K’tu fest 2016: Tinka Kurti, aktorja 85-vjeçare çon në këmbë Strugën

Postuar më: 02 August 2016 09:34

tinka kurtiBiseda me Tinka Kurtin gjithmonë merr një natyrë epike: plot energji, forcë dhe vullnet për të treguar historitë e jetës. Në Shqipëri aktorja 85-vjeçare nuk zë ekranet, por është mit. Në Kosovë çmohet më shumë se në çdo trevë shqiptare, deri në takimet e befasishme të “Tinkave” aktore, ndërsa në Maqedoni, Tinkën e gjen në netët romantike të Strugës…

Biseda me Tinka Kurtin gjithmonë merr një natyre epike: plot energji, forcë dhe vullnet për të treguar historitë e jetës. Në Shqipëri aktorja 85-vjeçare nuk zë ekranet, por është mit. Në Kosovë çmohet më shumë se në çdo trevë shqiptare, deri në takimet e befasishme të “Tinkave” aktore, ndërsa në Maqedoni, Tinkën e gjen në netët romantike të Strugës, ku mblidhen aktorë e këngëtarë, në biseda të lira; një urë komunikimi jo rastësor me publikun. Aktorja ka folur si rrallë herë në një intervistë “live”, në qiell të hapur, për karrierën, punën dhe kontributin e saj në kulturën shqiptare. Ka qenë regjisorja Olsa Poshka, përballë aktores duke rikthyer aktoren në një rast unik për kulturën shqiptare.

Kjo ka ndodhur në rënien e perdes së edicionit të tretë të festivalit të teatrove “K’tu fest 2016” në Strugë, një nismë e “Poshka Teatër”, e modeluar si skenë e hapur ku flitet shqip, me thyerje traditash, për të lidhur skenën me njerëzit, artin me humanen.

Për botën shqiptare kjo ende mbetet një mur i vështirë për t’u kapërcyer, ndonëse “Poshka Teatër” është e nxitur në këtë nismë të jetë interaktive në këtë komunikim ndërkulturor.

Edhe në këtë edicion morën pjesë përfaqësues të jetës shoqërore e kulturore shqiptare, si dhe personaliteteve dhe figurave më emblematike të skenës teatrore dhe të kinematografisë shqiptare si Tinka Kurti, Yllka Mujo, Zamira Kita, Xhevat Limani, Ahmet Jakupi, Drita Kaba-Karaga, Adem Karaga, Merita Çoçoli, dueti i filmit me metrazh të shkurtër që konkurroi për “Oscar”, Lum Veseli e Andi Bajgora, si dhe shumë e shumë të tjerë, u hap sipari i festivalit të tretë me radhë “K’tu Fest 2016”. Fillimisht, u përcoll kënga e “Flamurit shqiptar” dhe “Xhamadani vija-vija”, kënduar me kitarë nga Eljona Qyra, një vajzë strugane e lindur në Suedi.

Fjalët e pritjes i mori përsipër regjisorja dhe drejtoresha e Teatrit “Poshka”, Olsa Poshka me mënyrën e saj të veçantë të komunikimit me publikun artdashës në skenën e Teatrit “Poshka”, duke ftuar në skenë trupën teatrore të fëmijëve, vijues të Shkollës së Edukimit Nëpërmjet Teatrit, me tekst dhe në regji të plotë të Olsa dhe Xheladin Poshkës, që u prezantuan para publikut.

Artistët e vegjël, tërhoqën vëmendjen e publikut në bashkëbisedimin dhe dialogjet që mbajtën për gjysëm ore në skenë aktoren Yllka Mujo.

Minutat në vazhdim të natës së parë të festivalit të teatrove “K’tu Fest”, ishin të rezervuara për filmin me metrazh të shkurtër i nominuar për “Oscar” – “Shok”, film që paraqet tmerret dhe përjetimet e popullit shqiptar nga hordhitë çetnike dhe paramilitare serbe në Kosovë, me skenar dhe regji të Jamie Donoughhue, që është bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Anglisë, realizuar në Kosovë, që për herë të parë konkurron në “Academy of Motion Pictures Arts and Science”.

Në ditën e dytë të festivalit, u shfaq pjesa e teatrit mysafir nga qyteti Kluj i Rumanisë, “Femra..si një fushë beteje”. Kjo shfaqe nga Rumania ishte shfaqe e Kompanisë Teatrore “Teatru Acum” Cluj. Tema që trajtohej kishte të bënte me një personazh-femër, e invalidizuar dhe e dhunuar gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë nga hordhitë serbe, e cila si pasojë kishte ngelur shtatzënë, dhe përjetonte trauma të çuditshme gjatë kontaktit edhe më mjekun, të cilin më në fund edhe e sulmoi fizikisht duke “rikthyer kujtesën e përjetimit nga meshkujt”. Kjo pjesë ishte përgatitur nga regjisori hungarez Laszlo Vadas, ndërsa në rolet e personazheve u paraqitën Dana Bontidean dhe Ionut Constantinescu.  Gjatë një përshkrimi të ditëve të festivalit “K’tu Fest”, Olsa Poshka mes të tjerash theksoi se këtë vit, në edicionin e tretë të festivalit të teatrove, ka pasur dyfish më shumë shfaqje se vitin e kaluar, edhe pse nuk ka pasur dyfish mjete materiale më shumë.

Ditën e tretë, në programin “matine” në ora 11:00, është shfaqur dokumentari “Matanë malit”, në regji të Merita Cocolit, ndërsa në orët e mbrëmjes, Teatri i qytetit të Prishtinës “Dodona”, është paraqitur para audiencës të festivalit me shfaqen “Ikja nga Gjermania”, të autorit Ilir Ajdini, në regji të Kastriot Saqipi. Në rolet kryesore të kësaj shfaqjeje u paraqiten Brahim Basha dhe Basri Shala –Virusi. Ditën e katërt, në programin “matine” në ora 11:00, është shfaqur filmi i shkurtër “Fjala”, në regji të Arsim Fazliut, në interpretim të Muzafer Etemit dhe Blerim Ismanit, ndërkaq në programin e mbrëmjes, Teatri Shqiptar Shkup, është prezantuar me shfaqjen “Dashnori”, të autorit Harold Pinter, në regji të Besfort Idrizit, shfaqje e cila reflektoi me profesionalizëm të plotë, duke filluar nga skenografia, dritat, dinamika…por edhe loja skenike. Në rolet e “dashnorëve” u paraqitën Fisnik Zeqiri dhe Amernis Jovanovska – Nokshiqi, ndërsa skenografia ishte ideuar dhe realizuar nga Enes Deari. Skena e mbrëmjes përmbyllëse të edicionit të tretë të festivalit “K’tu Fest 2016”, i ishte lënë në dispozicion Teatrit “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi, që u paraqit me shfaqjen “Një jetë me ty”, të autorit dhe regjisorit Erion Kame, në interpretim të Romir Zalla, Suela Bako dhe Vilma Hodo, ndërsa skenografia ishte ideuar dhe realizuar nga Noset Shijaku. Romir Zalla, tashmë i njohur dhe i mirëpritur nga publiku artdashës në Teatrin “Poshka”, me partneret e tij, në këtë shfaqje të tipit shfaqe narrative (me paralajmërime të skenave), kënaqi publikun në Strugë. (referuar Kulplus)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *