Rrjeti i kritikës letrare/ 10 librat më të mirë 2016

Postuar më: 30 December 2016 11:40

liberMe bashkëpunëtorët letrare si Diana Çuli, Agim Baçi, Preç Zogaj, Ledia Dushi etj., e ka rikthyer vëmendjen sidomos në receptimin e letërsisë shqipe, për të pasur një gjendje natyrore mes autorëve dhe lexuesit. Pikërisht, mbi këtë tregues është ndërtuar rrjeti i kritikës letrare prej të cilëve kemi marrë disa propozime mbi 10 librat më të mirë për vitin 2016

Perspektiva e letërsisë së një vendi, e sidomos për vende si ky i yni, që lidhet me konceptin jo vetëm të gjuhëve pak të përhapura por dhe si letërsi e vendeve të vogla, rezistenca e vetme bëhet jeta e brendshme letrare. Pas rënies së diktaturës, fillim vitet ’90-të patën një shpërthim jo vetëm rebelues ndaj sistemit letrar, por edhe atij gjuhësor, duke shpërfillur dogmën për të krijuar lirinë individuale…derisa stanjacioni e mbërtheu në një izolim pothuaj, si në një gjendje fillestare. Për këtë arsye ndërhyrje në këtë sistem e gazetës Mapo, me suplementin e fundjavës, “Mapo libri” ka krijuar një intensitet letrar të munguar.

Me bashkëpunëtorët letrare si Diana Çuli, Agim Baçi, Preç Zogaj, Ledia Dushi etj., e ka rikthyer vëmendjen sidomos në receptimin e letërsisë shqipe, për të pasur një gjendje natyrore mes autorëve dhe lexuesit. Pikërisht, mbi këtë tregues është ndërtuar rrjeti i kritikës letrare prej të cilëve kemi marrë disa propozime mbi 10 librat më të mirë për vitin 2016.

Një prej kritikëve, Agim Baçi, i përcjell këto propozime personale duke u shprehur: “Mund ta konsiderojmë një hap të mirë debatin për letërsinë shqipe. U lexua në Tiranë. U lexua në rrethe. Por mbi të gjitha “Mapo Libri”, në 3-4 vitet e fundit ka mundur të fusë përfundimisht në një hulli të rëndësishme debatin për letërsinë shqipe, duke zgjuar më në fund atë për të cilën lexuesit prej kohësh kanë kërkuar – mendimin kritik. Të rikthehesh pas për të veçuar disa libra në 365 ditë nuk është kurrë e lehtë edhe kur ke shkruar për ta. Emra të tjerë mund të kenë qenë pjesë e këtij udhëtimi letrar, por ndoshta ende s’janë bërë pjesë e leximit tim, ose nuk kanë qenë në udhën e shijeve për të ndaluar gjatë me to. Por në konceptin e sotëm të teorive letrare, libri është aq herë sa lexohet.

Ndaj, asnjëherë nuk mund të themi se, i thamë të gjitha për një libër. Aq më pak mund të themi se kemi dhënë idetë përfundimtare, qofshin pozitive apo negative. Por e rëndësishme është që tashmë letërsia shqipe debatohet. Kjo ka sjellë një interes më të madh te botuesit, të cilët tashmë kanë kthyer kokën edhe nga letërsia shqipe. Personalisht besoj se, ata që merren me letërsinë si zanat dhe ata që studiojnë aspektet e ndryshme letrare, e dinë që ka një dritare të rëndësishme që i ka hapur rrugën debatit mbi letërsinë e sotme shqipe.

E ndoshta, ndonjëherë, më mirë se sa të merren me shijet e kritikëve ata që mendojnë se mund të flasin për librat duhet më mirë të shkruajnë vetë për vlerat e librit. Sepse leximet janë të pafundme dhe shumësia e leximeve i jep vlerë më shumë jo vetëm librit, jo vetëm autorit, por edhe debatit kulturor. E megjithatë, në një retrospektivë të shpejtë për leximet e këtij viti, u ndala në dhjetë tituj”.

 

Alfred Lela, Drejtori i botimeve “Mapo”

Gabriel Garsia MarkezJeto për ta treguar

Është, për fat të keq, një rrëfim i ndërprerë duke qenë se shëndeti i autorit nuk e lejoi përfundimin e autobiografisë. Megjithatë, sytë e imagjinatës së lexuesit mund ‘ta shkruajnë’ vetë jetën e Gabos. I tillë është teksti i tij.

Alberto MoraviaBurri që këqyr

Përkthim i shkëlqyer i tekstit të një autori të Ligës së Madhe të Rrëfimit. Italia moderne me dyzimet intelektuale e shoqërore e dhënë me befasinë e një rrëfimtarie të klasit të lartë.

Shkëlqim ÇelaEmbriologji

Fituesi i çmimit Kadare për vitin 2016 ‘kapi’ edhe shortlistën e jurisë së çmimit të Ministrisë së Kulturës. Kjo është vetëm dëshmi anësore e një teksti solid dhe e një autori deri tash të munguar në letërsinë shqipe dhe kjo për shkak të medias dhe rrethit të saj të mbyllur. Si anëtar i jurisë ‘Kadare’ jam i gëzuar për ‘certifikimin’ e Çelës.

Michel HoullebecqNënshtrimi

Houllebecq shkruan për botën si do të jetë me intuitën e një të talentuari të madh. Bota siç është i jep të drejtë. Si gjithmonë shkrimtarët më shumë se shkencëtarët janë profetët e shoqërisë.

Niklas LuhmanTeoria e shoqërisë

Hapësira e debatit publik në Shqipëri është e vakët pikërisht prej mungesës së teksteve themeltare të ‘teorive të shoqërisë’. Pas kolanës së ISP, libri i Luhman shënon një përplotësim.

Roger ScrutonSi të jesh i djathtë

Ashtu siç vetëm autorët anglo-saksone dinë, Scruton e shpjegon ideologjinë me një lehtësi të admirueshme. Një lexim i domosdoshëm për ata që merren apo interpretojnë politikën. Për ata që nuk e dinë: shumica e narrativës politike në Shqipëri punton majtas. Scruton ofron pamjen e realitetit tjetër ideologjik.

Besnik MustafajAutoportret me teleskop

Mustafaj del nga rrëfimi linear dhe futet, me teknikat e një autori të stërvitur, në labirintet e skenave që shpalosen duke u zhvendosur.

Umberto Eko- Numri zero

Eko mbetet një mendje e thellë dhe njëkohësisht zbavitëse, një zemër e madhe njerëzore me cinizmin e hollë të atij që reagon kundër shoqërisë që kthehet kundër vetes. Ata që e njohin skenën mediatike shqiptare do gjejnë të N0 territore të familjares.

Elena Ferrante-Mikesha gjeniale

Tekst i zhdërvjellët me thellësinë sentimentale të një gruaje.

Ismail Kadare Kukulla

Edhe pse i botuar fillimisht si pjesë e Mëngjeseve…Kukulla e meriton mëvetësinë pavarësisht hajthmërisë. Rrallë ndonjëherë shkrimtarët e mëdhenj e kanë përshkruar nënën me një kirurgji të tillë.

Agim Baçi, gazetar, kritik letrar

Preç Zogaj“Ushtimet e Melankolisë” (Poezi)

E ndarë si në katër kohë, vëllimi i Preç Zogajt thjesht kërkon një frymëmarrje përpara se të ndajmë hapat, për të kuptuar se cilën udhë morëm dhe cilën udhë lamë të pashkelur. Janë aty e dikurshmja dhe ajo që do vijë. Shumica e vargjeve kanë nga pas si një fëshfërimë lutjen. Është një fëshfërimë që bart enigmën e buzëqeshjes së fëmijës, por edhe lëkurën e trashë të humbjes që kërkon të të rrijë ngjeshur pas shpirtit deri sa të gjesh kurajën të mos mbulohesh me të. Dhe si një betejë, sjell më pas edhe atë që vargu e mban fort jo pas tik-takeve të eshtrave, por sipas tik-takeve të fjalëve.

Luljeta Lleshanaku “Homos antarcticus” (Poezi)

Poezitë e Lleshanakut notojnë në imagjinatë, detaj pas detaji, duke na dhënë një hartë të lëvizjes së njeriut herë në drejtim të vetes e herë në drejtim të tjetrit. Janë tridhjetë poezi, që duken si një poemë e vetme. Madje, si një thirrje, që të paktën, të dimë të themi… një fjalë! I gjithë libri është një gërvishtje deri në fund të lëkurës, ku shpirti nis të gjejë germën e fundit të britmës. Pastaj ironi, dashuri dhe udhëtim….

Agon Tufa- “Kafsha apo fantazma” (Poezi)

Duke na ofruar një udhëtim sa perceptiv aq edhe emocional në vargjet e tij, Tufa na ofron lexime brenda lëkurës së njeriut që shpesh përdor si shtrojë të ndjesive të veta autoironinë. Nuk synon magjepsjen, por të menduarin. Kërkon Sizifin për të ringritur gurin e jetës, edhe në qoftë se do ta shohim atë gur duke u rrokullisur sërish.

Shkëlqim Çela “Embriologji” (Novela, triologji)

Shkëlqim Çela ka ndërtuar embriologjinë e së shkuarës, duke rrëfyer atë çka u zhbë me njeriun gjatë diktaturës. Çela ka vënë teleskopin e kujtimeve të tij, duke restauruar disa tipizime të së shkuarës, të cilat në foton e madhe të së djeshmes na japin njeriun e rrëzuar. “Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa) shuar” janë tri novela në retrospektivë, duke e nisur nga mosha e tretë, për të zbritur në rini, e më pas në fëmijëri, ashtu si sistemi zbriti gjithë ideologjinë e tij, duke synuar që gjithkush të ndjehej ushtar i partisë.

Thanas Medi“Kohë e djegur” (Roman)

Thanas Medi sjell “Kohë e djegur”, përmes një grotesku dhe përshkrimi poetik plot ngjyra, ku trokasin gotat njëkohësisht disfata dhe gëzimi, e shkuara dhe e tashmja. Duke rindërtuar historitë ai kërkon të mbajë gjallë njeriun si pjesë e së shkuarës së tij shpirtërore, ndaj duket sikur e përkund fëmijërinë e Azisit në mendjen e Ilias – emër i tij i ndryshuar për të përfituar dokumentet për në Greqi.

Ardian Vehbiu – “Ndërhyrjet e zotit Shyti” (Roman)

Njeriu i futur në hullinë e gabuar, njeriu i veshur me pëlhurën e hipokrizisë e, padyshim, njeriu i keqkuptuar në komunikimin e sotëm dixhital, janë personazhe të cilat kalojnë përmes gjykimeve të z. Shyti, i cili vjen dhe plotëson thuajse një pyetësor të rëndësishëm të sotëm: Si mund të orientohemi në këtë çoroditje të komunikimit të sotëm që u ka lejuar njerëzve që të ndërmarrin hapin për të qenë pjesëtarë të debateve që as nuk e kanë menduar kurrë më parë, që nuk kanë asnjë dijeni, e që gjithsesi, nuk ngurojnë të japin zgjidhjet e tyre me zë të lartë?

Zija Çela“Princi i buzëqeshjes” (Tregime)

Me një sy nga imagjinata e me syrin tjetër me vështrimin e shtrirë në gjithçka përreth, Zija Çela, përmes rrëfimesh me fjali të shkurtra, sjell duke vallëzuar të mundshmen dhe të pamundshmen, ashtu siç i shfaqen jo rrallëherë rrugët njeriut në jetën e tij, e që atij i duhet që të vendosë se çfarë mundet me falë nga vetja e tij e se çfarë duhet t’u kërkojë të tjerëve.

Rudi Erebara: “Epika e yjeve të mëngjesit” (Roman)

Arti vjen si një dritë në errësirën. Rudi Erebara ka pikturuar betejën e madhe të njeriut atëherë kur të gjitha dritat shpirtërore rrezikonin shuarjen, sepse duhej të qëndronte vetëm një dritë- ajo që thoshte Partia dhe Enveri. Është ngjethës, tronditës. I pakursyer dhe i ftohtë në detajet e rrëzimit të njeriut. Një kujtesë e rëndësishme për njeriun.

Ada Çapi – “Morphina” (Roman)

Çapi, e vetidentifikuar në vetë rrëfim, nuk ankohet për atë çka sheh çdo ditë. Nuk tenton të ndajë ndjesinë me lexuesin se është femër në atë çka rrëfen. Ajo sheh me syzet e njeriut dhe me humor zhbën një pjesë të së përditshmes që mund të duket e pakapërcyeshme, duke futur në lojë herë lajmin që prodhon lagjja, e herë atë që servir media. E mbi të gjitha, me përshkrimin që të bën të lexosh me aromën që të sjell gjithçka rreth e rrotull. Autoironia mbetet arma e saj për të mos u ndalur.

Alket Çani “Momento mori” (Poezi)

Çani vë teleskopin e vet të mendimeve mbi botën, duke na ftuar të shohim herë afër e herë larg, pa i vënë një kufi humbjes apo fitores. Nuk kërkon ta mbajë njeriun peng të asaj çfarë sheh ai, por kërkon t’i tregojë se ai/ajo vetë duhet të gjejë shtegun për atë udhë ku ai/ajo ndjehet më mirë. Por udhët që marrim kanë më shumë nevojë për sytë e mendjes sonë. 

Diana Çuli, shkrimtare, kritike letrare

Ada Çapi Morphina, roman

Ada Çapi trajton me origjinalitet, me spontanitet dhe me dorë të rrjedhshme faktet e vogla të jetës, zinxhirin e tyre të përthyer dhe të errët apo të përndritur, që, si tinguj të ulët, por të pandërprerë dhe të bashkuar me njeri tjetrin e të lidhur me fije logjike, krijojnë tablonë e gjerë dhe të thellë të një shpirti njerëzor dhe të botës ku ai jeton.

Ermira Jorgo- Koha e gështenjave, tregime

Koha e gështenjave dëshmon se autorja nuk i druhet as vështirësisë së kompozicionit, as marrëdhënieve shkak-pasojë që në tregim duhet të jenë tepër të sintetizuara dhe të transmetuara me inteligjencë…Koha e gështenjave është një libër që nuk e lëshon lehtë nga dora, ku shpirti shqiptar i të gjitha kohërave duket sikur pulson si një aura përreth dorës që mban librin, përreth trupit të njeriut që po e lexon atë libër.

Flutura AçkaFtesë për flirt, poezi

Në poezinë e Flutura Açkës të bën përshtypje, mbi të gjitha, nxitja, shtysa për të menduar, për të reflektuar – një pauzë e beftë, e përkohshme, për të kuptuar vetveten, tjetrin, botën që na rrethon, natyrën, trupin tonë, zemërartat dhe dashuritë tona. Poezia e kësaj poeteje përmbledh në një grupim vargjesh një kompleksitet idesh, sugjestionesh dhe ndjenjash, që na duhet t’i rilexojmë me vëmendje, për të menduar përmbi to.

Idlir Azizi – Shekspiriotët, tregime

Tregimet e Idlir Azizit na japin botë të veçantë letrare, e kompozuar me një arkitekturë të tillë krijuese, që t’i përshtatet subjektit gati fantastik, personazheve që na duken sikur rrotullohen të gjithë rreth nesh dhe, pa kuptuar, sapo dalim nga ky karusel maskash historiko-letrare-ëndërrimtare, shpaloset teatri i jetës, i vërtetë, grotesk, i dhimbshëm, po ndoshta dhe i vlefshëm për ta jetuar.

Jakov Xoxa- Lulet e Kripës, roman

Romani Lulet e kripës na jep tablonë shumëdimensionale të jetës së shoqërisë shqiptare rurale pak përpara shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. E jep me forcë të madhe, me talentin e tij narrativ dhe me zhbirimin që i bën shpirtit njerëzor. Rrallëherë ndeshet në traditën tonë letrare një shkrimtar tjetër si Jakov Xoxa që të ketë pikturuar këtë tablo jetësore me kaq shumëllojshmëri, vërtetësi e thellësi, me personazhe me një liri të tillë shpirtërore.

Mira MeksiPa zemër në kraharor, novelë

Mira Meksi nuk resht. Lexuesit apo kritikut që e ndjek këtë shkrimtare, tashmë i duket sikur e dëgjon ritmin e saj të paprerë, goditjet në tastierën e kompjuterit, shfletimin e librave të historisë, të simbolikës, të mitologjisë, të magjisë, hapat në shtigje fsheharake, në botë të largëta, përkuljen e pazëshme për të zbuluar labirintet e frikshme, por joshëse të brendashpirtit dhe të brendamendjes…

Mustafa Nano- Selakum Alekum, roman

Romani Selam Alekum, baba! është një vepër letrare dinjitoze, me strukturë narrative të harmonizuar, ku të gjithë elementët e saj: – personazhet, subjekti, atmosfera dhe toni i rrëfimit – na lidhin pashmangshmërisht me çështjet e besimit. Dhe kështu, edhe në një shoqëri si e jona, që nuk mendon se është veçanërisht fetare, historitë që rrëfejmë, na shtyjnë të mendojmë për pikëpyetjet e mëdha të jetës, të cilave fetë janë përpjekur gjithnjë t’u japin përgjigje.

Shkëlqim ÇelaEmbriologji, tregime (fitues i çmimit KADARE 2016)

Në këtë vëllim, si dhe në vëllimet e mëparshme, Shkëlqim Çela ka një gjuhë të pasur në leksik e në strukturë. Vende-vende ajo rikthehet pas, duke u mbushur me fjalë të të folmeve jugore, që tingëllojnë si muzikë e harruar dhe e përmallur, herë-herë, sipas temës dhe subjektit, i përshtatet kohës në të cilën flitet në tregim apo në një novelë të caktuar. Gjuha, në dorën e Shkëlqim Çelës, është si një potpuri virtuoze.

Vera Bekteshi – Ora me rërë, roman

Një grup miqsh nga Tirana, vajza dhe djem – më vonë burra dhe gra – që përshkojnë një trajektore të mundimshme ekzistence e kohe, ku secili ndjek shtegun e tij, të përcaktuar nga fati, nga rrethanat apo nga zgjedhjet personale, por që rikthehen vazhdimisht tek njeri tjetri, si në një spirale. Që është e ëmbël si dashuria, e hidhur si ndarja, therëse si tradhtia, e trishtë si miqësia e humbur, e bukur si vetë drita që shpërndahet si tis mëngjesor përmbi fatet njerëzore.

Vladimir Myrtezai Viti i trumcakut, poezi

Vladimir Myrtezai njihet kryesisht si piktor, por edhe si autor tregimesh, esesh e prozash të tjera të shkurtra. Viti i trumcakut është një metaforë që zbërthehet gjatë leximit të poezive. Poeti ka ndërtuar një operacion artistik të tillë, me shumë nënshtresa mendimi, që ndonëse janë secila në regjistrin e vet poetik, shërbejnë edhe si mjet për t’u ndërgjegjësuar për thelbin e përgjithshëm të veprës.

Valbona Nathanaili, UET Press & MAPO Editions

Për arsye etike, zgjedhjet e mia për titujt më të mirë të vitit 2016, qëndrojnë brenda listës së botimeve të UET Press & MAPO Editions, ndërsa kriteri i zgjedhjes është “shitja”, – cili nga titujt që kemi botuar gjatë vitit 2016 ka shitur më shumë kopje. Gjithsesi, dua të theksoj që tirazhet janë modestë, por përsëri mbresëlënës për kushtet e tregut të librit të Shqipërisë, – rreth disa qindra kopje. Nga 10 titujt që duhet të përmbajë lista ime, vendin më të madh e zënë botimet e MAPO Editions (6 tituj), ndërkohë që konstatoj me dashamirësi që kemi edhe 4 autore shumë të mira, Vera Bekteshi (MAPO Editions), Eni Vasili (UET Press) dhe Ada Çapi (UET Press), të cilat ndonëse janë në hapat e parë të krijimtarisë, kanë krijuar vepra që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit, të kritikës dhe të medias; Mimoza Ahmeti (MAPO Editions) me botimin e saj me poezi është në habitatin e saj dhe sigurisht që le gjurmë. Sa i takon autorëve të tjerë të së njëjtës listë, Ilir Ikonomi ka krijuar profilin e tij si krijues dhe është jo vetëm bindës në ato që shkruan, por edhe artistikisht shumë lart, – personalisht pres me kuriozitet zgjedhjet e titujve të Ikonomit: “Kë figurë/personalitet do të ketë në qendër të librit të tij këtë radhë?” Por duhet të presim, sepse në fakt, në një të ardhme të afërt, i vetmi plan që ka është të realizojë një ribotim të librit “Faik Konica, Jeta në Uashington”. Nga mënyra e shkrimit dhe e paraqitjes së fabulës, “Kryeministri” i Blushit është i ngjashëm me titullin e mëparshëm të tij, “Kandidatin”, – të dy librat marrin shkas nga llumi politik në të cilin ndodhet vendi. Artan Mullaj boton për herë të parë me MAPO Edtions dhe është i suksesshëm. Mund të them se Mullaj ka arritur të ketë një profil lexuesi që i mirëpret librat e tij, qoftë për fabulën, qoftë për mënyrën e shkrimit. Myrtezai dhe Velo, duke qenë të dy artistë, nuk mund t’i shpëtojnë ngasjes së të shkruarit, ndërsa Fevziu e ka fjalën profesion.

  1. Kryeministri KM, (roman). Autor Ben Blushi, MAPO Editions.
  2. Esat Pashë Toptani. Njeriu, lufta, pushteti. Autor Ilir Ikonomi, UET Press.
  3. Çmimi i pafajësisë (roman). Autor Artan Mullaj. Redaktorë Klara Shoshi & Fabjola Caushaj, MAPO Editions.
  4. Ora me rërë (roman). Autore Vera Bekteshi. Redaktor Diana Çuli, MAPO Editions.
  5. Unë kam vrarë. 10 histori nga burgu. Autore Eni Vasili. Me parathënie nga Ismail Kadare. Redaktore Diana Çuli, UET Press.
  6. Pushteti. Një ese për magjinë, makthet dhe fundin e tij. Autor Blendi Fevziu, MAPO Editions.
  7. MorPhina. Autore Ada Çapi. Redaktore Elona Baçi, UET Press.
  8. Atdheu si Dasanta H. Rrëfime dhe refleksione. Autor Vladimir Myrtezai. Redaktor Edison Çeraj, UET Press.
  9. Klubi Karavasta. Autor Maks Velo. Redaktor Valbona Nathanaili, MAPO Editions.
  10. Libri i lumturisë, ose lulet e fjetura (poema metafizike). Autore Mimoza Ahmeti, MAPO Editions./Mapo.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *