Digjitalizimi: Sukses apo rrënim për industrinë bankare?

Postuar më: 10 January 2017 09:39

doni-t-euml-dini-si-vidhen-parat-euml-nga-bankomati-me-metod-euml-n-piruni-video_hd-1200x630Nga prof. asoc. dr. Elvin Meka

Zëvendës/rektor për Procesin Akademik, UET

“Kur shkoj në Silicon Valley … të gjithë atje duan të hanë drekën tonë. Çdonjëri prej tyre do përpiqet ta provojë atë!” Këto fjalë me ngjyra shqetësimi, të artikuluara nga z. James Dimon, CEO i JP Morgan Chase, në Ditën e Investuesve Amerikanë rreth dy vjet më parë, përmbledhin më së miri sfidën më të madhe, që e gjithë industria bankare, qoftë ajo tregtare ose e investimeve, po përballet në veprimtarinë e saj të përditshme. Sfida ka një emër: Revolucioni Digjital dhe kjo është tejet e ndërlikuar për bankat, në kuptimin që atyre iu duhet të “luftojnë” në dy fronte: dixhitizim dhe digjitalizim. Nëse fronti i parë është intuitivisht i kuptueshëm dhe i perceptueshëm, e si pasojë është përkthyer në strategji operacionale të mirëpërcaktuara shumë vite më parë që me përhapjen masive të internetit, kjo e dyta është shumë më e vështirë, e shtrirë në kohë dhe me plot rreziqe, madje deri në vënien në pikëpyetje të mbijetesës së biznesit. FinTech-sat me modelet e tyre novatore të biznesit, si: financimi nëpërmjet publikut pa ndërmjetësim (crowdfunding), P2P, P2B dhe B2B, së bashku me teknologjitë e tyre “shkatërruese” po rrezikojnë seriozisht modelin e biznesit bankar, pavarësisht faktit se kanë qenë pikërisht bankat pionieret e përdorimit të kompjuterëve dhe teknologjisë së informacionit. Ata po e sulmojnë industrinë bankare thuajse në çdo pikë nevralgjike të zinxhirit të saj të vlerës (kohëzgjatjen e huamarrjes, kryerjen e pagesave, kërkesat për kapital, etj.) Ky sulm është shumë asimetrik, pasi Fintechsat nuk rregullohen ashtu si bankat, por i konkurrojnë ato duke përdorur parime, pajisje dhe mekanizma të ngjashëm, por me qasje krejtësisht të ndryshme. Gjithsesi, rreziku dhe kthimi ecin krah për krah dhe bankat mund të sigurojnë fitime të konsiderueshme, nëse përshtaten shpejt me prirjet e kohës. Ashtu siç sugjeron dhe McKinsey në një kërkim më të fundit … “(bankat) që mbeten prapa në digjitalizim mund të përjetojnë rënie të fitimeve neto deri në 35 %, ndërsa fituesit mund të realizojnë një rritje të fitimit rreth 40 %, ose më shumë”. Por që të arrijnë këtë, bankat duhet të familjarizohen me faktin se digjitalizimi në banka dhe industrinë bankare nuk përbën një zgjedhje, apo një opsion: ai është një vendim ekzistencial, i marrë paradoksalisht jashtë vullnetit të bankave. Me fjalë të tjera, bankingu digjital është një sfidë “për jetë a vdekje” për bankat, ndërsa institucionet që do t’i bëjnë rezistencë inovacionit digjital teknikisht i kanë ditët të numëruara, pasi të gjitha grupet e interesit, përfshi këtu investuesit, klientët, tregjet etj., do të “hakmerren” ndaj “konservatorizmit” të tyre. Përveç kësaj, bankat duhet të pranojnë se po ushtrojnë biznes në epokën e Revolucionit të Katërt Industrial (revolucioni digjital) dhe kjo do të ndikojë në modelin aktual të biznesit të tyre, ashtu siç kanë ndikuar gjatë gjithë historisë revolucionet, apo risitë e mëparshme, duke përdorur pikërisht të njëjtin mekanizëm dhe parim të shkatërrimit krijues. Edhe pse Shqipëria duket një vend i vogël për një revolucion të tillë, konkurrenca nga sfidantët dhe praktikat e jashtme nuk duhet të neglizhohen, ose anashkalohen nga bankat. Në këtë kuadër, është jetike që bankat në përgjithësi, si dhe ato shqiptare, të formulojnë një strategji digjitale fituese, qoftë individualisht ose kolektivisht, në mënyrë që të përballen me sukses me “cunamin” digjital, që padyshim do të prekë dhe ndikojë çdo aspekt të operacioneve bankare, nga zhvillimi i produkteve, menaxhimi i rrezikut, kërkesat për kapital, e deri te menaxhimi i burimeve njerëzore. Përndryshe, nëse lihet jashtë vëmendjes, apo keqmenaxhohet, revolucioni digjital do të kthehet në një armë të mundshme të shkatërrimit të bankave!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *