PD: Një tjetër deputet trafikant! Reagon Selami: Thashetheme

Postuar më: 17 December 2016 12:24

shkelqim-selami-2Koordinatori për Çështjet e Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj doli në një konferencë për shtyp, ku tha se një tjetër politikan i majtë është dënuar për trafik.

Ai iu referua një dokumenti të publikuar nga portali Syri.net.

“Zbulimi nga media i rastit të deputetit të madhorancës, Shkëlqim Selami, i cili ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qeniesh njerëzore, tregon edhe një herë pse Edi Rama nuk e do dekriminalizimin, e pengon atë, dhe nuk është i gatshëm ta zbatojnë.

Ndërkohë që Europa e ka theksuar, e ka vënë tek kushtet e vendit tonë për integrimin europian, Edi Rama nuk bën asnjë përpjekje për aplikimin e dekriminalizimit, për ndarjen me krimin, me personat me të shkuar kriminale që i ka në parlament, në bashki e në zyra qendrore.

Jo vetëm nuk shkarkon Rroshin, të cilit ia quajti publikisht të mbyllur shërbimin kur i doli dënimi në Itali për përdhunim, por jep letra rekomandimi për kreun e bandës në Durrës, Lulzim Berisha, dhe del se po pasuron radhët me anëtarë të rij të klubit të krimit, me deputetë si Selami.

Pra Edi Rama vazhdon kontratën e tij me krimin në të gjitha format, dhe nuk ka ndërmend të ndahet prej tij.

Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve që ligji i dekriminalizimit i ngarkon me këtë detyrë, KQZ dhe Prokuroria, të veprojnë me shpejtësi, të mos i zvarrisin rastet si deputeti Selami, e të tjerë deputetë dhe kryetarë bashkie të kësaj mazhorance,” tha Alibeaj.

Ndërkohë deputeti Shkëlqim Selami reagoi lidhur me akuzat e opozitës përmes një postimi në Facebook.

“Barsoletat nuk paskan te sosur ne Tirane! Mjer kush qahet nga Vlora. Thashethemxhinjt e Tiranes jan me keq se ato te peshkatarve te Skeles qemoti qe kur s’u zinte gje grepi, thoshin zura nje peshkaqen po s’e nxora dot se ma keputi fillin hahaaa! Ne Tirane ka plas Peshku i mediave sociale! Me kane futur keto dite ne grupin e tyre te ndryshkur dhe me nxjerin larteposht emrin si kriminel. Shyqyr qe jam nga Vlora dhe futbollin e kam lozur me porta te medha,se do isha merzitur vertete! Po jo i merzitur s’jam po kam qe dje qe qesh se me marin njerezit ne tel dhe me thon urime se qenke ne regull????” shkruan deputeti Selami.

Sipas një dokumenti të publikuar në media, Selami nuk ka bërë publik një dënim të marrë në Itali në mesin e viteve ’90.

Dokumenti i shtetit italian tregon se deputeti i LSI-së në Vlorë, që tani është rreshtuar në krah të Edi Ramës, është dënuar në Brindizi.

Sipas dokumentit, Selami është i dënuar për “trafik të qenieve  njerëzore” si dhe për futjen në Itali të qytetarëve ekstrakomunitarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *