Kartolinat më origjinale, nga Grida Duma tek Odeta Nishani

Postuar më: 10 January 2017 10:01

Kartolina e parë e printuar, kartolina të vizatuara nga fëmijë me aftësi të veçanta, monumente kulture dhe histori, fotografi të viteve ’20, koleksion i një ekspozite me piktura, mesazhe ndërgjegjësimi… tradita e mirë e dërgimit të kartolinave me postë vazhdon të ruhet nga institucionet. Ja disa nga më origjinalet shpërndarë në festat e fundvitit! 

Edhe kur e di se shpesh janë pjesë e rutinës formale institucionale, kur një zarf me kartolinë të mbërrin në adresë bashkë me urimet për një vit më të mirë se ai që lamë të fal një ndjesi ngrohtësie veshur me nostalgjinë e atyre kohëve kur i vetmi mjet urimi ishte pikërisht ajo letër drejtkëndore prej kartoni të butë, që ofronte një ilustrim dhe fjalë zemre…

Ca gjëra mbeten më të mira sipas modës së vjetër dhe urimet e shkruara në një kartolinë nuk do të dalin kurrë nga moda. Mund të mos shkruhen më me dorë (ku dërguesi tregonte kujdesin më të madh në kaligrafinë e tij dhe në zgjedhjen e fjalëve që do t’i niste marrësit), megjithatë një mesazh i tillë mbetet gjithnjë i ngrohtë në ditë të ftohta dimri.

E para kartolinë e shtypur, ishte ajo e Krishtlindjes 1843, në Mbretërinë e Bashkuar.

Sir Henry Cole, një shërbyes civil anglez mbahet si krijuesi i konceptit të dërgimit të kartolinave të urimit në Kohë Krishtlindjeje. Së bashku me mikun e tij, ilustruesin John Horsley, skicuan të parën kartolinë, të cilën e shitën 1 shilingë kopjen. Kartolina kishte tri panele që shfaq njerëz që kujdeseshin për të varfrit dhe në qendër një familje e madhe e mbledhur për darkën e Krishtlindjes.

Pikërisht këtë ilustrim ka zgjedhur politikania Grida Duma për të përçuar urimet e saj për një vit të mbarë, por pa harruar të shkruajë me dorë emrat e secilit prej marrësve, shoqëruar me nënshkrimin e saj.

Me sfond historik, por më larg në kohë dhe më afër në hapësirë ka zgjedhur zonja e parë Odeta Nishani. Një pikturë më sfondin e epokës mesjetare të Kalasë së Beratit është zgjedhja e çiftit presidencial për të përçuar urimet në rastin që ata e quajnë të hareshëm, atë të ndërrimit të viteve.

Një pikturë, një logo, një fotografi, një monument i trashëgimisë kulturore, një mesazh ndërgjegjësimi apo punëdore të fëmijëve me aftësi të veçanta apo ato të realizuara nga të vegjlit e fshatit SOS apo Qendra Johnatan… Tendenca është thuajse e njëjta me atë të një viti më parë.

Një sfond bredhi stolisur me yje, vepër e së voglës Eliana 5-vjeçare është ajo që ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka zgjedhur për urimet e 2017–ës.

Me ndihmën e terapistit, gjatë orës së terapisë me programin e formave, vogëlushja ka arritur të sjellë këtë vizatim. Ky program konsiston në identifikimin, njohjen dhe riprodhimin grafik të formave nga fëmija. Të ardhurat nga shitjet e këtyre kartolinave shkojnë për ofrimin pa pagesë për fëmijët e Qendrës së arritjeve dhe zhvillimit pranë Fondacionit Down Syndrome Albania.

Kartolinat e fëmijëve të fshatit SOS, vizatime plot ngjyrë dhe atmosferë të gëzueshme festive edhe këtë vit i kanë zgjedhur disa institucione shtetërore si edhe biznese private, të cilët me blerjen dhe shpërndarjen e kartolinave kontribuojnë për fëmijët që kanë gjetur një shtëpi të dashur në SOS, fshatrat e fëmijëve në Shqipëri.

Ndërsa Ministria e Mjedisit ka menduar që bashkë me urimet të përcjellë edhe mesazhe sensibilizuese në kartolinat e saj, realizuar nga fëmijë të shkollave. Ministri Lefter Koka ka zgjedhur një vizatim të nxënëses 14-vjeçare Entela Zenelaj, nga Shkolla “Bajram Curri” e vlerësuar me Çmim të parë për punimin e saj mbi Javën Europian të Lëvizshmërisë.

“Trafiku është kaos dhe shkatërron gjithçka, përdorni transportin publik dhe çdo qytet do ndihet më mirë” -thotë mesazhi i nxënëses.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm në po këtë ministri, Alqi Bllako ka zgjedhur Çmimin e dytë në këtë eveniment mbi javën europiane të lëvizshmërisë.

Nxënësi Ildri Mustafaj, 14 vjeç me vizatimin e tij shprehet “Në botën që na rrethon unë kam bërë zgjedhjen që mbron mjedisin dhe më siguron një jetë më të sigurt”.

Bashkë me urimet e saj, që ka preferuar t’i shkruajë me dorë duke i personalizuar dhe jashtë petkave formale – me nënshkrimin thjesht Mirela – ministrja e Kulturës Kumbaro ka preferuar të bëjë edhe një njoftim mbi Bienalen Mesdhetare të Artistëve të Rinj, që do të mbahet në Tiranë dhe Durrës nga data 4 deri më 9 maj 2017 , titulluar “Home” – History, cOnflict, DreaM, FailurE.

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sylë Ukshini, së bashku me zonjën e tij Arjetë ka zgjedhur një skicë të shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit si ilustrim i urimeve të tij.

Me ngjyrat e Kombëtares dhe logon e Federatës Shqiptare të Futbolli, kreu i saj Armando Duka ka shpërndarë mesazhin e tij.

Nga TOP Media kartolinat krejt të bardha me një bredh në shkëlqim metalik të argjendtë këtë vit kanë sjellë një stil të ri, atë të imazheve tredimensionale të godinës së re të televizionit, por jo vetëm.

Me një fotografi të viteve 1920, shkrepur nga fotografi Thimi Raci që shfaq një vajzë të re së bashku me prindërit, biznesmeni dhe politikani Koço Kokëdhima ka ruajtur traditën jo vetëm të formës së kartolinës, me hapësirën për mesazhin, adresën e dërguesit e të marrësit si edhe vendin ku vendoset pulla postare, por edhe atë të shkrimit me dorë për urimet e tij.

Me një font elegant kuqezi ku shkruhet në dy gjuhë në shqip e anglisht “Gëzuar Vitin e ri”, Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zgjedhur vizatimet e tij, me të cilat i është paraqitur publikut jo vetëm vendës, por edhe atij të huaj në disa ekspozita për të uruar.

Duket se brenda një kartoline mesazhet për një vit të ri më të mirë vijnë më të njëmendta…aq sa edhe harrohet se janë pjesë rutine institucionale. Por kur qëllimi dhe tradita është e mirë, mbetet veçse të zgjasë edhe për shumë vjet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *