“Kafja e fundit me Andrea Stefanin që nuk e pata asnjëherë mik”

Postuar më: 04 December 2016 07:02

andrea-stefaniDeputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka bërë një koment të shkurtër në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të publicistit Andrea Stefani. I zgjedhuri demokrat thotë se, njohja me të ishte e vjetër, por asnjëherë nuk kishin qenë miq.

“ISHIM ME AFER, KUR ISHIM ME LARG

(Në kujtim të Andrea Stefanit)

Me Andrean kam pasur fatin të jem edhe shumë afër, edhe shumë larg. Shumë e shumë vite të shkuara ishim kolegë, që punonim në të njëjtën gazetë. Takoheshim përditë asokohe, por nuk u bëmë asnjëherë miq.

Më vonë, kemi ndjekur njëri-tjetrin, për shkak të angazhimeve publike, duke e parë atë përherë e më të larguar nga idetë dhe bindjet e mia. Dhe megjithëse nuk u takuam më kurrë dhe distanca në botëkuptim u thellua, nuk patëm dhe nuk gjetëm asnjë arsye për t’u konsideruar si “armiq”.

Por kjo histori e shkurtër personale nuk më pengon të them se ishte unik. Ndryshe nga gjithë të tjerët, që mosha ua zbeh grintën dhe ua ftoh emocionalitetin, atij i erdhën duke iu forcuar këto shfaqje “djaloshare” të temperamentit. E kam gjetur cdo ditë më të zjarrtë dhe më pasionant në punën e vet, që prej kohës kur kemi pirë kafen e fundit si gazetarë të “Rilindjes” së Kosovës, ndoshta në vitin 1994.

Edhe pse nuk jam dakord me shumë prej atyre që shkroi Andrea, kjo nuk e ndryshon bindjen time se shoqëria jonë ka nevojë për zëra të fortë si ai.

Sepse mendoj që ai besonte në atë që thoshte, pak rëndësi ka nëse kishte të drejtë gjithmonë apo jo. Dhe këtij vendi nuk do t’i vijë kurrë e keqja nga ata që luftojnë për të vërtetën, qoftë kjo edhe e parë me syzet jorealiste të pasionit politik. Por këtij vendi po i punojnë qindin pikërisht ata që bëjnë tamam të kundërtën e asaj që thonë. Dhe që jo në të gjitha rastet janë vetëm politikanë.

Ndaj edhe më është dukur më afër Andrea, pikërisht atëherë kur kemi qenë më larg”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *