Nishani: Askush nuk mund t’i ruajë më mirë dimensionet e lirisë se media!

Postuar më: 11 January 2017 12:36

nishaniKreu i Shtetit në pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2017 me përfaqësuesit e mediave

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dha një pritje zyrtare me botues, drejtues dhe përfaqësues të mediave shqiptare, edhe nga trevat e banuara nga shqiptarët në rajon, duke mikpritur në Institucionin e Kreut të Shtetit kryeredaktorë, gazetarë, editorialistë, opinionistë, analistë, kameramanë si dhe fotografë të shumtë.

“Gjatë viteve të mia në Zyrën e Presidentit të Republikës jam përpjekur ta respektoj këtë traditë shumë pozitive dhe shumë të mirë, duke nisur vitin me njerëzit e medias, me urimin për komunitetin e atyre njerëzve që ndonjëherë me pa të drejtë nuk u vlerësohet dhe nuk u njihet kontributi i një pune të përditshme, nganjëherë edhe 24 orë në ditë, një punë e cila kërkon një produkt sa të kualifikuar dhe profesional, aq edhe pranë realitetit dhe gjithnjë pranë terrenit dhe qytetarëve dhe njerëzve ku zhvillohen dinamika e jetës së përditshme. Më mirë dhe më shumë se sa njerëzit e medias vështirë të besosh se mund të ketë aktorë të tjerë që e bëjnë këtë punë përditë 24 orë në ditë pa u ndalur”, tha Nishani.

“Presidenti i Republikës nuk është një pushtet, është një institucion kushtetues. Ju jeni pushtet, dhe jeni pushtet shumë i rëndësishëm krahas pushteteve të tjera dhe me këtë dua të them që keni pushtet, keni kontribute të larta të jashtëzakonshme në kontekstin e të qenit një pushtet, ashtu siç keni dhe përgjegjësitë e mëdha në raport me shoqërinë në kontekstin e të qenit një pushtet, ashtu siç meritoni të keni dhe vlerësimet dhe respektet në kontekstin e të qenit një pushtet, por nga ana tjetër duke qenë një pushtet, edhe ju si pushtetet e tjera, jeni një target i sfidave të ndryshme, i sfidave të cilat përballen me pushtetin e medias, atakojnë herë pas here pushtetin e medias, tentojnë të bëhen pjesë e pushtetit të medias për të deformuar herë-herë pjesë të pushtetit të medias, prandaj i gjithë ky angazhim i juaji është në syrin, veshin, mendjen dhe në shpirtin e opinionit publik. Si kudo në botë, dimensioni i medias edhe në Shqipëri ka dimensionin e madh të orientimit të shoqërisë dhe një shoqëri është me fat kur pushteti i medias udhëhiqet dhe në tërësinë e tij përbëhet nga njerëz profesionistë, njerëz të cilët besojnë tek vlerat e lirisë në radhë të parë, kontribuojnë për konsolidimin e vlerave të demokracisë dhe ruajnë dhe pasurojnë dhe më shumë vlerat e integritetit që duhet të ketë një shoqëri.”

Duke përshkruar vitin që sapo u la pas, Presidenti Nishani theksoi: “Viti që shkoi ishte një periudhë që e keni ndjekur, keni qenë të përfshirë, keni qenë aktorë, edhe kontribues në shumë prej zhvillimeve, ngjarjeve dhe arritjeve që u shënuan në të. Duhet të mos i neglizhojmë as mos i nënvlesojmë të gjitha arritjet tona si shoqëri, si shtet, si vend, arritje të cilat pa dyshim meritojnë një vëmendje dhe analizë më të madhe në kontekstin e standardit që ato kanë patur në mbërritjen e tyre edhe në kontekstin e sfidave që këto arritje patën gjatë procesit të realizimit të tyre dhe mënyrën e kohezionit se si shoqëria, të gjithë aktorët e shoqërisë sonë u sollën me këto sfida, me procesin e përballjes të këtyre arritjeve që kemi sot. Unë besoj dhe mendoj dhe e kam nënvizuar dhe dua të përfitoj nga rasti edhe sonte këtu me ju si njerëz të cilët elaboroni opinionin, e zhvilloni më shumë, edhe e përçoni tek perceptimi qytetar dhe njerëzve që ngjarje të veçanta që ne patëm vitin e kaluar do të kenë një impakt shumë të madh ndoshta në dekada. Kulmimi i shenjtërimit të Nënë Terezës, pavarësisht dimensionit të madh botëror të saj, ishte një rast i mirë që kombi shqiptar, shqiptarët në tërësi, ta prezantonte origjinën e saj, përkatësinë e saj të gjakut, siç ajo vetë e kishte deklaruar, në këtë eveniment dhe në këtë vëmendje të madhe botërore. Edhe ngjarja me karakter sportiv pa dyshim: Kampionati Evropian i Futbollit ishte një ngjarje, e cila i dhuron botës së sportit dhe shoqërisë një moment harmonie, gëzimi. Besoj jo vetëm për shkak se Shqipëria ishte për herë të parë në një arritje të tillë, por duke qenë edhe vetë dëshmitar i ngjarjeve të caktuara të këtij evenimenti, nuk kishte kënaqësi më të madhe se sa kur imazhi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë prezantohet jo thjesht ndryshe, por në fund të fundit, ashtu siç është në realitet.”

“Vitin që kemi përpara ka shumë prova për shoqërinë tonë, zbatimin e mjaft reformave. Reforma në drejtësi ka qenë pjesa më e debatuar e vitit që shkoi dhe besoj do të jetë pjesa më e debatuar gjithashtu përtej asaj që ka të bëjë me vitin zgjedhor të vitit që sapo kemi hyrë, sepse kërkon për herë të parë instalimin e një sistemi gati-gati të ri midis pushteteve të ndryshme, një mekanizëm i cili do të garantojë shumë liri dhe të drejta që kanë në themel shtetin e së drejtës, prandaj zbatimi i reformës në drejtësi që mbetet si sfidë jo vetëm për klasën politike, por mbetet si një sfidë për të gjithë shoqërinë, por natyrisht ne nuk mund t’i kërkojmë qyetarëve të thjeshtë të jenë ata përgjegjës të monitorimit dhe adresimit të tematikave dhe sfidave që do të ketë zbatimi i reformës në drejtësi, por pushtetit të medias, njerëzve dhe komunitetit të medias pse jo, madje patjetër, sepse ata kanë zgjedhur jo për shkak të dhuntisë, por edhe me ndërgjegje të plotë për t’i shërbyer shoqërisë dhe për t’i shërbyer realitetit të gjithë bashkë në këtë pozicion dhe është pikërisht komuniteti i medias që pavarësisht problematikës dhe sfidave e shikojnë në mënyrë në të ftohtë, të mundshme, më të barazlarguar të mundshme se të gjithë aktorët e tjerë proceset e reformave, kaq të thella dhe kaq dinamike e kaq të rëndësishme”, u shpreh Presidenti Nishani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *