Amnisti për pensionistët: Njihen vitet e punës para janarit ’94, hiqet fasha e energjisë për pensionistët e fshatit

Postuar më: 01 July 2016 09:15

Export to PDF | Export to DOC

PensionetKlosi: Ndryshimi i ligjit pas pastrimit të gjithë dokumentacionit dhe duke bërë kështu një amnisti të madhe për qytetarët shqiptarë, duke u dhënë atyre të drejtën të mos shkojnë më në dyert e gjykatave 

Qeveria ka gjetur një zgjidhje për të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar për pension, por nuk iu njiheshin vitet e punës për shkak të mungesës së dokumentacionit. Bëhet fjalë për njohjen e kontributeve të tyre para 1 janarit të vitit 1994 por që ata e kishin të pamundur për t’i vërtetuar për shkak të mungesës së dokumentacionit. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, teksa bëri publik vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, tha se qytetarët nuk kanë pse të enden më dyerve të gjykatave për faj të administrates, pasi do jetë shteti ai që do njohë këtë dokumentacion të dëmtuar apo të munguar.

Pensionet

“ Vendimi ka për qëllim që të zgjidhë disa probleme thelbësore të dokumentimit dhe vlefshmërisë së periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të personave që kanë punuar në ish ndërmarrjet apo ish kooperativat bujqësore, përpara datës 01.01.1994,  për të cilat sot ka disa vendime gjykatash e mijëra e mijëra procese të zvarritura për të regjistruar e çregjistruar të drejtën e qytetarëve shqiptarë. Ky ligj përpiqet t’u japë fund këtyre parregullsive kaq të mëdha. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha  periudhat e punës së para 1 janarit 1994 njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra etj., kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas kritereve të ligjit. Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumentacioneve janë dëmtuar, shpesh me qëllim, shpesh për paaftësi, disa nga trajtimi jo i rregullt i dokumentacionit,  janë djegur, janë bërë të pavlefshme. Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar ato drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja mënyrë për njohjen e këtij dokumentacioni.”-tha ministry. Sipas Klosit ndryshimi i ligjit vjen pas një pune të Institutit të Sigurimeve Shoqëror, duke evidentuar në arkivat e këtij Instituti të gjithë dokumentacionin, duke e pastruar atë dhe duke bërë kështu një amnisti të madhe për qytetarët shqiptarë, duke u dhënë atyre të drejtën të mos shkojnë më në dyert e gjykatave. “Prandaj, me këtë vendim të fundit të qeverisë kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm për mijëra e mijëra qytetarë, të cilëve nuk do t’u duhet më të shkojnë drejt gjykatave, por të kenë mundësi që atë që shteti e ka bërë keq apo shumë keq gjatë viteve të tranzicionit, me njohjen e dokumentacionit të tyre të punës, të marri shteti përgjegjësinë për njohjen e tyre dhe qytetarëve t’u hiqet barra e tmerrshme e dyerve të gjykatave, ku për vite e vite të tëra e kanë shumë të vështirë të gjejnë të drejtën e tyre të plotë për njohjen e pensioneve, sipas ligjit të ri, sipas kontributit të çdo qytetari shqiptar në efektin e  pensionit të tij personal”, – sqaroi Klosi.

Energjia

Një tjetër vendimi të Qeverisë, që u miratua dje ishte dhe ai prej të cilit  përfitojnë edhe pensionistët në zonat rurale. Klosi njoftoi se këtyre kategorive iu hiqet fasha prej 300 kilovatësh për pagesën e energjisë. “ Pensionistët në zonat rurale do të përfshihen gjithashtu në skemën e pagesës për kompensimin e energjisë elektrike për heqjen e fashës së konsumit prej 300 këh në muaj.Vendimi shkon në ndihmë të mijëra familjeve pensionistësh, të cilët të evidentuar edhe nga reforma e re territoriale, nuk e kishin regjistrimin e tyre në ish bashkitë e mëdha, por e kishin në komuna apo rrethina të qyteteve dhe nuk trajtoheshin, sepse konsideroheshin si pjesë e ish komunave. Me vendimin e Këshillit te Ministrave që u miratua dje u shtuan përfituesit edhe  për disa familje pensionistesh që banojnë në zonat rurale dhe  në përgjithësi në periferi të  qyteteve,  si dhe disa qendrave të banuara që nuk  merren me bujqësi.Në projektvendim janë përfshirë këto kategori të veçanta pensionistësh:

Të moshuarit që janë pensionistë e banojnë në fshat, në zona të cilat konsiderohen ende si zona rurale, por në fakt e kanë humbur kuptimin e tyre, pasi janë kthyer në qendra të banuara dhe ku familja nuk ka as tokë dhe as ndonjë mundësi tjetër për të zhvilluar prodhimin bujqësor; Rastet kur familja përbëhet nga pensionistë, por kontrata e energjisë nuk është në emër të kryefamiljarit, por në emër të bashkëshortes; Rastet e pensioneve familjare, kur kontrata vazhdon të jetë në emër të mbajtësit të familjes, i cili nuk jeton. Bazuar në numrin e përafërt të llogaritjeve, numrit të të kompensuarve u shtohen dhe mbi 5 mijë persona, ndërkohë që efektet financiare prej rreth 45 milionë lekë do të përballohen nga vetë Fondi i Sigurimeve Shoqërore, të programuar për vitin 2016.Kjo kategori ju shtohen 203 mijë familjeve që kanë përfituar nga kompensimi i energjisë, pas heqjes së fashës prej 300 kwh në muaj,  një vit më parë”.

 

Vendimi i qeverisë

DISA ÇËSHTJE TË DOKUMENTIMIT TË PERIUDHAVE TË SIGURIMIT DHE VJETËRSISË NË PUNË, PËR EFEKT PENSIONI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 91/1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Të njihen vjetërsi pune për efekt pensioni periudhat e punës të kryera nga personat e punësuar në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe vitet e punës të ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore, sipas dokumentimit në regjistrat e vjetërsisë në punë, në rastet kur të gjitha fletët e regjistrit ose vite pune të veçanta në të gjitha fletët e regjistrit janë të dokumentuara me laps.
  2. Në rastet kur vjetërsia e punës ose elemente të veçanta të fletës individuale të regjistrit janë të plotësuara me laps dhe nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e tyre në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative, saktësia e të dhënave të regjistrit ose vërtetimi i fakteve bëhet me vendim të gjykatës.
  3. Në rastet kur rubrika të veçanta të fletëve individuale të regjistrave të vjetërsisë në punë janë të paplota, evidentojnë fillimin por jo mbarimin e periudhës së punës, nuk janë të shkruara dukshëm ose kanë gërma të rishkruara, janë të dëmtuara fizikisht ose të padallueshme për shkak të periudhës së gjatë nga data e krijimit të fondit arkivor, mungojnë elemente të  veçanta të identifikimit të personit ose janë të shkruara me shkurtime dhe, për  rrjedhojë, me të dhënat e fletës së regjistrit nuk mund të provohet e gjithë periudha e sigurimit ose pjesë të saj, të kërkuara dhe dokumentuar nga personi i interesuar, strukturat përgjegjëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore marrin në konsideratë të dhëna të tjera dokumentare, të prodhuara nga organe shtetërore, të cilat indirekt i shërbejnë vërtetimit dhe plotësimit të periudhave të sigurimit.
  4.  Në zbatim të pikës 3, të këtij vendimi, për dokumentimin e vjetërsisë në punë, për efekt pensioni, përveç të dhënave të dokumentuara në librezën e punës, në regjistrat e vjetërsisë në punë, në listëpagesat apo borderotë dhe vërtetimet e lëshuara nga ndërmarrjet dhe institucionet me objekt vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dokumente alternative plotësuese do të shërbejnë edhe të dhënat e regjistrave themeltarë të punonjësve, indekset e regjistrave të vjetërsisë në punë, librat kontabël me të dhënat individuale të pagave mujore, vendime të organeve shtetërore qendrore, lokale dhe të ndëmarrjeve e institucioneve, për emërimet, transferimet, kualifikimet, ngritjen në pagë apo kalimin nga një detyrë në tjetrën, si dhe dokumente të tjera shtetërore, që mund të gjenden në dosjet personale të punonjësve dhe që i shërbejnë këtij qëllimi. Saktësimi i periudhave të sigurimit nëpërmjet dokumenteve dhe të dhënave të tjera arkivore bëhet me vendime të komisioneve të posaçme. Rregullat e funksionimit dhe procedurat administrative të punës së komisioneve përcaktohen me vendim të Këshillit Administrativ të ISSH-së, i ngritur në zbatim të neneve 72, 73, dhe 74, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
  5.  Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, të evidentuara në pikën 4, të këtij vendimi, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë. Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve.
  6.  Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr të gjitha masat, që, brenda 6 muajve nga data e këtij vendimi, të skanojë dhe të evidentojë në një bazë të dhënash të veçantë të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të përmbajtjes së tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *