Intervista nga burgu, Bujar Hysa: Mbështes ISIS

Postuar më: 20 May 2016 08:59

bujar hysa ylli rakipiImami i vetëshpallur i Xhamisë së Mëzezit, i dënuar me 18 vite burg, flet nga qelia për arrestimin, gjyqin dhe idetë e tij për ISIS e xhihadin. Raportet me Komunitetin Mysliman Shqiptar, nxitja e besimtarëve për të shkuar në luftën e Sirisë dhe qëndrimi për sulmet terroriste në Paris e Bruksel

Intervistoi: Ylli Rakipi, Të Paekspozuarit 

Jeni ju iniciatori apo nismëtar për ndërtimin e xhamisë së Mëzezit? Nëse po, me çfarë fondesh e keni rregulluar dhe kush ju ka ndihmuar?

Unë përpara se të vija në Mëzez, kam banuar në Institutin Bujqësor. Aty u mblodhëm disa besimtarë dhe iu blemë tokën pronarëve të ligjshëm, jo duke grabitur siç kanë bërë në disa vende. Blemë pronat, blemë tokën për xhaminë dhe një investitor nga Kuvajti ndërtoi Xhaminë. Në vitin 2004 ka filluar ndërtimi i xhamisë. Në konkluzionet e prokurores thuhet se e kanë vendosur xhaminë në një zonë të populluar, por në atë kohë, ai vend nuk ka qenë i banuar. Kishte edhe besimtarë që u shpërngulën nga vende të tjera dhe u vendosën aty.

Kush ju emëroi Imam në atë xhami?

Xhamia është ndërtuar në vitin 2004 nga një besimtare që ju thash, në juridiksionin e shoqatës “Ringjallja e Trashëgimisë Islame”, që ka qenë e regjistruar në shtet. Kjo shoqatë bashkë me besimtarët e xhamisë më kanë emëruar imam.

Pse nuk pranuat që ju dhe xhamia e Mëzezit t’i bashkohet Komunitetit Mysliman Shqiptar?

Është shumë e vërtetë. Si mund të jesh pjesë e KMSH-së kur ata i shkelin të drejtat në statusin e tyre.

Pse nuk keni besim te Komuniteti Mysliman!?

Zgjedhjet që bëhen në KMSH janë me keq sesa zgjedhjet që bëhen në partitë politike, ku partitë politike i bëjnë formalisht zgjedhjet, por në Komunitet, i vjedhin, vjen i katapultuar personi. Edhe ky që është kryetar, në status thuhet se duhet të jesh anëtar i kryesisë për 10 vjet. Se njeh kush Skënder Bruçajn.

Jeni prangosur mëngjesin e datës 11 mars 2014. Në banesë, policia ka gjetur sende të ndryshme si dhe në xhaminë ku ju predikoni është gjetur një çantë ushtarake kamuflazhi, 15 fishekë apo edhe fatura e certifikata pronësie të ndryshme. Ç’donin këto objekte në xhami?

Të ndalemi pak te arrestimi, pasi është bërë në mënyrë skandaloze. Ata kanë ardhur në orën 5 pa 20 të mëngjesit sikur unë të kisha vrarë gjysmën e Tiranës. I binin dyerve dhe dritareve me qyta armësh. Fëmijët e mi janë të mitur, më e vogla ishte vetëm disamuajshe. Edhe fëmijët u tremben. Në atë kohë ishte natë akoma. Fëmijët më thanë, baba erdhën hajdutët. Jo u thash, nuk janë hajdutët. Qetësohuni u thash. Hapa derën dhe u thash hajdeni brenda dhe nuk bëra rezistencë, pasi rezistencë bën ai që ka bërë krime. U thash avash, ça bëni kështu. Sa hapa derën direkt më vunë prangat dhe m’i shtrënguan shumë, sa që këtu m’u bë me gjak. Fëmijët u trembën dhe u mblodhën rreth nënës së tyre sepse menduan që mamaja do t’i mbrojë, pasi e shikonin pa pranga. Nuk u mjaftuan vetëm me veprimin që bënë, më morën dhe më futën te kalamajtë dhe i thanë Osamës, që ishte 11 vjeç në atë kohë: Shikojeni babanë tuaj për herë të fundit. E kthyen shtëpinë përmbys. Tani kush është terrorist, unë po ata. Pse duhet ta bënin me kaq zhurmë, pse duhet të na terrorizonin. Unë jam terroristi, po fëmija terrorist është? Kur dolëm jashtë, babanë e kishin bllokuar, nuk e linin të falej, 85 vjeç. Më futën te babai dhe i thanë që ky ka folur keq për Amerikën, flet keq për xhihadin. Baba u tha “ore a ka vrarë njeri çuni im”. Jo i thanë atë, të kishte vrarë do të ishte më mirë, po ky ka folur keq për Amerikën.

Çanta ushtarake nuk më është gjetur në xhami, por në zyrën tim. Ishte një çantë me 15 fishekë të vitit 1997. Faturat janë të tokës që kam aty, janë gjetur në shtëpinë time. Kam një dy-tri toka që i kam blerë me hipotekë. Në Xhami janë gjetur faturat që unë i kam paguar shtetit taksa nga shoqëria turistike, i kisha në zyrë.

Policia ka gjetur edhe një libër – “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë Islame me fetë e tjera”! Ky libër thotë prokuroria “nxit urrejtjen ose grindjen”, pasi bëhet fjalë për luftë ndaj besimeve të tjera. Si mendoni?

Nuk është e vërtetë. Ky libër është botuar në Arabinë Saudite. Është përkthyer. Libri tregon që nuk lejohet përzierja, ti ke fenë tënde unë kam timen. Kjo është. S’ka asnjë gjë për të luftuar të krishterët, pasi nuk lejohet.

Sa besimtarë myslimanë keni drejtuar të shkojnë në Siri?

Në radhë të parë unë kam folur në xhami për masakrat që janë bërë në Siri, për dhunimet që kanë bërë ushtarët e Bashar al-Assadit, për motrat myslimane në burgjet e tyre, që madje kanë mbetur edhe shtatzënë. Besimtarët duke u nxitur nga krimet që ka bërë Bashari, nuk rekrutohet besimtari, ata janë të lirë të vendosin dhe kanë ikur me familjet e tyre. S’kam rekrutuar njeri, unë kam folur për xhihad, ta them troç.

Po përgjimet e prokurorisë?

Ajo më solli dy dëshmitarë, Bledi Veshnja dhe Ermal Doçi, të cilët shkuan në Siri dhe u kthyen e dhanë deklaratë për mënyrën sesi kanë ikur. Ku është problemi? Ata shkuan dhe u kthyen. Ata tashmë rrinë jashtë, e shyqyr që janë jashtë dhe unë jam brenda.

Ju në procesin gjyqësor, keni thënë se nuk keni dërguar ndonjë besimtar por keni bërë thirrje që të ndihmohen vëllezërit dhe motrat myslimane në Siri nga regjimi i Bashar al-Assadit. Ç’do të thotë kjo? Ju flisni kundër Amerikës, por ndërkohë bëni këtë që bën Amerika, dhe ajo kundër Bashar al-Assadit është

S’e ka ndihmuar Basharin. Amerika ka ndihmuar grupet opozitare në mënyrë që ta hidhte Basharin dhe kur këto grupe u forcuan, atëherë Shteti Islam u forcua shumë. Amerika tha: Bashari është shumë i keq, por Shteti Islam është akoma më i keq. Grupet e tjera në raport me ISIS-in janë shumë pak, janë si pika e ujit në oqean, janë shumë pak.

Ju jeni për ISIS-in?

Unë s’e kam vënë në dyshim asnjëherë, që unë e mbështes atë grup që do të vendosë ligjin e Zotit mbi tokë.

Po kufomat e vrara, të cilave ju është prerë koka, i keni parë?

Unë nuk kam TV në dhomë, por kam dëgjuar që ka bërë prerje kokash. Unë flas gjatë kohës që kam qenë në burg. Por, ka prerë kokat e kriminelëve.

I ka vrarë pa gjyq?

Çfarë gjyqi, i ka vrarë me gjyq islam.

Lavdërim Muhaxheri nuk është gjyqtar?

Nuk është gjyqtar.

Po shtetasi anglez, Xhejmsi, nuk është gjyqtar.

Pse ne fokusohemi shumë te shteti islam, ndërkohë që masakrat që ka bërë Bashari janë shumë më të mëdha se shteti islam. Pse nuk i thotë dikush Basharit terrorist? Amnisty International tha që në 98 për qind e të vrarëve të Basharit janë civilë, 2 për qind janë ushtarë. Atje janë interesa mes Rusisë dhe SHBA-së, nuk u intereson sesa vriten.

Në përgjime, prokuroria thotë se ju përveç se udhëzonit besimtarët të shkojnë në Siri në disa raste edhe i keni ndihmuar me të holla, duke i paguar rrugën, pasaportën etj. Është e vërtetë kjo?

Nuk është e vërtetë. Unë do të jem i sinqertë, atë që e kam bërë e kam bërë. Unë kam folur për xhihadin. Xhihadi është i përmendur në Kuran. Kam nxitur që njerëzit të shkojnë të ndihmojnë myslimanët që po dhunohen në Siri. Kjo është feja ime, i pëlqen Perëndimit apo jo.

Ju sa prej tyre keni ndihmuar?

Unë u kam folur për të lëvizur, të gjithë besimtarëve. Dikush është përgjigjur dhe dikush jo. S’kam pasur mundësi, nëse do kisha para do t’i kisha ndihmuar.

Në darkë, pas faljes, thuhet se ju dhe disa besimtarë mblidheshit në xhami dhe shikonit video ne Youtube të masakrave ndaj popullatës civile në Siri dhe më pas i bindnit ata besimtarë që t’i bashkohen luftës në Siri. Në gjykimin tuaj, kush i ka kryer masakrat në Siri ndaj civilëve?

Assadi. Ne kishim një kafe aty afër xhamisë dhe aty dhe diskutonim për problemin që është në Siri. Nuk ka terrorist më të madh se Bashari, ka vrarë 500 mijë vetë, Presidenti që mbështetet nga Rusia.

 Po ISIS-i?

Nuk kam numër. ISIS-i nëse ka varë ka vrarë ushtarë, flas gjithmonë sipas IA.

Thonë që ju jeni edhe koka e këtij grupi.

Jo s’është e vërtetë, ne na kanë cilësuar terroristë. Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka deklaruar se falënderoj Policinë e Shtetit për arrestimin e tyre. Si mund të më quash terrorist pa mbaruar hetimi.

Edhe ditën e vendimit, përfaqësues të ambasadës amerikane, SHISH-it e policia ishin prezent. Ç’mendoni?

Mendoj që ata kanë urdhëruar trupin gjykues për dënimin tonë. Nuk kanë qenë vetëm ditën e vendimit, kanë qenë në të gjitha seancat gjyqësore.

Si i gjykoni personat që sulmuan Parisin, Turqinë dhe Belgjikën?

Unë mendoj se ajo ishte një kundërsulm. Kishin 6 muaj që Franca bombardonte mbi Raka-n. Tani kur ti më vret mua, çfarë do të presësh ti nga unë, të të falënderoj? Kryeministri i Francës tha na lini jetën ta jetojmë. Po jetoje more si të duash ti, po ti të më vrasësh mua? Franca bombardonte pa pushim. Çfarë do t’i thuash një personi që i kanë vrarë fëmijën.

 Në Paris sulmohet një teatër, vriten njerëz të paarmatosur, të pambrojtur. Ju jeni dakord që të ndodhë kjo gjë.

Thashë që ishte kundërsulm. Tani atij ia lejon konventa ndërkombëtare që një ushtri që s’ka avionë ti ta sulmosh. Çfarë do t’u kërkosh atyre që kanë humbur gjithçka, gruan dhe fëmijët.

 Dhe ti e gjete këtë shpëtim te vrasja e njerëzve në teatër, hedhja në erë e aeroportit, hedhja në erë e metrosë.

S’ka pasur zgjidhje tjetër.

Po ky nuk është terrorizëm?

Po ato atje çfarë janë, bamirësi, humanizëm. Terrorizmin e ka filluar Perëndimi përpara, këta s’kanë bërë asgjë më shumë, vetëm sa i janë kundërpërgjigjur.

A më sjell një rast, kur perëndimorët vrasin dhe presin kokën e një civili.

A nuk e vrau SHBA-ja Sadam Hyseinin në Irak.

Ne kemi transmetuar filmin dhe kemi parë sesi funksionon ky shtet. Kemi parë se një njeri i armatosur u pret kokat njerëzve të tjerë.

U pret kokat luftëtarëve me gjyq islam.

 Do të ishe i gatshëm të vdisje për kauzën që beson?

Normale, besoj se sipas viteve që kam marrë, në burg do të vdes. Nuk ka diçka më të bukur sesa ta japësh jetën për Allahun, për Zotin tënd.

A është e aftë një grua të drejtojë shtetin?

Hysa: Jo, nuk është e aftë.

Ku do të shkosh?

Në Siri.

Pse nuk ike më parë?

Ishin bllokua rrugët, janë kthyer shumë njerëz në aeroport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *