Kokëdhima: Ndikimi i ‘Soros’, i dëmshëm! FoxNews: Po nxit trazira

Postuar më: 11 November 2016 11:20

Protestat kundër presidentit të zgjedhur në SHBA, Donald Trump vazhduan sërish në SHBA.

Këtë herë ato ishin më të dhunshme në zonën e Oregonit.

Policia i klasifikoi këto protesta si trazira.

Dhjetëra persona janë arrestuar pas këtyre protestave.

Vetë Trump i quajti “protestues profesionistë, të nxitur nga mediat”.

Kurse rrjeti FoxNews, i afërt me Trump, thotë se ka spekulime se protestat nuk ishin spontane, por të organizuara.

FoxNews hedh dyshimet se pas tyre fshihet miliarderi George Soros dhe lëvizja MoveOn.

Sa herë përflitet emri i Soros, ka shumë spekulime dhe teori konspirative.

Një natë më parë, gjatë një emisioni televiziv, ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima, tha se “implikimet politike të Sorosit në Shqipëri janë të rrezikshme”.

Më poshtë pjesë nga intervista për Dritan Hilën.

Jemi 48 orë pas një ngjarje të madhe. Është zgjedhur një president kontrovers në SHBA. Keni qenë ndër të parët që e keni përgëzuar fitoren me një status në Facebook. Urimi juaj ka pasur brenda piperin. Në urim thoni: Kam shumë besim që, marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën e z.Trump do të jenë shumë të mira, pavarësisht komenteve të papërgjegjshme të disa zyrtarëve të Tiranës kundër tij.

Kokëdhima: Për këtë çështje është folur shumë dhe do të flitet për shumë kohë. Unë nuk i jam përgjigjur kritikave tuaja. Zoti Trump fitoi dhe kjo është diçka e pazakonshme në mënyrën se si ndodhi. Po të kemi parasysh rreshtimet, po të kemi parasysh që përballë tij ishte i gjithë establishmenti dhe përballë tyre ishte një person që anatemohej. Kam qenë shumë herë i vetëdijshëm për vlerat e veçanta të tij. Ai është një person i pazakontë. Me një vullnet të pathyeshëm. Ne e kemi bërë të njohur në Shqipëri me botimin e dy veprave të tij. Ai është i jashtëzakonshëm. Ai thotë: të jesh gjigant në biznes dhe në jetë! Ai ashtu është. Është mbresëlënëse e gjithë familja e tij.

Zoti Kokëdhima, e besoni edhe ju që Trump kishte kundër një “rrjetë” të madhe, nga një “merimangë” që ishte Sorosi? Akuzohet edhe këtu në Shqipëri se ka tentakulat e tij.

Kokëdhima: Unë nuk dua t’i japë rëndësi më shumë se ç’ka çdo faktor. Fitorja e.Trump është një fillesë për të kuptuar të gjitha ndryshimet e mëdha që do të ndodhin në të gjitha vendet. Në qoftë se vota për Trump ishte një votë refuzimi i establishmentit aktual, kjo është e lidhur me shumë zhgënjime. Kjo ngjarje është me shumë rëndësi të kuptohet edhe në Shqipëri. Në 6 dekadat e fundit, prodhimi kombëtar i Amerikës është rritur 6 herë. Paga mesatare në Amerikë është sot njësoj sa 60 vite më parë. Rregullat e ekonomisë janë shkruar në favor të korporatave.

Pas deklaratave të kryeministri a rrezikohen në vizionin tuaj marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

Kokëdhima: Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë një bazë historike, strategjike.

Ju mendoni që Trump nuk do t’ia mbajë ‘vath në vesh’ kryeministrit?

Kokëdhima: Kjo nuk ka asnjë lloj ndikimi. Kjo është një ndjesë dhe është një çështje e mbyllur për mendimin tim. Të gjithë njerëzit marrin një anë dhe të gjithë bëjnë një lloj zgjedhje dhe kjo është normale, pavarësisht sa korrekte është në marrëdhëniet diplomatike.

Nuk do të ketë pasoja zoti Rama?

Kokëdhima: Nuk do të kenë efekte mbetëse. Rama nuk bëri komente për një shtetar, bëri komente për një kandidat në zgjedhje. Më e mira është që të mos ishin bërë. Do ishte mirë të mos bëheshin.

Ju e përmendni rrjetin Soros në Shqipëri se ka shtrirë tentakulat dhe po tenton kapjen e të gjitha sistemeve në Shqipëri. Vërtet mendoni që është kaq i shtrirë dhe kaq frymëmarrës për politikën shqiptare?

Kokëdhima: Komenti im është ky: me fondacionin Soros nuk kam asnjë ngarkesë negative personale. Në fillim të viteve ’90 kam bërë një punë me këtë fondacion. Kemi qenë partnerë. Kemi bërë shkollën e Qeparoit dhe kemi qenë bashkëfinancues. Kam mbetur i nderuar dhe kam marrë një pllakatë nga Sorosi. Për sa i përket aktivitetit të fondacionit Soros këto vitet e fundit, që ka lidhje kryesisht me interesin e këtij fondacioni për të ndikuar në zhvillimet politike në Shqipëri, unë personalisht e çmoj si të padobishme për vendin tonë këtë gjë.

Ky fondacion ka kundërshtuar Berishën… si papritmas u transformua në një vatër të së keqes?

Kokëdhima: Unë dua të shpjegoj pikëpamjen time për këtë gjë. Siç kam shprehur pikëpamjen time edhe për disa diplomatë të huaj në Shqipëri që nuk i përmbahen konventës së Vjenës që rregullon marrëdhëniet diplomatike mes vendeve. E kam shprehur pikëpamjen time dhe i qëndroj asaj pikëpamje. Shpresoj që Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta çlirojë diplomacinë ndërkombëtare nga ky ndikim në Shqipëri.

Në rrjetet e djathta qarkullon ideja që rrjeti Soros është ai që ka ngritur edhe rrjetin e politikanëve të rinj të së majtës.

Kokëdhima: Nuk kam lexuar asnjë portal këto ditë dhe të jeni të sigurt se nuk kam asnjë lloj ndikimi. Është një përjetim komplet personal dhe është një artikulim shumë i sinqertë. Nuk dëshiroj fare që ky artikulim të shërbejë për të zvogëluar kontributet e këtij fondacioni për shoqërinë civile dhe për shumë projekte të dobishme në Shqipëri, por kjo nuk i ndryshon pikëpamjet rreth implikimit të projekteve të fondacionit në zhvillimet politike të Shqipërisë, i konsideroj ato të dëmshme dhe të rrezikshme për vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *