“Kripa e patretur” në prozën e Jakov Xoxës

Postuar më: 24 December 2016 10:24

Xoxa, individualitet në letërsinë shqiptare, pedagog i Universitetit të Tiranës, fotografuar në vitin 1970,I dorëzuar në shtyp katër muaj përpara se të linte këtë botë (1979), dhe i botuar pas vdekjes së tij,  romani “Lulja e kripës” është një përpjekje për një “komedi njerëzore”, duke sjellë një lumë të pandalshëm përshkrimesh. I apasionuar pas përshkrimeve të Balzakut mbi jetët e përditshme, Jakov Xoxa, i vendos ngjarjet e tij në një fshat gati metaforë – “Nafora”- një fshat mbi kripë dhe ujë

Romani “Lulet e kripës” e Jakov Xoxës/Debatet mbi idetë komuniste dhe kontestimet ka mundur t’i fshehë përmes njerëzve që kanë lënë rrugët e botës dhe janë fokusuar në të ardhmen e Nahorës, fshatit që kërkon të mbahet në të shkuarën për të mbrojtur të ardhmen e banorëve. Personazhet vijnë e rriten apo ndryshojnë gjatë leximit – një rrëfim tipik i kohës ku njeriu rritet bashkë me partinë. Por dyzimet e komunistit internacional Milto nuk janë të zakonshme…

Nga Agim Baçi

I dorëzuar në shtyp katër muaj përpara se të linte këtë botë (1979), dhe i botuar pas vdekjes së tij,  romani “Lulja e kripës” është një përpjekje për një “komedi njerëzore”, duke sjellë një lumë të pandalshëm përshkrimesh. I apasionuar pas përshkrimeve të Balzakut mbi jetët e përditshme, Jakov Xoxa, i vendos ngjarjet e tij në një fshat gati metaforë – “Nafora”- një fshat mbi kripë dhe ujë. Duke përshkruar ngjarjet në vitin 1940 Xoxa ka tentuar t’i  japë vetes lirinë e debatit mbi botën dhe idetë, duke ndërthurur mbijetesën e përditshme, ndryshimet nga pushtimi fashist dhe gërshetimin e ideve komuniste.

Rrëfimi nis me një legjendë për Nahorën –  një fshat që lidh liqenin e kripur dhe detin, si një rrip mitologjik. Një mitologji që vjen e vihet në pikëpyetje me ideologjinë e kohës që po troket përmes ideve komuniste. Personazhet nuk janë lehtësisht të ravijëzuar. Nuk mund të ndalesh vetëm tek një emër e të besosh se po kupton gjithçka. Por mund të përshkruash dilemë e mbijetesës tek ajo çka rrëfehet si ndonjë amanet në fund të legjendës, kur Grigori përsërit fjalët e të vëllait, arhond Dhipllodelta:  “Ruani mos digjet e përvëlohet Nafora nga damixhanat e panumërta me raki dhe kacekët e pafund me vaj, se, po të digjet kasabaja, e ngre prapë Nafora; ndërsa, po të digjet e shkruboset Nafora, s’e ngre dot kasabaja…”.

Saga e Xoxës duket në numrin e pafund të personazheve, që ikin e vijnë, duke mbetur si ujët e një një lumi që ka dy brigje që mbajnë rrëfimin-  Dosarët dhe Sopajt.  Milto, Grigori, Pavlo, Llambro, Petriti, Peri i Këputur, Këmbëçikriku, Zonja Ermion, Raq Kapirani, Arta, Maji janë herë pjesë e përditshmërisë, herë e ëndrrës, herë e ideve, duke e kthyer Naforën në fshatin e përbotshëm, ku kryqëzohet portreti i njeriut me fatin e tij. Shumica e karaktereve përvijohet më së shumti nga debatet e jo nga përshkrimet.

Dallohet një përpjekje e autori për të shmangur skematizmat e kohës përmes një rrëfimi shpesh të mbingarkuar, sikur kërkon të fshehë personazhet nga ideologjia e kohës kur ka shkruar. Po të kemi parasysh që është shkruar brenda tetë viteve, mes vitit 1972-1978, (në Apoloni, Ballsh e Tiranë), në kohën kur kishim revolucionet kulturore nën frymëzimin e Maos, duhet të pohojmë se libri i ka kapërcyer shinat ideologjike, edhe pse komunisti Milto, që ka bredhur botën, është kryeqendra e rrëfimit romanor dhe personazhi që kërkon më shumë kohë për t’u zbardhur.

Përsëritja e herëpashershme nga personazhet e shprehjes:  “Bukë, kripë e zemër!”, duket si një thirrje për të lidhur në tokën e kripës edhe bukën- përditshmërinë, bashkë me zemrën- dashurinë. Xoxa nuk fokusohet te drama, nuk tenton të ndalojë në moralizma, edhe pse debati mes Miltos dhe Petritit i mban të gjitha. Debatet mbi idetë komuniste dhe kontestimet ka mundur t’i fshehë përmes njerëzve që kanë lënë rrugët e botës dhe janë fokusuar në të ardhmen e Nahorës, fshatit që kërkon të mbahet në të shkuarën për të mbrojtur të ardhmen e banorëve.

Personazhet vijnë e rriten apo ndryshojnë gjatë leximit – një rrëfim tipik i kohës ku njeriu rritet bashkë me partinë. Por dyzimet e komunistit internacional Milto nuk janë të zakonshme, ndërkohë që dramën ekspresive e merr përsipër çifti Llambro e Patra Dosari. Madje, mbi Patrën përshkruhet edhe nota e realizmit magjik, teksa vjen e shndërrohet  nga një grua e devotshme në shtrigën që kërcënon me shterpësi fshatin. Një kërcënim si në legjendë që vjen e ikën në tokën që mbahet nga kripa dhe peshku.

Ndërkaq, herë përshtypja e brendshme, herë vëzhgimet e herë rikthimi në traditën familjare përshkruajnë profilin e tre djemve të  Sopajve, ndërkohë që tek Dosarët, Milto dhe Petriti janë fytyra e debatit mes dilemave, duke vënë përballë zhgënjimin dhe ëndrrën në një botë gati të pamundur. Ndërsa  në kufijtë e legjendës mbetet Arta dhe Maji, të cilët shfaqen si një hije dashurie në fillim të librit, për t’u rikthyer në fund të romanit.

Në romanin “Lulet kripës” Xoxa vjen me një leksik të pasur, me një stil jo karakteristik për kohën kur u shkrua,  e ku shpesh shpjegimet vijnë përmes gjuhës së pafajësisë. Më pas, disa të vërteta fshihen, ashtu si kripa në det, për t’u rrokur vetëm nga ata që kanë durimin ta mbledhin atë.  Fundja, kripa është shije dhe hidhërim. Ashtu si vetë jeta, ku kërkohet gjithnjë të gjesh masën e duhur….

Ribotimi i plotë i romanit të Jakov Xoxës është një inicim i mirë edhe për një pyetje që duket se ende nuk i është  dhënë një përgjigje nga studiuesit për shumë autorë ( përjashto Kadarenë) – A kanë vlerë disa veprat e letërsisë së botuar në kohën e diktaturës? Xoxa është rikthyer përmes botimit nën kujdesin e të birit, Arbenit, ndërkohë që mbetet ende i hapur debati për të dhe për disa shkrimtarë të tjerë të cilët ende janë pjesë e teksteve që studiohen në shkolla.

 

loading...
loading...
1 koment për këtë artikull

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *