Listat e hapura nuk janë zgjidhja!

Postuar më: 11 January 2017 09:42

foto-per-opinion-iljazajNga Ervis Iljazaj*

Me shumë gjasa, vendi do të shkojë në zgjedhjet parlamentare të ardhshme me këtë sistem zgjedhor. Edhe pse nuk e shprehin në mënyrë direkte, partive politike kryesore dhe liderëve të tyre iu shkon përshtat ky sistem për shumë arsye që tashmë janë të ditura.

Duket sikur reforma e sistemit zgjedhor ka kaluar në plan të dytë me vullnetin e plotë të aktorëve kryesorë politikë.

Kryetarit të opozitës për të forcuar pozitat e tij brenda Partisë Demokratike dhe krijimin e një grupi parlamentar që është mbështetës i lidershipit të tij, ky sistem i jep mundësinë, që ai të “shpëtojë” nga individualitet brenda partisë, të cilët në shumë raste nuk e ndjekin në betejat e tij politike. Në këtë mënyrë, ai do të ketë fakultet të plotë në përcaktimin e kandidatëve që do të plotësojnë listat e Partisë Demokratike. Jo më kot, sistemi zgjedhor duket sikur ka dalë nga axhenda politike e Lulzim Bashës, i cili thekson më shumë fenomenin e shitblerjes së votës se sa domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit në funksion të përmirësimit të përfaqësimit politik dhe qeverisjes së vendit. Ndoshta, kjo është alibia perfekte për të përgatitur terrenin e një humbje të mundshme në zgjedhjet parlamentare.

Ndërsa, nga kampi i mazhorancës, ka një heshtje totale për sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor. Në pritje të mandatit të dytë, Rama, me sa duket nuk do të rrezikojë në përllogaritjen që do ta çonte atë në marrjen e mazhorancës parlamentare të ardhshme.

E vetmja forcë politike, që tenton ta rikthejë në vëmendjen e opinionit publik reformën zgjedhore, është Lëvizja Socialiste për Integrim. I vetmi propozim që ka hedhur deri më tani, nuk ka të bëjë me ndryshimin e sistemit, por me “perfeksionimin” e tij, sipas saj. Paradoksalisht për faktin se, kjo parti ka qenë në krye të protestave kur u aprovua sistemi zgjedhor aktual. Mirëpo, LSI, në mënyrë të papritur me këtë sistem e gjeti veten në aktorin kryesor të përcaktimit të mazhorancave qeverisëse. Propozimi i tyre ka të bëjë me mundësinë që qytetarët duhet të kenë për zgjedhjen e kandidatëve brenda një liste të caktuar nga partia politike përkatëse, ose ajo që quhet ndryshe listat e hapura.

Në pamje të parë, ky mekanizëm iu pëlqen të gjithëve, duke iu kthyer në këtë mënyrë “të drejtën votuesve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”. Midis kandidatëve të çdo liste, zgjidhen deputet ata që kanë marrë më shumë preferenca.

Duke e parë në këtë këndvështrim, duket maksimumi i demokracisë, por defektet e listave të hapura, sidomos në një realitet të tillë politik dhe shoqëror si ky i yni janë të shumta.

Pikë së pari, shtyn drejt korrupsionit dhe shkëmbimit të votës klienteliste midis zgjedhësve dhe kandidatëve. Një raport i cili do të bëhet edhe më i theksuar seç mund të jetë me sistemin aktual.

Pikë së dyti, listat e hapura do të krijonin një “luftë” brenda llojit, e cila do të dëmtonte garën e ndershme dhe reale politike jo vetëm midis partive, por edhe brenda tyre.

Pikë së treti, partitë e dobëta do të mbeteshin peng e kandidatëve të tyre më të “fortë”.

Pikë së katërti, listat e hapura do të prishnin një praktikë të mirë, e cila është vendosur tashmë në përfaqësimin politik. Atë të kuotave dhe balancimin e raportit midis gjinive të ndryshme në Parlamentin tonë.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, paratë dhe financimi i fushatave do të shkonin në favor të atyre kandidatëve, të cilët janë më të “aftë” për të tërhequr fonde, duke hequr në këtë mënyrë mundësinë e barabartë për t’u zgjedhur të të gjithë pjesëmarrësve në listat përkatëse. Shpeshherë këto financime gjatë fushatave vijnë në mënyrë jo të ligjshme.

Për këto arsye, listat e hapura jo vetëm që nuk zgjidhin problemet e shumta që ka ky sistem zgjedhor, por do t’i theksojnë ato. Andaj, zgjidhja e vërtetë do të ishte ndryshimi tërësisht i këtij sistemi, i cili ka deformuar përfaqësimin politik dhe mënyrën e qeverisjes.

Megjithatë, ky është një diskutim që do të ngelet i tillë, sepse asnjë palë politike, në të vërtetë s’e do ndryshimin e këtij sistemi. Propozimet që jepen, më shumë se tentativë për reformimin e tij, janë provokime për kundërshtarë politikë apo aleatë qofshin ata.

*Pedagog UET

loading...
loading...
3 komente për këtë artikull
  1. cekja at 12:13 pm

    Edhe ne vende me nje demokraci me te konsoliduar e me te hereshme, behen diskutime per persosjen e sistemit zgjedhor, nisur edhe nga problemet specifike qe ka cejcili shtet apo duke kombinuar sistemin mazhoritar me ate proporcional.
    “Ndryshimi i madh” i sistemit zgjedhor per Shqiperine, ishte kalimi qe nga zgjedhjet formale ne sistemin diktatorial njepartiak, ne zgjedhjet me parti te shumta ne sistemin demokratik pluralist. Vete fakti se ne Shqiperi, akoma partite politike njesohen me emrin e lidereve te tyre, krijon idene e nje reminishence me te kaluaren. Elektorati pra duhet te beje zgjedhjen e liderit te preferuar, e jane ideret ata qe e kane tagrin te zgjedhin se kush do te jete deputet i partise se tyre. Me listat e mbyllura, rrezikohet pra ajo qe permenda me siper, duke i shtuar edhe rrezikun “e madh” se mos ne krye te shtetit nuk do te kemi te perfaqesuara femrat ne menyre te barabarte. Harojme se edhe ne kete “barazine gjinore”, eshte perseri lideri qe do te beje perzgjedhjet. Nje lider autokrat, e ka me lehte qe gjysmen e ekipit drejtues ta kete femra, pasi ato jane me “te bindura” se meshkujt ne saje te natyres se tyre te brishte. Lideri del dy here i fituar. Edhe si nje demokrat qe respekton para opinionit demokratik nderkombetar barazine qofte edhe formale gjinore, edhe i ka nen vete gjithe mvartesit.
    Listat “e hapura” sjellin nje tjeter problem, sipas autorit te ketij shkrimi. Kandidatet e perzgjedhur nga “baza”, me kete sistem, e kane me lehte te blejne vota vetjake e nuk eshte cudi qe parlamenti te mbushet 100% me parexhij te medhej.
    Si me gomarin e Natradinit qe nuk dinte i gjori se cfare uji ti jepte, te ngrohte apo te ftohte, a mos duhet te kalojme tek ndryshimi i madh i sistemit zgjedhor, e ti kthehemi zgjedhjeve te para 1991-shit ? Apo te behet dicka tjeter ? T’ju kufizohet lidereve vendimmarja si diktat e te kalohet ne vendimmarje kolegjiale e duke mos i lene ato qe te jene lidere me shume se nje mandat te shkurter. ?

  2. Me pak ndryshime at 8:28 pm

    Me pak ndryshime sistemi maxhoritaro-propocional, ai i “Dushkut”, do te ishte mjaft i drejte dhe praktik. Ndryshimi qe duhet bere ishte qe perqindjet e propocionalit te llogariteshin sipas perqindjeve partiake vetem te dites se pare te zgjedhjeve. Kjo do te pamundesonte nderhyrje si ato te Dushkut. Ndersa kerkesa per “moderrnizim” nuk eshte apriori me i miri perderisa edhe Amerika nuk shmangu pandehmat per nderhyrje te pa kontrolluara kibernetike. Kush mund te ishte garanti sot, per votimin elektronik .!?

  3. Kola at 5:00 am

    Sa here qe fashistet e Karaxhicit kerkojne pushtet, s’ndalen duke permbysur gjithshka. Problemi eshte i thjeshte: Populli duhet te dije kujt ia jep voten, jo vetem si parti, por edhe si person. Kjo e ben aktule kerkesen. Sigurisht qe kjo nuk e zgjidh problemin, ndaj pyetja ime eshte: Sikur kjo kerkese e SHQUPIT te pranohet, (dhe s’ka pse te mos pranohet) cfare marifeti do nxjerre Basha per te bojkotuar zgjedhjet? Pasi ai tashme eshte i bindur qe keto zgjedhje nuk i fiton. Arroganca deri ne banditizem, e shkuara deri ne pergjakje te Shqiperise, qendrimi skandaloz ne lidhje me avprovimin e Vetingut meritojne nje ndeshkim qe s’do vonoje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *