Ballina Aktualitet Mapo- Edu Një platformë e re bashkëpunuese për kërkimin shkencor

Një platformë e re bashkëpunuese për kërkimin shkencor


blerjana bino -kryesoreInstituti Kanadez i Teknologjisë dhe Universiteti Europian i Tiranës, me mbështetjen e programit PERFORM të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, prezantuan një ndërhyrje pilot për zhvillimin e një platforme bashkëpunuese offline dhe online – COORP. Kjo platformë do të shërbejë për kërkimin shkencor, duke bërë bashkë universitetet publike e private, qendra kërkimore, njësitë e projekteve, si edhe kërkues në disiplina të ndryshme shkencore.

Arsimi i Lartë dhe kërkimi shkencor hasin sfida të shumëfishta në kuadrin e garantimit të cilësisë. Fabjan Lashi, nga CIRD, pranë Institutit Kanadez të Teknologjisë dhe Blerjana Bino, nga Qendra UET në Universitetin Europian të Tiranës, kanë ndërmarrë një nismë për të adresuar një prej dimensioneve të kërkimit shkencor: zhvillimin e kapaciteteve dhe të bashkëpunimit për përthithjen e fondeve për kërkimin shkencor nga programe të ndryshme, sikurse edhe Horizon2020. Kjo iniciativë synon ndërtimin e një platforme bashkëpunuese offline dhe online (COORP) për kërkimin shkencor në Shqipëri dhe mbështetet nga PERFORM, programi i ri për shkencat sociale në Shqipëri, i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).


COORP vjen në një moment të rëndësishëm për sektorin, duke pasur parasysh se po hartohen aktet nënligjore të ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor; po planifikohet një strategji kombëtare për kërkimin shkencor dhe universitetet do t’i nënshtrohen një vlerësimi nga agjencia britanike e sigurimit të cilësisë së Arsimit të Lartë. Ndërkohë, nevojat e universiteteve, qendrave kërkimore, njësive të projekteve dhe kërkuesve për përmirësim të kapaciteteve, më shumë fonde për kërkimin dhe mekanizma lehtësues e motivues për kërkim janë gjithmonë e në rritje, në mënyrë që Arsimi i Lartë në Shqipëri, jo vetëm t’iu përgjigjet zhvillimeve shoqërore, por edhe të bëhet pjesë e Hapësirës Europiane të Kërkimit.

Kështu në datën 8 qershor, Instituti Kanadez i Teknologjisë dhe Universiteti Europian i Tiranës organizuan takimin e parë të ndërhyrjes COORP, takim i cili shërbeu për të prezantuar qëllimin e ndërhyrjes, planin e veprimit, si edhe për të diskutuar me partnerët mbi nevojat aktuale dhe mënyrën sesi mund të adresohen nga COORP. Pjesëmarrësit në takim ishin përfaqësues nga universitetet publike si Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës; universitetet rajonale si Shkodra, Korça, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra; universitetet private të Forumit të Pavarur të Rektorëve si EPOKA, Polis, Luarasi, Marin Barleti, University of New York Tirana; përfaqësues të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit si edhe kërkues e studiues. Përfaqësuesja e PERFORM, Orkidea Xhaferaj, theksoi se “COORP është në përputhje me dy prej objektivave të PERFORM. Nga njëra anë, COORP do të kontribuojë në forcimin e komunitetit të kërkuesve në Shqipëri dhe nga ana tjetër, do të ndihmojë për lehtësimin e mekanizmave financues për kërkimin”.

Blerjana Bino: 14 universitete janë të gatshme për ndërtimin e COORP

Blerjana Bino nga Qendra UET, sqaron se që në takimin e parë kanë qenë plot 14 universitete, private dhe publike, që kanë pranuar të jenë pjesë në ndërtimin e COORP. Ky shihet si një ndër mundësitë e rritjes së kapaciteteve për kërkimin shkencor në Shqipëri.

Si nisi kjo ndërhyrje?

COORP nuk është zgjidhja e sfidave të kërkimit shkencor në Shqipëri, por është një ndër instrumentet që mund të shërbejë drejt rritjes së kapaciteteve për kërkimin. COORP ka nisur duke u bazuar në këto parime: së pari, në kapërcimin e dikotomisë antagoniste universitet publik kundër privat dhe në përforcimin e bashkëpunimit të institucioneve për kërkimin; së dyti, në nevojën për të krijuar sinergji dhe rrjeta bashkëpunimi, duke rritur kështu mundësitë e Shqipërisë për të përfituar nga fondet për kërkimin; së treti, nevoja për të njohur më mirë njeri-tjetrin dhe për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të suksesshme në drejtim të kërkimit, menaxhimit të projekteve, ndërtimit të rrjetave etj. Natyrisht që COORP u mbështet mbi bashkëpunime aktuale dhe arriti të bënte bashkë që në fazën e parë 14 universitete publike e private, të gatshme për të punuar për ndërtimin e COORP dhe për ne, kjo është një arritje në nisje.

Çfarë ndodh më tej?

COORP do të mbështetet në një kuadër bashkëpunimi institucional midis universiteteve partnere, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe punës konkrete me qendrat e kërkimit, zyrat e projekteve dhe kërkuesve aktivë dhe të angazhuar. Më tej, COORP ka një dimension offline për zhvillim kapacitetesh. Kështu COORP do të fokusohet në krijimin e mundësive për universitetet rajonale, përmes organizimit në Shkodër dhe në Korçë të takimeve informuese në fazën e parë. Së treti, do të realizohen trajnime specifike për partnerët në disa drejtime si: aplikimi për përthithjen e fondeve; realizimi i kërkimit dhe metodat kërkimore; menaxhimi i kërkimi shkencor dhe komunikimi i kërkimit tek aktorët e tjerë. Sigurisht që dimensioni tjetër i COORP është ai i ndërtimit të platformës online.

Fabjan Lashi: COORP do të ofrojnë të dhëna sasiore dhe cilësore në fushat e ekspertizës

Implementues i COORP, Fabjan Lashi nga CIRD dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë, shpjegon vështirësinë e thithjes së fondeve të kërkimit shkencor. E në fakt, një problem i tillë është prezent jo vetëm në kërkimin shkencor, por në shumë fusha të tjera të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë pikë, duket se universiteti është në avangardë të nismave që duhen marrë edhe nga institucione të tjera. “Aksesimi i fondeve të kërkimit shkencor, si për shembull Horizon2020, është shumë i vështirë pasi baza e konkurrencës është ekselenca dhe natyrisht që ne jemi në dijeni të vështirësive që hasin universitetet shqiptare për kërkimin shkencor. Asnjë universitet i vetëm nuk mbulon dot të gjitha fushat e kërkimit me ekspertizë, nuk ofron dot infrastrukturën dhe burimet e nevojshme për kërkimin dhe as kapacitetet e plota për aplikim për fonde. Prandaj, COORP si platformë online synon të bëjë bashkë institucione dhe kërkues për të bashkuar forcat drejt ndërdisiplinaritetit dhe bashkëpunimit për fondet europiane dhe jo vetëm të kërkimit. COORP do të jetë plotësuese dhe në harmoni me baza ekzistuese të dhënash si ajo e MAS, AKTI, Alb Shkenca etj. dhe do të ofrojë të dhëna sasiore për kërkuesit në Shqipëri. E reja është që COORP do të ofrojë edhe të dhëna cilësore për kërkuesit, si: fusha e ekspertizës, interesat aktualë të kërkimit, publikimet, arritjet dhe nevojat për zhvillim, në mënyrë që të mund të ndërlidhen për aplikime të përbashkëta dhe të identifikohen lehtësisht. COORP do të ofrojë informacion për thirrjet për aplikime, si edhe mundësi për ‘meet & match’. Këto të dhëna do të mund të përdoren nga universitetet partnere. Tashmë jemi duke punuar për ndërtimin e platformës dhe më tej për qëndrueshmërinë dhe zgjerimin e mëtejshëm të platformës. COORP synon të afrojë dhe ndërlidhet edhe me kërkuesit shqiptar në diasporë”, shprehet Fabjan Lashi.

 

Çfarë është PERFORM?

PERFORM (Performing and Responsive Social Sciences) është projekt i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim është Zyra e Koordinimit Kombëtar të Programit PERFORM në Shqipëri. Objektivat e Programit PERFORM konsistojnë në tri fusha:

  1. Forcimin e komunitetit të shkencave sociale duke lehtësuar zhvillimin e strukturave të forta organizative në shkencat sociale.
  2. Zhvillimin e lidhjeve sistematike ndërmjet kërkimit shkencor social dhe politikëbërjes, shoqërisë civile, medias dhe sektorit privat.
  3. Lehtësimin e kushteve strukturore dhe mekanizmave financues për kërkimin në shkencat sociale.

Titulli i ndërhyrjes: COORP – Collaborative Offline & Online Research Platform.

Implementuesi: CIRD, pranë Institutit Kanadez të Teknologjisë.

Partner: Universiteti Europian i Tiranës.



SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here