A mund të pushojnë politikanët?

Postuar më: 13 August 2016 10:01

Julian Zyla-Komunikimi politik nga A në ZH

Nga Julian Zyla

“Është e pakuptimtë që automjetet publike të shfrytëzohen nga zyrtarët për pushime në Durrës,” deklaroi gjatë një mbledhjeje të qeverisë, pak javë më parë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Deklarata u kthye në titull për shumë nga artikujt në media që pasqyruan atë mbledhje, ku u fol edhe për aspekte të tjera të të ardhurave publike, përfshi njoftimin zyrtar për përmirësimin e ecurisë së tyre.

Siç shihet, politikanët edhe pushojnë, por, vëmendja publike rreth sjelljeve të tyre: jo.

Në këtë rast kemi të bëjmë me deklaratën e një Kryeministri, por, në shumicën e rasteve, media nuk pret për ndërmjetësime kaq zyrtare për të thurur artikuj verorë. Mjafton fotoja e një deputeteje që shfaqet në drejtimin e një skafi dhe ato, me të drejtë, nuk vonojnë të botojnë lajmin. Luks i shfrenuar? Shkelje e rregullave?

Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Mediat botërore vazhdimisht komentojnë stilin dhe veprimet gjatë pushimeve të udhëheqësve të vendeve të tyre. Çfarë sporti po luan kryeministri? Pushime të thjeshta apo elitare për ministren? Kush e shoqëron? (Kjo është shpesh “e rëndësishme” nëse bëhet fjalë për gratë.) Çfarë lloj fruti po ha ky apo ai njeri publik?

Megjithatë, materialet mediatike për pushimet nuk janë gjithmonë kritika. Kryeministri mund të shkojë të luajë golf dhe kjo mund të theksohet nga kundërshtarët si diçka ekstravagante dhe një mospërfillje e tij ndaj disa prej shtresave të popullsisë. Por, ai mund edhe të vendosë të luajë volejboll, me ish-shokët e klasës. Ministrja mund të kryejë pakujdesi politike duke shijuar malet e Zvicrës, ndërkohë që vendi i vet mund të ketë alpe po aq interesante. Por një ministreje mund edhe t’i lindë ideja për pushime në një zone turistike tradicionale të vendit të saj, gjatë të cilave ajo pasqyron cilësinë e bizneseve të vogla lokale.

Shumë politikanë, ndërsa pushojnë, e dinë që pjesa publike e pushimeve të tyre mund të jetë një mundësi për të shfaqur anë të pëlqyeshme dhe njerëzore të tyre. Dikush vendos të publikojë fotot më të bukura me të birin. Dikush, rekordet personale të notit.

Pra, politikanët mund dhe duhet të pushojnë. Për t’i shijuar pushimet, duhet vetëm të mos harrojnë që të qenit njeri publik nuk ka pushim.

Mënyrat e efektshme të komunikimit nuk ndryshojnë sipas stinëve. Gjërat që njerëzit do të vlerësonin e pëlqenin te një punonjës publik gjatë vitit, mbeten të njëjta edhe në verë. Kjo do të thotë që për njerëzit vazhdon të mbetet diçka e rëndësishme të ndiejnë që politikani është si ata, prind, sportdashës, i  ndjeshëm, i sjellshëm.

Pikënisja më e mirë është shmangia e gabimeve apo ekzagjerimi. Nuk mund të shpresohet te mirëkuptimi i medias. Aq më pak në një kontekst ku kundërshtarët do të bëjnë punën e tyre. Ashtu siç do të ndodhte nëse ndryshohen rolet mes protagonistit dhe kundërshtarit. Vendimet, sjelljet dhe publikimi i materialeve duhen menduar jo vetëm si për miqtë, por edhe për ata që nuk ta duan të mirën politikë, as në verë.

Natyrisht, mbrojtja më e mirë është sulmi. Nëse, me vetëdije, një person publik arrin të krijojë, pa iluzione të rreme, një imazh pozitiv të vetes gjatë pushimeve, gjasat për probleme politike të lidhura me pushimet, edhe pse nuk mund të zhduken, do të pakësoheshin ndjeshëm.

Ekspertët në këto lloj aktivitetesh mund të quhen njerëzit publikë të showbizit. Por, për politikanët situata është edhe më delikate. Luksi në showbiz mund të shihet si pushtet. Në politikë, si abuzim me pushtetin. Pushimet jashtë vendit janë përvoja interesante në showbiz. Për politikanët mund të jenë terren i huaj, pasi nuk mund të dish gjuhën e kundërshtarit lidhur me to.

Si çdo fushëbetejë politike, pushimet lënë vend për kreativitet, por kërkojnë edhe kujdes. Atëherë, si mund të pushojnë politikanët në këto kushte, me gjithë këto komplikime? Shumë njerëz do të ishin gati të kishin këtë hall të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *