Labirinti i zgjimit – roman nga Adam Foulds

Postuar më: 24 September 2016 11:16

Adam Samuel James FouldsNga Diana Çuli 

Adam Samuel James Foulds është poet dhe shkrimtar englez, lindur dhe rritur në Londër, i njohur vitet e fundit për veprat e tij, të cilat janë vlerësuar edhe nga çmime letrare shumë të rëndësishme si Granta ‘Best of Young British Novelists’, Sunday Times Young Writer of the Year Award, Walter Scott Prize, Man Booker Prize for Fiction, Somerset Maugham Award, Sunday Times Young Writer of the Year Award, Costa Poetry Award, John Llewellyn-Rhys Memorial Prize, Sunday Times Young Writer of the Year Award,  Betty Trask Award dhe European Union Prize  – që është dhe një nga çmimet më të rëndësishme europiane sot.

Jo pak për një shkrimtar relativisht të ri, në moshë e në vepër, por Britania e Madhe nuk na zhgënjen asnjëherë për letërsinë që prodhon. Mbetet gjithnjë një kështjellë letrare shndritëse, me autorë të mëdhenj, që kanë ndryshuar dhe pasuruar botëkuptimin e njerëzve në mbarë botën. Adam Foulds, siç është dhe emri i tij në kopertinat e librave që boton, u bë i njohur fillimisht me librin e tij të parë E vërteta mbi këto kohë të çuditshme e më pas me poemën Botë e thyer, që mori mjaft vlerësime nga kritika britanike, që u pasuan dhe me vepra të tjera.

Romani Labirinti i zgjimit  është botuar në shqip nga shtëpia botuese TOENA,  i dha Adam Foulds-it çmimin e Bashkimit Europian. Subjekti i këtij romani, një gërshetim i realitetit me imagjinatën letrare zhvillohet në sfondin e epokës viktoriane, në një azil për të sëmurët mendorë (Pylli i Eppingut, High Beach), ku kryqëzohen për ca kohë fatet e poetëve Xhon Kler dhe Alfred Tenison,  (ky i fundit ende jo i famshëm në atë kohë dhe shumë i ri në moshë). Realiteti është se poeti Xhon Kler, i mbiquajtur poeti i klasës punëtore, për orgjinën e tij shumë të varfër dhe për temat e poezive të tij dhe poeti Alfred Tenison, që më vonë iu dha dhe titulli Lord, u gjendën për arsye të ndryshme në këtë azil. Xhon Kleri,  dikur i admiruar nga kritika, tani në luftë me alkoolin dhe shqetësimet mendore është i mbyllur në azil, ndërsa Tenisoni vjen aty për të shoqëruar vëllanë e tij, po ashtu të sëmurë rëndë nga depresioni. Azili drejtohet nga doktor Methju Ejlen, i cili  është një person karizmatik, por me probleme financiare, të cilat shpreson t’i zgjidhë duke bindur investitorët, mes tyre dhe vëllezërit Tenison. Por, Labirinti i lëvizshëm nuk është një roman poetik, është një roman mbi jetën, mbi të sëmurët mendorë dhe njerëzit e shëndetshëm dhe marrëdhëniet mes tyre, i thellë, i pasur me përvoja jetësore dhe i veçantë në rrëmimin e asaj që ndodhet “midis” këtyre dy kategorive dhe marrëdhënieve të tyre. Autori e arrin në mënyrë të habitshme këtë gërshetim. Duke kapërcyer vështirësinë në vendosjen si personazhe të figurave reale, libri përqendrohet tek Ejlëni, Kleri dhe Tenisoni duke na i dhënë si personazhe krejtësisht letrarë, po edhe të njohur. Narracioni i Foulds-it e shtyn lexuesin t’i ndjekë me një frymë personazhet e tij.  E ndjejmë këtë në të gjithë detajet, te flokët e Tenisonit, te miopia e tij, hollësitë për sjelljet e Klerit, te diskutimet e Ejlënit.

Një personazh tjetër në roman është Hana 17- vjeçare, vajza e Ejlënit, e cila nuk dëshiron të ndjekë dëshirë e të atit për t’u marrë me të sëmurët, por kërkon lumturinë e saj te dashuria, te martesa, te djemtë e rinj që sheh të vijnë në shtëpinë e saj. Ajo tërhiqet nga poeti i ri Tenison. Por, vazhdimin e subjektit do t’ia lëmë lexuesit ta ndjekë.

Adam Foulds i zhvillon këto drama individuale në jetën e përgjithshme të azilit, ku ka pacientë me mani fetare, me ankthe, me ekzistenca fantazioze, (Xhon Klerit i duket vetja, për shembull se është Lord Bajroni), por që janë njerëz dhe jo figura problematike, prej të cilave të largohesh. Çelësi i suksesit të romanit të Foulds-it, vëren kritika është mënyra e tij e të shkruarit, nënshtresat edhe poetike të shkrira me ato të prozës. Labirinti i lëvizshëm na duket njëherazi i shndritshëm e reflektiv, me jetën metaforike të krijuar brenda faqeve të tij, brenda formës narative të tij.  Ai është një roman mbi dy poetë të famshëm dhe për një azil jo dhe aq të “famshëm” për metodat që përdor doktor Ejleni, është një roman për identitetin, për fatet e njerëzve, natyrën e qënies, një libër ku, përveç reflektimeve që të ndikon, të shtyn të mendosh për vështirësitë e ekzistencës, por edhe për mundësitë e saj.

Gëzim Qendro e ka sjellë romanin në shqip. Do të doja të theksoja se kjo vepër, për një shqipërues nga anglishtja është një sfidë e vërtetë: për artikulimin e skajshëm të frazës, për pasurinë e leksikut, për nënshtresat e mendimit, për konceptet, terminologjinë, atmosferën dhe klimën e epokës viktoriane, për dialogjet, për filozofinë dhe, mbi të gjitha: për të sjellë në shqip mënyrën e të menduarit të pacientëve, që edhe vetë në anglisht nuk është e lehtë.

Gëzim Qendro, si në gjithçka ku vë dorë, e ka kaluar këtë sfidë. Dhe na ka sjellë këtë roman në një shqipe moderne, të pasur e të zhdërvjellët e të thellë, si kontribut për gjuhën tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *