Forumet UET: Agora e vërtetë e qytetit

Postuar më: 26 December 2016 09:57

foto-coverDebati publik vjen në arenën universitare nëpërmjet Forumeve UET, një aktivitet ku ftohen në një debat të hapur me studentë dhe pedagogë figura me rëndësi në jetën publike, politike, kulturore të vendin dhe Rajonit. Në 10 edicionet e para të ftuar ambasadorët Arvizu dhe Lu në një diskutim për rolin e rinisë, ministrja Ekonomi për “Paktin e reformizmit”, ministri Ahmetaj për Buxhetin, avokat Ngjela për Reformën në Drejtësi, Mustafaj për dilemën mes shkrimtarit e politikanit, një diskutim mbi të ardhmen e Rajonit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi etj.

Agora ishte një shesh qendror në qytet-shtetet antike greke, që luante rolin e një asambleje apo tubimi. Ajo ishte qendra e jetës sportive, artistike, shpirtërore dhe politike të qytetit në Athinën e lashtë, që më pas u përdor dhe në Perandorinë Romake me termin “Forumi Roman”. Këto platforma shërbyen më pas si model për ndërtimin e strukturave të shtetit modern me Parlamentin e Qeverinë, por pa ia humbur rëndësinë dhe kuptimin forumit, si arenë ku debatohen idetë. Në kohët moderne “Agora e qytetit” ka krijuar hapësira të tjera duke i ikur metodës së lashtë të mbledhjes në shesh. Ambientet universitare, mediat e deri te platformat në internet, janë kthyer në arenën e debatit mbi çështje të jetës publike, politike, ekonomike dhe kulturore.

Aula Magna e Universitetit Europian të Tiranës ka shërbyer si një “Agorë” e qytetit në 10 aktivitetet e para të Forumeve UET, një organizim i krijuar rishtazi për të sjellë debatin mbi çështje që prekin sot komunitetin si politika, ekonomia apo me sjelljen e figurave të jetës kulturore e biznesit në një diskutim me studentët e pedagogët.

Forumet UET janë kthyer tashmë në arenën ku rrihen idetë, debatohet dhe hidhen tezat e reja që lidhen me jetën publike, ekonomike dhe politike të shqiptarëve.

Struktura ruan pak a shumë skemën “i ftuar –moderator” dhe me pyetje e diskutime nga salla mbi një çështje të paracaktuar. E caktuar çdo të Martë në orën 18:00 organizimi ka krijuar një traditë tashmë jo vetëm në jetën e universitetit, por dhe të qytetit, pasi forumet ndiqen nga diplomatë, gazetarë, politikanë dhe nga çdo i interesuar për temën apo të ftuarin e radhës.

Roli i universitetit në jetën publike

“UET është pionier në këtë drejtim duke krijuar një rol të rëndësishëm të universitetit në jetën publike të vendit, një impakt në diskutimin e temave me rëndësi” -thotë rektori, prof. dr. Tonin Gjuraj. Sipas tij UET-i me forumin projekton debatin, argumentin, polemikën jashtë auditorit duke ftuar personalitete të ndryshme që kanë pikëpamje të ndryshme. “Forumi është një komunikim i shpejtë mes të ftuarit dhe auditorit të përbërë nga studentë dhe pedagogë. Është një praktikë e mirë për një institucion akademik për të konsoliduar një traditë që vijon normalisht” -thekson ai. Sipas Gjurajt për studentët e pedagogët është një aktivitet shtesë që shërben në jetën akademike, përveç mësimdhënies dhe kërkimit shkencor që bëhet normalisht në një universitet. “Tezat që mund të hidhen aty mund të bëhen më pas diskutim në auditore mes studentëve dhe mund të jenë dhe referenca përtej literaturës bazë” -thotë ai.

Po çfarë ndodh në Forumet UET?!

Gjatë 10 javëve të Forumeve UET janë prekur çështje të tilla si: aktivizimi i të rinjve në jetën publike me ambasadorët amerikanë Donald Lu dhe Aleksandër Arvizu, të cilët hapën siparin e këtyre forumeve, duke vijuar më pas me avokat Ngjelën në një diskutim të zjarrtë për Reformën në Drejtësi. Një debat interesant ishte ai mbi liberalizmin ekonomik me 4 top-ekonomistët, Adrian Civici, Selami Xhepa, Genc Ruli dhe Arben Malaj. Për zhvillimin ekonomik, reformat e qeverisë dhe Buxhetin u përballën ministrat e Ekonomisë dhe të Financave, zonja Ekonomi e zoti Ahmetaj. Besnik Mustafaj e Helena Kadare, dy personazhe interesantë nga bota e letërsisë sollën një “Agorë” të veçantë në një debat mbi raportin e shkrimtarit me pushtetin. Në një përvjetor special të Martin Luterit, Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, Ylli Doçi, solli një tablo të ndryshimit të botës pas reformacionit.

Forumi i fundit i organizuar javën që lamë pas kishte të ftuar nderi një nga politikanët shqiptarë më me ndikim pas viteve 2000, si dhe një aktor me rëndësi në politikën rajonale, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, diskutimi i të cilit mbi të ardhmen e Kosovës dhe Rajonit e tejkaloi limitin kohor të forumit në një bashkëbisedim që zgjati rreth 2 orë.

 

lu-dhe-arvizuAmbasadorët Arvizu dhe Lu: Të rinjtë të luajnë rol në nxitjen e reformave

“Roli i rinisë në zhvillimin e vendit dhe në nxitjen e reformave”. Me këtë temë dhe dy të ftuar specialë, ambasadorët amerikanë, Donald Lu dhe Alexander A. Arvizu, UET hapi siparin e aktiviteteve nën logon “Forumet UET”. “Duhet shpresë dhe reagim”. Ishte kjo kryefjala e dy ambasadorëve amerikanë, ish-ambasadori, Alexander A. Arvizu dhe ai në detyrë, Donald Lu, gjatë bisedës së sotshme me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës. Me këtë bisedë të hapur mbi reformat, politikën dhe rolin e rinisë në zhvillimin e vendit, UET hapi siparin e “Forumeve UET”, një organizim i ri që do të sjellë në auditorin Aula Magna çdo të martë një cikël debatesh me aktorë të ndryshëm të shoqërisë. Ish-ambasadori Arvizu u fokusua te rinia dhe fuqia që ka ajo për të shtyrë dhe nxitur reformat e ndryshimet e mëdha për vendin. Ambasadori Lu, gjithashtu u fokusua te rëndësia që ka roli i rinisë në zbatimin e reformave. Ai u tha studentëve se ata kanë të drejtë t’i kërkojnë ndryshimet dhe ta shtyjnë klasën politike që kjo të ndodhë sa më shpejt. Nga ana tjetër Lu shfaqi besim se reformat që kanë nisur do të japin efekte në jetën e njerëzve.

ngjelaSpartak Ngjela: Reforma në Drejtësi në përputhje me Kushtetutën

Si do të aplikohet Reforma në Drejtësi dhe çfarë pasojash do të sjellë ajo në sistemin gjyqësor. Avokat Spartak Ngjela ishte një avokat i zjarrtë i reformës më të re që ka miratuar parlamenti shqiptar, duke e konsideruar atë si një reformë amerikano-gjermane, gjë që për Ngjelën jep dhe garancinë që është e duhura. Ngjela e konsideroi Vettingun si një gjë të përkohshme, por jo antikushtetues. Sipas tij, kjo lloj reforme mund të jetë e përkohshme dhe kur të zbatohet atëherë do të ketë një riformulim. Ai e konsideron këtë moment si një moment politik të rëndësishëm për vendin, si të vetmen mundësi për të siguruar një pushtet gjyqësor të pavarur, pa të cilin, siç theksoi Ngjela asnjë sektor tjetër nuk funksionin siç duhet. Ngjela ka qenë një ideator dhe mbrojtës i hershëm i Reformës në Drejtësi, duke i botuar pikëpamjet e tij.

4-ekonomistetKatër top-ekonomistët e Shqipërisë, debat mbi liberalizmin ekonomik

Liberalizmi ekonomik kishte mbledhur në një tryezë të vetme katër ndër ekonomistët më të njohur në vend. Akademikët Adrian Civici e Selami Xhepa dhe dy ish-ministrat e Financës Genc Ruli e Arben Malaj, në një diskutim mbi liberalizmin me pedagogë dhe studentë të UET-it duke marrë shkas nga promovimi i librit me bashkautorësi të Civicit dhe Xhepës “Liberalizmi ekonomik përmes 24 mendimtarëve”, botim i UET Press. Diskutimet u fokusuan mbi rolin e tij në ekonomi, mbi format që liberalizmi ka marrë në ekonominë shqiptare dhe pse sot në ekonomitë perëndimore liberalizmi shpeshherë është vënë në dyshim nga krizat. Një libër që provokon, e cilësoi Genc Ruli, ndërsa shtoi se ai është i nevojshëm për ata që merren me politikat ekonomike dhe për ata që e quajnë veten liberalë. Profesor Arben Malaj provokoi nga ana e tij duke propozuar që libri të ribotohej me një pjesë shtesë ku të përfshihej mendimi kritik ndaj liberalizmit.

mustafajBesnik Mustafaj mbi dilemën shkrimtari dhe politikani

Besnik Mustafaj njihet më shumë si politikan, por ai e konsideron veten një shkrimtar me kohë të plotë dhe politikën si pasion. Ai foli me studentët e UET-it mbi këtë dilemë duke pranuar se të qenit politikan i ka siguruar mundësinë që të merret më tej me letërsi. Ai foli nga pozitat e një demokrati për lidershipin e ri të PD-së duke kritikuar Bashën në varësinë që ka ndaj ish-kryetarit Berisha. “Merkeli ishte produkt shumë më laboratorik i Helmut Kohl se sa ishte Basha i Sali Berishës, sepse Merkeli ishte femër nga Gjermania Lindore dhe që të merrte drejtimin e CDU-së, partisë më të madhe në Europë, mund të ndodhte vetëm duke ia lënë çelësat Kohl. Ai e bëri këtë dhe Merkel në fund të javës së parë i tha Kohlnit “nuk ke punë në parti”. Pra, ajo që thotë Frojdi “me vra babën” -tha Mustafaj. Për Mustafajn, Lulzim Basha e udhëheq partinë nën hijen e ish-kryetarit Berisha, gjë që sipas tij e dëmton atë vetë dhe partinë.

milva-ekonomiMilva Ekonomi: Prova e reformës së Ramës nuk ka përfunduar

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ishte e ftuar në Forumet UET për të diskutuar mbi 10 pikat e “Paktit të reformizmit”, propozuar nga 7 profesorë të UET-it.

“Prova e reformës së kryeministrit Edi Rama nuk ka përfunduar, të gjitha reformat e nisura duhen çuar deri në fund” -u shpreh Ekonomi.

Ministrja Ekonomi foli për reformat e nisura në disa sektorë që ajo i cilësoi si strategjikë, si turizmi, energjia dhe bujqësia, të cilët sipas saj duhet t’u jepet kohë që të japin efektet e duhura të reformave. “Një profesionist që të bëhet i mirë i duhet të bëjë 10 mijë orë pune në punën e tij, nëse nuk i ka bërë 10 mijë orë pune nuk ka bërë asgjë akoma, ndërkohë që të bësh 10 mijë orë pune të duhen 6-7 vjet dhe në një moment reformator si ky, që ka kaq shumë reforma, gjëja kryesore që duhet kuptuar është: mos hiq dorë nga ajo ke nisur, çoje deri në fund. Në këtë moment unë mendoj se vijat janë ato që po udhëheqin, ajo që mund të përmirësohet janë gjërat e vogla që lindin gjatë zbatimit”, u shpreh Ekonomi e pyetur për reformat e nisura nga qeveria Rama.

ahmetajAhmetaj: Buxheti 2017 është buxhet i konsumit 

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ftuar në Forumet UET, bëri një prezantim të buxhetit të ri të qeverisë; mbështetje e reformave, rritje ekonomike 3.8%, rritje pagash dhe pensionesh dhe investime publike. Ahmetaj bëri një tablo të buxhetit të ri duke e cilësuar si një buxhet të konsumit të qytetarëve. Ai tha se, ky buxhet nuk është elektoral dhe pse jemi në një vit elektoral dhe kjo është zgjidhur me anë të një kufizimi në ligjin organik. Buxheti së pari, mbështet reformat e nisura në 3 vitet e para të qeverisjes, që nga Reforma në Drejtësi, ajo në Shëndetësi, në Pensione etj. 

helena-kadareHelena Kadare: Ismaili s’ka nevojë ta rishkruajë të shkuarën

Bashkëshortja e shkrimtarit, e ftuar në Forumet UET flet për herë të parë mbi debatin që shkaktoi libri i Dashnor Kaloçit “Kadare në Pallatin e Ëndrrave – 101 dokumente sekrete”.

“Ismail Kadare nuk ka nevojë dhe as kërkon të ndryshojë të shkuarën e tij”. Akuza se shkrimtari po tentonte të fabrikonte të shkuarën erdhi nga publicisti Fatos Lubonja, i cili u përfshi në këtë debat pasi një prej dokumenteve të publikuara kishte të bënte me një dëshmi të dhënë në qelinë e hetuesisë së sigurimit komunist nga vetë Lubonja. Helena pranoi se Kadare ka përjetuar shpesh sulme të tilla mediatike, sidomos në rastet kur ka qenë fushata e Nobelit apo ndonjë çmimi tjetër.

ylli-doci-luteri95 tezat e Luterit, transformimi i Mesjetës në Botën Moderne

Si e ndryshuan botën 95 tezat e Martin Luterit, i ftuar në Forumet UET në bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë ishte Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, Ylli Doçi. Për Doçin këto teza shënuan në fakt reformacionin e një gjëje më të madhe, e botës moderne ku jetojmë ne sot. “Tezat e tij nuk kanë lidhje vetëm me fenë. Ato janë transferimi i botës mesjetare në botën moderne që ne jetojmë. Domethënë, nga viti 1450 e pak deri në vitin 1700 janë një sërë lëvizjesh dhe rrymash e përplasjesh, nga ku dalin ndryshe nga ç’ishin ndonjëherë. Nga 1450 ishin në mesjetë kurse në 1700 fillon Iluminizmi dhe pak a shumë ajo që ne besojmë, mendojmë sot është me ndryshimet e pakta të 200 viteve që kanë ndodhur që atëherë. Kështu që nuk po flasim për diçka të parëndësishme, por po flasim për transformimin e realitetit nga një botë mesjetare në atë moderne në të cilën ne jetojmë sot” –tha Doçi.

stefan-pinguliDilemat e Lirisë Ekonomike, bisedë me sipërmarrësin Stefan Pinguli

Post-tranzicioni, a funksionon liria ekonomike, cila është marrëdhënia mes shtetit dhe biznesit dhe si mund të përmirësohet kjo marrëdhënie. Mbi këto tema u fokusua bashkëbisedimi mes Presidentit të “Birra Stela”, njëkohësisht kryetari i Shoqatës së Prodhueseve të Birrës, z. Stefan Pinguli dhe pedagogëve dhe studentëve të degës së Ekonomikut në Forumet UET këtë të martë. Zoti Pinguli foli mbi librin e tij “Post-tranzicioni, dilemat e lirisë ekonomike” duke theksuar se zhvillimi i biznesit në Shqipëri pas rënies së komunizmit ka pasur vështirësi të mëdha, që nga ndryshimi i taksave, klima jo e favorshme ndaj biznesit, faktorë këta që e bëjnë të vështirë bërjen biznes. Ai theksoi se biznesi shqiptar duhet të organizohet dhe të luftojë për interesat e tij duke kërkuar politika që ndihmojnë zhvillimin. Në librin e tij zoti Pinguli thotë se parimet e qeverisjes së mirë janë parimet demokratike, si: legjitimiteti, transparenca, përgjegjshmëria dhe gjithëpërfshirja.

hashim-thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar nderi në Forumet UET

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ishte i ftuar në Forumet UET, në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë, për sfidat euroatlantike të Kosovës dhe marrëdhëniet me vendet e Rajonit. Ai tha se Kosova ka prioritet integrimin në Bashkimin Europian dhe shpreh zhgënjimin për procedurat e zgjatuara nga ana e Brukselit në këtë rrugë, siç ishte dhe zgjatja e afatit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi foli mbi dialogun me Serbinë, marrëdhëniet me qeverinë shqiptare dhe për zgjedhjet në Maqedoni, ku theksoi se është me rëndësi bashkimi i faktorit shqiptar. Presidenti Thaçi bëri të ditur se ka vendosur kontaktet me stafin e ri të Presidentit amerikan të zgjedhur Donald Trump dhe se ka marrë garanci prej tij se do të vijojë mbështetja amerikane ndaj Kosovës. Marrëdhëniet në Rajon shteti më i ri i Ballkanit po i ndërton mbi bazën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Kjo është bindja e presidentit Thaçi, i cili vlerëson se duhet tejkaluar e shkuara e hidhur e konflikteve dhe të ndërtohen urat e miqësisë.

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *