Komuniteti italian: Nga Italia në Durrës për të kaluar pleqërinë

Postuar më: 10 November 2016 13:12

italiaKomuniteti i vogël i biznesmenëve italianë të ardhur në vitet ’90 është shumëfishuar vitet e fundit nga pensionistët që zgjedhin Shqipërinë për çmimet e lira dhe natyrën e bukur-ndërsa të gjithë përballen me të njëjtat halle dhe burokraci si shqiptarët.

Nga Gëzim Kabashi, BIRN

Komuniteti i italianëve në Shqipëri po përgatitet për një mbrëmje “gala”, të ardhurat e së cilës do të shkojnë në ndihmë të popullsisë së njërit prej qyteteve që u rrafshua nga tërmeti i disa muajve më parë në Itali.

“Megjithëse jemi shumë shtetas italianë në Shqipëri, nuk është e lehtë të mblidhemi bashkë,” thotë për BIRN Giuseppe Palumbo, një nga organizatorët e këtij takimi. Ai shton se përveç integrimit me shqiptarët, qëllimi tjetër i mbrëmjes është njohja e italianëve që banojnë në Shqipëri me njëri-tjetrin.

Pensionist prej disa vitesh, Palumbo është zhvendosur nga Napoli në Durrës tre vjet më parë me bashkëjetuesen e tij shqiptare.

Ata kanë vendosur të jetojnë këtu, në vendlindjen e së shoqes, pasi jetesa është e lirë dhe përballohet lehtë me të ardhurat e një pensionisti, peisazhi është i bukur dhe njerezit mjaft të shoqërueshëm.

Çmimet e ulëta krahasuar me Italinë sollën vitet e fundit në vendin tonë jo pak pensionistë italianë, që arsyetuan thuajse njëlloj si Palumbo: me të ardhurat nga pensioni i punës në Itali jetohet më mirë në Durrës ose në Tiranë.

Vetëm në Durrës, numri i italianëve arrin në 300, duke u renditur të parët ndërmjet shtetasve të pranishëm nga afro 20 vende të ndryshme të botës.

Në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, mësohet se numri i përgjithshëm i të huajve me leje qëndrimi në qytetin bregdetar, si dhe në rrethet e Kavajës, Lushnjes dhe Krujës, që përfshin kjo Drejtori  është 981 gjithsej. Leje të përhershme qëndrimi deri tani kanë përfituar 227 shtetas të huaj, ndërsa mbi 750 të tjerë duhet të rinovojnë lejet aktuale në periudha nga 6 muaj deri në 5 vjet – dëshmojnë statistikat.

Halle shqiptarësh për italianët

Ndryshe nga Palumbo, Gaetano Castello erdhi nga Palermo në Shqipëri prej fillimit të viteve ‘90  për të bërë biznes. Ai transferoi ndërmarrjen e tij të impianteve të gazit fillimisht në Vlorë dhe Tiranë, e së fundmi në Durrës.

Sipas 75-vjeçarit, mungesa totale e ligjit ishte ajo që e karakterizonte Shqipërinë e vitit 1992.

“Tani gjërat kanë ndryshuar dhe legjislacioni është i plotë,” shton Castello për BIRN, duke nënvizuar më pas se vonesat dhe korrupsioni mbeten elementët e shëmtuar të administratës shqiptare.

“Rritja e çmimeve si dhe e pagesave për punonjësit i kanë detyruar shumë biznese italiane të transferohen nga Tirana e Durrësi drejt rretheve periferike të Shqipërisë, ku kosto e jetesës mbetet ende më e ulët,” shprehet Castello, i cili sidoqoftë pas 24 vjetësh në vendin tonë, thotë se nuk ka asnjë arsye të kthehet në Siçili.

Shumica e italianëve që banojnë në Shqipëri vuajnë të njëjtat probleme dhe burokraci si shqiptarët. Vincenzo, pensionist me banim në Tiranë, ankohet për vonesat në noteri dhe gjykatë ku për regjistrimin e automjetit apo për transferimin e vendqëndrimit kërkohet 4-5-fishi i kohës që harxhohet në Itali.

Shërbimi spitalor është një problematikë e pazgjidhur, ku secili ka gjetur zgjidhjet e nevojshme.

Luis de Rosa, një tjetër i moshuar që banon në Durrës ka probleme me pronësinë e banesës.

“E kam blerë 10 vjet më parë apartamentin ku jetoj me bashkëshorten shqiptare, por ai vazhdon të jetë i pahipotekuar”– duke e konsideruar këtë një “fenomen krejtësisht shqiptar”, e që nuk ndodh në Itali.

Në të njëjtin pallat banon edhe Brajan Hose, një shtetas britanik, i cili ndodhet prej vitesh në vendin tonë me mision fetar.

Njëlloj si 80 familjet e tjera shqiptare, edhe apartamenti që ai ka blerë mbetet ende i paregjistruar në zyrën e Hipotekës.

Së bashku me Massimo Biz, po nga Italia, Louis dhe Brajan, marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e asamblesë së banorëve të pallatit, pa e fshehur habinë për numrin e pakët të banorëve pjesmarrës.

“Është njëlloj si në zgjedhje. Në se nuk voton, ke shumë pak shanse të marrësh shërbimin që ke kërkuar,” thotë Luisi, një nga italianët e pakët të Durrësit që flet shumë mirë shqip.

“Ai është arbëresh dhe ka ardhur në Shqipëri shumë kohë më parë,” thonë bashkëatdhetarët e tij, që e “vuajnë” faktin se në qytetin bregdetar, edhe kur tentojnë të flasin shqip, vendasit u përgjigjen në gjuhën italiane.

Massimo Biz dhe bashkëshortja Sabina janë kujdesur që të paktën fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën e vendit ku kanë zgjedhur për të jetuar. Alice dhe Tomaso megjithëse në shkollë 9-vjeçare, pas tre vjetësh në Durrës e flasin shumë mirë gjuhën shqipe.

Lidhje të hershme

Prania e biznesit dhe e familjeve italiane në Durrës është një fenomen mjaft i hershëm. Në librin “Durrësi dhe italianët”, studiuesi Xhod Beja shkruan se mbi 80 familje italiane që merreshin me hoteleri, ndërtim, zejtari, jetonin në qytetin bregdetar në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Një pjesë e tyre arritën të largoheshin drejt vendlindjes pikërisht në ditët e fundit të rënies së nazi-fashizmit. Mjaft të tjerë  që mbetën këtu pësuan fatin e keq që diktatura i rezervoi të huajve në Shqipëri.

Gjatë stinës së verës në Durrës, shëtitorja gumëzhin nga gjuhë të ndryshme të botës. Italishtja dallon mes tyre, pasi në atë periudhë kthehen për pushime edhe shqiptarët me punë dhe banim në gadishullin Apenin.

“Kur duam të provojmë një picë të mirë ndalojmë te “Sole mio” me pronar italian, ku luhet edhe muzikë italiane e viteve ’60-’70,” thotë Massimo.

Nuk janë të pakta rastet, kur biznesmenët e huaj dorëzohen para burokracisë shqiptare, por mjafton të jesh këmbëngulës si unë, dhe gjithçka vijon pa probleme-nënvizon Gaetano, një nga italianët me përvojën më të gjatë në vendin tonë.

Afërsia me Italinë dhe krahu i lirë i punës mbeten shtyllat kryesore që i mbajnë biznesmenët italianë në Shqipëri. Ndërkaq, ata që kanë patur sukses në sipërmarrjet e tyre janë vlerësuar pozitivisht nga mikpritësit shqiptarë.

Carmine Cipro është një nga biznesmenët e huaj që janë nderuar nga pushteti vendor dhe shoqata “Durrësi”. Cipro që u ka dhënë punë 300 grave dhe vajzave në një ndërmarrje për prodhimin e çelësave dhe drynave, pas disa vitesh përvojë në Durrës  ka marrë titullin “Nderi i qytetit”. Njëlloj si ai është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” edhe Donata Montagnoli, që drejton prej 23 vjetësh shkollën 9-vjeçare “Vinçens Prendushi”.

Italianët e Shqipërisë kanë krijuar vitet e fundit shoqatat dhe portalet “italians.al” dhe “circolo.it”, por ato funksionojnë me hope. “Një nga shoqatat e hershme të tyre në vitin 1995 shërbeu si bazë për krijimin e Dhomës së Tregtisë italo-shqiptare,” dëshmon Gaetano Castello.

Ndërkaq Giuseppe Palumbo i është kushtuar bashkëpunimit artistik italo-shqiptar, duke organizuar koncerte të shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” me këngëtarë të njohur nga Napoli. Në vitin 2013 ai formoi shoqatën “New Umour Sound” dhe me bashkëshorten këngëtare, Luljeta Strefi po punojnë prej javësh për veprimtarinë “Una Amatriciana per Amatrice”, që pritet të mbledhë në Durrës mjaft italianë me banim në Shqipëri në mbështetje të banorëve të qytezës së parë që u godit nga tërmeti më 26 gusht të këtij viti.

“Sapo na njoftuan që duhet ta shtyjmë përsëri darkën gala,” thotë Palumbo, i cili duhet të kryejë edhe një herë nga e para të gjitha lajmërimet.

“Këtë herë duket se është Ambasada e Italisë që kërkon mirëkuptim, pasi edhe punonjësit e saj dëshirojnë të jenë pjesmarrës  të mbrëmjes,” përfundon ai.

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *