Kaligula – një dramë politike?

Postuar më: 28 January 2017 13:37

kamy 1Nga Diana Çuli

Shtëpia botuese Fan Noli, në vijim të botimit të autorëve botërorë klasikë, të cilët kanë mbushur boshllëkun që kishim, pas Mitit të Sizifit e veprave të tjera të Albert Kamysë, na sjell edhe dramën Kaligula.  Autori e shkroi në vitin 1939 dhe dëshironte që ta shihte të vënë në skenën e Théâtre de l’Equipe, një grup teatror, të cilin e kishte ndihmuar dhe ai të krijohej. Por, do të kalonte shumë kohë, deri në vitin 1954 që ajo të vihej në skenë në Teatrin  Héberot, ku u shfaq për një vit të tërë.  Njihet mënyra e punës së Kamysë, i cili i përpunonte vazhdimisht veprat e tij dhe me to “ndiqte” zhvillimet e kohës, duke modernizuar dhe teknikat e dramës, po duke zgjeruar e thelluar më tej dhe idetë e tij. Këtë bëri dhe me Kaligulën. Drama më pas u vu në skenë në Londër dhe në shumë vende të botës dhe mbetet gjithnjë një vepër e jashtëzakonshme për teatrin, por edhe për lexuesin që mund ta shijojë njësoj edhe vetëm duke e lexuar.

Shpesh, tek Kaligula, njerëzit kanë bërë lidhjen me Hitlerin dhe diktatorë të tjerë të kohës sonë. Por, Kaligula nuk është një dramë politike, e lidhur me rreziqet e politikës ekstreme, as një demaskim i diktaturave. Për Kamynë ishte shumë e rëndësishme të trajtonte absolutizmin filozofik. Dhe, veçanërisht filozofinë e absurdit, kontradiktën midis aspiratës dhe realitetit, disproporcionin midis synimit dhe realitetit, forcës së brendshme të njeriut dhe pamundësisë së tij. Ka diçka universale – kërkon të theksojë Kamyja përmes veprës së tij – në kondicionin human që është absurd, ka një aspekt të tillë.  Ky aspekt, gjithnjë sipas Kamysë, është serioziteti dhe rëndësia që ne i japim jetëve tona dhe vlerave që mishërojmë – pa kuptuar se këto gjëra dhe këto vlera mund të jenë zgjedhur krejt arbitrarisht. Nëse ne e shohim universin si të pakuptimtë, ngulmon ideja e Kamysë, atëherë është absurde të kërkojmë kuptim në këtë univers.

Kamyja, siç e ka shkruar edhe vetë, e shihte dramën  Kaligula si pjesë të “ciklit të absurdit”, bashkë me I huaji dhe Miti i Sizifit. Në përgjithësi “ciklet” e Kamysë përbëheshin nga tri vepra plotësuese me njëra-tjetrën: një roman, një ese dhe një dramë dhe përmes këtyre cikleve ai kërkonte të shprehte idenë e tij mbi absurdin, revoltën dhe dashurinë. Po çfarë kërkon perandori absurd romak me sjelljen e tij dramatike dhe vdekjeprurëse? Ai thotë, ( personazhi i dramës) se njerëzit vdesin të palumtur, duket sikur mishëron idenë se, nëse gjërat janë në vetvete pa kuptim, nëse ne duhet t’ua japim këtë kuptim, mbi çfarë duhet të bazohemi ? (Shpesh, në këtë pikë, ka pasur një keqkuptim të përsëritur mbi Kamynë, sikur ai e mohonte ekzistencën e vlerave të përhershme, të jashtëzakonshme). Kaligula, në dramë, nuk është thjesht një tiran vrastar. As vetëm një diktator i çmendur. Pa dyshim, ai vret e pret, në një dallgë paranoje, por është shumë i qartë në metodën e tij. Ai e di se thesari i shtetit ka shumë rëndësi – ndoshta më rëndësi se gjithçka – dhe e trajton si burrë shteti i ftohtë. Jep urdhër që të gjithë patricët të rishkruajnë testamentet, të mos ia lënë më pasuritë fëmijëve të tyre por shtetit, gratë e tyre duhet të punojnë në shtet; ai, nuk bën asgjë që ta forcojë politikisht; vret baballarë, shtyn njerëzit të vuajnë urie, I poshtëron të gjithë bashkëpunëtorët e tij…Gjithçka e bën në emër të idesë së tij për të shndërruar botën. Kërkon të kapë hënën dhe ta mbajë në duar. E di se është e pamundur. Dërgon mikun e tij Helikonin ta gjejë hënën, kërkon ta shohë tek pulson mbi sipërfaqen e liqenit dhe ta kapë, por përsëri është e pamundur ta nxjerrë nga uji, është absurde. E di shumë mirë se gjithçka që kërkon është e pamundur. Ai mendon se kur të gjithë do të jenë të barabartë në asgjënë e tyre, kur të gjithë të kuptojnë sa absurde është jeta brenda kësaj barazie, atëherë, ndoshta ai vetë do të shndërrohet, bota do të rilindë e njerëzit do të jenë të lumtur. Sigurisht, ai dështon në idenë e tij absurde dhe pothuajse të marrë. E thotë dhe vetë se kishte zgjedhur rrugën e gabuar, atë që të shpie te asgjëja dhe se liria e tij nuk ishte ajo e drejta.

Kamyja e ka  ndryshuar figurën e Kaligulës, nga ajo që njihet historikisht dhe e ka bërë më të thellë e më mendimtare, që lexuesi e spektatori të hyjë brenda konceptit të tij filozofik dhe të diskutojë bashkë me të.

Drama na vjen në shqip nga Ilia Lëngu, që, edhe njëherë dëshmon mjeshtërinë e tij të veçantë në shqipërimin e këtyre veprave të vështira, por që shijohen mrekullisht në gjuhën tonë. Përçimi i dramaticitetit, i zhdërvjelltësisë së dialogjeve, atmosfera e rëndë dhe mbytëse – gjithçka vjen në shqipen tonë të pasur e të aftë për të përballuar një gjeni të mendjes e të gjuhës si Kamyja përmes penës së pagabueshme të Ilia Lëngut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *