Ta braktisim kastën në shoqërinë e kullave të saj

Postuar më: 11 January 2017 09:45

Gentian KaprataNga Gentian Kaprata* 

Plani i miratuar nga Bashkia e Tiranës është plani i kastës së atyre që drejtojnë, marrin vendime dhe kanë nën kontroll paratë dhe ligjin. Kaprata shkruan se ky plan nuk është i qytetarëve dhe ata nuk duhet kurrsesi të bien dakord që paratë e tyre të përdoren nga kjo kastë për këtë plan.

Mbreti i plotfuqishëm i pyllit, luani, sa herë shikonte ujkun i fuste një shpullë turinjve dhe për të arsyetuar këtë veprim shtonte pyetjen ‘prapë pa kapele ti?’. Mirëpo, aq shumë herë ishte përsëritur kjo sa gjithë popullata e pyllit kishte filluar të dyshonte në aftësinë krijuese të luanit. Dhelpra, që ishte “mikja” e tij, kishte kuptuar dyshimet dhe i kërkoi luanit “miqësisht” të sajonte një pretekst tjetër. Luani pranoi, ndërsa dhelpra nxitoi t’ia tregonte këtë gjithë kafshëve të pyllit, të cilat me padurim prisnin “arsyetimin” e radhës nga luani. Nuk zgjati shumë dhe ujku fatkeq u përball në qendër të pyllit me luanin mbret të plotfuqishëm. Të gjithë banorët e pyllit mbajtën frymën në ankth për çka do të ndodhte. Situata ishte më e komplikuar seç pritej sepse ujku kishte vënë një kapele. Suspansa disasekondëshe u zëvendësua nga zhurma e shpullës që nuk kishte si mungonte edhe këtë herë, dhe, arsyetimi i logjikshëm i luanit ‘o ujk, po prapë pa kapele ti?!’.

Risjellja e kësaj fabule në vetëdijen time ishte i vetmi reaksion që krijoi miratimi me vendim të Këshillit Bashkiak të Planit të Ndërtesave në Tiranë nga kasta që drejton shoqërinë shqiptare prej 25 vjetësh. Po aq e paaftë sa luani i pyllit natyral, për të ndërtuar një model ekonomik që prodhon prosperitet gjithëpërfshirës për banorët e kësaj xhunglës tonë artificiale, e vetmja gjë që bën kasta shqiptare është prodhimi i apartamenteve dhe dyqaneve. Në qasjen më idiote të njohur ndonjëherë, i kthehet dhe rikthehet kësaj shpulle për ekonominë familjare e kombëtare dhe territorin e atdheut. Bën sikur i ka kuptuar gjërat: prish ndërtime pa leje apo me leje të diskutueshme; bllokon lejedhënien ndërtimore, por në realitet rrotullohet rreth vetes dhe kthehet te i njëjti model. Totalisht shterpë në ide, dhe absolutisht përjashtues në përfshirjen e atyre që mund t’i kenë këto ide, kasta shqiptare betonon atdheun dhe paratë e shqiptarëve, prej 25 vjetësh.

Në fakt, ky shkrim nuk është për Planin e Ndërtesave që kasta e bashkuar pa dallim feje, krahine e ideje, miratoi me vendim të Këshillit Bashkiak. Ky shkrim është për Planin e banorëve dhe qytetarëve. Për Planin tonë. Dhe ajo që duhet kuptuar është se kasta mund të miratojë çfarë të dojë, por asgjë nuk ka kuptim pa përfshirjen tonë. Nuk e kam fjalën për përfshirjen tonë në procesin e hartimit, e cila është një domosdoshmëri që Plani të ketë legjitimitet dhe mundësi praktike për implementimin e tij. Jo! Sepse kasta na përjashtoi nga kjo detyrë shoqërore më shumë se e drejtë individuale. E kam fjalën për përfshirjen e parave tona në implementimin e Planit të Ndërtesave të kastës. Sikurse janë votat tona që i japin të drejtën kastës të na përjashtojë nga proceset planifikuese të Planit të Qytetarëve e të vet-hartojnë Planin e Ndërtesave, janë paratë tona (si konsumatorë të bindur) që financojnë ndërtimin e kullave dhe pallateve të tyre!

Janë paratë tona, ato që ne vetë ose familjarët tanë kanë mbledhur me shumë mundim në emigracionin e tejzgjatur apo që marrim me kredi skllavëruese nga bankat e nivelit të dytë, që lejojnë kastën t’i ndërtojë e t’i shesë me shumë përfitim ato apartamente dhe ato dyqane. Sepse kasta nuk e ka bërë kot Planin e Ndërtesave. Ajo është shumë e qartë, që ndërtesat e Planit duhen shitur, dhe shumë e sigurt që ne si banorë të bindur të pyllit artificial në domenin e tyre do gjejmë paratë për të blerë ato produkte. Do braktisim tokën e shtëpinë në fshat, qytezë a qytetin ku jetojmë, për të ardhur buzë Lanës e për të blerë një volum të betontë për të fjetur. Për të fjetur e për të vegjetuar, në pritje që kasta të na gjejë vend pune në administrate. Në të kundërt, punët e vërteta i kemi braktisur atje nga ku po vijmë. Dhe këtu nis Plani (ynë) i Qytetarëve. Plani i ndryshëm nga ai i kastës, sepse e bëjmë vetë dhe në përfitimin tonë e në prosperim të atdheut.

Ta braktisim kastën në shoqërinë e vetme të kullave e pallateve të Planit të tyre. Ne paratë tona t’i investojmë në idetë, aftësitë dhe iniciativat tona, në vendlindjen tonë. Na mbetet tokë pa punuar, të paguajmë për ndihmë njerëz që duan të punojnë, e të blejmë makineri moderne bujqësore që e rrisin prodhimtarinë. Na mbetet prodhim pa shitur, të ndërtojmë magazina e të blejmë makineri që e përpunojnë atë dhe e bëjnë të tregtueshëm gjatë gjithë vitit. Nuk gjejmë dot punë si mekanik, elektricist, axhustator, arsimtar, mjek apo çdo profesion tjetër, në ndërmarrjet private apo publike të qytezave apo qyteteve tona, atëherë të krijojmë serviset, klasat e klinikat tona. Eh sa shumë ide mund të investojmë me ato 100 mijë eurot që kasta do të na marrë, duke na shitur beton. E atyre që do na thonë se jeta bëhet në Tiranë, t’u themi se jetën e bëjnë njerëzit. Dhe ne kemi vendosur të marrim përgjegjësi ndaj vetes, familjes e atdheut dhe ta vet-bëjmë jetën tonë.

*Urbanist

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *