Obama ikën, por ‘dosja ruse e Trump me prostituta’ ngjall shqetësim

Postuar më: 11 January 2017 10:51

Fjalimin e tij të lamtumirës, Presidenti Barack Obama e përdori për t’u kërkuar amerikanëve të mbrojnë demokracinë e tyre.

“Amerika është sot, në çdo drejtim, një vend më i mirë e më i fuqishëm nga sa ishte 8 vite më parë”, tha shefi në largim i Shtëpisë së Bardhë përpara simpatizantëve të mbledhur në qendrën e konventave “McCormick Place”.

Sipas Top Channel, ai paralajmëroi njëkohësisht se demokracia vihet nën kërcënim, kur merret si e mirëqenë.

“Mbrojeni mënyrën tonë të jetesës më shumë sesa ushtrinë. Demokracia mund të vuajë kur i dorëzohemi frikës. Ndaj, si qytetarë duhet të mbetemi vigjilente ndaj agresionit të jashtëm, duhet të ruhemi nga dobësimi i vlerave që na bëjnë këta të cilët jemi sot”, tha Obama.

Presidenti i parë me ngjyrë i Amerikës e mori fillimisht postin në vitin 2008, me një mesazh shprese dhe ndryshimi.

“Ama ndryshimi ishit ju vetë, ndërsa mua më bëtë një njeri më të mirë”.

Pas kësaj erdhi edhe një homazh prekës drejtuar Zonjës së Parë, Michelle Obama, për të cilën tha i përlotur se e bëri Shtëpinë e Bardhë një vend që i përket të gjithëve.

“Michelle, Michelle LaVaughn Robinson, ti vajzë jugu ke qenë për këto 25 vite jo vetëm bashkëshortja dhe nëna e fëmijëve të mi, por edhe mikja ime më e mirë. Ti more mbi shpatulla një rol, të cilin nuk e kërkove, megjithatë e përmbushe me hir dhe guxim, me stil e humor. Një brez i tërë tani e hedh vështrimin më lart, sepse të ka ty si model”, tha Obama.

Pasardhësi i tij Donald Trump, që e bën betimin më 20 janar, është zotuar t’i përmbysë disa prej politikave më të rëndësishme të Obamës.

Por të martën, mediat lajmëruan se shërbimi sekret rus mund të ketë një dokument sekret, me të cilin i bën presion presidentit të zgjedhur amerikan.

CNN thotë se dokumenti është hartuar nga inteligjenca britanike dhe konsiderohet i besueshëm nga inteligjenca amerikane.

Disa media kanë publikuar detaje nga materiali komprometues i rusëve.

Në dokument thuhet se rusët kanë një video sekrete të Donald Trump në një hotel në Moskë, duke parë prostitutat teksa kryejnë akte seksuale degraduese.

Ironia është se këto akte kryhen në krevatin e suitës ku ka fjetur Barack Obama gjatë vizitës në Moskë.

Vetë Trump tha se këto janë lajme false.

“Është një gjueti politike shtrigash,” tha ai.

Kurse Kremlini zyrtar iu përgjigj pretendimit të disa mediave ndërkombëtare se Moska zotëron informacione kompromentuese me të cilat shantazhon Presidentin e zgjedhur.

“Rusia nuk grumbullon materiale kompromentuese për askënd. As për Donald Trump, as për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane, Hillary Clinton”.

1 koment për këtë artikull
  1. Megaherz at 12:57 pm

    Deshtimet e Obames 8 vjet sidomos ne politiken e jashtme nuk mbulohen dot me ate perrallen ” nga nderhyrja e Rusise “!
    Donald Trump, ashtu si dhe Brexit nuk u votuan nga Perrallat me Rusi qe tregojne mediat e Sorosit!
    Eshte vote popullore kunder nje politike te deshtuar keqas qe nuk perfaqeson me interesa kombetare! Dhe kjo nuk eshte merite e Rusise sa eshte deshtim i politikes ndjekur nga Obama dhe e pasuar ne BE nga Merkel. Vota popullore eshte kunder kesaj politike ne votimet e rradhes kudo ku do zhvillohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *