Akademia dhe nevoja për reformë, kundër mentalitetit komunist në shkencë

Postuar më: 27 May 2016 09:31

David LukaNga Prof. dr. David Luka*

Pas vitit 1990, pritej që shteti demokratik i asaj kohe të merrte në dorë riorganizimin tërësor të shkencave, nëpërmjet riorganizimit të institucioneve shkencore e, gjithashtu, edhe vetë Akademinë e Shkencave. Kjo punë nuk u bë. Akademia dhe institucionet mbeten të pandryshuara në formë e në përmbajtje. Ato, duke mos e kuptuar nevojën e ndryshimit, u mbyllën edhe më tepër, u hermetizuan dhe vazhduan të bënin sikur po punonin. Në këtë kohë u vu re një dukuri interesante. Veprat e mëdha akademike po shkruheshin dhe po botoheshin edhe jashtë kontrollit të Akademisë dhe të institucioneve përkatëse. Akademia tani, për të përligjur ekzistencën e vet, po përpiqej ta frenonte e ta pengonte këtë veprimtari jashtë saj. Detyrimisht duhej nisur reforma, përndryshe pasojat do të rëndoheshin edhe më tepër.

Pikërisht në këto kushte, nisi reformimi i shkencave shqiptare, gjithsesi vonë e duke përballuar edhe kundërveprimin e institucioneve në fuqi, të cilat nuk i lëshonin pozicionet komode pa luftë. Pritej që reforma të bëhej e thellë e gjithëpërfshirëse, duke nxjerrë në pah jo vetëm vlerat e shkencës shqiptare, që tani nuk përfaqësoheshin më vetëm nga Akademia, por duke u shoqëruar edhe me një organizim që t’i përshtatej kohës, veçanërisht tani që do të përballeshim edhe me botën e qytetëruar. Për fat të keq, nuk ndodhi kështu. Së pari, ky problem kaq i rëndësishëm nuk u shtrua për diskutim në rrethin e shkencëtarëve, por u la në dorë të nëpunësve, të ashtuquajtur këshilltarë të ish-kryeministrit, të cilët tashmë dihet, gjithnjë zbatojnë urdhrat e shefit të tyre. Së dyti, ligji për reformën u zgjat gati dy vjet, deri sa u vu në zbatim. Jo vetëm nuk pati transparencë, po nuk u përpunua që më përpara asnjë lloj strategjie për kërkimet shkencore, e cila do të përcaktonte jo vetëm fushat prioritare, ku do të kryheshin kërkimet shkencore në të ardhmen, por edhe njerëzit që do të përfshiheshin në këtë proces. Dihet tashmë që në Shqipëri prioritet kanë shkencat albanologjike, qendra e të cilave, falë punimeve shkencore me vlerë nga personalitete shkencore shqiptare, është vendosur në Shqipëri. Ngjan të jetë kjo e vetmja fushë ku bëhet shkencë e vërtetë e ku rezultatet janë premtuese. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se shumë probleme të historisë së shqiptarëve, të etnogjenezës, të prejardhjes së tyre e të gjuhës shqipe, ende nuk janë zgjidhur përfundimisht. Prandaj ndarja subjektive shkenca shoqërore e shkenca natyrore si kusht për të organizuar Akademinë, për rrethanat tona paraqitej tejet e diskutueshme. Së pari, Akademia nuk u shpërnda ashtu siç pritej. Përkundrazi, mbeten në të ata që përbënin bërthamën e mentalitetit të vjetër komunist, ata që i kishin shërbyer partisë, pra komunistë të thekur deri në anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së e mbase edhe ndonjë institucioni tjetër, si “arma e dashur e Sigurimit të Shtetit”.

Problemi i parë kryesor, pra, qe përpjesëtimi i akademikëve të ardhshëm në dy ndarjet e përmendura më lart (shoqërore e natyrore), duke përfshirë këtu edhe ata që do të pranoheshin si “të rinj”. Duke u ushqyer nga mentaliteti për të formuar një akademi mikse (gjithëpërfshirëse), u vendos që të zgjidheshin 9 anëtarë nga shkencat shoqërore, 9 nga ata natyroret dhe 2 shkrimtarë. Me këtë mënyrë, u barazuan albanologët e mirëfilltë, të cilët qenë të shumtë, me shkencëtarët e rinj të shkencave natyrore, të cilët nuk shquheshin për arritje në fushat e tyre. Do të ishte e tepërt që të barazohej një albanolog me një bagazh veprash me një antropolog, që sapo e ka nisur jetën shkencore, kur dihet që edhe vetë antropologjia është në fillimet e veta edhe në botën e kulturuar. Kjo do të bënte që shumë albanologë të nderuar të mbeteshin jashtë Akademisë. Këta të fundit, natyrisht, do të vazhdonin të punonin jashtë saj, e mbase edhe në kundërshtim me të. Vlerat do të përgjysmoheshin, do të lindnin pakënaqësitë e diferencimet dhe Akademia prapëseprapë nuk do të përfaqësonte vlerat reale të shkencave shqiptare.

Në kushtëzimet për anëtarë akademie u vu mosha. Ky ishte absurditeti i parë. Dihej tashmë që akademik bëhesh pasi të kesh një prodhimtari të gjerë shkencore, një numër veprash me vlerë, që të bëjnë të njohur brenda e jashtë vendit. Titulli i akademikut është në radhë të parë titull nderi, shpërblim i një pune të madhe në dobi të atdheut e të shkencave shqiptare. Këta emra e nderojnë Akademinë. Jeta vetë më pastaj bën seleksionimin e tyre. Në rastin tonë, mosha u vu meqë mungonte guximi për të mënjanuar ata që bënin pjesë me kohë në Akademi, e të cilëve u kishte mbaruar vepra, sepse i kishte shërbyer komunizmit.

Së dyti, u vu aplikimi sipas një modulari të caktuar. Që këtu nis edhe fyerja ndaj shkencëtarëve, që tani i kishin kaluar të gjashtëdhjetat. Atyre u duhej jo të dorëzonin veprat në Akademi, sepse në bazë të tyre duhet të bëhej përzgjedhja, por një dosje të rëndë, sikur do të pranoheshin në universitet. Në atë dosje, mungonte vetëm “nota mesatare”. Pikërisht këtë akt shumë shkencëtarë e quajtën “fyerje” dhe nuk paraqiten fare dokumente për t’u pranuar në Akademi.

Së treti, mbi ç’baza do të kryhej vlerësimi? Ndër kërkesat, binte në sy një subjektivizëm i tejskajshëm dhe një mentalitet i gabuar për të peshuar shkencëtarët. Do të ishte e pafalshme p.sh., t’i kërkohej profesorit tonë të nderuar, Sh. Demirajt, se sa “mastera” kishte kryer jashtë shteti, nëse dinte apo jo gjuhë të huaja, nëse kishte marrë pjesë në sesione shkencore jashtë shtetit etj. etj., kur dihej që ky shkencëtar i nderuar edhe në një moshë tepër të avancuar vazhdonte të jepte vepra me vlerë për gjuhësinë shqiptare, duke nderuar vendin tonë edhe në arenën ndërkombëtare.

Përzgjedhja e akademikëve do të bëhej nga një komision i përbërë nga 4 vendës e 5 të huaj. Se ç’punë kishin të huajt me vlerësimin e shkencëtarëve tanë, këtë vetëm një mendje e çoroditur mund ta stiste. Dhe ishte për të qeshur kur një tunizian, arkeolog, që kishte ardhur rastësisht i ftuar nga UNESCO-ja për punën e përfshirjes së qytetit të Beratit në këtë organizatë kulturore botërore, të na fliste në televizor për “transparencë” në zgjedhjen e akademikëve shqiptarë. Natyrisht, jo vetëm unë, po edhe shumëkush me të cilët kam biseduar, nuk morëm vesh përse u dashka të zgjidheshin në Akademi edhe dy shkrimtarë? Sepse e jona është akademi shkencash e jo kulturore. Diçka nuk shkonte si duhet ndër aplikimet e kërkuara, që të linte të dyshoje se përzgjedhjet qenë bërë më përpara dhe se aplikimet qenë vetëm një formalitet. Për të dhënat e parashtruara në dosjen e aplikimeve nuk u kërkua asnjë garanci, asnjë dokument që të përligjte atë çka shkruhej aty. Pra aplikuesi mund të shtonte nga xhepi çfarë të donte e si të donte, sa kohë që nuk i kërkohej asnjë dokument a dëshmi për të vërtetuar atë që kishte shkruar.

Megjithëkëtë, Akademia u zgjodh. Nëse ishin përfshirë apo jo në të vlerat më të mira të shkencës shqiptare, këtë do ta tregonte koha. Diçka veç mund të thuhet me siguri, kjo Akademi vazhdon të ketë brenda komunistë, degaxhinj, militantë etj., gjithsesi, të bindur ndaj pushtetit. Është ndërtuar gjithsesi, mbështetur në një mentalitet rrafshimi vlerash, duke mos u dhënë prioritet atyre shkencave, ku Shqipëria barazohet me botën dhe atyre degëve që kanë lidhje me shumë çështje ende të pazgjidhura të historisë e të kulturës së vendit tonë.

Gjithsesi, pra, Akademia u zgjodh. Në vijim ajo u plotësua edhe me asistentët akademikë e më pastaj u bënë edhe zgjedhjet e kryesisë etj. Më tej pritëm të merrnim vesh edhe planet e kësaj Akademie për zhvillimet e shkencave shqiptare, strukturat, prioritetet, strategjitë etj., në mënyrë që të orientoheshim në punën tonë shkencore.

Në seminarin e “Alb-shkencës” (1 shtator 2008), titulluar “Shkenca në shërbim të shoqërisë”, ish-kryeministri Berisha, ndërmjet të tjerash, foli edhe për reformën në Akademinë e Shkencave, të cilën e konsideroi një domosdoshmëri. Sipas tij, tani ky institucion qenkësh ndërtuar sipas modeleve perëndimore. Ngjante që ish-kryeministri ynë i nderuar dinte gjithçka, i dinte të gjitha, prandaj nuk bëhej asgjë pa miratimin e tij. Megjithëkëtë, do të bënte mirë të na kishte dëgjuar edhe ne të tjerëve që jemi pjesë e këtij procesi dhe pjesëmarrës drejtpërdrejt në këtë proces.

Tani, a u zgjodhën më të mirët në Akademinë e re? Vështirë t’i jepej përgjigje e saktë. Për shkencat shoqërore mund të thuhet me bindje e pa frikë se disa dijetarë të nderuar nuk aplikuan fare. Arsyet nuk i dimë. Nga gjuhëtarët, që ishin plot 9 vetë, pothuaj në kushte të barabarta, u zgjodhën vetëm dy, pra mbeten jashtë 7 vetë. Nga shkencat natyrore pati edhe emra të panjohur. Detyra e Akademisë ishte që të na jepte për secilin aplikant veprat e botuara, por sidomos për ato që u zgjodhën. Sepse, siç e thamë edhe më lart, terma si “specializime”, “mastera”, “bagazhe” etj., nuk janë kritere dhe nuk mjaftojnë për t’u zgjedhur akademik.

Mendimet e mësipërme patën gjetur konkretizim të plotë në artikullin e z. Beqir Meta, me titull “Tani do të kemi një Akademi Shkencash më të fuqishme” (botuar në gazetën “Standard” të dt. 26 gusht 2008, f. 16-17). Në këtë artikull, ku mbizotërojnë vetëm sloganet, fjalë e vetëm fjalë, pa asnjë shembull konkret, shkruhet jo çfarë do të bënte Akademia, por “çfarë duhet të bënte ajo”! Nuk shkruhej aty asnjë rresht për punën konkrete të këtij institucioni të rëndësishëm. Së pari, nuk përmendej asnjë fjalë për strategjinë që duhet të parashtronte e më pas të ndiqte kjo Akademi Shkencash; gjithashtu për strukturat që do ta zbatonin këtë strategji duke përcaktuar qartë e saktë prioritetet në degët e ndryshme të shkencave shqiptare, shoqëruar kjo me njerëzit që do të punonin për zbatimin e planeve afatgjata e afatshkurtra të punës që do të kryhej, së bashku edhe me buxhetin përkatës, me të cilin do të realizoheshin këto plane.

Bashkëpunimi i Akademisë me universitetet tona për ta zhvendosur epiqendrën e shkencës ndër këto të fundit, sot për sot është një utopi e parealizueshme, sepse mungojnë strukturat, mungojnë ambientet (laboratorët etj.), mungojnë drejtimet konkrete me plane të përcaktuara qartë, mungojnë fondet, mungon kuadri profesional. Në universitetet tona, sot për sot nuk bëhet shkencë. Mos të harrojmë se në të gjitha universitetet e rretheve nuk mund të zbatohet marrëveshja e Bolonjës (3 + 2 + 1), sepse mungonte profesorati që do të drejtonte masterat e doktoraturat. Ndërkaq, z. Meta kishte një hall tjetër, moshën e akademikëve. Ai arrinte në një përfundim që “Mosha është e barabartë me energjinë”, duke na detyruar të kujtojmë se jemi në një ndeshje sportive, e ku edhe atje nganjëherë “të vjetrit” janë të domosdoshëm për përvojën e tyre, pa përmendur këtu se edhe disa nga këta sportistë të vjetër, për hir të formës së mirë sportive, i zbatojnë normat. Shkencëtarët e vërtetë vdesin, nuk plaken, prandaj nuk nxirren në pension.

Në mbledhjen e qeverisë së dt. 27 gusht (2008), ish-kryeministri i vendit, z. Berisha, pasi bëri autokritikë (bolshevike) për qëndrimin indiferent të institucionit që ai drejtonte ndaj librit, porositi Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të hartonte një platformë për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Ngjan që z. Berisha kishte harruar se para vitit 1990, në kohën e komunizmit, punës me librin, si pjesë e propagandës së partisë, ku nuk mund të bëhej shaka, i kushtohej kujdes parësor, së bashku me një organizim për t’u marrë si shembull. Librat botoheshin jo më pak se 2 mijë kopje dhe shpërndaheshin nga shteti nëpërmjet ndërmarrjes së shpërndarjes së librit, e cila kishte për detyrë ta dërgonte librin e botuar në çdo cep të vendit, duke nisur nga bibliotekat e mëdha të qyteteve e deri te ato të shkollave tetëvjeçare e në bibliotekat e vatrave të kulturës të kooperativave bujqësore. Për blerjen e këtyre librave, ajo jepte fonde të veçanta. Ndërsa sot, edhe Biblioteka Kombëtare kërkon nga botuesi 5 libra falas, pa pyetur se ndoshta autori e ka botuar librin e vet me paratë e bukës. E për këtë problem, që ai e quan kaq të rëndësishëm e kaq shqetësues, kujtohet ta vërë në hulli pas 18 vjetësh. Dhe e vuri!? Sot ai që shkruan një libër përballet me vështirësi të panumërta për botimin e tij. E vetëm për ta shitur atë duhet të paguajë këto taksa: 30 % kërkon libraria, 20% TVSH-ja, 15-23% tatimfitimi. Autorit i mbeten vetëm 27 % të çmimit të librit, me të cilat nuk përballon as shtypshkronjën.

Mendimet e mia për një “Reformë kundër mentalitetit komunist në shkenca”, unë i kam shprehur në një artikull të gjatë, botuar në gazetën “Standard” (e enjte, 10 prill 2008, f. 14).

Shkenca është thellim drejt së panjohurës dhe kërkon përkushtim, punë e talent. Ajo kryhet edhe jashtë institucioneve. Shteti vetëm duhet të krijojë kushtet e përshtatshme për ta nxitur dhe mbarështruar atë. Shkenca e vërtetë nuk identifikohet me politikën, ajo nuk është “parcelë” e partive politike, apo “strategji” e hartuar nga nëpunës burokratë. Shkencën e mirëfilltë nuk mund ta drejtojë shteti, as kryeministri, as Ministria e Arsimit. Nga ky këndvështrim, duhet përcaktuar “Strategjia”, sepse nuk mund as të mohohen e as të anashkalohen “arritjet” edhe në kohën e diktaturës komuniste. Në atë kohë, kanë punuar duke dhënë ndihmesa të rëndësishme dijetarë të shquar, si: E. Çabej, S. Riza, Sh. Demiraj e shumë e shumë të tjerë.

Një muaj rresht u diskutua në shtypin tonë të përditshëm, e veçanërisht nga analistët në emisionet e televizioneve tona, për atë që “Enciklopedia” maqedonase shkruante për shqiptarët, megjithëse asnjë nga diskutuesit nuk dinte maqedonisht! Akademisë së Maqedonisë duhej t’i kundërvihej Akademia jonë e Shkencave. Asaj i takonte të argumentonte në mënyrë shkencore autoktoninë e popullit shqiptar, në viset ku ky banon që së lashti. Një punë kaq delikate kërkonte domosdo një përgjigje përfaqësuese të një institucioni shkencor. Ndryshe, përse u dashka Akademia?!

U fol, u shkrua dhe u diskutua qoftë në shtypin e përditshëm, qoftë në emisionet televizive, për veprën e Shmidit, e cila mëtonte të sillte “elemente” të reja për historinë e Skënderbeut. Strumbullari i këtij libri ishte çmitizimi i figurës së Skënderbeut. Pritej një përgjigje shkencore e Akademisë sonë të Shkencave, sepse dikush po përpiqej haptas për ta denigruar figurën e Skënderbeut. Vepra kishte karakter historik, por pikësynimet e saj ishin tejet aktuale dhe vazhdë e përpjekjeve për të minuar identitetin e kombit tonë, pikërisht te “qëndresa” ndaj armiqve të vendit, me të cilën mburrej çdo shqiptar.

Deri më tani nuk është shkruar ende një monografi e plotë për Kosovën. Dihen tashmë mëtimet e shkencës jugosllave për Kosovën deri në nivelin akademik. Prandaj është e domosdoshme që edhe përgjigjja ndaj tyre të jepet po në të njëjtin nivel.

Lërini, z. Kryeministër, vetë shkencëtarët të hartojnë “Strategjinë” e punës së tyre. Lërini ata edhe ta vlerësojnë lirisht e pa paragjykime “cilësinë” e saj. Lërini të organizohen vetë. Ndërkaq, ju përcaktoni fondet, duke i kontrolluar mirë që të mos shpërdorohen. Kaq është detyra juaj. Gjithashtu, nuk duhet të harroni se ka një masë në vlerësimin e punës shkencore: arritjet duhen vështruar në raport me mundësitë. Akademikët tanë, mundësitë i kanë pasur të mëdha, ndërsa arritjet tepër të vogla.

Pema po nuk u krasit vit për vit, jo vetëm që nuk prodhon, po dëmton edhe pemët e tjera rreth e rrotull duke ua zënë dritën. Në 25 vitet e fundit, Akademia jonë nuk ka bërë asnjë krasitje, kështu që ajo është pothuaj e tharë. Mirëpo, Akademia e Shkencave është truri i kombit. Është e tepërt t’ju kujtoj që ndërhyrjet në tru shpeshherë shkaktojnë vdekje. Por, edhe në qoftë se operacioni shkon me sukses, një komb pa tru është i rrezikuar gjithnjë nga një “Gërdec” i frikshëm!

*Gjuhëtar

1 koment për këtë artikull
  1. r. th. at 2:57 pm

    Akademia!? Hem! Cfar te bejne dhe ata te shkretet! Ne riorganizim prej 25 vjetesh, ne rikondtruksion prej 20 vjetesh, te pakten pagat funksionojne, ndonje cmim nga jashte merret! Dy revista ne gjuhe te huaj botohen, ne shqipe akoma jo! Por ndoshta ne te ardhmen mund te sistemohen gjerat. Ndoshta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *