Samiti i NATO-s, aty ku u krijua Traktati i Varshavës

Postuar më: 18 June 2016 09:34

varshavaNë Varshavë, çdo gjë po ndryshon me shpejtësi, vendi është anëtar i NATO-s, organizatës më të fuqishme që njeh bota, të paktën që prej Perandorisë Romake. Polonia është anëtare e BE-së, që prej vitit 2004. E ardhmja është e duket e sigurt, e ankoruar në Perëndim.

Nga Lutfi Dervishi 

Në qendër të Varshavës është godina e lartë e Pallatit të Kulturës dhe Shkencës, dikur ndërtesa e vetme më e madhe, sot rrethohet nga rrokaqiej të shumtë, e prapë mbetet godina më e lartë. Anekdota më e njohur gjatë regjimit komunist që ilustron butaforinë ishte pyetja: – A e dini ku është vendi më i mirë për të parë Varshavën? – Është Pallati.., sepse kur ngjitesh aty është i vetmi vend ku nuk e sheh dot Pallatin e kulturës dhe shkencës. Varshava, kryeqyteti polak, njihet në Shqipëri në periudhën e komunizmit edhe për Traktatin e Varshavës, organizata ushtarake e themeluar më 6 dekada më parë (1955), për të balancuar organizatën politike-ushtarake të Perëndimit NATO! Të 8 vendet anëtare të këtij Pakti, me përjashtim të Rusisë, i janë bashkuar aleancës së Perëndimit. Zyrtarisht, Pakti quhej, – traktati i miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës së përbashkët. Kjo ndihmë u shfaq konkrete në marshimin e tankeve, të vendeve anëtare (me përjashtim të Shqipërisë dhe Rumanisë) në pushtimin e Çekosllovakisë më 1968. Që nga ky moment, Shqipëria u largua edhe de jure nga Pakti.

Në Varshavë, çdo gjë po ndryshon me shpejtësi, vendi është anëtar i NATO-s, organizatës më të fuqishme që njeh bota, të paktën që prej Perandorisë Romake. Polonia është anëtare e BE-së, që prej vitit 2004. E ardhmja është e duket e sigurt, e ankoruar në Perëndim. Por në Varshavë, qytet i ringritur nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, e shkuara të shfaqet, jo vetëm në muze dhe memoriale, por edhe në retorikën e ditës, që nga shoferi i taksisë dhe deri te ministrat  e qeverisë!

Kryeqyteti polak po përgatitet për Samitin e Varshavës, që do të mbahet më 8-9 korrik. Çdo zyrtar i lartë që takon, e quan historik! Historia, ka qenë e pamëshirshme me Poloninë, në shekullin e shkuar, historia ka treguar që premtimet dhe garancitë që i janë dhënë polakëve nga Perëndimi, për fat të keq nuk janë mbajtur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, vendi u pushtua nga Gjermania naziste dhe nga Bashkimi Sovjetik, 200 mijë ushtarë dhe oficerë polakë dhanë jetën në krah të Aleatëve Perëndimor. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, në prill-maj të 1940-s, policia sekrete ruse, ekzekutoi pa gjyq 22 mijë oficerë, ushtarë, intelektualë polakë – krim që njihet me emrin masakra e Katinit. Çlirimi i Polonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, përveç spostimit të kufijve (territore në Lindje që i mori Bashkimi Sovjetik) dhe territoreve të marra në Perëndim nga Gjermania, – solli një robëri të re. Deri në vitin 1989, vendi mbeti nën “perandorinë e së keqes”. Lufta, nëse nuk do të sillej në letërsi, kinematografi e muzeume, do të ishte po aq e largët sa planeti hënë. Ish-kryetari i bashkisë së Varshavës dhe më vonë presidenti i ndjerë, Lech Kachynski, mori nismën për të ndërtuar muzeumin e Kryengritjes, që përjeton rezistencën më të madhe ushtarake në Europë gjatë Luftës Dytë Botërore. 16 mijë anëtarë të rezistencës dhanë jetën, dhe afro 200 mijë civilë humbën jetën, shumica nga ekzekutimet masive. Rezistenca, pothuaj pa ndihmë nga jashtë, u shtyp dhunshëm nga nazistët, por pa asnjë dyshim polakët dolën fitues moral. Vizitorët më të shumtë në muzeumin e ngritur në ish-zonën industriale të kohës së komunizmit, janë të rinjtë dhe nxënësit e shkollave. Por një ide për muzeumin sot mund ta krijosh edhe duke iu referuar rrjetit social Facebook. (www.facebook.com/1944pl). Varshava, që u shkatërrua 85% në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, sot është një qytet i rilindur, janë 67 parqe të gjitha të hapura për publikun. Në ish-godinën e Komitet Qendror, sot është një prej dyqaneve të “Ferrarit”. Polonia kërkon të shkëputet me shpejtësi nga e shkuara dhe të fitojë nga koha e humbur. Sot, në çdo kryeqytet të Perëndimit, duket se qetësia që ka kapluar kontinentin prej më se 7 dekadash, do të mbetet e patrazuar. Në Varshavë është ndryshe. Perspektiva historike e Polonisë dhe një fqinj si Rusia që deklaron përmes gojës së presidentit të vet se Polonia është në shënjestër, i bëjnë polakët jo vetëm të ndjeshëm, por edhe vigjilentë. Në Bruksel dhe kryeqytete të tjera, kryefjalë e ditës është terrorizmi. Lufta sot nuk konceptohet më si pushtim territoresh, pasuria më e madhe e kohës sot nuk është nëntoka, toka dhe gjithçka mbi të, por kapitali njerëzor, – shumë i vështirë për t’u pushtuar me mjetet konvencionale. Në Varshavë, ministri i Jashtëm Witold Waszczykoski, flet për një kërcënim që mendohej se i përkiste shekullit të kaluar: kërcënime ekzistenciale, më pas vijnë terrorizmi, cyber, emigrimi etj. Mekanizmi që garantoi paqen në Europë për 72 vjet është dhunuar nga Rusia.  Aneksimi i Krimesë, më 2014, gjymtimi i Ukrainës, provokimet e shtuara në vendet e Baltikut dhe në hapësirën ajrore të NATO-s, ka sjellë edhe kundër reagimin: NATO, aleanca politike- ushtarake e 28 vendeve, në 8-9 korrik në Varshavë do të marrë vendime historike.

Samiti historik i Varshavës!

Dekadat që pasojnë shembjen e murit të Berlinit 1989- janë mbushur me aq shumë ngjarje të mëdha dhe ndryshime kaq të vrullshme, sa nuk ke ngurrim të përdorësh epitetin ‘historik’ pa kaluar në inflacion të kësaj fjale. Por, në Varshavë, vendimi politik që prite të merret, është një argument më shumë se tani jetojmë në kohëra të tjera. Aleanca, pritet të marrë vendimin që të vendosë trupa ushtarake edhe në krahun lindor të saj. 3 shtetet baltike (Lituania, Latvia dhe Estonia) dhe Polonia nuk do të jenë më të sigurta, por do të ndihen të tilla. Zgjerimi i NATO-s ka qenë gjithmonë objekt shqetësimi dhe nervozizmi në Moskë. Me vendimin e ri të pritshëm të aleancës, qarkullon edhe një “legjendë urbane” për premtimin që iu bë Moskës në momentin e bashkimit të dy Gjermanive – se aleanca nuk do të vendosë trupa ushtarake në territoret e vendeve ish-anëtare të Paktit të Varshavës. Edhe ata që mendojnë se ka pasur një zotim politik të NATO-s, thonë se nuk ka një angazhim ligjor, për më tepër situata dhe sjellja e Rusisë ka ndryshuar në mënyrë drastike. Në parlamenti rus, jo më larg se prilli i vitit 2014, presidenti rus Putin justifikonte aneksimin e Krimesë, duke thënë se Rusia po vuan premtimet e pambajtura të Perëndimit se NATO nuk do të zgjerohej përtej kufijve të Gjermanisë së Bashkuar. Në vitin 1999, me anëtarësimin e Polonisë, Hungarisë dhe Çekisë në NATO (tri vende ish-anëtare të Paktit të Varshavës) u krijua përshtypja që Perëndimi do të vijonte me premtimin e bërë në rastin e ribashkimit të Gjermanive – jo trupa të huaj të NATO-s në territorin e ish-Gjermanisë Lindore. Shefi i shtypit në zyrën e Presidentit të Republikës ka dy shpjegime për t’iu kundërvënë narrativës ruse:  Së pari, NATO nuk është zgjeruar në kuptimin që japin rusët, por janë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore që kanë kërkuar vetë anëtarësimin dhe së dyti, edhe nëse ka ekzistuar në premtim politik, ai kurrë nuk ka qenë një angazhim ligjor. Ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Antoni Macierewicz, thotë se mesazhi kryesor i samitit të NATO-s është: forcimi i sistemi të mbrojtjes së Aleancës, mjeti kryesor – vendosja e trupave në krahun lindor. Pyetjes se ku e sheh rrezikun që vjen nga Rusia, Macierewicz i jep këtë përgjigje: “kërcënimet dhe provokimet në Baltik, rritja pranisë ushtarake në rajonin e Kaliningradit”. Pa folur këtu për agresionin ushtarak në Ukrainë. Pjesë e territorit të Ukrainës është në zotërimin rus. Paqja, rendi humanitar dhe ligjor në Europë është minuar seriozisht që prej vitit 1944 dhe këtu nuk po flasim që këto gjëra po ndodhin diku në një vend të humbur të botës, por po ndodhin mu në mes të Europës” -thekson ministri i Mbrojtjes së Polonisë. Polonia, ndërkohë, vetë ka ndërmarrë masat e veta. Buxheti mbrojtës është 2% , forcat e armatosura po modernizohen. Por edhe vetë Aleanca po lëviz për t’iu përshtatur ambientit të ri të krijuar. Polonia, një kontributore e sigurisë në botë përmes NATO-s, tashmë po rifokuson mjetet dhe forcat e saj. Ministri i Mbrojtjes, Macierewicz, tha se në shtator do të ketë një Forcë të Mbrojtjes Territoriale prej 35 mijë personash. Kjo forcë e përbërë prej civilësh që do të trajnohen nga ushtarakët do të jetë e gatshme t’iu përgjigjet provokimeve dhe situatave të ngjashme që çuan në përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë. Në një prej bazave ajrore në Lask, ku është edhe muzeu i aviacionit, por edhe avionët F16, ndeshim një grup të rinj pilotësh amerikanë, që sapo kanë mbërritur nga baza NATO-s në Avianno të Italisë. Gjykuar nga humori dhe lehtësia në komunikim, në çdo situatë tjetër fare mirë mund t’i “ngatërroje’ me “aviatorët” e filmit të njohur “Top Gun”. Një pilot 31-vjeçar polak që e gjejmë në hangarin e avionit të tij, thotë se momentet më të mira që përjeton janë ato kur fluturon me F16.

Korpusi i NATO-s, përgjegjës për krahun lindor.

Në Szczecin, është vendosur Korpusi shumëkombësh i Verilindjes, i udhëhequr nga gjeneral lejtnanti Manfred Hofman.  Emri kod i stërvitjes së radhës së Aleancës (30 maj – 3 qershor) është kuptimplotë. “Brilliant Capability 2016”. Samiti i Wellsit më 2014, ngarkoi Korpusin për të rritur nivelin e gatishmërisë nga shkalla e ulët në atë të lartë, për të siguruar përgjigje të shpejtë për çdo eventualitet në Europën Verilindore. E veçanta e këtij korpusi është se është e vetmja njësi e NATO-s që ka përgjegjësi për një territor specifik… që mbulon krahun lindor të Aleancës, në veçanti Poloninë dhe 3 shtetet baltike (Estoninë, Letoninë, Lituaninë).  Gjeneral Salvatore Farina, që drejton komandën e forcës së përbashkët të Aleancës në Brunssum të Holandës (një nga 3 komandat operacionale të NATO-s) në përfundim të stërvitjes thotë se mesazhi që ne përcjellim është: prania, gatishmëria dhe aftësia jonë për t’u përgjigjur dhe aleanca po dëshmon: aftësi “ripërtëritëse”. Pas Samitit të Varshavës, pritet që të vendosen 4 batalione të NATO-s, një në Poloni dhe 3 në shtetet baltike. Numri total i trupave, që do të jetë në bazë rotacioni, do të jetë 4000. Aleanca po rrit praninë ushtarake në kufijtë me Rusinë, për të dërguar mesazhin e qartë: se siguria e vendeve anëtare është prioritet dhe funksioni kryesor i NATO-s. I pyetur për numrin e trupave të NATO-s me të cilën Polonia do të ndihej mirë, z. Macierewicz, nuk specifikon, vetëm shton: “prania duhet të jetë adekuate”. Ndërsa për një rritje të mundshme të garës së armatimeve në “krahun lindor”, ministri i Mbrojtjes thotë se Rusia ndërkohë ka rritur praninë me 3 divizione në kufi me vendet e Aleancës. Aleanca nuk rrit prani ushtarake për të sulmuar, por vetëm me qëllime mbrojtëse. “Kërcënimet nga Lindja janë reale”- thotë Marek Magierowski, shefi i zyrës së informacionit të Presidentit polak. “Rusia ka shtuar investimet në forcat e armatosura, po modernizon ushtrinë dhe ka shtuar manovrat ushtarake”. “Ne kemi hyrë në NATO më 1999, dhe tani duam që NATO të hyjë në Poloni” – thotë Magierowski. Kjo retorikë gjetkë mund të tingëllojë si “rusofobi”, në Varshavë shqetësimi është real. Një koleg çek, që mbulon prej kohësh ngjarjet në Varshavë, citon “telegramin e gjatë” për të kuptuar më saktë dyshimin ndaj Rusisë. Telegrami prej 8000 fjalësh i George Kennan, i ngarkuari me punë i SHBA në Moskë, fill pas Luftës së Dytë Botërore, nis me vlerësimin se Bashkimi Sovjetik “nuk mund të parashohë një bashkekzistencë paqësore për një kohë të gjatë me Perëndimin” dhe ky “vështrim neurotik i çështjeve ndërkombëtare”, vjen nga “instinkti i  pasigurisë së Rusisë”. Kennan, konkludonte se ata “janë shumë të ndjeshëm ndaj logjikës së forcës”, ndaj “SHBA dhe aleatët duhet të jenë të përgatitur për të ofruar rezistencë”.

“Është mendësia imperiale” që nuk e lë të qetë Rusinë, -thotë gjatë një darke, një zyrtar i ministrisë së Jashtme. Zyrtarë të tjerë të lartë polakë, sjelljen agresive të Rusisë e shpjegojnë edhe me politikat e brendshme, me nevojën e pasjes së një armiku dhe kërcënimi përballë dhe me sedrën e sëmurë për të qenë krahas SHBA-së, aktor i rëndësishëm në skenën botërore, megjithëse fuqia ekonomike nuk ja lejon të kërkojë këtë staturë. Pavarësisht analizave dhe prognozave, e vetmja gjë e parashikueshme në kohën e sotme mbetet vështirësia për të parashikuar. Dhe në kohë të turbullta, mendimi i parë është siguria. Në Varshavë, e ardhmja e NATO-s shihet së pari, me kthimin në identitet. Ndryshe nga misionet e viteve ’90, për misione paqeruajtëse dhe ndërtim shtetesh, NATO duhet të kthehet te rrënjët e saj – siguria e secilit prej 28 vendeve anëtare. Dhe pa dyshim, prania sado simbolike e trupave amerikane në Varshavë, indukton siguri. Samiti i Varshavës, mund të quhet historik edhe për faktin se për herë të parë që nga krijimin i NATO-s, 67 vjet më parë, do të ketë trupa ushtarakë, në një zonë që dikur quhej zonë e ndikimit të Bashkimit Sovjetik, nga shpërbërja e të cilit ka mbetur Rusia, e cila me veprimet e saj ushtarake ka vënë në lëvizje Aleancën politike ushtarake të 28 vendeve. “Paqja e vërtetë nuk është mungesa e luftës, por pamundësia për të bërë luftë”, -thotë një oficer polak në stërvitjen: ‘Brilliant capabilities 2016’ (aftësi brilante). Kohët e arta që shoqëruan fillimin e viteve ’90, tashmë janë pas. Ndoshta periudhës së tanishme i shkojnë fjalët e Charles Dickens: “kohët më të mira, kohët më të këqija”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *