Mimoza Ahmeti: Përjashtimet takojnë, bëjnë masë, bëjnë Poezi

Postuar më: 19 November 2016 10:00

mimoza ahmeti

Fakti që shkrova në anglisht shumë poema, si për shembull Misterious Matter- (Lende misterioze) tregon që kultura e perëndimit ka qenë dhe mbetet e pranishme esencialisht në jetën time. Po ashtu kam edhe disa poezi të shkruara thjesht në frengjisht. Libri rrezikonte të dilte në tre gjuhë. Këtë gjë e shmanga. Do të qe një paradoks për momentin, ndoshta edhe jo. Por ky fenomen gjuhësor, tregon interferencë e madhe të kulturave, procesin e mbiintegrimit dhe një zgjatje pothuajse globale të fushës virtuale të trurit në takime me mënyra operacionale të reja, vështrimi dhe perceptimi që mbartin ato

 

Librin më të fundit me poezi, Mimoza Ahmeti e ka quajtur “Libri i lumturisë” duke e konsideruar një libër që kërkon botën, imagjinatën, ëndrrën që nuk identifikohet me një qëndrim ideal, besim apo njeri, qoftë kjo edhe dashuria. Ky libër i Ahmetit, në dallim nga dy vëllimet e tjera me poezi “Delirium”, 1994, apo “Pjalmimi..” 2002, është bartëse dhe reflektuese e elementëve të rinj kuptimorë. Nga kuptimet që e drejtonin më parë, sikur të qenë në natyre, për poteen tashmë e sqaronin që nuk ishin natyrë. “Kuptimet janë interpretime. Interpretimet janë struktura sociale, janë kraftë, janë laqe historike ku kapemi, ngecemi, endemi e dëshpërohemi dhe shpesh jeta humbet sensin për kurrgjë. Ky libëri i jep rëndësi jetës, si një media transmisioni pafundësie, ku funksioni social i saj është vetëm njeri, por jo gjithçka”. Ndaj metafizika e kësaj poezie të re, është e lidhur me trendet e reja mendore e sjellje të njeriut të sotëm, në zgjerimin e lirisë së tij nëpërmjet humbjes së identitetit,me rënien e tij metafizike, me humbjen e gjërave më të shtrenjta thotë poeteja, me të cilat ai identifikohet. “Ky proces ndërrimi është shoqëruar me ngritje të reja, të padukshme, të brendshme, të pafolshme, njësoj si lulet e fjetura në kraharore njerëzish. Shoqëria po përpiqet të pranojë vetveten dhe të bëjë vend për vetën; ajo gjendet në një pikë daljeje me një mbështetje në të shkuarën dhe me një të ardhme ende të pastrukturuar por që ajo e përpjek dhe e shkel në referencën e saj më të brendshme…”

Çfarë është poezia për ju? A mendoni se ka ende poezi në jetën e përditshme?

Poezia është sfera e gjendjeve të pashpjegueshme që kthehen në figura perceptimi dhe mahnisin atë që krijon njësoj si dhe Iexuesin. Eshte ky sensasion i fortë i saj që të bën të mendosh se poezia ka një forcë të mbinatyrshme për të t´i dhënë njeriut pikërisht atë që ai ia ndalon vetes: Jetën, në skajshmërinë e dëshirave dhe të pranive të pakapshme.

Prej filozofësh bashkëkohore, poezia karakterizohet si një fenomen i një rangu të dytë, ku si primar shërbën ai racional, logjika, e cila ka tendencë të përsërisë veteveten për të ruajtur hapesirën që ka rrëmbyer. Poezia e rindan Hapësirën, e ringre, e ridimensionon, dhuron drejtime, kryen mohime, ngre arkitektura fantazie e shpirti, të gjitha këto nëpërmjet metaforës, duke freskuar fjalën nga mbingarkesa e komunikimit të zakonshëm, duke e bërë gjuhën fluide, njësoj si një grua e freskët dhe e bukur, kur del shëtitje në takim me veten!

Origjina e poezisë është origjina e dëshirës, por edhe ajo e hapësirës, që ka ligjet e veta, kozmike, sociale, individuale. Eshtë një informacion që na përdor duke na bërë të çuditshëm, të paparashikueshëm, gjuhë transformues, të bukur, rebele, të shtruar, madhështorë, pikërisht në kundërshtim me të zakonshmen që kemi ndërtuar e pranuar. Poeza na jep fluturim.

Sigurisht që jeta sot ka poezi më shumë se kurrë, sepse ka lëvizje demografike kaq shumë, degradim vlerë, përmbysje ontologjish dhe pavarësi që krijohet prej pasigurie. Poezia jetohet nga diskuri që kryen qrenia Brenda zhgernjimit e deluzionit dhe pastaj realitetit qre prek, qer ia

kalon edhe ëndrrës më të bukur! Përjashtimet takojnë, bëjnë masë, bëjnë Poezi.

Përse e keni quajtur librin tuaj me poezi “Libri i Lumturise ose lulet e fjetura”. Çfarë e dallon këtë përmbledhje poemash Metafizike siç edhe i quani, nga vëllimi juaj me poezi “Delirium”, 1994, apo “Pjalmimi i Luleve”, 2002?

Këtë libër e quajta të Lumturisë sepse ai më dha shumë elemente kuptimore të reja; kuptimet të cilat me drejtonin më parë sikur të qenë natyrë, tashmë më sqaronin që nuk ishin natyrë. Kuptimet janë interpretime. Interpretimet janë struktura sociale, janë kraftë, janë laqe historike ku kapemi, ngecemi, endemi e dëshpërohemi dhe shpesh jeta humbet sensin për kurrgjë. Ky libëri i jep rëndësi jetës, si një media transmisioni pafundësie, ku funksioni social i saj është vetëm njeri, por jo gjithçka.

Kështu metafizika e kësaj poezie është e lidhur shumë ngushtë me trendet e reja mendore e sjellore të njeriut të sotëm, me zgjerimin e lirisë së tij nërpërmjet humbjes së identitetit, me rënien e tij metafizike, me humbjen e gjërave më të shtrenjta me të cilat ai identifikohet. Ky process ndërrimi është shoqëruar me ngritje të reja, të padukshme, të brendshme, të pafolshme, njësoj si lulet e fjetura në kraharore njerëzish. Shoqëria po përpiqet të pranojë vetveten dhe të bëjë vend për vetën; ajo gjendet në një pikë daljeje me një mbështetje në të shkuarën dhe me një të ardhme ende të pastrukturuar por që ajo e përpjek dhe e shkel në referencën e saj më të brendshme, intime, ende pa e jashtësuar si një formë legjitime. Me gjithë dramën, ky proces është edhe poezi.

Në librin “Delirium” që mbetet për shumë lexues libri me poezi më i bukur i letërsisë shqipe, rënia Metafizike është e dukshme, është pranuar me një qëndresë pothuajse pasive, me një besim pothuajse natyral të ideve që nuk e mbajten dot qënien e vet, besimin.

Në vëllimin tjetër me poezi “Pjalmimi i Luleve”, kjo dramë ka një zhvillim më narrativ, përfshin edhe personazhe, flet për deformime në relacione intime, për të gjetur shpëtim, kërkon shkaqe, arsye, pikturon alienimin…aberron pa dalje…

Kurse Libri i Lunturise ka dalje, nuk është ngujuar në besim, kërkon botën, imagjinatën, endrrën, nuk identifikohet me një qëndrim, ideal, besim apo njeri, qoftë ky edhe dashuria. Por edhe nëse ndodh, kjo nuk është më një çështje poseidimi, alokimi, por fluturimi.

A ka ndikuar procesi akademik të cilit i jeni rikthyer e dedikuar pandërprerë, më shume sukses, që në 2007-ën e në vazhdim, në mënyrën e të menduarit tuaj? A mendoni se akademizimi e njëson gjuhën dhe rrezikon ngjyrën e fjalës, pavarësine e interpretimit?

Eshtë e vërtetë që prej dymijë e njëshit fillova të rishikoj format dhe bazat e përgjithësimit. Diçka nuk shkonte me kulturën klasike, megjithëse mbetet një strukturë e mrekullueshme e vijëmësisë, e shkak pasojës, e mitit etik dhe atij pseudo human, me konceptin e zotit në qendër apo atë të luftës së klasave për drejtësi, me idealin absurd për të prodhuar ide, domethënë metafizike për të mbushur mendjet njerëzore, që ato jo vetëm të kultivohen por edhe të sillen në mënyrë të parashikuar.

Sociologë si Luhmann apo matematicienë si Spencer Brown, hapin perspektiva të reja observimi të shoqërisë moderne, që është ndërtuar sipas matematikës së Bulit, me Po dhe Jo, me Bardhë e Zi, me morale dhe imorale, me vlerë dhe shkarje…

Radikalizimi konstruktivist i Luhmanit që i heq perden pseudo humane shoqërisë së sotme, duke e përshkruar atë si nje oqean të pamëshirshëm, në të cilin është primare të njohësh ligjet e dallgës, dhe kuantika e rendit të dytë (second order) e Brown-it, që tregon se ajo çka përjashtohet takohet me ekuivalenten tjetër të përjashtuar dhe krijon botë, dhe plot analiza e zbulime, të daljes së shoqërisë nga uniteti i njëllojshmërisë në unitetin e dallimeve, funksionale, më dha mundësinë të kuptoj se bota ecën duke konsumuar kuptimet e veta më të reja, se gjithë çfarë është kuptim është formë dhe jo esencë, dhe se të ngecësh në rrjetat kuptimore është t’í bësh peshqesh vuajtjen tënde dikujt, është njësoj si dikushi kur del për peshk, dhe falë tij ka një ditë të mbarë…

Kësisoj kultura është e domosdoshme për të shpetuar shpirtin i cili është kulturë. Prej kulturë shpëtohet vetëm me kulturë, – po citoj në këtë rast Luhmann.

Çfarë është kultura për konceptin tuaj? A mendoni se prej saj varet natyra e poezisë që shkruani? A jeni mirëfilli autore e kulturës dhe e gjuhës Shqipe apo më shumë?

Një pjesë e madhe e poezive të librit të fundit të Lumturise, u shkruan në Anglisht prej meje. I përktheva në shqip një pjesë, për të qenë më pranë lexuesit shqiptar. Bëra mirë por edhe jo. Ndoshta kur ta rishtypin këtë libër, do t’i lutesha Henri Çilit, iniciatorit të botimit të këtij libri, i cili me shumë dashuri shkroi edhe parathënien e tij, do tí lutesha të përfshinim edhe variantin anglisht, autentik, siç i kam shkruar.

Fakti që shkrova në anglisht shumë poema, si për shembull Misterious Matter- (Lende misterioze) tregon që kultura e perëndimit ka qenë dhe mbetet e pranishme esencialisht në jetën time. Po ashtu kam edhe disa poezi të shkruara thjesht në frengjisht. Libri rrezikonte të dilte në tre gjuhë. Këtë gjë e shmanga. Do të qe një paradoks për momentin, ndoshta edhe jo. Por ky fenomen gjuhësor, tregon interferencë e madhe të kulturave, procesin e mbiintegrimit dhe një zgjatje pothuajse globale të fushës virtuale të trurit në takime me mënyra operacionale të reja, vështrimi dhe perceptimi që mbartin ato.

Me modesti pranoj se kultura Lindore si Taoizmi, Yoga, Budhizmi, kanë pasur ndikimet e veta të dukshme në jetën time fizike dhe mentale, dhe i kanë dhënë Qiellit një personalitet në poezinë time, duke e bërë atë mjedis timin dhe veten time mjedis të tij, për ato informacione të pafjalshme që ai përcjell te njeriu, me diell, shira, re dhe pafundësi.

Kulturat janë të vetmet ura që e çojnë në legacy transformimin njerëzor, dhe nga kjo pikëpamje ato janë ura midis jetës fenomenologjike të qënies dhe komunikimit.

A mendoni se në këtë vëllim keni një specifikim më të thellë të Egos nga Vetja?

Mendoj se po. Ky libër e ka kaluar me sukses dallimin e Frymës nga Shpirti, e para si fenomen natyror dhe universal, si trup i gjithëgjindshëm dhe i gjithëkohshëm, e dyta si strukturë sociale.

Shpirti është një strukture historike, Ai u forcua e ngurtësua me shkrimin. Kurse Fryma jo. Fryma është dhe mbetet e lirë. Informacionet e saj janë të paparashikueshme, shpesh radikale dhe sfiduese, gjithmonë shëruese…

E meqë shkrimi në gjuhën shqipe ka hyrë vonë, sigurisht që kam ndjerë vështirësi për të ndarë këto dy etnitete, qoftë edhe fjalët që markojnë ato, por së fundmi e ndave: Shpirti ishte i krijuar, Fryma e parashtruar, dhe ishte kjo ndarje, që krijoi këto mjete dallimi, që me ndihmuan të eci më tej në dallimin midis Unit, vetes, dhe strukturave simbolike, udhëve në të cilat ato ecin bashkë dhe veçuar njëherazi, duke e bëre jetën kaq të çuditshme.

Besoj se me këtë vëllim jap edhe një kontribut në zhvillimin e shpirtit edhe brenda kulturës sonë, jo vetëm si poezi por edhe si një koncept historik e i lëvizshëm. Megjithatë kur shkruan, djegia e procesit nuk i mendon këto gjëra dhe nuk e di sa e vërtetë jam në këto që përshkrova.

Keni ndonjë falenderim të veçantë?

Dua të falenderoj stafin që punoi me shpejtësi të jashtëzakonshme për botimin e këtij vëllimi, Henri Çilin, i cili, falë një takimi të rastësishëm me të, më solli idenë e menjëhershme të botimit me Mapo, dhe e operoi këtë ide. Si edhe ju për intervistën.

Përgatiti: V.Murati

(Ky shkrim u botua në kuadër të projektit “Udha e shkronjave”) 

Ego dhe Vetja

“Ky libër e ka kaluar me sukses dallimin e Frymës nga Shpirti, e para si fenomen natyror dhe universal, si trup i gjithëgjindshëm dhe i gjithëkohshëm, e dyta si strukturë sociale.

Shpirti është një strukture historike, Ai u forcua e ngurtësua me shkrimin. Kurse Fryma jo. Fryma është dhe mbetet e lirë. Informacionet e saj janë të paparashikueshme, shpesh radikale dhe sfiduese, gjithmonë shëruese…”

 

Bio

Mimoza Ahmeti është autore e përfshirë në tekstet shkollore të gjuhës shqipe. Poezia dhe proza e saj është përkthyer gjerësisht në gjuhët evropiane. Është fituese e çmimit ndërkombëtar (Palma e Artë” të Festivalit të Poezisë San Remo, 1998, organizuar nga RAI. Punon lektore në UMSH dhe është Doktore Shkence në fushën e Psikoterapisë, laureuar me rezultat ekselent në Vienë.

 

LULET E FJETURA

Ka shumë lule të fjetura në njerëz

të zgjuar,

nën një diell të brendshëm

të një horizonti të pafolshëm të

gjalla lule, të ngrohta,

ermuese,

nën gjethet dhe lulet e shfaqshme

të diellit të zakonshëm.

Të kisha njërën syresh

të isha njëra prej tyre.

Një puthje që s’u formua.

Nëpër gjire njerëzish,

të çelura latentisht,

nën besime e zhvillime të padukshme,

pa u bërë çështje, pa u bërë zgjidhje

puliten kraharoreve

lulet e fjetura.

PËRGATITU PËR JETË

Do të qaj duart e tij të buta e të plotasi

dy bukë të ëmbla, të mëdha e të ngrohta,

plot afsh arome të mirë

që më rroknin me to, duke më përfshirëkyçet

që mbyllnin deltën e llërëve eshtrore

për të shtrydhur fort gurrën e lumturisë sonë

çmendurore.

Burrë e grua, burrë e gruamë

në fund, një herë në jetësiç

dua!

Përplasjet në mure të hijeve të trupave të

stërzmadhuar

shpërthimet mitike të zemrave, pulset rrahës

të pazbuluar…

Ashtin e atij gjoksi, para kohe plakur nga

udhëtimi, dekalcifikimi,

privimi i jetës, mbrojtja e vetvetes, fillikatia –

si kërkimi…

Shtrëngimin dashurishtme

ruante sikur nata do më vidhte nga

krahët e tij,

sikur nesër

do të shkonte të ekzekutohej për një ideal

që nuk u çmua,

por u tentua…

Një i vetëbraktisur nga ndërrime

kontinentesh e civilizimesh,

burrë i shkatërruar aksioni,

shkallmuar nga dyshimi më shumë sesa

pasioni,

bukuri e një deliri të paarritshem për nga

hiri,

gjini rrallësie, pikuar e mikluar me buisje

qerpikësh të dendur, të zinj

dhe hatërmbetje fëmije…

Shpresoj ta takoj prapë gërmadhën e tij

madhështore,

të puth buzët e tij të shkrumëta, ende

mishtore

të shkrihem me të qeshurën gjigante të

qenies së tij humusore,

me melodinë e tij unike – skizofrenikemashkullore.

Më digjnin thembrat prej gacave të fshehura

në hirin e së kaluarës së tij.

Tym dilte anash kërcinjve të mi nga zjarri i ri

që kishte rënë.

– Unë jam një burrë që digjet- më tha ai.

– Epo, unë jam një grua që ndrit- thashë me

vete.

Humbje e madhe e jetës sime humbja e atij

burri- nëse vërtet e kam humbur…

Me siguri do të qeshë e vdekur tani,

sikur, shtatë vite me parë, një çunak hispanik

prej nëne vjeneze,

të mos qe vetëvrarë për mua

vetëm për të më bindur se në këtë botë

ende dikushi mund të më donte.

E kam të gjallë tulipanin e trupit të tij të bardhë,

petalen purpur të buzës së tij – nëntëmbëdhjetë,

diellin e nishanave në qendër të kurmit viskoz,

kur me duart e mia e varrosa vogëlushin në

lëndinën e pjergullave të Vienës

nën simfoninë e “Ringjalljes”,

të të paharrueshmit Mahler,

i cili dy herë më pëshpëriti pranë shpirtit-

“Përgatitu për jetë, përgatitu për jetë!

Vdis për të kërkuar jetën!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *