Një mollë dhe dy piktorë

Postuar më: 07 January 2017 10:13

boticelli-pieta-originalPiktorët realistë i ka mbajtur gjallë portreti i njeriut e sidomos peizazhi, peizazhi me pemë, qiell e det e  “Natyra morte”.  Por dhe qielli ka shpirtin e vet; i ndryshueshëm është dhe deti me ngjyrat e zemëruara që  shpesh gulçon me egërsi dhe ka fytyrë tjetër kur rrudhoset qetësohet me ato mërmëritjet e mëndafshta që i vinë nga thellësitë. Piktori realist nga bregu, mund  ta hedhi grepin për ndonjë peshk, por nuk i kap dot psherëtimat e detit me  penelin e tij

Nga Pirro Loli

Ka një poezi Zhak Preveri, ku “dialogon” me dy piktorë e na jep një mesazh universal për poezinë dhe pikturën si mister. Njeri ishte piktor realist, tjetri…(le ta lëmë gjatë shtjellimit.) Realisti mori një pjatancë porcelani e, mu  në mes të saj, e detyroi një kokërr mollë që të pozonte. Dëshironte ta pikturonte ashtu siç ia shikonte syri, me madhësinë, formën, ngjyrat.

Gabimi nis “me ashtu siç është”. Dhe babanë, nënën, një pëllumb a një flutur, pasioni i realistit do që t’i pikturojë ashtu siç janë. Këtu nis dhe këtu mbaron artisti realist… Dhe arti i tij.

Për piktorin e talentuar dhe një nudo nuk është plotësisht nudo.

Nëse sytë e shikuesit e barazojnë dëshirën  për të parë seksin lakuriq, akoma s’kemi të bëjmë me artin. Në art syri  i njeriut shikon thellësive të trupit. Nën lëkurë, në karakter, në  shpirt. Lakuriqësia është vetëm fytyra e një pamjeje statike, reklamë naive e një çasti, e një pozimi të imponuar. Piktori realist diçka do të thotë me bukurinë e trupit, me sytë, me seksin, megjithatë…Më nudo është “Mona Liza” e L. Da Vinçit paçka se është bust i veshur. Sepse ajo depërton në fytyrën e nënës, motrës, femrës, madje dhe të një mashkulli misterioz; në të syri i vëzhguesit të hollë zbulon vazhdimisht diçka të re. Dhe jo më kot , ajo mbetet një enigmë universale shumëkuptimore.

Molla dridhet e përdridhet e pabindur… (thotë poeti). Piktorët realistë i ka mbajtur gjallë portreti i njeriut e sidomos peizazhi, peizazhi me pemë, qiell e det e  “Natyra morte”.  Por dhe qielli ka shpirtin e vet; i ndryshueshëm është dhe deti me ngjyrat e zemëruara që  shpesh gulçon me egërsi dhe ka fytyrë tjetër kur rrudhoset qetësohet me ato mërmëritjet e mëndafshta që i vinë nga thellësitë. Piktori realist nga bregu, mund  ta hedhi grepin për ndonjë peshk, por nuk i kap dot psherëtimat e detit me  penelin e tij. Dhe tha poeti: Në një pellg hëne, ra një poet i dehur dhe u mbyt. (E. Paund) Hëna e nxori në anë duke e mbajtur arkivolin e tij në krahë, e lëshoi në ajër –  dhe tha: Ja një yll

***

…Molla dridhet e përdridhet dhe pret…

Ajo nuk e pranoi pozën artificiale  në pjatën e njëmendtë e filloi të sillet tinëzisht rreth vetes… “U tjetërsua” e i tha piktorit “ unë jam princeshë, jam një fener rruge, jam hëna e plotë e mesnatës… Sytë e realistit nuk i dëgjojnë këto zëra  përtej një molle. Dhe sa më larg shkon nga metafora e poetit, aq më pak është i talentuar. Ai nuk e kupton pabesinë e objektit. Atëherë, molla vuri maskën e një fruti të bukur. ( Dhe babai , nëna një pëllumb a një flutur nuk binden. Edhe këta, kur pozojnë, vënë maskat përkatëse të çastit). Ç’të bënte piktori zanatçi? Molla iu rrit si përbindësh e peneli s’i bindej. Piktura   nuk kish nisur nga ëndrra ose përfytyrimi paraprak. Sidoqoftë, diçka duhej të bënte…, një mollë njëfarësoj, një frutë.

Një çast thirri në ndihmë aleatët mbrojtës që do shoqëronin veprën, idetë. Ai e njihte këtë shkollë. Qindra vjet, idetë s’ishin ndarë nga letërsia dhe artet. Njëkohësisht, ai dinte mijëra fakte ku poetët dhe piktorët nuk i ishin shmangur osmozës midis poezisë dhe filozofisë. Po nuk i kuptonte se si poeti e bën të vetën kohën, hapësirën, vdekjen, metafizikën e aq më tepër, se si poezia është në gjendje ta lidhë gjithçkanë me asgjënë, qenien me mungesën…Mori pozën e filozofit dhe filloi të pillte ide që, domosdoshmërisht të lidheshin me mollën…Molla i kujtoi atë mollën, të ndaluarën, në “Kopshtin e Edenit”, atje ku Adami dhe Eva, panë atë dritën tjetër,  Fshehurazi. Mëkati i parë, belbëzoi ai. Apo  ndëshkimi i qenies njerëzore?…Jo jo – iu bë zëri i poetit–  – As mëkat , as ndëshkim. Vetëm  zanafilla e artit…

Tjetër ide: Mos kjo mollë duhet të mbartë idenë e rrezikut si te Vilhem Teli – , atë ngjarjen aq dramatike, ku tirani e detyron heroin ta vendosë mollën mbi kokën e të birit dhe ta qëllojë me shigjetë njëqind metra nga larg?! Apo kjo mollë më përdridhet si molla e Isak Njutonit që i ra në kokë shkencëtarit gjenial dhe u bë shkas i zbulimit të ligjit të famshëm të gravitacionit planetar?

Por…por “idetë janë të bardha, të bardha si duart e të vdekurve.. Ç’është ky Enco Bontempi, ë? E nga doli një farë Pikaso që po vret të gjithë piktorët (!)….. Dhe si mund të më përdridhet mua një mollë me kaq ankth?! I rraskapitur edhe nga shoqërimi i ideve, mbylli sytë me dëshirën fillestare ta bënte mollën siç e kish bërë nëna. Të palëvizur në mes të pjatës së porcelantë. E mbaroi dhe shkroi në buzë të pjatës  “natura morte” dhe firmën “B.K.”

***

Mjeshtrit e mëdhenj e dinë se dhe portreti më i mirë është i pambaruar. E njëjta fytyrë ka shumë pamje. Dhe vetëportretet e Rembrandit, Botiçelit, El Grekos, dhe e Françesko Gojës… Në ballin e njeriut janë qindra kilometra rrudhash me  vuajtje, derte, brenga, dhimbje e halle…. E, Perënditë i sajuan dhimbjet me qëllim që poetëve të mos u mungojnë subjektet,  Homeri. (Kënga e VIII, Odiseja). Të gjitha sendet e kësaj bote janë me baltë dhe xhamet ku përthyhen dritë-hijet janë të pistë…Poetët dhe piktorët vazhdimisht lajnë xhame për të gjetur fytyra njerëzish pas tyre… dhe vështrimin e mermertë të statujave. Vërtet ç’ngjyrë ka lëkura e njeriut? Ajo s’është prej mishi, por prej dhimbjeje, prej një ngjyre e nuance që nuk regjistrohen në ylber. As dora e njeriut, ajo e lodhura, e heshtura në heshtjen e vet. Ajo është fytyrë gjithsesi, e gjerë si deti e trashë si toka  me plasaritjet e thella të dhimbjes njerëzore. Realizmi i ka mbaruar veprat dhe kryeveprat e veta në  art e në letërsi. Pasionet e mëdha shohin dhe trupin dhe  zemrën brenda gjoksit.. Tik-taket e saj janë dhoma të tmerrshme klithmash. Realistët nuk mund ta varin dot  zemrën në greminën e kraharorit dhe, ashtu të varur, ta lënë të qajë si zog deri në grahmën e fundit duke luftuar? Se dhe vetë zemra e artistit është një fole për zogj, fole e varur në muzg. Prej andej dalin zërat e brishtë që i dëgjon vetëm nata që pret mëngjesin për të shpërndarë melodi të pakënduara. Piktura dhe poezia i shpartallon rregullat, përkufizimet, metodat, shkollat… Arti njeh vetëm lirinë e vetvetes; antirrymën.Vetëm pushteti i saj të shtyn në brendësi të errësirës. Ose të dritës. “Arti është dialog midis unëve të ndryshëm, si mjet për ta tejkaluar vdekjen”(Borges).

…Realisti s’ka skaner, e rrjedhimisht kujtesë a memorie për ta tjetërsuar objektin. Dhe fytyra e babait, nënës, gruas, pëllumbit a fluturës, më shumë e fsheh, se sa e shfaq shpirtin e vet. Artistin e drejtojnë të pathënat , ato që mungojnë, misteret.

***

… Van Gogu që e dinte se ngjyrat nuk janë vetëm mjet komunikimi, por dhe simbole e metafora, vuante si grua në lindje, kur pikturonte. Dhe rënkonte  “ I përndjekur nga dielli” përvëlues. Harronte ta vinte dhe kapelen. Dhe vështrimin e kish të butë e të kaltër si vajzë. Dhe diellin e shikonte sy më sy që t’ia merrte të tëra ngjyrat. Piktura e tij ishte “bërë” para zbatimit në pëlhurë e, gjatë punës, rrëqethej e drithërohej e ngjyrat i përpunonte me të kuqen e gjakut të tij, që ia përthante dielli i jugut me çizmet prej zjarri…Atë që vdiq në diell, që vuajti dhe për bukë nga bashkëkohësia kokëtrashë e indiferente, kohët moderne e vunë në vitrinën e florinjtë të kujtesës së çdo kohe. Vetëm te gjenitë si ai, arti vihet në balancë me jetën dhe triumfon.

***

Teksti letrar dhe piktura (sipas R. Barthes), janë plurale e karakterizohen nga thyerja e rregullave;…  në atë që, vepra artistike është një qenie speciale, që flet me kode të ndryshme në një dialog të vazhdueshëm me spektatorin e lexuesin. Kohët moderne kanë tentuar të bëjnë dhe shkencën e estetikës(me Kantin te “Kritika e gjykimit”, që mbahet si sintezë e mendimit estetik të shek., 18-të, me Hegelin që e shikon artin si shprehje supreme të shpirtit absolut, si shfaqje ndjesore të vlerës ideale të botës, ku përmbajtja dhe forma kalojnë dialektikisht te njëra-tjetra etj. etj.) dhe të gjithë estetët modernë, të të gjitha kohëve, bashkohen duke e shigjetuar realizmin, konceptin e përmbajtjes, funksionet jashtëletrare e artistike, duke afirmuar cilësinë që është e lidhur me formën si shprehje e sinqeritetit dhe e origjinalitetit të krijuesit.

Vlerat e veprave të shquara të artit kanë lëvizur epokash duke imponuar dhe shijet e lëvizshme. Diagrama e vlerave fillon që nga antikiteti, mesjeta, rilindja. Arti i madh është përqafuar me perënditë, heronjtë antikë, diellin e Rilindjes – për t’u ndalur përfundimisht te koha e pambarimtë e njeriut..

***

E përsëri te molla (dhe te pula e pjekur me dilemën: ta ha apo ta pikturoj atë…): Por, hoqi dreqi e  na shkoi aty pari piktori me emrin Pikaso.  Iu afrua mollës në pjatë, mblodhi buzët,  e pak më tej pa piktorin e dremitur e tha: “Ç’marrëzi të pikturosh një mollë.” Dhe e hëngri mollën. Dhe e theu pjatën. Dhe molla i tha faleminderit. I gjori piktor, u shkul nga ëndrrat ku dremiste dhe e pa veten krejtësisht të vetmuar para tablosë së thyer me ca fara të zeza (të kokrrës së mollës) tmerruese të realitetit mu në mes të copave të pjatës së bardhë..

Pikasoja, njeriu që pikturonte më shpejt se drita, para se të largohej , i tregoi kolegut me gisht ato  pesë gjashtë fara të zeza të mollës në mes të pjatës. A thua se e kuptuan të gjithë modernistët e botës? Farat e zeza. Origjina e mollës. Pikënisja. E çdo fantazie, e çdo arti. Dhe tani a je në gjendje ta pikturosh shëmbëlltyrën pa shembull? Prano, fjala vjen , që ulërima e pranverës është një pyll i lindur në sytë e mi prej dheu, e, nga aroma, pikturoje trëndafilin; nga një  bletë në lulen e tërfilit pikturoje livadhin me gumëzhimën e bletëve dhe erën përsipër. Dhe atij të vdekurit që pe në ëndërr, bëni një portret me gjak të bardhë…Shekulli që kaloi ishte kryengritje kundër realizmit në letërsi e në art. ”Arti – thotë F. Pessoa – na çliron në mënyrë mashtruese nga ajo gjë e ndyrë që është fakti i të ekzistuarit”.

***

Veprat e artit provokojnë realitetet shoqërore. Ato nuk bëjnë pasqyrimin e inventarin e sendeve, por tentojnë t’i ridimensionojnë ata, natyrisht, me kode simbolesh të veçantë në shumëkuptimshmëritë e tyre analoge. Kritika profesionale fokusohet tek  forma origjinale, pa e shpërfillur përmbajtjen e logosit dhe të ngjyrës. “Nga ky nder”,(i fundit) ato veçse kanë humbur. Realisti kënaqet me harmoninë e pastër, ai tjetri, i largohet komoditetit sipërfaqësor, abstragon duke e riemëruar botën për të gjetur e gatuar një magji  të panjohur. Nobelisti gjerman, Gynter Gras i vë në mendime te gjithë artistët kur shkruan:” Njeriu vizaton, pikturon dhe qëron qepë. Qepa është metafora e cipave të memories…” Dhe njeriu habitet dhe e beson se nata e ndriçon natën, se errësira i ka duart të kadifenjta, se të vdekurit qajnë, se era i kafshon buzët, se nëpër faqet e lëmuara të një pëlhure, ngrihen kreshta malesh e rrudha fëmijësh. Njeriu nuk e ka parë Afërditën, perëndeshën e bukurisë, por e beson poetin dhe piktorin se ajo udhëtonte nëpër qiell me një karrocë të tërhequr nga dy pëllumba të bardhë. Artisti i vërtetë kërkon ta tejkalojë jetën, ta shkelë magjinë e errët të tokës, ku dhe nga varret, barërat e këqija, ashtu të zbehta, pa gjak e pa jetë, mundohen të lulëzojnë. Le t’i rriti nata gogolët e frikshëm. Farat e realitetit janë “ e gjithë bota” e në to lëviz dialektika e dashurisë dhe e urrejtjes. Dhe e artit.” Origjina dhe qëllimi – shprehej Niçe- janë entitete të ndryshme”…E çdo poet e piktor me veprën e vet është përgjegjës ndaj origjinës ose farës së zezë të realitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *