Ballina Aktualitet Si u ngrit kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri

Si u ngrit kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri


valer pinderiNga Valer Pinderi* 

Gjithmonë kam menduar se Shqipëria është një vend mundësish dhe sot, pas 5 vjetësh punë intensive dhe pa përkrahje financiare apo politike, drejtoj një kompani me 50 punonjës, e cila vitin e fundit ka gjeneruar mbi një milion euro xhiro.


Sapo përfundova shkollën e lartë “menaxhim biznesi” ëndërroja të krijoja një sipërmarrje të re të përmasave të mëdha. Mungesa e eksperiencës në punë më bëri që ta shtyja pak ndjekjen e ëndrrës dhe të filloja praktikë pune pa pagesë në një prej kompanive më të mëdha të shitjes me pakicë në Shqipëri. Pas tre muajsh, kjo kompani më punësoi me kohë të plotë dhe më dha një rol të rëndësishëm në promovimin e dyqaneve të një prej rrjeteve më të mëdha të elektroshtëpiakeve në Shqipëri. Kjo përvojë më ndihmoi shumë për të kuptuar organizimin e një kompanie të madhe, por gjithashtu edhe analizën apo planifikimin e shifrave monetare që e bënin kompaninë te ecte përpara.

Pas tre vjetësh punë ndjeva se kishte ardhur momenti për të krijuar rrugën time prandaj bëra një studim tregu. Më duhet të gjeja një biznes, i cili kishte mundësi të bëhej shumë i madh; madje, nga më të mëdhenjtë në Shqipëri, por gjithashtu kërkonte pak investim sepse mundësitë e mia ishin minimale për të mos thënë nuk kisha aspak mundësi financiare sepse rroga ishte e vogël dhe prindërit nuk ishin aq idealistë sa unë për të rrezikuar kursimet e tyre prej 40 vitesh në një ëndërr. Duke qenë se unë e shikoj Shqipërinë vendin e mundësive dhe kisha një shkollë në menaxhim biznesi, nuk m’u desh shumë kohë për të gjetur idenë më të mirë për të ëndërruar dhe planifikuar. Gjatë analizës vura re se shumica e sipërmarrjeve në Shqipëri janë lehtësisht të konkurrueshme, sepse pjesa më e madhe e tyre nuk kanë një strategji dhe nuk punojnë për të përforcuar avantazhin konkurrues duke e bërë suksesin e një menaxheri të mirë pothuajse të garantuar dhe me pak risk. Megjithatë, unë kisha dy parametra në përzgjedhjen e fokusit tim dhe këto të dyja ishin rritje e madhe dhe investim i vogël, çka besoj më bënë të zgjidhja biznesin më me risk në treg, i cili ishte biznesi i shitjeve online. Ashtu siç mendoja atëherë, nuk kishte nevojë për shumë investim, sepse nuk duhet të hapja dyqan fizik as të mbaja shumë mall dhe as të punësoja shumë njerëz dhe nëse zhvillohej kishte mundësi që të bëhej një amazon shqiptar duke qenë pika kryesore e referimit për blerjet me pakicë.

Pa pritur dhe menduar gjatë, bleva domain-in online www.dyqantaxi.com në 11.11.2011 dhe fillova të studioj dhe testoj tregun. Pas disa muajsh ndihesha i sigurt në idenë time dhe isha i gatshëm të filloja seriozisht. Sapo fillova kuptova që nëse do doja të rritesha aq shumë nuk mund të vazhdoja punën që kisha ishte e pamundur, por njëkohësisht nuk do kisha asnjë të ardhur dhe 40.000 lekë që kisha rrogën nuk më lejonin të mblidhja mjete monetare. Pas shumë përpjekjesh arrita të siguroj 200.000 lekë kapital investimi nga prindërit dhe me këtë kapital e kisha të domosdoshme të gjeja një ortak, i cili do më ndihmonte me pjesën tjetër që do më duhej për një periudhë 6-mujore pune. Sapo fillova të kërkoja për ortak u njoha me Altin Lulin dhe pavarësisht përvojave e formimeve krejt të ndryshme, ndamë të njëjtin mendim mbi shitjet online dhe vizionin rreth të ardhmes së këtij biznesi. Pas disa takimesh, ai u tregua i gatshëm të bashkohej në këtë sfidë me pjesën e tij.

Shumë shpejt, më 31 maj 2012 themeluam kompaninë NetTrade Albania, e cila sot menaxhon të gjitha portalet tona dhe hapëm zyrat në një hapësirë 18 metra katrorë, tek e cila isha vetëm unë i punësuar në fillim, por parashikonim që për gjashtë muaj të kishim edhe 3 punonjës të tjerë.

Gjatë vitit të parë ne thjesht u njohëm me mënyrën e të punuarit dhe aty kuptova që investimi im i parashikuar ishte shumë jashtë realitetit. Shitjet online kërkojnë investim të madh dhe një strukturë të mirorganizuar, shumë herë më të madhe se një dyqan normal, sigurisht nëse duam të kapim një pjesë të mirë të tregut. Dhe, tashmë, që jemi në vitin e pestë të punës kemi pesë vjet që vazhdojmë investojmë në kompani duke parashikuar të investojmë sërish edhe më shumë se këto 5 vjet.

Puna filloi të rritet dhe brenda dy vitesh ne kishin 6-fishuar ambientin e zyrave dhe punonjësit e punësuar. Gjatë kësaj periudhe kuptuam akoma më shumë rreth shitjeve online dhe hapjes së portaleve të tjera duke hapur edhe një portal tjetër dedikuar produkteve për të rritur. www.sekret.al dhe portali i rrobave për femra www.simjalti.al.

Viti 2015 ishte viti kur kompanisë iu bashkuan edhe dy ortakë të tjerë, të cilët gjithashtu kanë të njëjtin vizion me ne dhe, tashmë janë suportues shumë të mirë të kompanisë me eksperiencën e tyre shumëvjeçare në transportin ndërkombëtar. Ky vit ishte fillimi i vërtetë i investimeve të mëdha dhe tashmë sërish ambienti i zyrave u dyfishua bashkë me të edhe stafi. Gjatë 2015 hapëm portalin e ri dedikuar dhuratave www.idedhuratash.al dhe gjithashtu portalin dedikuar luleve www.luledielli.al.

Po me këto ritme u zgjeruam edhe këtë vit dhe pas shumë sfidash me insistimin maksimal te puna kemi mundur të ndërtojmë një strukturë të mirëfilltë kompanie shitjesh online, ku për konsumatorin shqiptar ne ofrojmë shumë lehtësi nga shitjet tradicionale online. Kemi një dyqan fizik në Tiranë, ku çdo vizitor mund të na vizitojë dhe të shikojë fizikisht produktin që do ose ta kthejë atë që ka blerë. Ofrojmë mundësinë e pagesës CASH, kur ta dërgojmë mallin dhe gjithashtu i japim mundësinë klientit të porosisë thjesht me telefon. Gjatë këtij viti kemi hapur edhe platformën www.bukinist.al, tek e cila tregtojmë gjithë librat në gjuhën shqipe. Pas rrugëtimit të Bukinist u rrit ndjeshëm edhe kultura e leximit në kompani dhe tani NetTrade ka edhe një bibliotekë të sajën për stafin.

Të gjitha portalet që kemi krijuar, me kryesorin www.dyqantaxi.com, na kanë vendosur në sfida të vështira dhe dilema të mëdha, por insistimi i vazhdueshëm dhe ndjekja e një vizioni të mirëpërcaktuar na ka bërë të suksesshëm duke u rritur me mbi 250% çdo vit që kemi kaluar. Aktualisht, të gjitha platformat tona gjenerojnë më shumë se 150 porosi në ditë, duke na bërë kompaninë më të madhe të shitjeve online në Shqipëri.

Falë vizionit të përbashkët të të katër ortakëve dhe punës shembullore të secilit punonjës, ne parashikojmë që për 5 vjet të jemi nga kompanitë më të mëdha në vend duke bërë kështu realitet ëndrrën e krijuar pas përfundimit të shkollës. Brenda vitit 2018 parashikojmë të procedojmë mbi 1000 porosi në ditë për të gjitha portalet tona.

Sot, duke festuar 5-vjetorin e Dyqantaxi me mbi 300 oferta që kemi publikuar dhe kërkesat e shumta që mbërrijnë për porosi edhe pse nuk jemi nga kompanitë më të mëdha në vend, sërish jemi nga kompanitë me rritjen më të madhe në këto pesë vite, jemi nga kompanitë e suksesshme në vend, e cila duhet të jetë model për shumë të rinj, të cilët nuk kanë pse të stepen për të ëndërruar dhe nisur rrugën e jetës. Shqipëria, pavarësisht vështirësive që ka në përditshmërinë e saj, vazhdon të jetë një vend mundësisht dhe potencialesh të mëdha për këdo që do të realizojë një ëndërr në vendin e vet.

*Autori është administrator i kompanisë NetTrade Albania



SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here