Qeveria miraton projektbuxhetin 2017, Ahmetaj: Pensionet rriten 3% në mars

Postuar më: 04 November 2016 11:38

1439985083ahmetajjjjMinistri i Financave, Arben Ahmetaj, konfirmoi edhe një herë sot se pati negociata të vështira, por konstruktive me FMN-në për buxhetin 2017.

“Jemi në dakordësi të plotë me FMN-në për të gjithë kuadrin buxhetor të 2017. Brenda buxhetit të vitit që vjen, financojmë një sërë reformash. Në mbledhjen e dedikuar, qeveria kaloi projektligjin dhe të hënën buxheti kalon në Kuvend për miratim”.

“Buxheti 2017 është një paketë financimi të reformave dhe rritjes së pagave dhe pensioneve dhe buxheti i rritjes së borxhit publik.

Indeksimi i pensioneve do të jetë 3% dhe këto efekte nisin nga data 1 Mars. Pensioni i marsit do të jetë i rritur dhe gjithashtu paga e marsit në fillim të prillit do të merret e rritur. Efekti vjetor i rritjes së pagave dhe pensioneve është 100 milionë dollarë.

Në të njëjtën kohë është arritur që brenda buxhetit 2017 të konsolidohet trajektorja ulëse e borxhit publik në 69.1% të PBB-së.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në një vit elektoral të ulet borxhi”, tha ministri Ahmetaj.

Sipas Ahmetaj, do të kemi edhe këtë vit deficit primar. Kjo do të thotë se qeveria po tregon se në operacionet e veta nuk prodhon borxh, por një suficit që shkon për uljen e borxhit.

Në buxhetin e vitit 2017, rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.8%.

“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim konfirmoi dje me rritje pritshmëritë për rritjen e vitit 2016 dhe në kuadrin afatmesëm, ne kalojmë ndër vendet me ritme më të larta ekonomike. Vendet e rajonit kanë ulje-ngritje në ritmet e rritjes. Ritmet e ekonomisë në Shqipëri janë vetëm me rritje”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se në buxhetin e vitit 2017 do të financohen disa reforma. Do të vijojë financimi për reformën territoriale. Ai tha se granti i qeverisë qendrore ndaj bashkive do të kushtëzohet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Do të financohet reforma e sektorit të ujit dhe ka të bëjë me miradministrimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve në territor.

Reforma e tjetër është ajo e administratës publike dhe ka në themel rritjen e pagave me 10% për arsimin, shëndetësinë, policinë dhe administratën publike me 7%.

Do të vijojë reforma për kompensimin e pronës dhe për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë, tha Ahmetaj, sipas skenarit të miratuar në ligjin e ri të 2015.

Reforma në shëndetësi do të zgjerojë listën e rimbursimit, tha Ahmetaj. Buxheti i vitit 2017 merr përsipër listën e aprovuar, listën e rimbursueshme për të gjithë shqiptarët. Shtohet lista e përfituesve mbi 600 mijë persona./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *