Totozani: Gejit dhe lesbiket janë vëllezërit dhe motrat tona, meritojnë dinjitet  

Postuar më: 05 June 2016 16:41

totozaniAvokati i Popullit Igli Totozani, gjatë një deklarate për shtyp, ka shprehur sot shqetësimin se një gjuhë fyese edhe denigruese po përdoret në Shqipëri ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI.

Totozani kërkoi respektimin si për çdo qytetar tjetër edhe për pjestarët e këtij komuniteti.

Ja fjala e plotë e Avokatit të Popullit:

Dita ditës, po konstatojmë me shqetësim se gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI është intensifikuar. Gjendemi përballë një fushate denigruese, fyese dhe diskriminuese, e cila po i bën shërbimin më të keq garantimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Respektojmë dhe vlerësojmë maksimalisht lirinë e shprehjes, por në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerojmë pseudolirinë që fyen, ofendon, dhe nxit urrejtjen ndaj një individi, apo ndaj një komuniteti të tërë siç është ai i LGBTI-së. Të gjithë kanë të drejtën të debatojnë, por ky lloj debati me përmbajtje fyerjesh dhe sharjesh denigruese nuk është i shëndetshëm, nuk i shërben shoqerisë shqiptare, nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben të drejtave dhe lirive të njeriut, nuk i shërben integrimit, përvecse është i gabuar dhe i dënueshëm.

Nuk ka shoqëri të qetë, kur një grupimi apo qoftë edhe një individi të vetëm i mohohen të drejtat që i gëzon shumica e popullsisë. Për këtë arsye të gjithë kemi detyrimin të kërkojmë të drejta të barabarta për çdo individ, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor. Askush nuk ka të drejtë, pavarësisht statusit social, politik, profesional apo intelektual, të paragjykojë, të ndërhyjë në jetën e tjetrit, të propogandojë mënyrën e jetesës apo ca më keq të pengojë zhvillimin social të çdo individi.

Shqipëria nuk po i mbron të drejtat e komunitetit LGBTI thjesht dhe vetëm për të qenë pjesë e Europës së qytetëruar, ne duhet t’i mbrojmë këta individë nga dhuna, diskriminimi, nga fyerjet dhe abuzimet, dhe duhet të garantojmë një jetë normale për ta njëlloj si për çdo qytetar tjetër të Republikës së Shqipërisë.

Anëtarët e komunitetit LGBTI janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, si gjithë ne të tjerët. Ata janë pjesë e familjeve tona, janë motrat dhe vëllezërit tanë dhe si të tillë meritojnë të trajtohen me dinjitet, dhe të gëzojnë të drejta si çdo qytetar tjetër në Republikën e Shqipërisë.

Gjuha e urrejtjes dhe qëndrimet diskriminuese të adresuara së fundmi ndaj personave LGBTI dhe të drejtave të tyre nuk e ndihmojnë shoqërinë shqiptare për të ecur përpara. Ju kujtojmë të gjithëve, se Shqipëria ka ratifikuar Konventën dhe Aktet e tjera të të drejtave të Njeriut për mbrojtjen nga diskriminimi, legjislacion ky që duhet të jetë në fuqi jo thejsht simbolikisht, por për t’u zbatuar.

Ftoj të gjithë shoqërinë shqiptare të tregojë maturi dhe mençuri dhe të mos bëhet palë me homofobë që nxisin urrejtejn ndaj komunitetit LGBTI, por të debatojmë në mënyrë qytetare dhe të kulturuar. Të mos harrojmë se nxitja e urrejtjes është një akt i dënueshëm i parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ju bëjmë thirrje Institucioneve shtetërore në zbatim dhe të detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni ndërkombëtar I ratifikuar nga Republika e Shqipërisë të jenë proaktivë në marrjen e masave të nevojshme ndaj të gjithë atyre që e përdorin këtë gjuhë, apo ca më keq që nxisin urrejtjen për grupe ose individë që i përkasin komunitetit LGBTI. Nxisim institucionet shtetërore të ofrojnë mbështetje për individët të drejtat e të cilëve dhunohen për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes.

Sot më shumë se kurrë, të gjithë kemi nevoje të distancohemi dhe të dënojmë pa asnjë justifikim cdo lloj fyerje, trajtimi denigrues, diskriminim, stereotipizimin negativ, stigmatizmin dhe kërcënimin që i bëhet cdo personi që i përket komunitetit LGBTI.

Çdo person duhet të jetojë i lire dhe i respektuar në të drejtat e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *