Londo: Natë surreale? Do shqetësohesha po të ishte realiste

Postuar më: 26 November 2016 09:40

bardhyl-londoLibri pretendent për Çmimin Kadare 2016, në listën më të ngushtë, “Qyteti i pandehmave” ose “Nata e verbër” Bardhyl Londos një rrëfim surreal për fatet e jetëve të njerëzve në përmbysjen e sistemeve, konkretisht pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës; Londo në komunikimin e drejtpërdrejtë si ndërhyn letërsia në histori

– Romani i ri i Bardhyl Londos “Natë e verbër”/ Atmosfera e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në Tiranë por edhe në qytete të tjera, ka qenë unikale, e jashtëzakonshme, gjithë ankth e shpresa, e kurorëzuar me një dalldi feste të paparë ndonjëherë rrugëve të Tiranës: shumica, pa u njohur fare, pa dallim seksi e gjinije, putheshin pa të keq në sheshin Skënderbej, apo rrugëve të Tiranës. Të tjerët, një pakicë, strukeshin qosheve të pa vena re, shtrëngonin dhembet nga urrejtja dhe betoheshin për hakmarrje.

Intervistoi: Violeta Murati

Viteve të fundit paraqiteni para lexuesit me prozë, kur gjithnjë jeni vlerësuar si “i mbijetuari” i poemës. Çfarë ka ndodhur me poezinë, nuk është më brenda jush?

Kur e pyesnin pse nuk ka poetë Korça, Lasgush Poradeci kishte të njëjtën përgjigje: “po ku ka liqer Korça, bre?”. Tej përgjigjes gjysmë anekdotike dhe gjysmë romantizante të Lasgushit, unë do të shqetësohesha vërtet po të heshtja, të mos shkruaja. Fakti që kjo nuk ka ndodhur, më bën të ndihem i qetë. Asnjëherë nuk e kam menduar se në jetën e shkrimtarit ka një ndarje me thikë: ai duhet t’i rrijë patjetër besnik gjinisë me të cilën ka filluar. Nuk e ndjej se kam bërë ndonjë tradhti ndaj poezisë, përkundrazi, vazhdoj të shkruaj dhe ende nuk e kam vendosur: libri i ardhshëm do të jetë me poezi apo do të jetë libri me prozë “Qyteti me pedonale”, i cili plotëson triologjinë bashkë me “Jeta që na dhanë “ dhe “Nata e verbër”. Edhe kur kam shkruar vetëm poezi, libër kam botuar vetëm njëherë në katër vjet. Ka ndodhur që e kam zgjatur këtë periudhë kohore, po kurrë nuk e kam afruar. Poezia është tepër nazike dhe tekanjoze. Megjithatë, me që po flasim për poezinë, mund të them se s’ ka shumë kohë që përktheva dhe botova një nga poetët më të mëdhenj që janë gjallë jo vetëm të poezisë polake por edhe asaj botërore, Adam Zagajevskin. Duke filluar që nga zgjedhja, përkthimi, hartimi i tekstit, libri i përkthyer “Qyteti ku dua të jetoj”, pothuajse është i barabartë me një libër të ri poetik. Dhe më vjen mirë që ai u prit siç e meriton në qarqet letrare dhe tek lexuesit e poezisë,

Paraqitët në Panairin e fundit të librit romanin “Nata e verbër”. Çfarë parakushti ka ndodhur me krijimin dhe sistemimin e kësaj lende? Përse kjo metaforë?

Gjithmonë më është dukur se fillimi i viteve ‘90 të shekullit të kaluar është tejet i rëndësishëm për Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, është edhe një tokë pjellore për letërsinë dhe gjithë artet. Pikërisht në ato vite shkrova ciklin me poezi “Nga fletorja e demokracisë”, diçka që pati dhe  ka edhe sot e kësaj ditë një përhapje masive tek lexuesi. Kalimi i Shqipërisë nga një epokë në një epokë tjetër, është sa i bukur aq edhe i dhembshëm, është aq shpresashumë sa edhe problematik. Gjithsesi, sipas meje, ai mbetet një akt nga më të bukurit e historisë shqiptare, me gjithë problematikën që e ka shoqëruar dhe vazhdon ta shoqërojë edhe sot, megjithë deformimet që duheshin shmangur.

Atmosfera e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në Tiranë por edhe në qytete të tjera, ka qenë unikale, e jashtëzakonshme, gjithë ankth e shpresa, e kurorëzuar me një dalldi feste të paparë ndonjëherë rrugëve të Tiranës: shumica, pa u njohur fare, pa dallim seksi e gjinije, putheshin pa të keq në sheshin Skënderbej, apo rrugëve të Tiranës. Të tjerët, një pakicë, strukeshin qosheve të pa vena re, shtrëngonin dhëmbet nga urrejtja dhe betoheshin për hakmarrje. Nuk e di pse duke parë atë dalldi të papërsëritshme gëzimi, pata parandjenjën se njerëzit po festonin para kohe, ashtu si trojanët kur kujtuan se grekët u larguan përfundimisht nga brigjet e tyre. Por nga dalldia e festës e detyrova veten të mos merresha më me parandjenja të tilla prej Kasandre dhe e lashë veten të më rrëmbente shpërthimi i fitores dhe vera e gëzimit. Por, për fat keq, ashtu siç ndodh shpesh herë, edhe kësaj radhe parandjenjat nuk më gënjyen. Ishte pra, kalimi nga një natë e verbër, në një ditë që njerëzit shpresonin të ishte plot dritë dhe e kthjellët. E para, për fat të mirë, është e realizuar, e dyta është ende e vonuar, është një proces problematik, që po çapitet ngadalë me ritmin e hapave të breshkës.

Nëse në librin “Jeta që na dhanë” vjen sistemi totalitar me jetën si burg, libri i ri merret me simbiozën e njeriut. Si arrin letërsia të ndërhyjë tek njeriu dhe koha?

Më tepër do të thosha të arrijë tek shpirti i njeriut se sa të ndërhyjë. Letërsia dhe arti ka mundësi më tepër se kushdo, sepse ajo nuk merret me historinë, me kronologjinë, me përpikmërinë strikte, por merret me përthyerjen e ngjarjeve në shpirtin njerëzor, me rezonancën dhe reagimin shpirtëror.

“Jeta që na dhanë” është në të vërtetë jo jeta që ëndërronim apo që meritonim, por jeta që na e jepnin dhe paracaktonin të tjerët. Pra ishte një jetë burg, edhe kur nuk ishe dënuar me burgim apo nuk jetoje brenda mureve të burgut. “Nata e verbër” është përpjekja për të ikur nga kjo errësirë e pamëshirshme dhe problematike. Ndërsa “Qyteti me pedonale” (tani për tani është vetëm një projekt për të cilin po grunbulloj material) është libri që plotëson këtë triologji, e cila aq sa formon një njësi të përbashkët, po aq edhe çdo libër mund të jetojë dhe të lexohet më vete.

Përse një libër mbi totalitarizmin?

Nuk është një libër mbi totalitarizmin, por për çlirimin prej tij, ose më saktë akti i daljes prej natës së verbër. Historikisht ky hap shënohet me rëzimin grotesk të shtatores së diktatorit, ndërsa shpirtërisht ai është një proces që vazhdon ende dhe nuk i dihet kur do të përfundojë. E keni vënë re që në roman ka një grup personazhesh, të kryesuar nga Mustaqe Stalini, i cili nuk njeh apo përdor kalendarin që përdor gjithë bota, por një kalendar krejt tjetër, që e ka përcaktuar udhëheqësi i tyre shpirtëror, Ata ende jetojnë me pritjen dhe përcjelljen e tij, presin urdhrat e tij, gjithçka e bëjnë në funksion të tij, ndonëse ai ka vdekur prej kohësh fizikisht. Madje grotesku arrin deri atje, sa ata jetojnë ende me mumje të tilla siç janë Dezh, Gomulka, Novotni, Fidel Kastro apo udhëheqës të tjerë të vendeve ish – lindore, ndonëse ata kanë vdekur prej kohësh. Grotesku ideologjik është i tillë, sa babai i vë emrin të birit Kanç, Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, vetëm se ai ka lindur më 16 shtator, ditën kur u formua ky Këshill, por shumë vite më vonë. Kjo mund t’i duket e pavërtetë në absurditetin e saj një të huaji, por shqiptarët e dinë se është e vërtetë, ashtu siç është i vërtetë emri Mels ( Marks, Engels, Lenin, Stalin) etj.etj. “Bëma” të tilla nuk mund t’i sajojë as fantazia më e shfrenuar. Realiteti shqiptar edhe sot e kësaj dite është i mbushur me episode groteske të tilla. Është i mbushur gjithashtu me personazhe si ata të grupit të Stalinit që nuk jetojnë kalendarin që përdor gjithë bota dhe Shqipëria, por një kalendar që e kanë sajuar vetë dhe që lidhet me udhëheqësin e tyre shpirtëror. Jo më larg se pardje unë piva kafe me atë që i jati i vuri emrin Kanç vetëm se kishte lindur më 16 shtator, shumë vite pas Konferencës së Pezës. Dhe ai tallej me atë që kishte ndodhur.

Bota shqiptare nën peshën e një banalitetit ku fantastikja dhe surealja ndërtojnë historinë. Eshtë më shumë zgjedhje, apo shqetësim?

Një botë surreale? Do të shqetësohesha po të ishte reale. Meqë thoni se është e tillë, ia kam arritur qëllimit për të cilin kam shkruar. Botën, kështu surreale siç është, nuk e kanë shpikur shkrimtarët, ata e kanë gjetur kështu. Aftësia e tyre ose talenti është se ata dinë ta lexojnë në mënyrë të tillë jetën dhe botën. Një njeri i zakonshëm e shikon jetën si fotografi, e fotografon atë. Arti bën tjetrën, ai shikon atë që aparati fotografik, sado i sofistikuar të jetë, nuk e kap dot kurrë. Jeta është vërtet një tabllo e madhe surreale, por duhet të dish ta lexosh. Ndërsa jeta e  Ballkanit dhe veçanërisht e Shqipërisë është me doza hiper surrealizmi. Grotesku është aq i madh sa duhet të jesh i verbër të mos ta ndjesh.Është ky grotesk që e bën Ballkanin një tokë të begatë për letërsinë, artet, mitet, legjendat etj. Po ju sjell si shembuj dy shkrimtarët më të mëdhenj të Ballkanit, Kazanzaqisin dhe Kadarenë. Çfarë do të ishte Kazanzaqis pa personazhet e tij groteskë dhe surrealë që i pjell dhe i rrit më shumicë vetëm Ballkani? Ndoshta romani më i mirë i Ismail Kadaresë ( së paku sipas meje ) bashkë me Pallatin e ëndrrave është “Viti i mbrapshtë “ me groteskun apo surrealizmin ( siç e përcaktoni ju ) të pashoq.

Ka një sfond historik pak të paqartë, bëhet fjalë pas vdekjes së diktatorit…Pse e zgjedh një shkrimtar periudhën, për të cilën shkruan?

Nuk besoj se e zgjedh shkrimtari periudhën, e zgjedh periudha shkrimtarin. Në kuptimin që arrin t’i imponohet me kompleksitetin dhe pasurinë e materialit të vet. Çdo periudhë historike e meriton të zërë vend në letërsi. Çështja është prirja e shkrimtarit, sa i prirur është të jetojë intensivisht me atë periudhë, sa material ka, ç’ gjurmë ka lenë ajo në shpirtin e tij. Unë kam shkruar për atë periudhë sepse atë jo vetëm e kam jetuar, por e kam ndjerë deri në tejzat më të holla të shpirtit dhe sado përpjekje të bëj, nuk shkëputem dot prej saj, jam rob i saj. Është një robëri që e pranoj jo si sfidë, as si fatalitet, por si diçka të natyrshme. Sa për përcaktimin kohor për mua nuk ka shumë rëndësi. Fokusimi i romanit është tek ngjarjet që ndodhën gjatë rrëzimit të shtatores së diktatorit. Por romani fillon me vrasjen e një vajze, vrasje të cilën e kam parë me sy kur isha student dhe nuk e harroj kurrë. E mbaj mend mirë afërmesnatën kur po pinim nga një ponç me dy shokë në një nga kafet më me emër të kryeqytetit, e mbaj mend mirë si u hodh nga dritarja e katit të pestë dhe si u përplas në trotuar, e mbaj mend mirë si veproi policia, por mbi të gjitha mbaj mend mirë pellgun e gjakut të cilin më duket se e shikoj si atë ditë sa herë kaloj afër asaj kafeje, që sot nuk është më kafe. Nuk dua të vazhdoj më me hollësira të tjera të kësaj ngjarjeje sepse e di që mund të lëndoj njerëz që nuk e meritojnë t’u hap plagën që ende nuk u ka zenë kore. Mbyllja e romanit është përsëri një vrasje, tani e shkaktuar nga ata që ruanin kufijtë sepse hemorragjia e rinisë shqiptare për të braktisur vendin e tyre fatkeq kishte filluar në masë. Pikërisht në varrezë nëna që kërkonte një nuse për djalin e saj vrarë në kufi, gjen varrin e vajzës së hedhur vite më parë në trotuar dhe mendon ose ëndërron më saktë se pikërisht kjo është nusja e të birit. Ky pra është sfondi historik i ngjarjeve të romanit. Po fundja çfarë rëndësie ka për letërsinë ekzaktësia pedante e datave? Shpirti njerëzor, me të cilin merret letërsia, është i çliruar prej këtyre konvencioneve. Për më tepër , e thashë edhe më sipër, në roman ka dy kalendare, njërin që e përdor gjithë bota, dhe kalendari tjetër atë që e përdorin Mustaqe Stalini dhe grupi i tij.

A nuk mendoni se historia e diktaturës në këto vite është rrahur shumë,  ashtu siç është trajtuar edhe gjendja e femrës në diktaturë? Kanë një zanafillë reale të gjitha këto në romanin tuaj?

Ju thashë pak më sipër se cila është vajza që hidhet nga dritarja në faqet e para të romanit. Mund t’iu them se të gjithë personazhet, sado surrealë të duken, shumicën i kam njohur nga afër. Disa prej tyre, ata që kanë shtegtuar nga libri paraardhës “ Jeta që na dhanë “ janë me emrin dhe mbiemrin e tyre real. Me ta kam pirë jo vetëm kafe, por edhe raki, sepse ata vetëm raki pinin. Këta personazhe, por edhe të tjerë nga “Jeta që na dhanë” apo “Nata e verbër” do të jenë dhe tek libri im i ardhshëm “Qyteti me pedonale”. Emrat dhe mbiemrat e personazheve që  duken dhe që janë aq surrealë, nuk janë, me përjashtime të rralla, pjellë e fantazisë time. Ata janë pinoma, siç i quajnë në Korçë, të njerëzve që frymëmarrin vërtet. Madje në Korçë këta njerëz askush s’i njeh me emrin e  tyre zyrtar që kanë në dokumente, por sapo të përmendësh pinomën, fillojnë të të flasin dhe të të orientojnë se ku mund t’i takosh. Për t’i përdorur në romanin tim, nuk më shtyu thjesht egzotizmi apo surrealizmi i tyre, por shkaku kryesor i lindjes dhe përdorimit të tyre ishte tendenca  e asaj kohe për të depersonalizuar njeriun, për ta shndërruar atë vetëm në një qenie pa emër, pa mbiemër, pa personalitet, pa dinjitet. Vini re çfarë ndodh edhe sot kur njerëzit me pushtet mbledhin njerëzit dhe iu dorëzojnë ndonjë dokument shtetëror për të cilët hallexhinjtë e grumbulluar janë shumë të interesuar. Ai që u dorëzon dokumentin, pra Zeusi me pushtet politik, nuk i thërret në emër, por gjen lloj lloj emrash apo përemrash të tjerë, sajon situata komike dhe i detyron hallexhinjtë të qeshin me zë të lartë, edhe kur nuk u qeshet, madje u qahet. Është zakoni i gjithë pushteteve dhe pushtetarëve të mbrapshtë, për të zhdukur personalitetin dhe dinjitetin e njerëzve, për t’i njësuar ata me turmën, për t’u hequr edhe emrin. Sa për raportin e medias me diktaturën, mund të them se ajo është trajtuar, por për fat të keq jo ashtu siç duhej të ishte trajtuar. Krerët e diktaturës edhe sot e kësaj dite zenë faqet e para të gazetave dhe dashur pa dashur mediat e kësaj prirjeje i mbajnë gjallë ato qenie që duhej t’i kishin harruar prej kohësh, t’i kishin mbuluar me urrejtje dhe abandonim. Duke i botuar pothuajse çdo ditë në faqet e para të gazetave, atëherë krijohet miti i pavdekshmërisë së tyre, nxitet nostalgjia dhe kujtimet për ta. Të gjitha këto, të favorizuara nga periudhat e vështira ekonomike dhe nga situatat komplekse politike, shtojnë mallin dhe nostalgjinë për ta. Pikërisht në këto kushte del Mustaqe Stalini dhe çeta e tij, jetojnë e veprojnë sipas kalendarit të tyre, jo sipas kalendarit që përdor gjithë bota dhe lëshojnë ofshamën “ o Stalin të jeshe gjallë…”.

Një fshat mistik, një shesh po i tillë, një vend i papërcaktuar, – pse kjo histori aty?

Teatri ku zhvillohen ngjarjet ka diçka prej tre qyteteve: Tiranës, Korçës dhe qytetit ku kam lindur, Përmetit, por gjithmonë, ashtu siç thoni ju, është një vend i papërcaktuar. Përderisa emrat e personazheve janë pinoma, jo emrat e vërtetë, përse të mos jetë edhe vendi kështu? Nuk ka rëndësi është një vend i madh apo i vogël, ka histori të madhe apo s’ka fare histori. Mjafton që atje të jetojnë njerëz me jetën, historinë, hallet dhe dhimbjet e tyre. Tek “ Njëqind vjet vetmi “ Gabriel Garcia Marquez në një fshat të humbur dhe krejt të panjohur rikrijoi gjithë universin. Me që përmenda pinomat, mund të them edhe diçka për emrat e vendeve. Sheshi ku zhvillohen ngjarjet, Shurkaleci, është shesh në Përmet. Edhe disa toponime te tjera, si Sheshi i Bufit etj. lidhen me fëmijërinë time në Përmet. Të tjerë, si gjelltorja Tek Derri apo kafeja e famshme me emër bime (besoj se kafe “ Flora” nuk harrohet lehtë ), janë në Tiranë.

Ju kini shkruar në dy periudha, në diktaturë edhe sot. Veprën e cilës periudhë do të vlerësonit më tepër?

Asnjë shkrimtar nuk shkruan për veten, pra asnjë shkrimtar nuk mund ta vlerësojë veten, ose më mirë të themi një vlerësim i tillë nuk mund të jetë i arsyeshëm për të tjerët. Nuk jam përpjekur të bëj kurrë një vlerësim për ato që kam shkruar nisur nga koha kur janë krijuar. Krijimtaria e një shkrimtari është një dhe e pandarë. Në raste të tilla më kujtohet titulli i një drame të Arthur Miller “Ishin të gjithë bijtë e mij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *