Katër top-ekonomistët e Shqipërisë debat mbi liberalizmin ekonomik

Postuar më: 25 October 2016 20:04

Promovohet libri “Liberalizmi ekonomik përmes 24 mendimtarëve”, me autorë Adrian Civici dhe Selami Xhepa

Akademikët Adrian Civici e Selami Xhepa dhe dy ish-ministrat e financës Genc Ruli e Arben Malaj në  një diskutim mbi liberalizmin me pedagogë dhe studentë të UET-it

Liberalizmi ekonomik kishte mbledhur në një tryezë të vetme katër ndër ekononimistët më të njohur në vend.  Akademikët Adrian Civici e Selami Xhepa dhe dy ish-ministrat e financës Genc Ruli e Arben Malaj në  një diskutim mbi liberalizmin me pedagogë dhe studentë të UET-it duke marrë shkas nga promovimi i librit me bashkëautorësi të Civicit dhe Xhepës ““Liberalizmi ekonomik përmes 24 mendimtarëve”, botim i UET-Press.  Diskutimet u fokusuan mbi rolin e tij në ekonimi, mbi format që liberalizmi ka marrë në ekonominë shqiptare dhe pse sot në ekonomitë perëndimore liberalizmi shpesh herë është vënë në dyshim nga krizat.

Një Panteon për liberalët botërorë

Mendimtarët më të famshëm dhe më me ndikim të kohërave në teoritë e liberalizmit ekonomik janë tashmë të gjithë bashkë në një Panteon për lexuesin shqiptar. Një libër i shkruar nga dy ekonomistë dhe akademikë, Prof.dr Adrian Civici, President i UET-it dhe Dr.Selami Xhepa, Zv/Rektor për Shkencën dhe Metodologjinë në UET, ka nxitur dje një debat me pedagogë dhe studentë të këtij universiteti. Të ftuar në panel ishin dhe dy ekonomistë të tjerë të njohur të tranzicionit, dy ish-ministra financash, por përkrahës të rrymave të ndryshme të mendimit ekonomik, Genc Ruli dhe Arben Malaj.

Civici e cilësoi këtë libër si një mënyrë për të sjellë për publikun dhe kryesisht për studentët në një formë më të përmbledhur jetën dhe mendimin e 24 liberalëve më të njohur të të gjitha kohërave. Ai foli mbi rëndësinë e liberalizmit në zhvillimin ekonomik.  “Shprehja që është futur në fjalorin liberal si ‘dora e padukshme e Adam Smithit’ në fakt është dora e dukshme e tij, pasi liberalizmi në thelb synon disa gjëra që shënojnë lirinë e tregut dhe këto janë të dukshme; mosekzistenca e monopoloeve, lirinë ekonomike dhe një shtet sa më minimalist në ekonomi’, tha ndër të tjera Civici.

Bashkëautori i librit, Selami Xhepa, e cilësoi këtë si një ‘punim modest’ por theksoi se gjatë shkrimit të këtij libri kishte mësuar shumë. “Kam mësuar shumë nga jeta e personaliteteve më të rëndësishëm të liberalizmit, të parë në kontekstin e kohës kur jetuan e punuan, por dhe në kontekstin e diskutimeve të sotshme mbi ta”.

Liberalizmi vs Kensianizmi

Një libër që provokon, e cilësoi Genc Ruli, ndërsa shtoi se ai është i nevojshëm për ata që merren me politikat ekonomike dhe për ata që e quajnë veten liberalë.

“Ky libër është i nevojshëm sepse nëpërmjet tij njohim liberalizmin në botën perëndimore. Është i domosdoshëm për të na ndihmuar të kuptojmë pse duhet të jemi liberalë, a jemi me të vërtetë liberalë dhe pse jemi liberalë. E them këtë sepse këtu tek ne ka një liberalizëm të shtirur, por kemi dhe liberalizim që vjen nga arsyeja intelektuale”. Ruli tha se liberalizmi në vendin tonë është më shumë një shtirje dhe nuk ka një marrëdhënie lirie të mirëfilltë mes individit dhe shtetit, pasi sipas tij individi ka humbur shumë nga liritë e tij deri tek liria e votës që e nxjerr në shitje.

Profesor Arben Malaj provokoi nga ana e tij duke propozuar që libri të ribotohej me një pjesë shtesë ku të përfshihej mendimi kritik ndaj liberalizmit, ose nobelistëve të ekonomistë, siç tha ai. Më tej Malaj solli disa shembuj për të treguar se nuk duhet absolutizuar liberalizmi. “Kriza botërore e fundit tregoi se jo gjithçka e rregullon dora e padukshme e tregut, pasi Gordon Braun në Britani u detyrua të merrte masa anti-krizë duke shtetëzuar bankat që po falimentonin për të mos lënë të ndodhte efekti domino në ekonomi”, tha ai ndër të tjera duke shtuar se ka shumë pikpyetje mbi funksonalitetin e liberalizmit të pastër ekonomik./Mapo.al/

 

 

 

1 koment për këtë artikull
  1. Udhetari i drejte at 7:57 am

    E morem vesh cfar shkruhet., por na duhet nji.pergjigje per te na sqsruar: flitet per liberalizim te ekonomise ne teresi apo flitet pet ekomomi te liberslizuar ne teresi dhe cilen kane pelqyer kater-top ekomomistet nr foto? Udhetari i drejte

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *