DW: Papunësia, arsye e largimit të të rinjve nga Shqipëria

Postuar më: 09 May 2016 17:44

largimiEkspertët: për një kohë të gjatë rinisë më shumë i është dhënë ofertë universitare, që vetëm e ka maskuar papunësinë ndër vite. Por formatet e formimit të tyre kanë qenë të vjetëruara dhe të pakërkuara nga tregu.

Elona, është një 24 vjeçare që jeton prej 5 viteve bashkë me famijen e saj në Tiranë. Ka mbaruar shkollën e lartë për gjuhën angleze dhe ende nuk ka nisur një punë stabël. Ka punuar për tre muaj në një call-center, është angazhuar më herët me kohë të pjesshme me përkthime në një projekt të huaj mbi kreditimin e bujqësisë, ndërkohë që prej rreth 6 muajsh është në kërkim të një vendi pune. “Kam kryer kursin e plotë të kompjuterit, kam njohuri shumë të mira në frëngjisht dhe italisht dhe nuk po arrij të gjej dot punë. Kam bërë 14 aplikime deri më tani dhe vetëm 2 prej tyre më kanë treguar se jam në listë pritjeje, por të them të drejtën mendoj se ma kanë thënë për kortezi dhe nuk kam shpresë. Kurse të tjerat as që më dhanë një përgjigje”.

Elona nuk është e vetme me problemet e saj të punësimit. Jo vetëm në Tiranë, por në çdo zonë të vendit papunësia në rradhët e të rinjve mbetet ende shqetësuese. Kjo bie dhe më shumë në sy dhe jep një impakt shumë negativ në një vend si Shqipëria me një moshë të re mesatare, krahasuar me shumicën e shteteve të tjera të kontinentit. Këtë e ka konstatuar dhe një studim i publikuar këto ditë nga Komisioni Europian, ku evidentohet se niveli i papunësisë në grupmoshën 15-29 vjeç është 32.2%. Kuptohet që sa më shumë të lëvizësh nga zonat urbane në ato rurale të Shqipërisë kjo kuotë është edhe më e madhe.

Punëkërkues pa profesion dhe vetëm me arsim 9-vjeçar

Para disa ditësh në Tiranë u hap një panair pune, një akord i përsëritur prej dy vitesh mes Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Bashkisë së kryeqytetit dhe Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë. Kjo hapësirë interaktive për shpalljen e vendeve të lira të punës nga rreth 130 sipërmarrje në disa sektorë, u shfrytëzua nga qeveria për ta përshkruar rozë aspektin e zbutjes së papunësisë në vend. Organizatorët e panairit artikuluan, se në dispozicion të punëkërkuesve ishin rreth 8 mijë vende pune të orientuara në telekomunikacion e shërbime, industrinë përpunuese, sektorin e ndërtimit, sektorin bankar, sektorin e sigurimeve etj. Sipas kryeministrit Edi Rama në rreth tre vite të qeverisjes së të majtëve janë shumëfishuar fondet për nxitjen e punësimit, duke pasur si ambicje për vitin 2016 shtatëfishimin e numrit të të punësuarve duke e çuar numrin në 6500 vetëm nga aplikimi i programeve të nxitjes së punësimit. Sipas Ramës zyrat e punës janë të gatshme të ndërmjetësojnë në të gjithë vendin për 31 mijë vende pune.

“Ajo që është për të të ardhur keq dhe që përbën një problem shumë të madh, të trashëguar, është se 55% e punëkërkuesve të regjistruar janë pa profesion dhe janë vetëm me arsim 9-vjeçar. Ndërkohë që 40% e ofertave nga sipërmarrja janë për teknikë të mesëm dhe specialistë të lartë. Ndërsa 35% të tjera janë për zanatçinj. Pra, si mundet të akomodojmë kërkesën për punë të 55% të punëkërkuesve, që shkojnë në zyrat e punës dhe deklarojnë se nuk kanë asnjë profesion dhe kanë vetëm shkollë 9-vjeçare?!”

Sipas kreut të qeverisë orientimi drejt arsimit profesional, si një zgjidhje e duhur në planin afatmesëm e afatgjatë, që synon investimin për trajnime deri në 6 muaj për të rinjtë që profesioni, zanati apo ajo çka duhet për të përballuar një nevojë për pune, të mësohen në vendin e punës.

Krijimi i papunësisë ciklike

Prof. Kosta Barjaba, autor i dy botimeve studimore “Kurthet e papunësisë” dhe “Migrimi i varfërisë”, mendon se në Shqipëri hendeku midis papunësisë së popullsisë së rritur dhe papunësisë rinore është i thellë për shkak të disa rrethanave. Ai pëmend faktin se hapja e vendeve të punës gjatë 25 viteve të fundit ka qenë minimale, ndërkohë që dhe në periudhat me rritje ekonomike të vrullshme, kjo rritje nuk ka prodhuar vende të reja pune. Kjo rrethanë ka prodhuar papunësinë ciklike, thotë për Deutsche Welle-n prof. Kosta Barjaba.

“Sipërmarrjet shqiptare kanë pasur një stepje për të pranuar punëtorë në moshë të re, për shkak të mungesës së përvojës dhe kostove të shtuara që kërkon formimi i tyre. Gjithashtu është konstatuar edhe një asimetri mes nevojave të tregut për punëtorë të rinj dhe sektorëve ku formohej rinia. Pra, nuk është përputhur kërkesa për punëtorë me ofertën që prodhonte sistemi i formimit dhe arsimit në Shqipëri. Ne i kemi ofruar rinisë kryesisht një ofertë universitare, e cila thjesht e ka maskuar dhe spostuar papunësinë rinore disa vite. Por edhe kur kemi pasur oferta formimi, ato kanë qenë të vjetëruara dhe të pakërkuara nga tregu. Kjo ka prodhuar papunësinë strukturore. Por vajzat dhe djemtë e rinj i ka mbajtur jashtë tregut edhe dëshira për t’u punësuar në sektorin publik dhe më pak në atë privat”.

Në arsyetimin e prof. Barjabës, reduktimi i papunësisë rinore ciklike arrihet përmes orientimit të ekonomisë drejt modelit që hap vende të reja pune, sidomos ndaj shfrytëzimit të pasurive natyrore dhe avantazheve të vendit. Ndërsa për të reduktuar papunësinë strukturore, duhet të thellohet kthesa që ka nisur në modernizimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional, duke tërhequr në këtë “betejë” edhe sipërmarrjen.

“Sektori privat duhet të ndërgjegjësohet se investimi për formimin dhe arsimin nuk është barrë, por investim. Kjo duhet të synojë afrimin e rinisë me teknologjitë e reja, por edhe do të zgjerojë kapacitetet e tregut për të thithur fuqi punëtore të re. Ndërsa papunësia friksionale, e cila karakterizon të rinjtë me arsim modest, mund të reduktohet nëpërmjet rritjes së fuqisë së tregut të shërbimeve publike e private të punësimit”.

Partneritet ende i dobët biznes-shkollë- universitet

Edhe Vladimir Thano, sekretar i përgjithshem i organizatës “PRO~YOUTH” përmend si një nga problemet më të dukshme orientimin e të rinjve më shumë për punësim në sektorin publik, duke e konsideruar punën në administratë si koncept i sigurisë maksimale. Kjo sipas tij, i ka orientuar ata të aftësohen më shumë në fushën e shkencave shoqërore apo ekonomiko-juridike. Me këtë mendësi janë dhe familjet e tyre, thotë për Deutsche Welle-n Thano.

“Orientimi prindëror është shumë i rëndësishëm dhe i lidhur ngushtësisht me perspektivën e punësimit nesër. Shkolla gjithashtu, ato të sistemit parauniversitar duhet të forcojnë më tej jo vetëm në nivel këshillues por edhe stimules pjesëmarrjen e të rinjve në prekjen e biznesve në kominitet, orientim më të mirë të të rinjve në lidhje me pozitën gjeografike dhe ekonomike të fshatit apo qytetit, e lidhur kjo në funksion të punësimit ose vetëpunësimit. Institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile, partitë politike, por dhe mediat duhet të jenë më të sinqerta në orientimin e punësimit të sigurtë, pasi shumë të rinj sot ndodhen jo në vëndin e punës së diplomuar, por në ‘call center’. Një pjesë e madhe disponojnë diploma por puna që bëjnë në realitet është diçka tjetër e nëse ky është realiteti që pranojmë të gjithë, por nuk e themi, atëherë duhet të ndryshojmë orientim.”

Për Vladimir Thanon, lidhja biznes-shkollë- universitet është një partneritet ende i dobët dhe nuk ka programe në nivel kombëtar se si mund të sinkronohen dhe integrohen me njëri tjeterin. “Dhomat e Tregtisë gjithashtu mendoj se mund të ndihmonin në këtë proces sëbashku me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për të pasur një program shkëmbimi biznes- shkollë ose biznes- universitet”.

Studenten der Politechnischen Universität in Tirana

Arsimi profesional e nxitja e biznesit social zbusin papunësinë

Irena Topalli është menaxhere e programeve edukative pranë organizatës “Përtej Barrierave”, e fokusuar në gjithëperfshirjen sociale të të rinjve duke promovuar vlerat dhe praktikat e punës vullnetare te strukturuar dhe edukimit jo-formal të si metodologji alternative për të rritur aftësitë kyçe tek të rinjtë. Ajo vlerëson se niveli i lartë i papunësisë në rradhët e të rinjve mbetet edhe shqetësues por dhe një çështje pak e investiguar dhe e raportuar. Të pasurit e një apo disa diplomave, sot është kthyer në një lloj “statusi” mes të rinjve, shprehet ajo për Deutsche Welle-n.

“Por në realitet këto diploma universitare nuk u sigurojnë atyre aftësitë përkatëse që kërkon tregu i punës, përkundrazi rrisin presionin mes bashkëmoshatarëve. Po ashtu të rinjtë e diplomuar kryesisht shpresojnë të punojnë të profilin e tyre të studimit dhe tregohen selektiv ndaj alternativave të tjera. Në vendin tonë tashmë është kthyer në mit, fenomeni i të punuarit në shtet, ndërkohë që ky është një aparat i mbylluar ndaj shumicës së të rinjve dhe nuk përbën as zgjidhjen e problematikës. Arsimi profesional ndërkohë është i lënë pas dore dhe nga vetë të rinjtë, të cilët nuk preferojnë të bëjnë “punë të dorës së dytë” apo ato me aktivitet fizik më të lartë”.

Irena Topalli nga organizata “Përtej Barrierave” nxjerr në pah dhe një fenomen, të cilin e konsideron si shqetësues në aspektin social: ndryshimin e sistemit të vlerave të punës, të edukuara që në familje në moshë të hershme e më pas në sistemin arsimor. Për ta zbutur sadopak këtë fenomen, sipas saj duhet stimuluar angazhim edhe më i madh në punë vullnetare, praktika apo internshipe për të rinjtë, që do të ishin një reduktues i numrit të lartë të të papunëve dhe do ti jepte vlerën e merituar punës dhe çdo lloj profesioni.

“Gjithashtu arsimi profesional dhe nxitja e biznesit social si dhe aftësive të sipërmarrjes së të rinjve do të zhvillonin terrenin alternativ për të zbutur shifrat e larta të papunësisë. Në aspektin social, papunësia mes të rinjve nuk është vetëm problemi i të papunëve përkatës, por ajo është edhe problemi i familjeve të tyre dhe të shoqërisë, në përgjithësi. Dështimin për të gjetur punë çon në mos vlerësimin e kapitalit njerëzor, por edhe në rritjen e rrezikut të disa problemeve si: stresi, depresioni, dhe ulja e vetëbesimit.

Derisa problemet në tregun e punës në Shqipëri të mund të kapërcehen dhe konceptet e parashtruara në teori të bëhen realitte, kjo është shumë vonë për rin inë e sotme, që kërkon zgjidhjen me largimin nga vendi. 24 vjeçarja Elona tregon për Deutsche Welle-n se bashkë me të dashurin e saj, edhe ai pa një punë të rregullt, po planifikojnë të ikin jashtë vendit, në një vendet e BE-së. “Duhet të kishim ikur më parë, por i dashuri im ka njërin prej prindërve shumë të sëmurë dhe kjo na ka frenuar. Ndryshe këtu në Shqipëri nuk kemi shpresë se mund të punojmë dhe të jetojmë normalisht. Kështu do të mund të ndihmoj dhe familjen time me 6 vetë, që jeton me shumë vështirësi këtu në Tiranë në një banesë të vogël me qira.”/Deutesche Welle

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *