Kapet 2.3 kg heroinë në Durrës: Kush ma futi drogën në çantë?

Postuar më: 11 January 2017 11:44

Policia e Durrësit ka sekuestruar 2.3 kg heroinë në portin e qytetit dhe ka arrestuar dy persona, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.

Laureta Lama (38 vjeç) dhe Bashkim Hasani (67 vjeç), të dy banues në Tiranë, janë shtetasit e arrestuar.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale E.Ç., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Durrës-Bari, në dhomën ku ishin akomoduar për udhëtim shtetasit e arrestuar, në valixhen e shtetases Laureta Lama u gjet një çantë dore, në brendësi të së cilës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 pako të mbështjella me celefon, me peshë rreth 2.3 kg heroinë.

Edhe pse katër pakot e drogës u gjetën në dhomën e tragetit të pronotuar nga Laureta Lama dhe Bashkim Hasani, konkretisht në çantën e dorës së gruas, në deklarimet e para për policinë ata kanë fajësuar njëri-tjetrin.

Ora News raporton se Laureta Lama ka deklaruar për policinë se Bashkim Hasani mund ta ketë futur në çantën e saj të dorës lëndën narkotike.

Nga ana tjetër edhe 67-vjeçari Hasani ka deklaruar se nuk ka lidhje fare me lëndën narkotike dhe se ajo i përket Laureta Lamës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *