Pabarazia si mit i shpjegimit të gjithçkaje

Postuar më: 11 January 2017 09:59

pabaraziaNga Michael Heise*

Pabarazia mbetet një fenomen i papërkufizuar mirë, ndërsa efektet e saj janë shumë të ndryshme nga vendi në vend bashkë me shkaqet, të cilat mbeten të debatuara me zjarr. Debatet sot sidomos nga e majta dhe progresistët duan të thonë se bota është në vështirësi për shkak të pabarazisë, që është vetëm një qëndrim politik dhe asgjë më shumë.

Që nga viti 2013, kur Thomas Piketty publikoi studimin e tij të shumëdebatuar mbi shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, pabarazia është vënë në ballë të debatit publik në shumicën e ekonomive të zhvilluara. Pabarazia konsiderohet fajtore për çdo gjë, nga rritja e ngadaltë te stanjacioni i produktivitetit dhe rritja e populizmit e vota Brexit. Por pabarazia mbetet shumë pak e përkufizuar se çfarë është, pasojat e saj janë shumë të luhatshme dhe shkaqet që e kanë sjellë këtë problem janë shumë të debatueshme.

Edhe pyetja më themelore – sa pabarazi është tepër pabarazi – nuk merr dot përgjigje. Nuk kemi ndonjë “normë natyrore të pabarazisë” që të mund të përdoret për të përshkruar një ekonomi në ekuilibër, një nivel të cilin politikëbërësit do të duhet ta bëjnë objektiv. Në vend të kësaj, normat e pabarazisë së një vendi krahasohen me ato të vendeve të tjera – një përqasje e përciptë që injoron çdo gjë, nga tendenca e përgjithshme ekonomike te ndikimi i pabarazisë në pasuri në popullatat me mjedise të ndryshme shoqërore.

Në një kohë kur gjithkush duket se ankohet për pabarazinë, pasuria është, në nivel botëror, e shpërndarë më gjerësisht se kurrë më parë. Në 16 vitet e fundit, numri i njerëzve që kualifikohen për përfshirje në të ashtuquajturën klasa e mesme botërore – pra njerëzit me asete financiare neto nga 7 deri në 42 mijë euro – është dyfishuar në mbi 1 miliard njerëz, ose rreth 20 për qind të popullsisë së botës.

Dhe nuk është vetëm shtresa e mesme ajo që po rritet. Në fund të vitit të kaluar, rreth 540 milionë njerëz nëpër botë mund ta konsiderojnë veten si njerëz mes më të pasurve të botës, me asete neto mbi 42 mijë euro. Mbi 100 milionë njerëz janë shtuar në këtë kategori që nga viti 2000.

Çelësi për këtë progres ka qenë suksesi i ekonomive në zhvillim, veçanërisht Kinës. Dhe, në të vërtetë, shumë nga ata që i janë bashkuar grupit me pasuri të lartë nuk janë nga vendet tradicionalisht “të pasura”; përkundrazi, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Europa Perëndimore tashmë kanë vetëm 66 për qind të familjeve të pasura të botës, në krahasim me 90 për qind që kishin në vitin 2000.

Në nivel kombëtar, pabarazia po rritet, por vetëm në disa vende. Në ekonomitë në zhvillim, pjesa e pasurisë e kontrolluar nga klasa e mesme është në rritje, duke sugjeruar se kemi të bëjmë me rënie në pabarazinë në pasuri. Pabarazia po rritet përgjithësisht në botën e industrializuar, ku pasuria që mbahet nga 10 përqindëshi më i pasur i popullsisë është në rritje të shpejtë.

Kjo diferencë mund të shpjegohet pjesërisht nga fakti se kriza financiare botërore qe më e dhimbshme për vendet e zhvilluara, veçanërisht Europën. Por politikat ekspansioniste monetare që bankat qendrore të vendeve të zhvilluara kanë ndjekur pas kësaj krize, bënë që një situatë e keqe të shkonte edhe më keq.

Këto politika kanë rritur çmimet e aseteve – veçanërisht të bondeve dhe aksioneve – të cilat qenë në përgjithësi në pronësinë e familjeve të pasura. Në të njëjtën kohë, ato kanë dëmtuar kursimtarët e shtresës së mesme, të cilët në mënyrë tipike mbështeten në instrumente më të thjeshta kursimi, të tilla si depozitat në banka. Me interesa zero, dhe më pas, negative, kursimtarët kanë humbur. Megjithëse familjet mesatare zakonisht po përfitojnë nga kostot më të ulëta të huamarrjes, familjet e pasura po përfitojnë shumë më tepër, pjesërisht falë kursimeve në kreditë për prona, të cilat janë më të mëdha në raport me të ardhurat për shtresën e mesme të sipërme.

Por ndikimi i politikave monetare super të lira shtrihet përtej efektit që ka mbi pasurinë dhe të ardhurat e sotme. Ndërsa popullsia në vendet e zhvilluara po plaket me shpejtësi, kursimet për moshën e pensionit janë më të rëndësishme se kurrë. Me normat tepër të ulëta të interesit të cilat ulin normën e akumulimit për asetet për pension, të gjitha me përjashtim të familjeve më të pasura do të duhet të rrisin kursimet dhe/ose të reduktojnë konsumin, tashmë dhe në të ardhmen. Rënia e shpenzimeve përgjatë të gjithë jetës në fund do të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike dhe ka potencialin të krijojë ndasi shoqërore të mëdha për gjeneratat e ardhshme.

Ajo që e komplikon më tutje pabarazinë në të ardhura janë dallimet nga vendi në vend, përfshirë dallimet mes vendeve të cilat, teknikisht, kanë nivele të ngjashme pabarazie. Mendoni për pabarazitë mes SHBA-së, Danimarkës dhe Suedisë – që të tria i përkasin vendeve me shoqëri më të pabarabarta në kuptimin e shpërndarjes së pasurisë.

Danimarka dhe Suedia janë të mirënjohura për sistemet e tyre shumë të zhvilluara të mirëqenies shoqërore, arsim falas dhe pjesëmarrje të lartë në tregun e punës. Për më tepër, Danimarka mori vendin e parë në Raportin Botëror të Lumturisë së Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar, duke sugjeruar se pabarazia në pasuri nuk i shqetëson shumë danezët.

Në kontrast me këtë, në SHBA, ku shumë nga mbrojtjet shoqërore që ofrohen në vendet e Europës Veriore mungojnë, pabarazia me të vërtetë është shumë shqetësuese. Rritja në pabarazinë në pasuri përgjatë dekadës së fundit ka qenë këtu më e lartë se sa në çdo vend tjetër. Sot, SHBA ka klasën më të vogël të mesme, e cila zotëron vetëm 22 për qind të aseteve totale financiare neto. Kjo është sa gjysma e mesatares së vendeve të tjera të industrializuara dhe përqendrimi më i lartë i pasurisë në çdo vend tjetër.

Njësoj si në Europë apo në Japoni, kriza financiare dhe politika pasuese monetare mund të jetë një shkak i madh për këtë ndryshim. Gjithsesi, një faktor tjetër mund të jetë edhe revolucioni digjital, i cili, së paku për protagonistët kryesorë, po kthehet gjithnjë e më shumë në një “kataklizëm pasurie”. Në çdo rast, është e rëndësishme të pranohet se situata e Amerikës është e jashtëzakonshme. Ajo nuk përfaqëson gjendjen e kapitalizmit të Perëndimit. Ajo është përjashtim dhe jo rregull.

E gjitha kjo shërben për të kuptuar se si duhet të luftohet pabarazia. E thënë thjesht, në rast se shkaqet dhe pasojat e pabarazisë dallojnë nga një vend në tjetrin, edhe politikat në përgjigje të kësaj situate duhet të dallojnë gjithashtu.

Për disa vende, të tilla si në Europën jugore, zgjidhja e problemit të pabarazisë ka rëndësi kritike për t’iu mundësuar familjeve me të ardhura të mesme apo të ulëta të kenë kursime dhe konsum. Vendet e tjera duhet të përqendrohen në përmirësimin e kursimeve afatgjata, të tilla si skemat shtesë të pensioneve nga puna. Megjithatë të tjerë duhet të reduktojnë barrën e tyre të taksave, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta apo të mesme nga paga.

Ka, gjithsesi, një recetë politikash që mund të jetë në përfitim të shumë vendeve që kanë nivelet më të larta të pabarazisë. Bankat qendrore duhet t’i japin fund politikës së normave të interesit zero dhe në veçanti, politikës së normave të interesit negative. Duke vepruar në këtë mënyrë, ata do të kenë një nisje të mbarë në luftën kundër pabarazisë në rritje në pasuri.

*Kryeekonomist Allianz SA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *