Kontrolli teknik: SGS pritet të rrisë tarifat në shtator; Konkurrenca, të japë “llogari” për arsyet

Postuar më: 08 June 2016 19:59
makinat
Autoriteti ka kërkuar që të merren masat për të hapur tregun për konkurrencë pas përfundimit të kontratës koncesionare…

SGS Automotive Albania shpk, kompania që ka monopolin koncesionar të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve pritet të ndryshojë tarifat e shërbimit në shtator të këtij viti, teksa në bazë të kontratës koncesionare i rishikon çdo tre vjet, duke i indeksuar me inflacionin. Vitet e mëparshme tendenca ka qenë për rritje. Sipas informacionit që disponon Autoriteti i Konkurrencës, rishikimi i tarifave është realizuar në 6 shtator 2010, kur kanë ndryshuar tarifat që aplikoheshin para konçesionit dhe në 6 shtator 2013, me një rritje mesatare 9.38%.
Autoriteti i Konkurrencës, në një vendim të fundit “ Për disa rekomandime për rishikimin e tarifave dhe mbi hapjen e tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve.” ka kërkuar që paraprakisht SGS Albania të japë informacionet përkatëse mbi analizën ekonomike për vendosjen e këtyre tarifave te reja.
Konkurrenca vëren se për rritjet e mëparshme nga ndërmarrja “SGS Automotive sh.p.k.” nuk janë paraqitur arsyet dhe analiza ekonomike e rritjes së tarifave edhe pse u kërkua nga Autoriteti i Konkurrencës. Ndryshimi i pritshëm i tarifave i përket shtatorit të vitit 2016, për të cilën Autoriteti i Konkurrencës do të kërkojë bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës përpara miratimit të tarifave të propozuara nga ndërmarrja koncensionare.
Pavarësisht investimeve dhe përmirësimeev në shërbim, Konkurrenca vëren se problematika vijon të jetë e lartë si në mungesën e elementëve detyrues për të reduktuar ndotjen e makinave, dukurinë e pagesave informale për të kaluar kontrollin, rezervimet online etj.
Duke u nisur dhe nga pozita monopol e kompanisë, Autoriteti ka T’u rekomandojë palëve kontraktore të koncensionit, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe ndërmarrjes koncensionare SGS Automotive Albania sh.p.k, që:
-Para ndryshimit te tarifave te sherbimit qe pritet te ndodhin në muajin shtator 2016, palët duhet të paraqesin pranë Autoritetit të Konkurrencës, informacionet përkatëse mbi analizën ekonomike për vendosjen e këtyre tarifave te reja.
-Koncesionari duhet të rishikojë dhe ndryshojë përmbajtjen e paragrafit të tretë, të Deklaratës-Tip që nënshkruhet nga klientët para dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar, duke përcaktuar në të shkaktarin e dëmit si dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar.
-Ministria e Transportit dhe e Infrastruktures duhet te marre masa per hapjen e ketij tregu per konkurrence, sipas praktikave dhe standarteve me te mira nderkombetare pas perfundimit te periudhes konçesionare.

Rishikimi i tarifave

Sipas kontratës se konçesionare, lidhur me Ministrinë e Transportit, nenet 8.2.1 dhe 8.2.2 : “ndryshimi i tarifave se kontrollit rishikohet nga konçesionari çdo tre vjet dhe miratohet nga Ministria e Transportit sipas formulës: IR= (NI2-NI1)/ NI1 ku NI1 1 paraqet normën e inflacionit në vitin e trete pararendës dhe NI2 paraqet normën e inflacionit të vitit në të cilin do të kryhet rishikimi i tarifës”.

SGS, monopol në shërbimin e kontrollit teknik

Në përputhje më marrëveshjen konçesionare, tregu i shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve është treg i modelit të centralizuar (i ndarë nga shërbimi i servisit), me një ndërmarrje të vetme të ofrimit të shërbimit dhe struktura monopoliste e tregut sipas marrëveshjes koncensionare parashikohet se do të vazhdojë deri në vitin 2019 dhe marrëveshja parashikon mundësinë e ridiskutimit për periudhën në vazhdim.
Si detyrim i përcaktuar në pikën 2.1.5 të Marrëveshjes së Konçesionit1: shërbimi I kontrollit teknik të automjeteve ofrohet nëpërmjet ndërmarrjes SGS Automotive Albania shpk, e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (këtu e vijim-QKR) në datë 10.09.2009, ku ortak i vetëm i saj është SOCIETE GENERALE DE SURVEILLANCE S.A. Në mbështetje të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, (I ndryshuar), në nenin 2, pika 1 germa a), i cili parashikon zbatimin e Ligjit “Për ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet që ju janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive ose të veçanta”, si dhe në kuadër të detyrave funksionale të Sekretariatit te Autoritetit të Konkurrencës, u realizua monitorimi i tregut të kontrollit teknik të automjeteve.
Në përputhje me fazën në të cilën ndodhet ekzekutimi i të drejtës eksluzive të koncesionit sipas parashikimeve të nenit 2, pika c, nenit 8 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, vlerësimi i Autoritetit të Konkurrencës është fokusuar në sjelljen ndaj tarifave për shërbimin e detyrueshëm të kontrollit teknik të automjeteve, të cilat miratohen nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe nëse ka justifikim ekonomik të rritjes së këtyre tarifave kundrejt performancës së ndërmarrjes konçesionare sa i përket rritjes së cilësisë së shërbimit, shmangien e radhëve dhe lëshimin e garancive teknike për kontrollin e automjeteve, vëren Autoriteti I Konkurrencës.
Nga analiza e treguesve të performancës u konstatua se konçesionari ka realizuar investime në krijimin e mjediseve të përshtatshme për punë, investime në pajisje dhe softëare në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Transportit si dhe direktivat e BE, ka sjellë eksperiencën më të mirë të ndërmarrjes “mëmë” më specialistë dhe pajisje, ka realizuar aplikimin “on-line” të rezervimit të datës së kontrollit teknik, në website zyrtar ka informacion të plotë mbi procedurat, dokumentacionin, adresat, kontaktet për një shërbim të shpejtë si dhe ka venë në dispozicion të klientëve një numër kontakti ( e afishuar edhe në ambjentet ku kryhet kontrolli teknik) për çdo sjellje abuzive nga ana e punonjësve të ndërmarrjes konçesionare.

Ende shumë problem në shërbim

Nga përpunimi i informacionit të grumbulluar nëpërmjet pyetësorëve drejtuar përfituesve te shërbimit, është konstatuar se:
a- Automjetet më problematike për përmbushjen e kritereve të kolaudimit teknik janë automjetet me lëndë djegëse me benzinë, por pa gjetur elemente detyrues nga koncesionari, për të vendosur pajisje shtesë në automjet, për zvogëlimin e emetimit të gazrave;
b- Mungon ndërgjegjësimi i klientëve për aplikimin e rezervimit paraprak të orës së marrjes se shërbimit, duke sjellë vonesa dhe radhë në realizimin e procedurës së kontrollit;
c- Plotësimi i një deklarate-tip, të hartuar nga koncesionari, e vendos përfituesin e shërbimit në kushte të pafavorshme, në rastin e shkaktimit të dëmit gjatë procedurës së kontrollit teknik;
d- Ekziston ende edhe dukuria e pagesave shtesë, informale, për të kaluar provën e kontrollit teknik./Monitor

loading...
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *