Taso, ta shohësh realitetin përmes pasqyrës së thyer

Postuar më: 13 April 2016 09:49

TasoPasqyra si një kufi midis dy botëve, të prekshmes dhe imagjinares. Pasqyra si një terren narcizik. Pasqyra si ballafaqim me veten dhe dramën personale të artistit të izoluar në qytetin e tij të vogël, janë këto temat e ekspozitës me 40 punime të piktorit Anastas Kostandini, Taso, të çelur në Galerinë “Fab”.

 

…Unë që u tmerrohesha pasqyrave

jo vetëm përballë kristalit të padepërtueshëm

ku soset dhe nis, e pabanueshme,

një hapësirë e pamundur pasqyrimesh

porse përballë ujit pasqyrues që imiton

të kaltrën tjetër në qiellin e tij të thellë

që hera-herës vijëzon flatrimin e rrejshëm

të zogut kthyer mbrapsht apo që një dridhmë shkakton …

Pasqyrat qenë një nga objektet e magjepsjes që poeti i madh argjentinas Jorge Luis Borges , të pranishme në të gjithë veprën e tij poetike, nga janë shkëputur edhe këto vargje.

Në të njëjtën sipërfaqe të rrafshët ku përthyen drita, ngjyra e imazhe e ka ndërtuar edhe piktori shqiptar Anastas Kostandini, Tasoja, ekspozitën e tij të fundit, çelur pak ditë më parë në mjediset e Galerisë “Fab”. Ekspozita e titulluar “Pasqyra të thyera” gjen frymëzimin në imazhin intim dhe poetik të pasqyrës së thyer, një lloj kaleidoskopi që thith e reflekton botën përreth dhe krijon një trill vizual ritmik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dashamirësit e pikturës deri më 20 prill.

Ekspozita prezanton 40 punime në vaj, në formate që variojnë deri në 150 x 150 cm. Tablotë unifikohen rreth konceptit mbi të cilin janë krijuar dhe me pas transformuar, pavarësisht se nuk janë pjesë e një cikli të mirëfillte. Pasqyra e thyer është kapitulli i tretë i një cikli mbi jetën në provincë. “Është njësoj si një pasqyrë e vjetër që ti do të shohësh veten, por nuk e shikon vetëm veten, shikon edhe pjesë të gjërave që ndodhin pas jetës tënde. Kjo më ka ndodhur mua, pra është pasqyra e familjes sime”, është shprehur piktori , i cili nuk e ka braktisur Pogradecin e tij e ndoshta pikërisht liqeni, një lloj pasqyre, ku Tasoja ka ndërtuar këto tablo të përmbysura, të cilat nuk janë tjetër veçse punime të konsideruara si të papërfunduara apo të papërfundueshme. “Unë dua të tregoj sa mirë ndihet një artist në vendin e vet”, ka thënë ai, i cili është i mendimit se në jetën moderne, ëndrrat shpesh pësojnë krisje të mëdha. Krisje këto që vijnë sipër objekteve nostalgjike. Pasqyrat e thyera kanë formën dhe imazhin e ëndrrave apo realiteteve të thyera.

Pikturat e tij i nënshtrohen një metamorfoze të zellshme, gjatë së cilës artisti aplikon një sërë ndërhyrjesh teknike për të krijuar një filtër opak në shikim të parë, por të lexueshëm për spektatorin gërmues. Forma të destrukturuara superpozohen mbi baza figurative dhe realiste, që bëhen pre e kësaj loje por që qëndrojnë gjithsesi të lexueshme nëpërmjet filtrave gjeometrikë. Loja ka për qëllim të vërë në pikëpyetje krijimtarinë tradicionale të artistit (peizazh, kompozime, natyra të qeta, figura njerëzore…) nëpërmjet denatyralizimit dhe transformimit të teknikave dhe motiveve klasike të tij. Artisti duket të insistojë qëllimisht në karakterin grafik për t’i dhuruar pikturës një strukturë e dimension të ri.

Pasqyra si një kufi midis dy botëve, të prekshmes dhe imagjinares. Pasqyra si një terren narcizik. Pasqyra si ballafaqim me veten dhe dramën personale të artistit të izoluar në qytetin e tij të vogël, temë tepër personale e punës së Tasos. Pasqyra reflekton raportin e ndërlikuar dashuri-urrejtje që artisti ka me vendlindjen e tij. Besnikëria ndaj qytetit, shpërblehet me avantazhin e qetësisë krijuese por zymtohet nga thatësira intelektuale që ofron provinca shqiptare.

Pasqyra e thyer, është një lloj metamorfozë poetike, e nevojshme për t’ju përgjigjur jo vetëm kërkimeve artistike të artistit, por edhe dëshirës dhe kuriozitetit fëmijëror për të magjepsur dhe për t’u magjepsur vazhdimisht nga bota që na rrethon duke e observuar dhe rindërtuar. Në vitin 1967, gjatë revolucionit kulturor që merrej ndër të tjera me shkatërrimin e institucioneve të kultit, Taso 13-vjeçar asistoi në shkatërrimin e kishës së qytetit të tij. Prej shandanit të kristaltë të hedhur përtokë, ai mblodhi copa që i shërbyen si kaleidoskop për të observuar dhe idealizuar realitetin. Pasqyra e thyer transformohet në një filtër magjik mbi botën dhe shërben gjithashtu si një urë lidhëse midis artistit dhe historisë së familjes së tij. Një pasqyrë e thyer e trashëguar brez pas brezi. Një lloj album familjeje, objekt afektiv dhe frymëzues, në të cilin pasqyrohen figurat e personave të dashur, që vijnë, ikin e nuk kthehen më.

Duke e ndarë krijimtarinë e tij mes dy periudhave, si çdo realitet tjetër në Shqipëri që vitin ’90 e kanë thuajse si etiketimi “para dhe pas lindjes së Krishtit” , Tasoja është shprehur se para ’90 ishte imagjinata, simboli që përdorej në tablotë e tij, duke e pikturuar realitetin në vështrim të drejtpërdrejtë. Pas viteve ’90 , me lirinë e të shprehurit në telajo, pasqyra e thyer u bë aparati i tij për të parë botën, e pikërisht kjo pasqyrë e thyer është mjeti me të cilin ai sheh dhe pikturon .

“Shumë gjëra janë thyer në Shqipëri. Këto ekspozita prezantojnë se si e përjetoj unë artin në periferi të Shqipërisë”, është i mendimit ai, i cili më shumë sesa pikturon kushtet e periferisë sjell intimitetin që çlirohet prej copëzimit të pasqyrave të thyera në pikturën e Tasos.

  1. Balliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *