UET – Efekti pionier

Postuar më: 24 December 2016 10:25

universiteti-europian-i-tiranes-uet-godina-ndertesaNga Diana Çuli

Ky shkrim, në të vërtetë duhej shkruar disa muaj më parë, që në shtator, kur u botua libri, i cili doli në dritë me rastin e 10–vjetorit të themelimit të UET-it. Por, jemi në kohë festash fundviti dhe, çfarë do të ishte më e mirë në këtë periudhë se sa përmendja e bilanceve pozitive?

Ndjesia e parë që të krijohet jo në fund, por që në mes të librit, është ta lëshosh nga dora një çast dhe të thuash me vete: vetëm dhjetë vjet? Kaq pak? E pamundur! Dhe kaq shumë?

Profesor Fatos Tarifa iu jep përgjigje këtyre pyetjeve në parathënien e tij: Janë pak, fare pak, universitete private në Shqipëri që e meritojnë plotësisht statusin e Universitetit. Ata janë, pa dyshim më të mirët. UET-i është njeri ndër ta. Dhe është bërë i tillë brenda një dekade të vetme, Brenda një dekade të shkurtër, por që vështirësitë e kushteve politike dhe ekonomike dhe, sidomos arkaizmat në mentalitetin e shqiptarëve e bëjnë të duket e të ndihet si një dekadë e gjatë.

Pikërisht. Në tranzicionin tonë të stërzgjatur koha shpreh kuptimin e saj relativ. Për ne ajo zgjatet dhe tendoset në skaje të pambarimta, ndërsa për të tjerë mundet që shkurtohet dhe fluturon.

Në të njëjtat vite konvencionale. Kjo mund të vijë nga ngjarjet e shumta që përjeton individi apo shoqëria, nga moria e ideve të prodhuara në një kohë të shkurtër, po që zmadhohet e fryhet prej tyre, po edhe nga ndjenjat dhe emocionet e shkaktuara. Sepse ngjarjet e mëdha – katastrofat natyrore, shembjet e regjimeve, revolucionet, epokat e reja shoqërore dhe politike shkaktojnë edhe ndryshime të thella në psiken dhe përjetimet emotive të një shoqërie.

Universiteti Europian i Tiranës, që u krijua dhe u realizua e u rrit para syve tanë, është një nga këto fenomene që ndodhin rrallë, në kohë ndryshimesh të mëdha. Zefina Hasani, me shkathtësinë e penës së gazetares me përvojë ka ditur të na e shpalosë këtë dukuri të veçantë, të gjallë, që rritet, zgjerohet e zmadhohet paprerë, me ndjeshmëri të veçantë. Kapitujt e parë, ku përshkruhet historia, po edhe filozofia e krijimit të UET-it përshkohen nga emocioni i përmbajtur, pothuajse i padukshëm, por gjithsesi që ndihet si nënshtresë e stilit të autores, për këtë sfidë të re, pothuajse të pabesueshme, që lindi në mendjet, po edhe në zemrat e krijuesve të UET-it.

Përveç këtyre kapitujve, që janë tejet interesante për të kuptuar se si mund të ngrihen gjëra të mëdha, kur bashkohen idetë, vullneti, energjia, dija dhe besimi, të tërheq vëmendjen saktësia e matur me të cilën Zefina Hasani ka shpjeguar bazën e ideve liberale të filozofisë që kishin në mendje themeluesit e kësaj ndërmarrjeje arsimore. Ajo që sot mund të duket diçka normale, në debatet, takimet, konferencat që organizon UET-i për këtë temë, para një dekade nuk ishte kaq e lehtë të diskutoje çështje të tilla të mendimit ekonomik në një shoqëri të çoroditur nga e kaluara kolektiviste, nga rrymat e ndryshme, të majta e të djathta të hedhura mbi tryezë të gjitha së bashku, pa dalluar qartazi thelbin dhe diferencat e ndryshimet e tyre. Autorja, ka mundur, përmes një trajektoreje informacionesh të dhëna me masë, të zbulojë thelbin e kësaj sfide: jo vetëm universitet privat në emër të veprimtarisë private, por një universitet që do të sillte – siç solli – debatin shkencor për përparimin e shoqërisë shqiptare, krijimin e një qendre akademike –të gjallëruar nga aktivitetet e botimet, që nxit krijimin e qendrave të tjera të tilla, qofshin me këto ide apo të kundërta. Shoqëria ka vetëm përfitim dhe kurrë humbje.

Kapitujt në pjesën e dytë – edhe për ata që bashkëpunojnë me UET-in dhe që e njohin veprimtarinë e tij – ku renditen konferencat, revistat shkencore, Honoris Causa, Kërkimi shkencor, botimet UET PRES, Alumni ose rrjeti i ish-studentëve etj., është tepër mbresëlënës.

Në dhjetë vjet. Ja që mund të ndodhë. Edhe tek ne, në Shqipëri, ku skeptikët dhe pesimistët, fatalistët e kritizerët – që janë habitshëm më të shumtë në numër se sa punëtorët, ideatorët, entuziastët, besimplotët e të talentuarit – do të bënin ç’është e mundur të mos e shikonin këtë realitet.

Ky është mesazhi që na jep leximi i këtij libri të shkruar nga Zefina Hasani dhe i botuar nga UET PRESS.

 

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *