Noli, i ndrituri Theofan, besonte në “… zgjimin artistik me anën e muzikës…”

Postuar më: 07 January 2017 10:16

noliRasti i krijimtarisë muzikore të Fan. S. Nolit është sa i ndryshëm aq dhe i veçantë, kjo për faktin se krijimtaria muzikore e tij i përket një etape të mëvonshme (pas vitit 1937 e në vazhdim); se në këtë krijimtari muzikore të Nolit gjejmë sa një pjesë të muzikës së re shqiptare, në përgjithësi, ashtu dhe faktin që ajo është katalizator i “skizmit” nga ana tjetër. E parë me sy të ftohtë, realisht konstatojmë tri faza graduale të “Skizmit” te veprimtaria e Nolit si kompozitor e muzikant

Nga Vasil S. Tole

Në prag të shek. XX, muzika që kultivohej në Shqipëri ishte ende e lidhur me muzikën e kultit. Të vërtiturit në të njëjtën lëmë dhe rreth të njëjtit strumbullar krijonte për muzikën sa një konvencion shumë të ngushtë, po aq edhe vështirësitë e ndërtimit të idiomës kombëtare të saj. I pari që e synoi shkëputjen e muzikës nga institucionet e kultit ishte prifti katolik dhe njëkohësisht kompozitori At Martin Gjoka. Së bashku me krijimtarinë muzikore të kompozitorit dhe priftit ortodoks Fan S. Noli , ata krijojnë precedentin e muzikës sonë: shkëputjen nga muzika e kultit duke u nisur nga brenda saj, i pari nga pozitat e muzikës kulte të kishës perëndimore dhe Noli të asaj lindore. Të qenurit i pari në kryerjen e “skizmës”, lidhet direkt me kapërcimin e pengesës më madhore, asaj të të parit përtej vetes, gjë që kërkonte profesionalizëm dhe kapacitet të mendimit intelektual muzikor. Në tërësi, rasti i krijimtarisë muzikore të Fan. S. Nolit është sa i ndryshëm aq dhe i veçantë, kjo për faktin se krijimtaria muzikore e tij i përket një etape të mëvonshme (pas vitit 1937 e në vazhdim); se në këtë krijimtari muzikore të Nolit gjejmë sa një pjesë të muzikës së re shqiptare, në përgjithësi, ashtu dhe faktin që ajo është katalizator i “skizmit” nga ana tjetër. E parë me sy të ftohtë, realisht konstatojmë tri faza graduale të “Skizmit” te veprimtaria e Nolit si kompozitor e muzikant.

Faza e parë e “skizmit” të Nolit, lidhet me futjen e gjuhës shqipe në meshën ortodokse. Si biri i një psalti të kishës ortodokse, që në vogëli bie në kontakt me muzikën bizantine dhe po në moshë të vogël mëson edhe flautin. Në moshën 25 -vjeçare dorëzohet prift dhe kryerja e meshës në gjuhën shqipe duket se ka qenë një preokupim i hershëm i tij. Ky hap jo i vlerësuar në këndvështrimin muzikor është përshëndetur nxehtësisht nga Faik Konica po atë ditë, më 22 Mars 1908, në “Knights of Honor Hall in Boston” me fjalët: …dita kur Fan Noli drejtoi liturgjinë e parë në gjuhën shqipe, është një pikë kthese në historinë e Rilindjes Shqiptare. Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që arriti i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të kllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Ne nuk do ta harrojmë atë, dhe për më pak të lejojmë të tjerët ta harrojnë ! Po në këtë ditë është themeluar edhe Kisha e Shën Gjergjit, ku pranë saj Noli ngriti edhe korin që e drejtonte vetë, i cili i shërbeu si për shërbesat fetare edhe për ato laike. Më tej, në verën e vitit 1911 predikon shqip në kishat e shqiptarëve në Europë, përkatësisht në Rumani dhe në Bullgari kurse një mësonjëtore korale, Noli mendoi ta themelonte më 1923, kur u emërua mitropolit i Durrësit. Pasioni i tij për këndimin koral në gjuhën shqipe shfaqet shumë vite më vonë, ku në një fotografi të vitit 1942, jepet Theofan Stilian Noli me pjesëtarët e Korit të Kryekishës Shën Gjergji në Boston, të cilët këndojnë shqip në radio-programin “Zëri i Shqipërisë” i filluar më 12 Qershor 1938.

Së dyti, kemi përpjekjet e Nolit si deputet dhe më pas si Kryeministër për krijimin dhe zyrtarizimin e një jete muzikore në Shqipëri. Noli gjithmonë besonte se zgjimi artistik me anën e muzikës, hollësimi i shijes, krasitja e mendjes së lopësuar të shqiptarit të sotmë me harmoninë e tingujve, janë vepra që meritojnë lëvdatat më të mira. Njihet mbështetja e tij konkrete për veprimtarinë e bandës “Vatra” në Shqipëri në vitet 1920-1924 si dhe planet për krijimin e disa institucioneve muzikore në këtë periudhë. Vlen të përmendet kujtimi që sjell Thoma Nasi gjatë qeverisjes së shkurtër të Imzot Fan S. Nolit si kryeministër i Shqipërisë (16 qershor-24 dhjetor 1924). Ai thotë se Noli ëndërronte të themelonte një konservator muzike për të rinjtë shqiptarë dhe për këtë  kërkonte që të sillte nga Italia një grup muziktarësh të klasit të parë, për të dhënë mësim dhe për të krijuar njëkohësisht edhe bërthamën e parë të një orkestre simfonike të Shqipërisë! Konica e përforcon atë kur thoshte se: Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë, që një njeriu të atillë nuk i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit !

Vetë Noli filloi të ushtrohej në veglën muzikore të kornos nën drejtimin e Nasit gjatë kohës që ai drejtoi qeverinë në Tiranë etj. Rrëzimi i qeverisë së Tij bëri që kjo ide të dështonte. Gjithsesi, gjatë qeverisjes së Nolit, Tirana po jepte shenjat e një kryeqyteti me jetë artistike, ku nuk duhet të tingëllojnë të çuditshme për veshët shkrime si ai për “Korin rus” (dedikuar koncerteve të një kori rus në shtatorin e vitit 1924), ku pjesëmarrja e publikut tiranas në të çmohej si një kurë e domosdoshme, një pastrim ! Ky rizgjim kulturor i kësaj periudhe sipas Ernest Koliqit kishte lidhje të drejtpërdrejtë me standardet e reja europiane të qeverisjes së Fan S. Nolit dhe të Luigj Gurakuqit. Sipas tij:… kur fati e solli Fan S. Nolin me u vu në krye të qeverisë shqiptare, vendi i ynë nisi menjëherë të ndërrojë fytyrë. Një frymëmarrje lirije qarkulloi në rendime shtetnore e në mbarë jetën e kombit. Ra ndryshku shekulluer lanë trashigim nga pushtimi azjatik; kultura zuni kryet e vendit tue zevendësue drejtime të maparshme qi spikatshin për mungesë pregatitjeje përkatëse në dega t’administratës qeveritare. Djelmënis s’arsimueme iu caktue tekembramja vendi qi i përkiste në jetë të kombit. Atdhetarët të lanun mbas dore, qi kishin shkri mundë e djersë e qi kishin ende të çiluna në shtat varrët e marruna në lufta të Rilindjes, gjetën kuptim e çmim . Kësaj periudhe të ndriçuar kulturalisht i kushtoi poezinë e tij “Inedite”, Sejfulla Malëshova :

Me fyell e xhura këndoi Naimi,

Sa duf e mall kishte ligjërimi.

Pastaj rrëmbeva me duf vigani,

Lahutë Fishtë-Lirë Theofani.

Pastaj me mandolina e me saze,

Dëgjoi Shqipëria ca avaze;

Mandolinën dhe sazet unë i theva

Dhe bririn e Dianës e rrëmbeva.

Së treti do të inkuadronim veprimtarinë konkrete të Nolit si kompozitor muzike e muzikolog, në favor të një përmase dhe orientimi evropian i krijimtarisë. Në vitet 30` të shek XX-të shmanget nga politika dhe merret sistematikisht me studime, muzikë dhe veprimtari të fesë. Më 1938 përfundon konservatorin e New Englandit për kompozim. Tek “Autobiografia” shprehet se: …kur u ktheva në Shtetet e Bashkuara më 1930 hoqa dorë nga politika ndërkombëtare dhe iu ktheva muzikës. Kam kompozuar një poemë muzikore -“Skënderbeu” dhe një rapsodi shqiptare për orkestër të plotë, një këngë për tenor e orkestër -“Gaspari i Varfër” dhe kam botuar dy himne të kishës ortodokse në gjuhën angleze. Kontributi im më i madh në këtë fushë është një libër: “Bethoveni dhe Revolucioni frëng”, që merret me ideologjinë politike të kompozitorit të madh. Ndër të tjera përmendim edhe “Psalmi 137”-Anës lumenjve të Babilonisë; “Sonatën në tri kohë”, për violinë e piano; “Uverturën bizantine” dhe kontributet e tij për liturgjinë ortodokse me “Hymnoren”, Boston, Mars 1936 etj. Veprat e tij për orkestër simfonike “Skënderbeg”,”Rapsodi Shqiptare” dhe “Gaspari i Varfër”, për tenor dhe orkestër, janë tipike për sa u përket përsiatjeve tona. Tek to do të hasim si shtratin e muzikës bizantine, prej nga ai nisi formimin muzikor, ashtu edhe shkëputjen prej saj. Kjo pasi si kërkues i gjendjeve të përveçme në çdo fushë të veprimtarisë artistike, Fan Noli e synoi këtë shkëputje me tendencë. Situata shfaqet më së miri në organizimin tematik të veprave, ku ai përshkruan pothuajse gjithë historinë e krijimtarisë muzikore. Rasti më tipik në krijimtarinë muzikore shfaqet te citimi i drejtpërdrejte melodik i “Marsejezës” dhe “Internacionales”, si dhe te punimet muzikologjike të cilat janë “kryepunë” shkencore dhe akoma më larg botës së fesë etj. Gjithashtu vërehet se baza e shprehjeve të tij muzikore përbëhet nga disa stilema dhe intonacione kombëtare që burojnë kryesisht nga vetëdija e tij.

Së fundi rëndësia e “skizmit” është shumë e madhe, pasi shënon aktin e parë të emancipimit dhe profesionalizmit të muzikës sonë të re, duke i paraprirë zhvillimit intensiv dhe cilësor të saj pas Luftës së Dytë Botërore, pra në gjysmën e dytë të shek.. XX.

 

 

Në datëlindjen e Fan Stilian Nolit

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe  bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. Fan Stilian Noli ka lindur më 6 janar 1882 – 13 mars 1965.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *