Lame: Legalizimet s’kanë për të përfunduar asnjëherë

Postuar më: 17 August 2016 10:59

Foto Artan LameKreu i ALUIZNI-t është shprehur skeptik për përfundimin e procesit të legalizimeve. Sipas tij, kjo për vetë faktin se ende në Shqipëri ndërtohet pa leje. Ai ka bërë të ditur se do të miratohet një VKM për legalizimeve e apartamenteve stok në Tiranë

Procesi i legalizimeve në Shqipëri nuk ka për t’u mbyllur asnjëherë dhe kjo sepse ende edhe sot e kësaj dite vijojnë ndërtimet pa leje.

Ky pohim i fortë ka ardhur nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit të Zonave Informale, Artan Lame, gjatë një konference të mbajtur dje për mediat, ku ndërmjet të tjerave informoi edhe emigrantët mbi lehtësirat që ofron kjo agjenci gjatë gushtit për të kryer edhe ata procesin e legalizimit të banesave të tyre.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se kur procesi i legalizimeve do të konsiderohet i përfunduar, Lame në mënyrë të qartë bëri të ditur se ai nuk përfundonte dot asnjëherë.

Kjo pasi sipas tij, në Shqipëri do të ketë gjithmonë njerëz që do duan të legalizojnë shtesat apo ndërtimet që i bëjnë pa leje.

“Procesi i legalizimeve në Shqipëri nuk ka për të mbaruar asnjëherë. Gjithmonë në këtë vend do ketë njerëz që do duan të legalizojnë, për sa kohë që edhe sot për fat keq vijohet të ndërtohet pa leje në vende të caktuara. Ndaj një ditë edhe këta do trokasin në shtetin shqiptar për legalizimin”, – u shpreh drejtori i ALUIZNI-t.

Por është përpjekur të sqarojë se procesi duhet ndarë në dy grupe, ku sipas tij legalizimi i zonave masive informale do të mbarojë brenda këtij mandati të kësaj qeverie.

“Ta ndajnë procesin në dy pjesë: legalizimi i zonave masive rreth qyteteve mbyllet në këtë legjislaturë. Që do të thotë që Bathorja, Këneta e Durrësit, Fusha e Bradasheshit, rrethinat e Shkodrës, Kamza, Paskuqani, Kodra e Priftit, pra gjithë këto zona që rrethojnë qytetet tona, mbyllen me këtë mandat. Ndërsa pjesa tjetër e ndërtimeve brenda qyteteve do të vazhdojnë ato që janë në procese gjyqësore apo ato që ndërtohen rishtazi do të vazhdojë”, shtoi Lame.

Sa i përket procesit të legalizimeve masive, Lame tha shumë shpejt do të përfundojë procesi në tre qarqet e para, që janë Kukësi, Dibra dhe Fieri, ndërsa brenda mandatit qeverisës do të ketë përfunduar procesi edhe për pjesën tjetër.

“Për muajin  korrik u dhanë 5505 leje legalizimi, ndërsa në qershor ishte diku tek 4800, pra është një ritëm kolosal po të mendosh që në muaj janë rreth 5 mijë familje lejet e legalizimit. Sa i përket vijimit të procesit qarqet që do ta mbyllin të parat procesin e legalizimit dhe ka shumë gjasa që këtë garë ta fitojë qarku i Dibrës dhe ai i Kukësit dhe i ndjekur nga ai i Fierit”, – bëri të ditur Artan Lame.

Ai informoi gjithashtu se muaji shtator do të sjellë edhe disa lehtësira dhe mundësi të tjera për të gjithë ata që duan të legalizojnë banesat.

Kështu, sipas Lames do të nisë të zbatohet VKM-ja që ngarkon ALUIZNI-n që të ndjekë procesin e hipotekimit të ndërtimeve që legalizohen edhe ZRPP.

“Po ashtu ai bëri të ditur se në shtator do të miratohet nga qeveria edhe një VKM e posaçme që do mundësojë legalizimin e afro 4 mijë apartamenteve që kanë mbetur stok në kryeqytet. Jemi duke bërë edhe disa veprime të tjera dhe që ka të bëj me stokun e apartamenteve të pashitura. Në Tiranë ka rreth 4 mijë apartamente stok të cilat nuk shiten se janë të pahipotekuara. Në shtator mbyllet një VKM që mundëson legalizimin e tyre dhe për ta vënë në lëvizje këtë stok apartamentesh”, – tha drejtori i ALUIZNI-t.

Gjithashtu ai ka theksuar do të ketë dhe një VKM tjetër për ndërtimet në zonën e Gërdecit.

“Do na duhet të bëjmë një vendim qeverie më vete  për banorët e gërdecit  sepse dhe banorët e gërdecit edhe Saliu, pasi ua prishi shtëpitë dhe iu tha që do ja u bëj të reja jua la në mes  do detyrohemi ne të bëjmë një vendim qeverie për të gjetur mënyrën për ti legalizuar, shtëpitë e ndërtuara në Gërdec”, – shprehet Kreu i ALUIZNI-it Artan Lame.

 

ALUIZNI, sportele të posaçme për emigrantët

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave me Ndërtimeve Informale ka ftuar dje të gjithë emigrantët që të shfrytëzojnë kohën e pushimeve në Shqipëri për të mbyllur procedurat e legalizimit të banesave të tyre të ndërtuara pa leje.

Në një dalje të posaçme për mediat, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se gjatë muajit gusht do të favorizohen në proces të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit dhe që janë kthyer në Shqipëri për pushime.

Për këtë ai ka kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë që të favorizojnë këtë kategori.

“Ju bëj thirrje të gjithë atyre emigrantëve të interesuar që të përfitojnë nga këto muaj për të përmbyllur procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre. Të jenë të bindur që personelin e ALUIZNI-t do ta kenë në dispozicionin e tyre gjatë gjithë muajit gusht. Gjithashtu, pikërisht për shkak të kësaj mbingarkese momentale, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë për t’ju hapur udhë emigrantëve në këtë moment piku. Moment ky që përfundon pas mesit të shtatorit, kur emigrantët do të kthehen në vendet e tyre të qëndrimit. Largësia nga atdheu e vështirëson për ta ndjekjen e procedurave, ndaj le t’ju gjendemi pranë në këtë moment nevoje”, – tha Lame.

Ai shtoi se janë marrë masa për të siguruar sportele të veçanta pranë Drejtorive të ALUIZNI-t, për këtë masë të madhe qytetarësh shqiptarë që, gjatë qëndrimit në Shqipëri, të mund të kryejnë në mënyrë preferenciale procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre.

1 koment për këtë artikull
  1. lorostajka at 11:56 am

    I nderuar Kryeredaktor Ju degoj kete pergjigje per drejtorin Artan Lame , per ta botuar ne gazetë. Ju lutem me informoni me email.
    Me respekt Loro Stajka
    Fredricsburg, 2016 -08-17

    NUK DO MUND TË JUSTIFIKONI PARA HISTORISË.
    Drejtuar vëmendjes së drejtorit të ALUIZNIt Artan Lame dhe Kryeministrit Edi Rama

    Në gazetat e datës 16.dhe 17 Gusht 2016 jepet njoftimi se Drejtori i ALUIZNIt Artan Lame, po vazhdon normalisht procesin e legalizime të ndërtimeve pa leje, se gjatë vitit të kaluar janë bërë 40.000 legalizime, se “kaosi ka ardhur nga sistemi i ndryshëm hartografik”; se për të favorizuar emigrantët janë hapur sportele të veçanta për ti favorizuar ata; se “gjatë muajit Korrik janë dhënë 5505 leje legalizimi, ritëm kolosal”, se në Shtator do përfundojnë edhe 4000 legalizime të tjera.
    Për rastet kur ndërtimi nuk bie ndesh me planet urbanistike dhe rregullat teknike të ndërtimit dhe legalizimi i bahet nji personi që ka ndertuar në tokën e babës së vet, ky legalizim do ishte me vend . Por në rastet kur legalizimi bahet të tokat që kane pronar legalizimi është dhunë e Shtetit, shkelje e të drejtave themelore dhe vjedhje e justifikuar ne emër të shtetit. Kushtetuta ne nenet e saj ka përcaktu qartë se çfarë është prona, si fitohet prona dhe si transferohet prona.
    Kushtetuta në fuqi thotë se prona është e blerë, e dhuruar dhe e trashëguar. Asnjë nen i Kushtetutës nuk thotë se prona fitohet me konfiskim, me pushtim dhe me grabitje të pronës së ligjëshme të një qytatari tjetër, Z. Artan Lame me siguri që e njeh Kushtetutën shume ma mirë se unë, por kujt i shërben veprimtaria e tij ? Unë shpreh publikisht qortim për z. Artan Lame, që për interesa të ulta pragmatiste po vepron si mashë e një platforme që shkatërron themelet e pronës private dhe demokracisë në Shqipëri, Zoti Lame mund të justifikohet se zbaton një vendim të Qeverise apo ndonjë ligj për legalizimet. Kur këto ligje apo vendime , justifikojne legalizime në përgjithësi dhe pa dallim se kujt i përket pronësia e truallit, këto akte bien ndesh me Kushtetutën, janë thellësisht një mashtrim dhe në mos sot neser do anullohen. Kjo më detyron të reagoj publikisht ndaj kesaj veprimtarie që në thelb është antisociale dhe antikombëtare pasi gjatë kohës ato shkaktojnë një pështjellim të madh social.. Kurgja ma pak nuk kan bam sllavo-komunistat në vendin tonë Kjo më kujton udhezimet që jepnin për zhvillimin ekonomik, këshilltarët e Titos për qeverinë komuniste të Tiranës, në vitet 1946-47, që në emër të vllazërimit të popullit shqiptar me ata të jugosllavisë, praktikisht vodhën çka mundën në Shqipëri dhe e sabotuan në themel ekonominë shqiptare dhe këto veprime i dinë të gjithë shqiptarët.
    Pohimi i Artan Lames se “Legalizimet nuk kane per të përfunduar asnjëherë“ demaskon Qeverinë dhe mosfunksionimin e shtetit conform Kushtetutës. ALUIZNI dhe çdo institucion duhet të jetë në shërbim të zbatimit të detyrimeve kushtetuese dhe jo për të justifikuar vjedhjet. Artan Lame dhe Kryeministri Edi Rama nuk janë ideologët por ata duhet të pyesin veten se pse ata po bëhen eksponentë që po vazhdojnë me fanatizëm stafetën e platformës së demokracisë sipas Ramiz Alisë të filluar në 1991. A eshtë e lejushme dhe kujt i intereson mos respektimin e titujve të pronësisë konform Kushtetutës ? Ju dhe drejtuesit e tjerë të politikës postkomuniste, e dini shumë mirë se jeni shkaktarë të shkeljes se detyrimeve kushtetuese dhe të anarkisë së pronës që pas vitit 1991 ka shkaktuar mbi 8000 viktima, ju po mohoni pronat e trashëguara duke i trajtuar pronat e grabitura sikur të ishin prona të shtetit.

    Kjo platformë synon shkatërrimin e themeleve të Shqipërisë, është genocid i padeklaruar dhe ju nuk do të mundeni të justifikoheni.
    Për moshën dhe eksperiencën e jetës që kam e këshilloj drejtorin Artan Lame, të mos e turpërojë veten por ta ushqejë familjen me një punë të ndershme.Shprehem publikisht se nëse ndiheni shqiptar, largohuni nga veprimtaria aspak parimore dhe aspak humane e politikës që vazhdon të zbatojnë platformën e Katovicës. Çdo kush do të mbajë përgjegjësi për firmat që ka vendos. Në Gjyqin e Nurembergut, artikulli 8 thuhet “ the fact that the defendant acted pursuant to order of his government or of a superior shall not free him from responsibility, but may be considered in mitigation of punishment of the tribunal determines that justice so requires. …” ose e thëne ne shqip: fakti se i pandehuri ka vepruar në bazë të urdhrit të qeverisë së tij ose të një eprori nuk do ta lironte atë nga përgjegjësia, por kjo mund të merret parasysh në zbutjen e dënimit të gjykatës dhe këtë dënim e kërkon drejtësia”. Edhe nëse shqiptarët që po vazhdoni ti çvishni nga pronat e tyre nuk do t’ju çojnë në gjykatë ndërkombëtare, me siguri që do t’ju ndëshkojë historia që është më e ashpër se Robert Jackson, Kryeprokurori i SHBA në Gjyqin e Nurembergut. Besoj se përmes kësaj replike ju kam ndihmuar ju , Kryeministrin zotin Edi Rama , deputetët dhe pushtetarët aktuale dhe presim reagimin tuaj në të mirë të respektimit të të drejtës së pronës konform Kushtetutës.

    Loro Stajka
    108 Stratford Av.
    Fredericksburg,VA.22408
    [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *