Dejan Čančarević: Të shkruarit është dhimbje

Postuar më: 28 May 2016 09:56

dejanPoeti dhe eseisti serb, rezidenti i muajit maj në “Tirana in Between” flet për rolin e rëndësishëm që ka poezia për të arritur në një kohë më të shkurtër në vetëdijen e lexuesit. Për fat të keq mendon ai, rryma e përgjithshme e letërsisë e fokusuar më shumë në zhanret narrative, e ka lënë mënjanë poezinë pa ia kuptuar realisht pushtetin. Čančarević flet për letërsinë e tij e cila nuk është fiction dhe angazhimin qytetar për të kritikuar ato që nuk shkojnë në shoqëri, veçanërisht politikën… Ai thotë se është e mundur që mes dy vendeve mund të ngrihen ura të forta bashkëpunimi

Nga Suadela Balliu

Një ekran i madh që bombardon me vargje të shpejta në gjuhën angleze dhe serbe, një tingull përsëritës që ngjan me një gërvishtje nga tastet e një makine shkrimi “Olivetti” dhe goditja e pjatave të një baterie herë pas here për të lajmëruar se një punë sapo përfundoi dhe një muzikë trazuese në sfond …ishin ato që shoqëruan performancën e poetit dhe eseistit serb, Dejan Čančarević, e cila mbështillej nga audienca e zhytur në Re; instilacionin e artistit Fujimoto vendosur në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Ishte pikërisht kjo ngjarje kulturore që gërshetoi në një poezinë, artin konceptual dhe muzikën që çeli edhe sezonin artistik brenda kësaj vepre, e cila do të qëndrojë për dy vite e stacionuar në kryeqytetin shqiptar. Čančarević, është i treti fitues i bursës “Tirana in Between” , Rezidenca Letrare e organizuar nga Poeteka në Bashkëpunim me Rrjetin “Traduki” Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane dhe Ambasadën Austriake në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit, që për të katërtin vit pret shkrimtarë nga rajoni dhe Europa Juglindore. Performanca RE-typing, siç autori e ka pagëzuar këtë lloj prezantimi që i bën poezive të tij në lexime publike prej afro gjashtë vitesh, është një shpërfaqje e i të ri-përjetuarit të procesit të krijimit të poezisë që, nga një akt intim dhe vetjak, shndërrohet në përvojë që ndahet në mënyrë të aktualizuar me publikun. Qëllimi është që audienca, ajo që duron deri në fund mërzinë që shkaktohet nga pritja për një kohë të gjatë e shkrimtarit që i rishtyp poezitë e tij në makinën e shkrimit, të kuptojë se të shkruash nuk është ideja klasike e të zbrazurit të frymëzimit, porse një proces i dhimbshëm e për pasojë kjo e bën shkrimtarin të mblidhet në vetminë e tij. Ideja e fundme është që e gjithë audienca të largohet duke e lënë krijuesin vetëm.

Poezitë e autorit, të shkruara dhe të shtypura përmes kompjuterit, rishtypen duke përdorur daktiloshkrimin e makinës, në mënyrë që, duke u kthyer pas në kohë, te shkrim-përjetimi i dikurshëm, të provokohet një formë e re, unike për kujtesën e tekstit, autorit dhe të pranishmëve.

Teksti pëson ndryshim grafik, pasi mundësitë “e kufizuara” të daktiloshkrimit të makinës, zgjerohen përmes leximit të autorit dhe shkrimit digjital, që ndryshon formë vazhdimisht në sytë e publikut. Vetë autori, i lindur në Pancevo të Serbisë, ku edhe zhvillon aktivitetin e tij letrar e muzikor si themelues i bandës “Transeen” është i interesuar kryesisht ndaj poezisë dhe mundësive multimediale të saj, ndaj dhe prezantimet letrare të tij priren drejt kërkimit të ideve të reja dhe përvojave bashkëkohore në këto fusha.

Qëllimi mbetet jo prodhimi, por krijimi i një poezie, që është në të njëjtën kohë origjinal dhe kopje e vetvetes, krijim dhe rikrijim i një autori të vetëm dhe një veprim i ndodhur në të shkruarën dhe po aty, në çast dhe përballë lexuesit.

Ç’ kuptim ka për ju, si poet “Retyping performance” dhe cili është mesazhi që përcjell te publiku?

Retyping është i bazuar në një koncept që së pari përpiqet të portretizojë punën e vështirë të një shkrimtari dhe ideja është ta përballë auditorin me domethënien e të shkruarit. Besoj se për shumë njerëz të shkruarit nuk është çështje frymëzimi në kuptimin tradicional si perceptohet një shkrimtar. Së dyti Retyping është përpjekje për të bërë një mbrëmje letrare për të prodhuar një mbrëmje letrare që u jep diçka fizike pjesëmarrësve në audiencë, sepse ndërsa rishtyp poemën i vë datën dhe e firmos. Fizikisht bëhet një vepër arti në kohë e lidhur me një moment të veçantë. Përdorimi i makinës së shkrimit është i rëndësishëm, sepse sjell praninë fizike të një autori. Unë i printoj poemat përmes një printeri dhe më pas i rishtyp duke përdorur makinën e shkrimit, gjë që na sjell pas te diçka fizike dhe jo digjitale . Në nivelin artistik të kuptimit Retyping ka dëshirën të prodhojë një vepër arti në një moment të dhënë me një vend të dhënë dhe me një audiencë të dhënë. Retyping është një koncept multimedial, gjë që përfshin pritjen, për sa është e interesuar audienca, leximin përmes video projektorëve dhe të kesh një shkrimtar në skenë që ka nevojë për kohë për të rishtypur apo shkruar poemën.

Pra është ta shohësh live këtë proces të krijimit…

Po, simbolika është portretizimi i këtij procesi të të shkruarit që për shumë nga ne, mesa di unë, nuk është i lehtë. Asnjë krijim nuk është. Nuk besoj në asnjë lloj të krijimit të lehtë. Është proces i dhimbshëm dhe ideja e kësaj performance është të detyrojë audiencën të ndjejë nevojën për të qenë e pranishme në diçka që aktualisht është e mërzitshme.

Mendon se procesi i të shkruarit është i mërzitshëm?

Epo, jetojmë në shoqërinë e spektaklit. Nëse vjen në performancën e një poeti që rishtyp poemat dhe i shfaq në një video-projektor pa thënë asgjë për rreth pesë apo më shumë minuta rresht, do të mërzitesh. Jemi mësuar të ndjekim imazhet, dinamikat e fotografive që ndryshojnë. Njerëzit janë mësuar të shohin filma. Thelbi i performancës është t’i detyrojë njerëzit të jenë diku, ku poezia po ndodh, por kur e percepton, në fakt asnjë nuk po ndodh. Të shohim kush është i aftë të luajë me këtë lloj dinamike.

Ky efekt shqetësues që krijohet gjatë performancës shkaktohet prej tingujve që shoqërojnë performancën apo prej pritjes?

Prej pritjes. Sepse njerëzit sot janë programuar të argëtohen nga vizualizimi, jetojmë në shoqëri të imazheve e nëse detyron dikë të mbyllë sytë e të dëgjojë, si diçka thellësisht e harruar , e çon te Radioja . Duke qenë se kam punuar në radio për më shumë se 15 vjet, besoj shumë se radioja si një media elektronike ka aftësinë të zhvillojë aftësinë për  të vizualizuar gjëra. Dhe nëse mund të vizualizosh gjëra, atëherë hyn në botën tënde. Kur lexon një libër ke një lloj situate me imazhe, ke foto, ke skenografi, je thuajse regjisor. Sa më shumë lexues të ketë një libër po aq edhe filma ka prej këtij libri, nëse e vizualizon. Ideja është të bëjmë një kontrast mbi atë që është prezantimi i realitetit në një botë komerciale.

Kur e ke nisur me këtë lloj performance?

E kam nisur para gjashtë vitesh ndërsa isha i lidhur me një artiste konceptuale të quajtur Tanja Juričan dhe ky është produkti i bashkëpunimit tonë dhe produkti i dashurisë sonë. Ajo më ndihmoi. Ishte aq e thellë sa më bëri sot ky që jam.

Prej asaj kohe, këto performanca i shfaq si brenda ashtu dhe jashtë Serbisë?

Kryesisht po, por kam përdorur edhe një performancë tjetër duke luajtur në kitarë bass. Përdor shtampa muzike nga një regjistrues ku kam regjistruar tinguj e më pas i riprodhoj nga regjistruesi në magnetin e bass-it dhe kështu prodhohet një lloj atmosfere muzikore. Më pas luaj muzikë dhe nis të lexoj poezi. Retyping lidhet me artin konceptual. Ideja e Tanjës ishte: “Përse nuk bën një artefakt?”. Mendova: “si të lë një shenjë, si ta lidh poezinë me artet e tjera?”. Ky ishte diskutimi me të dhe më pas makina e shkrimit u bë instrumenti i kundër-digjitalizimit të shkrimtarit.

Nuk të pëlqen të të etiketojnë si artist modern, por pa dyshim thua se nuk je tradicional e megjithatë përdor një mjet aq tradicional si makina e shkrimit…

Po, në fakt po rikonceptualizoj pozicionin. Po privatizoj atë çka është digjitale. Keni imazhin tim digjital, sepse kur shkruaj përdor kompjuterin, por ky është imazhi digjital, nuk është ai real.

Po çfarë është reale?

Realja bazohet në shtypjen, në gjurmën. Mund të thuash çfarë është reale i bazuar në kufizimin e pesë shqisave, që janë të kufizuara në disa frekuenca , por mund të luash me këto kufizime, mund të këmbehesh mes tyre. Kur përdor diçka që është tradicionale në një shoqëri thellësisht digjitale dhe moderne, atëherë bën komente nga një lloj pozicioni: “Le të mos jemi çka na është thënë të jemi!”. Dhe kjo është thellësisht Punk. Le të mos jemi kurrë çka na e servirin. Le ta marrim makinën e shkrimit, ta bëjmë markë dhe t’i prezantojmë audiencës një objekt fizik, sepse poezia e shkruar në kompjuter dhe e rishtypur me makinën e shkrimit dhe e firmosur nga autori bëhet vepër arti, të cilën mund ta vendosësh në kornizë. Është vetëm ai moment dhe nuk mund të vësh një kopje të atij momenti, sepse kur shtyp unë mund të bëj gabime, mund ta përsëris disa herë performancën por në çdo rast efekti mund të jetë i ndryshëm. Mund të rishtyp katër poema, por gjithmonë do të ketë një gabim të ndryshëm, për shkak të makinës së shkrimit që nuk ka “delete” mënyra sesi i fshin është të shtypë Esc, Esc, Esc, që grafikisht është gjithashtu art vizual.

Mendon se në këto momente letërsia ka nevojë për arte të tjerë?

Jo, besoj se letërsia ka nevojë të promovojë më shumë poezinë, sepse gjithmonë kam ndjerë dhe kam besuar se poezia është më e aftë për të ndarë përvojat në kohë të shkurtër, më shumë sesa proza. Letërsia pavarësisht formës; dramë prozë, vargje etj., ka nevojë për kohë . Është arti që ekziston në kohë. Lexuesit janë njerëzit që kanë vullnet ta angazhojnë veten e tyre në kohë. Me vullnet për të gjetur një rrugëdalje nga jeta e tyre , një dalje nga përvoja e tyre, apo çdolloj gjëje që mund të përjetojnë në jetë dhe të angazhohen në diçka që është përvoja e Tjetrit. Ky është akti i leximit. Me dëshirë pranoj botën e dikujt tjetër si të ishte e imja. Besoj thellësisht se poezia, që është harruar krejt në letërsinë përgjithshme të ditëve të sotme, sepse kemi këto libraritë neo-liberale e ultramoderne dhe nëse e vë re poezia është diku poshtë, nuk është në këndin e shikimit. Besoj thellë se poezia është më e aftë të ndajë në kohë.

Kur e ke kuptuar fuqinë e poezisë, pasi ti thua se poezitë e tua janë krijuar prej eseve esetë që ke shkruar fillimisht. Pra e ke nisur me prozë…

Kur isha student- nuk shkruaja gjatë asaj kohe, të paktën jo në vitin e parë – mendoja: “Poezia është gjëja më e mirë që mund t’i lejosh një lexuesi që po udhëton me një metro, për shembull në Nju Jork, mes disa stacionesh. Është mënyra më e shpejtë për të bërë mik lexuesin, për ta prekur atë. Edhe nëse shkruan poezi narrative, poezia ka nevojë për melodi. Edhe proza po ashtu, por poezia ka nevojë për këtë ngopje me ritëm, theksim të ritmit, melodisë. Duhet të këndosh me poezinë.

Shkruan poezi narrative, por poezitë e tua, të paktën ato që kam lexuar në gjuhën angleze kanë një ritëm të brendshëm…

Ato në gjuhën anglez që i kam përkthyer vetë, po ndiqja melodinë më shumë sesa kuptimin.

Doja që përkthimi t’i përngjante melodisë, sepse besoj se melodia është e vetmja thërrmijë në këtë kozmos që mund të prekë dikë që nuk kupton gjuhën origjinale. Kjo është arsyeja pse melodia është shumë e rëndësishme në poezi. Besoj ashtu si Hegeli, se muzika është maja. Unë vij nga muzika, ajo më ka formësuar.

Ritmi është i rëndësishëm për shkak se së pari je muzikant?

Jo, sepse përpiqem të jem një qenie njerëzore që i dëgjoj njerëzit. Më pëlqen të dëgjoj mënyrën sesi dikush tingëllon. E vlerësoj kur njoh dikë që është shumë i vetëdijshëm që tingëllon në një lloj mënyre. Sot ke shumë njerëz që nuk i vënë rëndësi këtij niveli “bontoni” . Mund të jem i pirë, por është e rëndësishme për mua sesi tringëlloj dhe sesi e menaxhoj veten përmes tingullit . Sepse tingullin dhe aromën do ta mbash mend gjatë. Të shkruash poezi është një lloj zgjedhjeje e melodisë.

Pra, një mënyrë alternative për t’u shprehur përmes muzikës?

Po sigurisht, poezia është muzikë. Gjithçka është muzika. Një gjë që i bashkon të gjithë artet është ritmi, Mund të shtrihesh në bar dhe të shohësh një gjethe që lëviz me ritëm. Por kush e bën ritmin? Era. Mënyra sesi ajo lëviz është mënyra sesi është lidhur me degën. Gjithçka është e lidhur dhe gjithçka është ritëm. Arti nuk mund të ekzistojë pa ritmin. Nëse nuk e ke ritmin, nuk ke art. Mund të kesh kotësi. Kemi nevojë për ritëm.

E keni kuptuar qysh në fillim të karrierës suaj?

Nuk kam një karrierë, thjesht ekzistoj..

Por ke botuar katër libra…

Në fakt janë katër, por i treti është një introdukt i të katërtit, ndaj në të vërtetë kam botuar vetëm tre.

Si e keni jetuar këtë muaj në Tiranë? Kam parë foto të tuat nga qyteti të postuara në Facebook që duken pak politike, duket sikur ke fotografuar vetëm reminishencat e diktaturës komuniste…

Jo, nuk janë politike. Postova në Facebook foto të Stalinit dhe Leninit , por komentet ishin “Më në fund gjeta bandën e vjetër!”. Është deklaratë ironike, por çfarë mendoj rreth Shqipërisë…

A kemi të përbashkëta?

Po jemi sunduar nga Otomanët, historia jonë ka qenë e ngjashme deri në një moment të 1912-ës, Lufta e Parë Ballkanike, për të cilën nuk isha informuar përmes arsimimit tim. .Kam qenë injorant dhe më vjen keq dhe nuk e dija që më 1912-ës ushtria serbe pushtoi Shqipërinë. Ishte një program zyrtar i shtetit se shqiptarët duheshin injoruar. Më befasoi shumë dhe më bëri të shkruaja këtu një poezi  dhe fsheha në titullin e poemës 1912- ën; ka kllapa dhe shenja pikësimi , por titulli i referohet atij viti. Është një çështje në shoqërinë moderne globaliste që propozon bashkim, por dua të theksoj që përmes globalizmit kemi kthimin te tradicionalizmi, veçanërisht në Ballkan. Nuk mund të harrojmë Teksasin. Teksasi duhet të thotë se nuk është Amerikë, e përse kur Amerika mbështet pavarësinë në të gjithë globin nuk e lejon Teksasin të jetë shtet i pavarur? Niveli i madh i hipokrizisë. Nuk kemi nevojë për këtë dhe kapitalizmi është ai që imponon kufijtë përmes njerëzve dhe i verbon ata.

Mendon se mund ta luftosh këtë hipokrizi me art?

Po e luftoj tani. Po është e mundur dhe më beso kur të kthehem në shtëpi do të bëj gjithçka që mundem, çka është në fuqinë time humaniste, fuqinë e shoqërisë civile, fuqinë time anarkike , fuqinë anarkike-komuniste për t’i sjellë njerëzit nga Beogradi, Pancevo, Novi Sad, Serbia në tiranë , njerëzit që kanë lidhur dhe janë rritur me rock and roll të vijnë dhe të miqësohen me njerëz në Tiranë. Vij nga një grup njerëzish që nuk besojmë se vijmë nga shtetet. Së pari besojmë se vijmë nga qytetet dhe para së gjithash vijmë nga nënat tona. ky është sfondi nga vij unë. Nuk përfaqësoj shumicën e serbëve dhe duhet ta vendos këtë mes kllapash, por shpresoj se njerëzit që besojnë te kultura, te ndarja e vlerave, te gjërat e përbashkëta do të bëhen bashkë në Ballkan. Ndoshta nuk jemi ende të pjekur për ta bërë tani, por duhet të rritemi dhe – diçka që bëri Tito- t’i themi Amerikës, Rusisë, Bashkimit, Europian Turqisë të shkojë në djall dhe të shohim ç’kemi të përbashkët. Mendoj se kemi shumë, jo vetëm në kulturë, por edhe ekonomi, gjeografi, shumë-shumë gjëra. Gjëja që nuk më pëlqen është se globalizimi ka fitua terren. Çfarë mund të ndajmë nëse bëhemi të gjithë anglosaksonë, gjermanë, amerikanë, njerëz të coca-cola apo pepsi? Të ndash ndodh kur kemi diçka të përbashkët dhe diçka të ndryshme. Mes të përbashkëtave ndërtojmë ura për ato çka janë të ndryshme mes nesh.

Mendon se letërsia dhe kultura mund t’i ngrejë këto ura?

Njerëzit duhet të udhëtojnë para së gjithash dhe ky është paradoksi. Ke internet, por vijmë nga shoqëri pa të ardhura për të siguruar një udhëtim si duhet, siç bëjnë njerëzit e Perëndimit, për shembull. Ke rininë që është e edukuar në internet, por nuk e përdorin si një mjet kulturor apo informimi, por siç ua kanë mësuar, si diçka argëtuese dhe jetojmë në një shoqëri që prodhon spektakël ,ndjenja false se je i kënaqur me jetën tënde, gjë që nuk është e vërtetë. Nëse udhëton në Beograd tani, do të shohësh të njëjtat gjëra; rrugët kryesore janë të globalizuara dhe rrugët e vogla të lëna pas dore. Kjo është ana e trishtuar.

A i reflekton këto ide edhe në poezitë, apo prozën tënde?

Përpiqem t’i reflektoj. Kam ardhur në Tiranë për t’iu arratisur problemeve të Serbisë, që po më largojnë nga të kuptuarit e vetes si dikush që ka nevojë të shkruajë. Sepse në një pikë nuk ke kohë të mendosh aspektin krijues të jetës tënde, gjë që gjithashtu është pasoja individuale e globalizimit. Kapitalizmi po na detyron të punojmë, punësojmë ,punojmë… dhe të flemë, duke hequr të drejtën e atyre orëve për të lexuar, për t’u çlodhur. Pra nuk e kam këtë në Serbi dhe Rezidenca Letrare është një lloj arratisjeje, një kohë për t’u kthyer te vetja. Poeti antik romak, Horaci ka thënë se Arti ka lindur në kohë limontie. Njerëzit që u duhet të punojnë nuk janë artistë. Por përgjegjësia artistike është t’u referohesh gjithmonë njerëzve që janë punëtorë. Nuk po flas për artin soc-realist, por punëtori dhe artisti janë të barabartë; punëtori mund t’i japë bukë artistit dhe artisti mund t’i rrëfejë një histori dhe ta bëjë të çlodhet.

Cilat janë temat kryesore të letërsisë suaj? Çfarë ju shqetëson?

Nuk jam një shkrimtar fiction. Nuk i shpik gjërat. E nis me çka po ndodh në jetën time dhe të miqve të mi. Jam politik. Me një lloj angazhimi. Kritikoj shtetin, kritikoj këto narrativa të mëdha që strukturojnë politikën, por në thelb përfundon sesi unë dhe miqtë e mi ndihemi duke pasur këtë jetë, në këtë hapësirë të caktuar. Çfarë bëjmë dhe si ndihemi. Është një dokument narrativ e asaj çka është duke ndodhur.

Nuk je tradicional dhe të pëlqen të thyesh rregullat, por gjithashtu je një mësues në gjimnaz dhe të duhet t’u mësosh nxënësve të tu traditat apo bazat mbi të cilat qëndron letërsia…

Po kam shumë probleme në shkollë. Të jesh mësues do të thotë gjithashtu të mos ndjekësh rregullat. Kemi poemën më të bukur epike të të gjitha kohërave e cila titullohet “Bano Strahinja”, një poemë  e cila flet për faljen. Shtëpia e një burri shkatërrohet nga ushtritë turke, e ëma e tij turpërohet dhe gruan ia rrëmbejnë, ndërsa ai po feston me kushërinj në një qytet tjetër. Në një pikë të poemës ai përpiqet të pyesë kushërinjtë nëse do e ndihmojnë të marrë mbrapsht gruan e tij dhe ata nuk pranojnë, madje i thonë se turqit e kanë prekur atë dhe ajo nuk është më e tyrja. Por ky njeri është përfaqësimi i kalorësisë. Ai shkon vetëm kundra ushtrisë turke, bën duel dhe fiton me ndihmën e qenit të tij dhe e merr mbrapsht gruan dhe e fal, në sy të të vëllezërve që duan t’ia nxjerrin sytë dhe ta fusin në manastir. Ai u thotë “Nuk do ta bëni sepse ajo është gruaja ime”. Mënyra sesi unë ua mësoj letërsinë, sipas kësaj narrative është: “Ku shkuan ata të dy? Që e deshën njëri-tjetrin, të mohuar nga prania të afërmve? Emigruan diku? Ku shkuan këta dy njerëz që besonin te dashuria? Kush u bënë? Kjo është një pikëvështrimi i dikujt për të bërë një film. Askush nuk ka bërë  një film se ç ‘ndodhi me këta të dy. Kështu më pëlqen ta mësoj letërsinë.

A je ti një kalorës që shkon kundër rrymës?

Jo, unë jam një askush që përpiqet të mbetet askush.

Përse?

Ç’do të thotë të jesh dikush? Dikush do të thotë status, status do të thotë nivel, nivel do të thotë piramidë. Nuk besoj te piramidat. Nuk vij nga ky sfond human sapo politik. Nuk besoj te klasat.

Por a mund të mbetesh një askush kur je një shkrimtar që i boton librat e tij?

Po. Nëse takon një shkrimtar dhe nëse i bën këtë pyetje do të thotë se do të jetë askushi, sepse është si të gjithë njerëzit. Por unë bëj një ndryshim të vogël sepse dua të angazhohem në deklarata apo bërje. Nuk ka pse të jetë poezi, mund të jetë film, fotografi, arte të tjera, art tradicional, konceptual… por gjëja kryesore e të bërit ndryshim është të mendosh “ku dreqin jemi tani dhe kush prej vetes do të bëhet më mirë? Çfarë është shoqëria ku jetojmë dhe nëse shoqërisë i lejohet të ketë këtë emër; shoqëri?”. Nuk besoj se jetojmë në shoqëri, po jetojmë në një xhungël kapitaliste. Njerëzit nuk socializohen me zemër. Të gjithë vishen sipas diçkaje… Por disa njerëz, artistë apo quaji si të duash, refuzojnë të vishen sipas… Këta njerëz janë askushë. Dhe e di pse Askush? E di çfarë i tha Odiseu Ciklopit kur e pyeti si quhej? Ai iu përgjigj: “Quhem askush.” Nëse je dikush shkon të flesh në hotelet më të mira, por kur je askush mund të flesh në rrugë. Nuk është e rrezikshme të jesh i pastrehë. Askush nuk të prek as të flet nëse je askush.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *