shkuarën me bashkëkohoren. Autori, siç e cekëm  në fillim, kërkon ta shpjegojë por edhe ta shmitizojë tjetërsimin  e virgjereshës, duke vënë në shënjëstër  të mendjes së hapur një tabu atavike  penalizuese për femrën  në raport  me mashkullin  në lidhje me virgjinitetin.

Romani i tretë, që mund të konsiderohet  edhe si sfondi  apo dekori  i dy të parëve,  është  një qytet i imagjinatës me emrin Arbni,  diçka e  ngjashme me Mirditën e  dikurshme të shtetit të Arbnit,  që ka  dalë nga   nëntoka dhe harrimi dhe  po ngrihet si një metropol i civilizimit bashkëkohor me  teatrin e vet, me klubin e elitës, me filialin e Univeristetit, me  parkun arkeologjik, me  rilindjen e katedraleve mbi rrënojat e të vjetrave,  me  turizmin  kulturor, me emrat  dhe toponimet   kuptimplote   të gjuhës së vendit, me  gazetarë,  avokatë, profesorë, skulptorë, bankierë,  punonjëse bankash… Mbi gjithë këtë  konfigurim lartohet scriptoriumi i vjetër  i murgjve bendediktinë, i restauruar, ku Bdek Diveli tërhiqet për t’i dhënë dorën e fundit  romanit të virgjëreshës, në të  vërtetë për t’i mbivendosur atij romani poemën e tij të dashurisë për Hirnën.

Në prag të  Krishtlindjeve lexova një shkrim të Artur Zhejit  ku akuzonte indiferencën e shtetit shqiptar  për lënien pasdore të asaj pjesë të trashëgimisë sonë kulturore  që lidhet  me  dëshmi identitare  të historisë  sonë europiane, siç janë katedralet, kishat, manastiret, abacitë, e tjerë.   Më shkoi mendja se zoti Zhej kishte lexuar librin e Ndue Dedës, “Toka e katedraleve” ku autori evokon një traditë  të pasur  me  ndërtime  të tilla në  krahinën e Mirditës, por pothuajse   të zhdukur përgjatë kohës. Në romanin e tij  “Unaza e virgjëreshës” Ndue Deda nuk ka pritur  t’i dalë gjumi shtetit.  Ka filluar ta “ndërtojë”  vetë, në letër, me imagjinatë,  Arbninë   e zhdukur, atë vend  ku banorët kishin dëshirë të mburreshin duke thënë  se kishin patur fatin e lum të ishin  një popull i bekuar që kishin patur një tempull të Zotit që bujarët arbër ia kishin blatuar kombit të tyre, një bazilikatë që pati nisur të lartohej madhështore përkundruall  kuvendit të moçëm, asaj katedrales së vjetër në kushtim të shen Merisë që kishte mundur të mbërrijë deri në kohët e vona… Ndue  Deda ecën në  lëkurën e përsonazhit Bdek Diveli duke shënuar me dorë  vendet e kujtimeve të mëdha ku duhet të rinisë e ardhmja. Imagjinata e ka hapur gjithmonë rrugën për të shkuar drejt qyteteve reale. Ashtu siç thuhet për poemat  kozmike të Uitmanit që paralajmëruan  flurimet kozmike të amerikanëve  një shekull me vonë. Por Arbni nuk do të presë kaq gjatë, besojmë.

Sidoqoftë tani kemi romanin e Arbnit, që  megjithë  hallakatjen  herëpashershme të panevojshme të lëndës, lexohet me endje si histori, si etnografi,  si psikoligji, si  poezi, si një  tekst  me një pasuri të veçantë leksikore dhe stilistikore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *