Nis të marrë jetë bulevardi i ri: Ja poli i Tiranës moderne

Postuar më: 11 January 2017 12:35

Ideja lindi në 2003, Rama dhe Veliaj vendosin 2 pllakat e para në Bulevardin e Ri. Rama poston video edhe nga punimet për stadiumin e ri në Tiranë

Nga fushata elektorale e 2011, kohë kur kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Edi Rama do të prezantonte projektin e tij për Bulevardin e Ri, u deshën plot 5 vite që në të të vendosej pllaka e parë.

Kryeministri Edi Rama si ideatori dhe nismëtar i këtij projekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si kryebashkiaku që do të përfundojë këtë projekt, kanë vendosur sot në mënyrë simbolike dy pllakat e para në këtë bulevard, çka shënon edhe nisjen e fazës së fundit të ndërtimit të segmentit të tij të parë.

Kryeministri tha në fjalën e tij se pikërisht për shkak të votës, ndryshimi mund të jetë radikal.

Kreu i qeverisë theksoi se falë Kryebashkiakut Veliaj dhe ekipit që ai drejton, Tirana është tashmë një kryeqytet në lëvizje.

“Tirana mund ta kishte patur këtë bulevard sot, mund ta kishte sheshin sot. Po ja për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç do të duhet të shkonin dhe për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe faktikisht u tërhoq zvarrë. Dhe po për shkak të votës, Tirana sot jo vetëm është vënë në lëvizje, por është vënë në lëvizje me një shpejtësi të re, me një shpejtësi të cilën nuk e ka pasur asnjëherë, falë lidershipit të kryetarit të bashkisë, falë ekipit të bashkisë, falë mobilizimit të ndjeshëm në çdo aspekt të të gjithë njerëzve që punojnë me bashkinë apo për bashkinë dhe që lidhet me këtë energji të jashtëzakonshme, të re që i ka sjellë Tiranës pikërisht një votë në drejtimin e duhur. Falë votës në drejtimin e duhur Tirana do të ketë shumë shpejt Bulevardin e Ri, Tirana do të ketë shumë shpejt më në fund sheshin e vet”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se bulevardi i ri lidh Tiranën e sotme me Tiranën e gjeneratës tjetër.

“Ky është një privilegj shumë i madh dhe sigurisht është edhe një përkëdhelje, pse mos ta them, i sedrës time si ish-kryetar bashkie, që bëra sa munda, jo aq sa desha, për të çelur pikërisht rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen, rrugën që lidh qytetin që kemi me qytetin që duam, rrugën që lidh atë që kemi trashëguar nga të parët tanë, me atë që kemi detyrim t’u lëmë fëmijëve tanë”, theksoi Rama.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur për faktin që projekti i nisur shumë vite më parë nga Rama po finalizohet duke i dhënë gjithë zonës një mundësi të re zhvillimi.

“Ajo që është e rëndësishme është që sot është një fillim i ri. Sot është një ditë e re dhe sot pas pesë vitesh ku ne humbëm kohë, të çmuar, nga zgjedhjet e 2011 deri sot. Unë besoj se në këto 500 ditë kemi justifikuar besimin që na kanë dhënë qytetarët për të rikuperuar kohën e humbur për të mos mbajtur kokën mbrapa dhe për të projektuar Tiranën moderne ku duam të jetojmë të gjithë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ky Bulevard do të shndërrohet në një nga pjesët më të rëndësishme të kryeqytetit, pasi aty do të zhvendosen një pjesë e mirë e institucioneve qeveritare dhe zyrave administrative të qytetit.

“Sot është një moment ku ne festojmë këtë ringritje të Tiranës, ku pas 5 viteve pause në 500 ditë kemi ecur me shpejtësi dhe sot jam i lumtur që bashkë me kryeministrin do vëmë dy pllakat e para simbolike. Poli i ri i Tiranës moderne 2030. Kjo do të jetë një hapësirë zhvillimi. Ku ta gjejmë të kemi kulla të hoteleve me 5 yje. Sot kemi grup ambasadash që duan të transferohen këtu. Bashkia e re e Tiranës do të zhvendoset në Bulevardin e Ri”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur dhe disa data të rëndësishme për hapjen e projekteve kryesore.

“Dita e Verës do të hapin projektet kryesore. Me 14 mars hapet Pazari i Ri. Parkingjet në sheshin “Skënderbej”. Ata që kanë punë në zonën rreth stacionit të trenit, sheshit Skënderbej do të sigurojmë vendet e parkimit. Një datë tjetër është pranvera, mars dhe prill ku kompania britanike do të na sjellë planin e detajuar vendor”, tha Veliaj.

Bulevardi Verior do të krijojë një zgjatim natyral të bulevardit ekzistues, duke krijuar një arterie me gjatësi 1600 m dhe gjerësi 70 m, me pikënisje nga ish-stacioni i trenit e përfundim tek lumi i Tiranës.

Ndërhyrja konsiston në punime inxhinierike, infrastrukturën nëntokësore, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, rrjetin infrastukturor në dy galeritë nëntokësore përgjatë seksionit të bulevardit, si dhe hapësirat për kalimtarët, transportin publik, ashtu si dhe bimësinë në të dyja anët e Bulevardit.

Gjithashtu, një komponent i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, i cili në momëntin që flasim ndodhet në masën 90% të kryerjes së gjithë punimeve.

Ndërkohë më herët, kryeministri Edi Rama postoi një video nga një tjetër projekt i rëndësishëm në Tiranë, stadiumi i ri kombëtar.

Videon e gjeni më poshtë:

1 koment për këtë artikull
  1. ela at 3:24 pm

    Tirana ishte shume me e bukur dhe terheqese per shqiptaret dhe te huajt ashtu sic ishte ne kohen e komunizmit. Nje qender me kulla e rremuje, ku nuk ruhet asnje shenje e se shkuares, ku mohohet cdo histori eshte jo vetem antiestetike, por dhe antihistorike, antikombetare, antishqiptare. Eshte harxhim i kote i taksave te popullit fukara. Shqiperise dhe Tiranes i mungojne gjera te tjera: vende pune, zhvillim i ekonomise, industrise, permiresim i funksionimit te arsimit ne te gjitha rrafshet, zbutja e polarizimit te pasur-te varfer etj. Plani Rama- Veliaj parashikon ne plan te pare pasurimin e klienteve qe kane “fituar” tenderat. Kjo eshte alfa dhe omega e ketyre planeve. Na shkoi jeta duke pare prishjet dhe ndreqjet e qendres. Asnje qytet ne bote me tradite nuk ben kesi rrenimesh pa kuptim dhe ndreqjesh nga e para pa kurrefare fizionomie kombetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *