Ahmetaj: Emrat e “Panama Papers” çojnë direkt te qeveria e kaluar!

Postuar më: 05 April 2016 17:27

Arben AhmetajMinistria e Financave pret zyrtarizmin e shkeljeve që kanë bërë emrat e personave shqiptarë dhe kompanive që punojnë këtu për të filluar procedurat e hetimit për skandalin e “Panama Papers”. Në një intervistë për Vizion Plus, ministri i financave Arben Ahmetaj jep për herë të parë detaje mbi punën që po bën aktualisht Drejtoria e Pastrimit të Parave. Të dhënat që do të dalin nga ky hetim, do të përcaktojnë edhe fatin e firmës që ka monopolin e markimit të karburanteve, “GFI albania”.

“Jemi duke folur për të marrë hapat tona të duhura, por sigurisht që informacioni është akoma nga media dhe një institucion siç është drejtoria e pastrimit të parave nuk mund të marrë menjëherë një hap zyrtar duke u bazuar thjesht në deklarimin e mediave. Pavarësisht nga “Panama Papers” që kanë dalë apo do të dalin, auditimi, verifikimi, monitorimi bëhet dhe do të bëhet vazhdimisht.”

Ministri Arben Ahmetaj nuk duket aspak i surprizuar që ky skandal ka përfshirë edhe emra biznesmenësh të njohur në Shqipëri.

“Mezi pres edhe lajme të tjera nga “Panama Papers”, sepse mund të shohim edhe emra të tjerë, dhe besoj se nuk do të habitemi. Për mua si ministër Financash në përgjegjshmëri do të ishte e ekzagjeruar të shprehesha në ekstrem. Por mund të them që nuk është se nuk e prisnim. Dhe nuk është se emrat nuk kanë dritëhije. Dhe nuk është se emrat nuk kanë lidhje me qeverinë e kaluar. Dhe nuk është se emrat nuk na çojnë afër dyerve të ish-pushtetarëve apo familjarëve të tyre. Kjo është e drejtpërdrejtë!”

Duke lidhur skandalin me objektivat që ka vendosur qeveria, ministri thotë se tashmë ka nisur faza e dytë e aksionit të informalitetit, ku në fokus do të jetë biznesi i madh.

“Kemi marrë në të gjithë zinxhirin e transaksionit, kemi marrë të gjitha kompanitë që kanë marrëdhënie financiare me njëra-tjetrën, pra që shesin apo blejnë. Dhe sigurisht që ne nuk mund të kontrollojmë njëherësh 40 mijë kompani, por brenda grupeve tek të mëdhenjtë kemi zgjedhur një grup pak më të vogël prej 1 mijë kompanish, të cilat i futim menjëherë nën monitorim. Monitorimi është shumë i detajuar dhe shumë profesional. Një pjesë e tyre do të monitorohen nga zyra, një pjesë do të kenë vizita fiskale, një pjesë do të kenë audit, kontroll të thellë.”

Ahmetaj konsideron si të pafalshme, faktin që ende sot ka biznese, të cilat  nuk japin kupon, ose nuk deklarojnë vlerën reale të mallit që shesin.

“Nuk është qëllimi që t’i kapim gafil. Qëllimi është që sipërmarrja e madhe dhe e vogël, të korrigjojnë sjelljen tatimore dhe përgjegjësinë tatimore. Nuk është qëllimi të vendosim gjoba.”

Tashmë do të nise puna për të kontrolluar 1000 kompanitë e para VIPA, e më pas sistemi do të nisë auditin e firmave të tjera. Që nesër aksioni do të shtrihet në të gjitha rrethet e vendit.

 

3 komente për këtë artikull
  1. MH at 2:01 pm

    O burra akumuloni lende te pare per reformen ne drejtesi.Ku besoj qe muajo qershor do jete parashikuesi i tronditjeve siszmike te fuqishme ne perspektive te vellezerve mujor pas ardhes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *