Shkëlqim Çela: Si u krijua “Embriologjia” e diktaturës

Postuar më: 22 June 2016 10:19

Shkelqim CelaNë ironi të plotë, është koha e duhur për leximin “mbrapsht” rikthimin në gjenezë, një fakt sociologjik të të gjithë shqetësimit të autorit, pse brezat gjenden mes paradokseve të sotme. Është periudha e tretë, mosha e parë, fëmijëria që përcakton ekzistencën e species. Autori i “Embriologji” e gjen në zanafillë evokimin e diktaturës, si ka rrjedhur deformimi prej moshës së parë

Nga Violeta Murati

Për një shkrimtar që i qëndron larg historisë së sotme shqiptare, si duket kujtesa bëhet ekzistenca mentale. Gjendja e kthimit në një periudhë të caktuar të moshës, rikthimi dhe përcaktimi final mbi këtë rikthim qëndron në embrion të evokimit të diktaturës së veprës së Shkëlqim Çelës, të cilit dje iu dorëzua çmimi “Kadare” nga Fondacioni Mapo, për librin triptikun “Embriologji”. Ky autor jeton jashtë atdheut, duke hedhur një spirancë raportesh jo të zakonshme si autor i afro dhjetë romaneve në shqip, ku të shumtat i gjen në rekorde digitale.

Për lexuesin shqiptar “Embriologji” është i pari në formatin letër duke thyer për ironi paradokset e këtij autori, pasi pohon me bindjen se “letra” vazhdon të shijojë lexuesit klasikë, krahasuar me shkarkimet digitale.

Çela një autor shqiptar pak i njohur në qarqet e këtushme letrare, është vlerësuar si proza më e mirë me librin e tij “Embriologji” mes 33 konkurrentëve në garën e 2016. Jashtë pritshmërive të këtij mjedisi motivimi nga juria e çmimit “Kadare” ka qenë: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.

Shpesh raportet e prezencës së autorit në vlerësimin kritik kanë një debat të gjerë, duke e lënë lexuesin të vetëm përballë tekstit. Ky autor është rasti. Lexuesi ka përballë një libër, me tre novella që vijnë organikisht me njëra tjetrën. Një raport i përmbysur i ekzistencës së individit që nis më fundin e jetës, e përfundon në fillimin e tij.

“Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa) shuar” – krijojnë në mbyllje të tyre një skemë të plotë, të pandara nga njëra tjetra, sa sociologjike po aq dhe antropologjike.

Autori hyn në moshën e tretë, mbi një tipologji të “përgjuar”, si një kërkim psikik mbi këtë realitet të tretë. Ngjarjet në të tri pjesët fotografojnë një brez, të rritur të edukuar në diktaturë, por të moshuar në fund të saj.  Natyra e të rrëfyerit bëhet sureale, aq e paimagjinueshme në një kontigjent tërësisht mashkullor. Është gati një libër maskilist. Autori njihet për ironinë. Në këtë trilogji limitet e fantazisë s’marrin kontekste trilli. Ndryshe nga një letërsi fiction prerja mbi këto tri novela fshehin mjaft situata absurde. Autori nuk i mëshon shumë faktit se kjo ndodh në komunizëm. E sidomos të tregojë se kjo ka ndodhur në komunizmin tonë. Një ngasje gati oruelliane mund ta nënkuptonte absurdin nën diktaturë. Por autori ka mbetur një trajtë besnike e fotografimit, një fare reminishence. E vetmja mbetje e këtij realiteti janë “përgjuesit” që krijojnë bëmat heroike prej të cilave morën titujt e veteranëve. Lexuesi mbi një strukturë pak komplekse mbetet i sugjestionuar duke përjetuar brutalitetin e së keqes. Fantazi e shfrenuar, atmosferë erotike të pazakontë, frenetizëm banal në një klub pleqsh që gjerbin kafenë duke mërmëritur si saga heronjsh historinë. Novela lexohet sot, dhe si e kaluar. Është një qytezë që ka prodhuar çmënduritë e tyre, shfrimet e vona seksuale. Një letërsi e paradoksit dhe ironisë. Ta njohësh tjetrin nga historia. Kjo lë brengën tek autori për të menduar mbi “Zborin”, novela e dytë që e rikthen në rini. Intensiteti i rrëfimit bëhet më klasik. Autori mbetet në distancë në këtë rrëfim, pa nënkuptuar asnjë fakt ironik, përveçse një mundimi të kaluar, se si paranoja diktatoriale nisi të zhbëjë individin. Faktet janë sa reale, aq dhe absurde. Këta janë shqiptarët e brezit të ri nën komunizëm. Përzgjedhja e frontit të “luftës” dhe në këtë novelë, si vazhdimësi e së parës, por në rikthim, krijon surealin më të fortë. Të rinjtë që mbajnë kujtesën nën rrobë luftarake në llogore fiktive, jashtë çdo konstrukti sjelljeje nga “veteranët” e parë. Zërat e parë kritikë e kanë quajtur një vepër çmitizuese të diktaturës, për shkak të ironisë me “veteranët” dhe brutalitetit të autorit në natyrën e rrëfimit mbi to. Pjesa e dytë, “Zbori” e thyen këtë pasqyrë, duke reflektuar të parat thyerje, plasaritje të psikozës. Mbetet nga të rrallat reflektime të ndeshura në letërsinë e pas ’90-ës, edhe pse nga letërsia e diktaturës ka pasur larmi prurjesh e rrëfimesh, por gjithnjë në nivele të urrejtjes, diktatit, autoritetit, dhunës, pushtetit, krimit. Në “Zbor”, si dhe në pjesën e tretë “Yje të (pa) shuar” autori del pothuaj jashtë atij sistemi, për të rrëfyer burgun e tij, se si Shqipëria për vite mbeti një burg, një burg i dyfishtë për ata që vuajtën, e u persekutuan. Në pjesën e tretë të trilogjisë, autori bart mundimin, ngjizjen, gjithë leximin mbrapsht të këtij romani. Në ironi të plotë, është koha e duhur për leximin “mbrapsht” rikthimin në gjenezë, një fakt sociologjik të të gjithë shqetësimit të autorit, pse brezat gjenden mes paradokseve të sotme. Është periudha e tretë, mosha e parë, fëmijëria që përcakton ekzistencën e species. Autori i “Embriologji” e gjen në zanafillë evokimin e diktaturës, si ka rrjedhur deformimi prej moshës së parë.

 

Çmimi “Kadare 2016”, Bakalli: Një rast leximi të fjalës së zhveshur nga pesha e autorit

 

Nismëtari dhe donatori i këtij çmimi, Henri Çili, tha ai, vjen si pjesë e një iniciative letrare më të madhe që media Mapo ka ndërmarrë me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, siç është suplementi Mapo Letrare tek gazeta Mapo, ngritja e rrjetit të kritikës për letërsinë shqipe dhe hapja e degës së Letërsisë. Duke garantuar një strukturë të pastër të konkurrencës, dhe vullnet të plotë të jurisë, Çili ka thënë se me këtë mecenat japin një kontribut të rëndësishëm kulturor për vlerësimin dhe botimin e autorit shqiptar

Autori shqiptar si një nga pretendimet më të rëndësishme për t’i dhënë vëmendjen e munguar prej 25 vitesh ishte nxitës për të ngritur një çmim unik, me mecenatin e parë të vlerësimit të letërsisë shqiptare, siç është çmimi “Kadare” nga Fondacioni “Mapo”. Në edicionin e tij të dytë, çmimi “Kadare 2016” pati fitues një autor pak të njohur, Shkëlqim Çela, me librin e pandashëm “Embriologji”. I promovuar dje, në mjediset e Universitetit Evropian të Tiranës, në prezencën e autorit, kontributi për letërsinë e shkruar në prozë mban vlerën monetare të 10 mijë euro. Pena e këtij autori pak të njohur, Shkëlqim Çela, ka marrë shumicën e votave të jurisë së Çmimit Kadare 2016.

Autori jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe profesioni i tij është shumë larg letërsisë. Ai punon si staticien, ndërsa shkruan poezi dhe prozë prej vitesh, por për herë të parë emri i tij u bë kaq i njohur pasi fitoi një nga çmimet më prestigjoze që ndahen sot për letërsisë shqipe, çmimin “Kadare”. Autori tërhoqi vëmendjen e jurisë që vitin që shkoi me një përmbledhje me proza të shkurtra për të arritur një vit më pas që të tërheqë dhe votat e tyre që e nxorën fitues.

Gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit drejtori i Media Mapo, gazetari Alfred Lela, tha se Fondacioni Mapo po synon të ngrejë një traditë të së ardhmes me këtë çmim me vlerë 10 mijë euro, duke e bërë atë një nga çmimet më të rëndësishme letrare në vend, ku në dy vite janë përfshirë në këtë garë 70 autorë.

Nismëtari dhe donatori i këtij çmimi, Henri Çili, tha ai vjen si pjesë e një iniciative letrare më të madhe që media Mapo ka ndërmarrë me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës, siç është suplementi Mapo Letrare tek gazeta Mapo, ngritja e rrjetit të kritikës për letërsinë shqipe dhe hapja e degës së Letërsisë. Duke garantuar një strukturë të pastër të konkurrencës, dhe vullnet të plotë të jurisë, Çili ka thënë se me këtë mecenat japin një kontribut të rëndësishëm kulturor për vlerësimin dhe botimin e autorit shqiptar.

Dalja në skenën letrare të emrit të Çelës, pak të njohur, ka ndikuar në mendimet e jurisë, nga debati i distancës të autorit me veprën. Këtë rast e ka shqyrtuar në fjalën e tij, drejtori i Qendrës së Studimeve Letrare “Kadare”, Gilman Bakalli duke u ndalur tek fokusi i lexuesit tek libri, edhe pa njohur autorin. Në këtë “luks” leximi sipas tij fjala vjen e zhveshur nga ngjarjet dhe pesha e autorit. Gjendja e çmitizimit të diktaturës, përmes portretit të veteranit, në një nga pjesët e para të veprës “Embriologji” është lexuar për auditorin e pranishëm, për të perceptuar një shije leximi, mbi estetikën dhe historinë e rrëfyer me ironi dhe sarkazëm.

Shkrimtarja Diana Çuli, që ishte dhe anëtare e jurisë, i dorëzoi trofeun shkrimtarit Shkëlqim Çela duke vlerësuar veprën e tij e cila tregon sipas saj për momentet e zhvillimit të letërsisë shqipe.

Vetë autori vlerësoi çmimin si një kontribut që bëhet për promovimin e autorit shqiptar dhe prozës shqipe duke e cilësuar “si një mungesë që duhet plotësuar”.

Gjatë 3 muajve që ishte hapur thirrja konkurruan 33 autorë, nga të cilët u kualifikuan 11 autorë, në short listën e fundit ishin 7 autorë; të cilët janë: Ada Çapi me “morPhina”, Arb Elo me “Ursa Major”, Bardhyl Londo me “Qyteti i pandehmave”, Grigor Banushi me “Simfonia e pambaruar”, Mustafa Nano me “Selam aleikum, baba”, Pranvera Bekteshi me “Ora me rërë” dhe Shkëlqim Çela me “Embriologji”.

Juria ishte e përbërë nga shkrimtarë dhe kritikë; Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela. Në votimin final për fituesin juria u nda 4 me 3 ndërmjet Vera Bekteshit dhe Shkëlqim Çelës.

Juria e zgjodhi “Embrilogjinë” e Çelës si prozën më të mirë me motivacionin: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.

Çmimi “Kadare” me vlerë 10 mijë euro akordohet nga Fondacioni Mapo me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës. Fituesi u shpall gjatë Ditëve Letrare të Razmës që u mbajtën në fund të muajit Maj në Razëm.

Ky çmim u themelua në vitin 2015 dhe fituesi i parë ishte autori Rudolf Marku me romanin “Tri divorcet e Viktor N.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *