Floresha Dado, Lexuesi në kurth: Eseistika e Kadaresë

Postuar më: 01 October 2016 09:38

Floresha DadoStudiuesja Floresha Dado i hyn një pune titanike, po të marrim parasysh gjerësinë dhe thellësinë e veprës që ajo ka zbërthyer e studiuar, përmasat e pamata të përsiatjeve mbi ekzistencën, justifikimin e kësaj ekzistence, letërsinë, figurat e veçanta, mbi identitetin e popullit shqiptar, natyrave të luftrave, trajektoren e historisë, politikën e hershme dhe të sotme, reflektimin mbi njeriun dhe rrethanat, ndikimet e ndërsjellta, vdekjen, pushtetin, tjetrin, jetën shoqërore…

Nga Diana Çuli

“Kisha lexuar, në intervale të ndryshme kohore, një pjesë të mirë të shkrimeve eseistike të këtij shkrimtari të shquar. Por, ndonëse kishin hyrë në perceptimin tim si krijime mjaft interesante, përsëri vëmendja rendte gjithnjë drejt prozës artistike të tij…Nuk e kisha kuptuar se kjo rendje e njëkahshme, pa u ndalur sa duhet tek eseistika, ishte gabim i madh, ishte sikur ta copëtoje individualitetin e këtij krijuesi në dy pjesë: njera e ndritshme, kurse tjetra kalimtare.”

Kështu shkruan Floresha Dado në hyrje të kësaj vepre, që nuk është vetëm një hap i mëtejshëm i përsosjes e përkryerjes së nivelit studimor të autores, – por edhe një shembull origjinal, i pashkelur e i paarritur më parë  për nga metodologjia e nga pikëvështrimi.

Po të shfletojmë fjalorët e enciklopeditë, eseja përcaktohet si sprovë, përpjekje, shprehje e subjektivitetit – siç ngulmojnë francezët, përpunuesit e paepur të mendimit – që përpiqet të bindë lexuesin, të cilit i drejtohet, të nxisë diçka tek ai. Është një tekst që sjell në diskutim një çështje, një reflektim, një analizë, një tekst që luhatet, për nga përmbajtja, midis letërsisë dhe filozofisë. Këtë ka bërë shkrimtari ynë i madh, që prej fillimeve me Autobiografinë e popullit në vargje, e deri te veprat me ese, që janë botuar pareshtur në njëzetepesë vitet e fundit.

Studiuesja Floresha Dado i hyn një pune titanike, po të marrim parasysh gjerësinë dhe thellësinë e veprës që ajo ka zbërthyer e studiuar, përmasat e pamata të përsiatjeve mbi ekzistencën, justifikimin e kësaj ekzistence, letërsinë, figurat e veçanta, mbi identitetin e popullit shqiptar, natyrave të luftrave, trajektoren e historisë, politikën e hershme dhe të sotme, reflektimin mbi njeriun dhe rrethanat, ndikimet e ndërsjellta, vdekjen, pushtetin, tjetrin, jetën shoqërore – pra një univers të shumëfishtë, ku duket sikur sa më shumë të depërtosh, aq më i pafundmë ai është.

Libri ndahet në disa kapituj të veçantë, që ta orientojnë lexuesin apo studiuesin e veprës së Kadaresë dhe këtu po përmendim vetëm disa prej tyre: Sa është studiuar estetika e Kadaresë? ku autorja i jep përgjigje të sakta kësaj pyetjeje, kapituj me bazë estetike si: Shkon letërsia tek eseja apo vjen eseja tek letërsia, Estetikë apo kritikë letrare, Mënyra eseistike e kuptimit të arteve, Ese poetike, e llojit impresionist? Po edhe kapituj si Mbi problematikën politike, historike, sociale e filozofike – ku ka nën –kapituj si Ese-psiko-sociale, psiko – politike, etnopsikologjike, etnokulturë e të tjera. Ka edhe diskutime mbi keqkuptimet e esesë së Kadaresë, ka histori të esesë shqiptare, etj.
Ajo që një lexues, padyshim i stërvitur me veprat studimore dhe i etur të hyjë në mushkëritë e korpusit të veprës së shkrimtarëve, do të gjejë përgjigje të shumta në Eseistikën e Kadaresë të Floresha Dados. Po edhe hamendje, debat, diskutim, spjegime, analizë, psikanalizë, rolin e intuitës, vetëdijës e pavetëdijës, ndikimin e intelektualit apo të shkrimtarit apo të të gjithë kësaj marrëdhënieje të ndërlikuar në veprën e Kadaresë, si dhe hedhje drite mbi gjithçka që mund të ketë kaluar me shpejtësi, pa u vënë re, me nxitimin dhe lehtësinë që na karakterizon, që na pengon të ndalemi të mendohemi një çast, një grimë përsa po na ndodh, për çfarë na ka ngjarë e për çfarë mund të na ngjasë. Esetë e Kadaresë, më duket sikur më thotë Floresha Dado përmes rreshtave të saj, janë e tashmja e së tashmes, e kaluara brenda së tashmes, e ardhmja në filiz, brenda së tashmes. Eshtë kjo përmasë e veprës eseistike të Kadaresë që ka sjellë Floresha Dado në këtë vepër me mjeshtëri të rrallë analitike e filozofike, përveç metodologjisë shkencore.

Mendoj se një vepër e tillë si Lexuesi në kurth : eseistika e Kadaresë na spjegon edhe përse në këto periudha të sotme, le t’i quajmë post-moderne, siç i qujanë shpesh kritikët perëndimorë, ku mungesa e pikave referuese ideologjike koherente i jep shumë rëndësi kërkimit përmes esesë të përgjigjeve të reja, mënyrave të reja të mendimit, jo aq përmes demonstrimit të plotë, por më tepër përmes intuitës reflektive, përmes kësaj fushe ideore të lirë dhe bredharake.

Floresha Dado me këtë vepër ka sjellë një kontribut të ri të sajin jo vetëm në studimin e veprës së Kadaresë, por në gjithë fushën studimore të letërsisë shqiptare, siç ka bërë për dyzet vjet me radhë, pa u ndalur, pa u tërhequr, po gjithnjë duke ecur përpara, gjithnjë në ngritje të gjithçkaje që ajo merr përsipër të studiojë.

Kur lexojmë të tilla vepra, mund të marrim frymë të lehtësuar e të mendojmë se nuk duhet të dëshpërohemi, siç bëjmë shpesh, pa u menduar shumë.  Këta studiues të paepur e të palodhur kanë jetuar e jetojnë mes nesh dhe, pa zulmë e bujë, vendosin gurët në kështjellën e studimeve të letërsisë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *