Rrugëtim në Janinë: Epiri bashkohet nga turizmi kulturor

Postuar më: 09 March 2016 09:37

Janina kopertinaNdasitë i përkasin së shkuarës. Tashmë duket e rëndësishme për një Shqipëri që vitet e fundit po shndërrohet në një destinacion të preferuar për turistët europiane nga të dyja kahet- lindore e perëndimore- dhe Greqia, e cila i ka mbështetur fort shtyllat e ekonomisë mbi turizmin, por prej vitesh është zhytur në krizën e thellë financiare, të bëhen bashkë në një sektor ku të dyja palët mund të dalin të fituar.

Nga Suadela Balliu

Dodona e Epirit. Nga lavdia e dikurshme e rrëfyer nga rapsodët dhe e veshur me mitin e zotave kanë mbetur rrënojat …dhe historia në gojën e ciceronit grek që bën udhë sikur të hapte rrugën nëpër kohë për t’u ndalur në fillimet e këtij tempulli të lashtë, mijëvjeçarin e tretë, atëherë kur njerëz e orakuj i bindeshin zërit të Perëndeshës Mëmë , e cila i përcillte kumtet e fateve dhe kobëve përmes fëshfërimës së gjetheve të një lisi…Kanë kaluar tremijë vjet dhe pushteti nga femërorja e shenjtë i kaloi meshkujve dhe zot u bë Zeusi, i zëshmi dhe një lis i zhveshur nga gjethet…Nuk është i njëjti, padyshim, ciceroni sqaron se gjendet aty, thuajse në të njëjtin vend prej 50 vitesh i pashoqëruar nga orakuj që flenë nën pemë për të marrë fuqi nga toka për interpretimin e asaj që është mistike. Janë vetëm një grup njerëzish të kulturës, turizmit, biznesit e medies ardhur nga Shqipëria për ditët e Bashkëpunimit kulturor e turistik shqiptaro-grek, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, Tiranë, Bashkia e Janinës, Qendra Kulturore e Janinës, Prefektura e Epirit, Konsullata e Përgjithshme shqiptare, Janinë, Shoqata e hotelierëve të Qarkut të Janinës dhe shoqata turistike shqiptare.

Pasi Dodona e humbi rëndësinë religjioze, fitoi reputacionin e një vendi strategjik ku vendoseshin politikat e rajonit e ku prijësit e Epirit  mblidheshin shpesh edhe për ujdi e marrëveshje mes tyre. Ndaj edhe simbolika e zgjedhur si pikë e parë e një itinerari katër ditor turistik e kulturor , ku institucionet nga Tirana zyrtare dhe ata nga Janina e shohin si tejet të rëndësishëm bashkimin e forcave për të ofruar paketa të përbashkëta turistike mes dy vendeve.

Ndasitë i përkasin së shkuarës. Tashmë duket e rëndësishme për një Shqipëri që vitet e fundit po shndërrohet në një destinacion të preferuar për turistët europiane nga të dy kahet- lindore e perëndimore- dhe Greqia e cila i ka mbështetur fort shtyllat e ekonomisë mbi turizmin, por prej vitesh e zhytur në krizën e thellë financiare të bëhen bashkë në një sektor ku të dyja palët mund të dalin të fituar. Flitet shpesh për Korridorin e Kaltër, autostrada adriatiko-joniane që do i shkurtojë distancat për t’u dhënë mundësi shteteve të rajonit të përfitojnë më shumë të ardhura nga turizmit që do të bëhet më i arritshëm.

Por fokusi i ngushtë mbetet mes dy vendeve; Shqipëri –Greqi, specifikisht në rajonin e Epirit dhe qytetin e Janinës e cila shpalos tërheqjet e saj kulturore e turistike.

Organizatorët e këtij aktiviteti e zhvendosin grupin nga Shqipëria dymbëdhjetë kilometra jashtë Janinës në rajonin e Mpizanit, për të vizituar muzeun e dyllit “Vreli” , një ndërmarrje private e Pavlos Vrelis, artizani që kishte gdhendur në dyllë momentet e mëdha të historisë së Greqisë.

Metsovo, një fshat turistik i ngritur në malet e Pindit, i spikatur për klimën, dëborën, djathin karakteristik, ofronte edhe Muzeun e Artit Modern, ku spikatnin piktorë nga fillimshekullit 19 të rajonit.

Ishulli i Janinës dhe Ali Pashë Tepelena

Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës. Megjithëse pak ishin ata që dëgjoheshin të flisnin shqip në rrugë , gjurmët shqiptare janë të forta. Tërheqja më e madhe për vizitorët në Janinë është ishulli i vogël në liqenin Pamvotis . Për të mbërritur në destinacion udhëtimi me varkë zgjaste rreth pesëmëdhjetë minuta. Me të mbërritur , përtej tërheqjes së çikërrimave dhe suvenireve nga shitësit vendas, ajo çka ishulli ofron është manastiri i Agios Panteleimon–it dhe muzeu i Ali Pashë Tepelenës, shtëpia me gurë dhe dru ku Pashai i Janinës apo siç thërritej asokohe Luani i Janinës kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa priste faljen prej Sulltanit. Pikërisht në shkallët e drunjta të asaj shtëpia dykatëshe buzë liqenit , në ishullin e vogël , turqit ia prenë kokën sundimtarit të Janinës, themeluesit të pashallëkut autonom dhe kryengritësi kundër Portës së Artë, kryengritje që e pagoi me kokë… Veshje tradicionale të epokës, ku spikat një fustan origjinal i Vasiliqisë , gruas së dashur në kohët e pleqërisë së pashait, dhuruar nga të afërm të familjes Kondakçi nga fshati i Plisivitsa-s në Thesproti. Bizhuteri prej bronzi e argjendi, fustanella burrash, piktura të Pashait dhe armë që miq e aleatë ia kishin dhuruar pashait. Ishin mburrja e tij, thuhej dhe miqve në shtëpinë e tij kishte zakon t’ua tregonte. Mes kamave e shpatave dallon një dyfek i artë rreth 200 –vjeçar i pozicionuar në qendër të Muzeut.Objekti, i cili daton i stampuar në qytën e armës në vitin 1804 është në gjendje shumë të mirë dhe konsiderohet një ngjarje historike duke ditur veprimtarinë intensive dhe rëndësinë që ka figura e Ali Pashë Tepelenës për kohën kur jetoi.

Dyfeku ishte në pronësi të një familjeje nga Janina që zbriti në Athinë në vitet 30 të shekullit të kaluar. Ishin pasardhësit e kësaj familjeje, që ia dorëzuan Fotis Rapakusis, drejtor i Muzeut të Ali Pashë Tepelenës, në ishullin e Janinës. Rapakusis thotë se ishte dyfeku që e gjeti atë.

Historia e Ali Pashait ishte objekt magjepsjeje për Rapakusis-in, vllahun grek i lindur në Përmet, -magjepsje që e çoi në studime të thella lidhur me historinë e re të Greqisë.

Rapakusis një dashamirës i Shqipërisë ka ruajtur nga fëmijëria disa fjalë shqip me të cilat përshëndet vizitorët dhe herë pas here i përdor gjatë rrëfimit të historisë, thotë se ky bashkëpunim mes dy vendeve do të rritë edhe numrin e vizitorëve në të këtë muze.

“Besoj se është e rëndësishme dhe se do të ketë rezultate. Kemi elemente e detaje kulturore të përbashkëta. Më shumë na bashkojnë se sa na ndajnë kultura e historia”, thotë Rapakusis.

Në Muze, objekte të tjera më rëndësi janë edhe shpatëza prej argjendi e

Apostol Varsaqit, i cili është nga Hotova e Përmetit.

Origjinalitetin e dyfekut, presidenti i Muzeut Mihail Pantulas , thotë se e siguron një pllakëz prej argjendi dhe e veshur me ar , ku është i dukshëm emri i Ali Pashait. Mbi origjinën e dhuruesve, ka vetëm hamendje.

“Janë të gjitha supozime ato çka mendohen deri tani. Ka mundësi t’ia kenë dhuruar miq të tij,. kur ai mori titullin Vezir nga Sulltani dhe ndoshta miqtë ia dhuruan këtë armë për të tërhequr vëmendjen e tij. Por me siguri që ishin në gjendje shumë të mirë ekonomike sepse kjo armë është shumë e shtrenjtë për kohën. Një mundësi tjetër është që t ‘ia kenë dhuruar nga konsullata britanike që u hap atë kohë në Janinë me lejen e Ali Pashait” -zbulon Pantulas-i.

Armë që Ali Pashai thuhet nuk e përdori kurrë, sepse nuk ishte prej tij t’i besonte në beteja armëve të dhuruara.

“Ali Pashai dihet se nuk i përdorte armët që i bënin dhuratë. Dimë nga historia që këto armë që ia dhuronin miqtë i mbante të varura në dhomën e ndenjjes. Nëse do të shihni një nga pikturat e ekspozuara në muze tregon Ali Pashain dhe armët e varua në mur. Veç kësaj nga historia dimë që Ali Pashai e kishte zakon që miqve ne shtëpi u tregonte armët” -vijon Pantulas-i.

Vasiliqia pas vdekjes së Pashait

Vasiliqia, vashëza me prehrin e butë që mban kryet e trazuara të pashait që e ndjen veten si një luan në kurth, siç edhe shihet në pikturat e muzeut, pas vdekjes së Aliut shoqëroi kokën në Stamboll. Pas hetimit që i bëri, Sulltani vendosi t’ia falte jetën dhe ajo jetoi e lirë. “Jetoi e lirë, duke qenë se ishte e lidhur me Thanas Vajën dorën e djathtë të Ali Pashës, me origjinë nga Lekli. Besoj se sulltani e la të lirë dhe i rrëfeu pasurin e Ali Pashës ku i kishte thesaret” -tregon Rapakusis, duke shtuar se pas  Thanas Vajës, pati një tjetër mik  me emrin Congas, me të cilin jetoi në Mesolongi, vendi ku edhe vdiq në moshën 44-vjeçare pa pasur fëmijë.

Varri i saj sot është në Mesolongi.

Varri pa kokë dhe liqeni ku Ali Pashai mbyti 18 vajza

Mbi kodër, në pjesën perëndimore të qytetit, brenda kështjellës mesjetare gjendet varri pa kokë i Ali Pashait, i fortifikuar me një kupolë të hekurt. Pranë tij thuhet se prehet Emineja, gruaja e parë dhe një foshnjë, eshtrat e së cilës janë zbuluar aty pranë, që thuhet të ketë qenë vajza, të cilët Pashai e mbyti pasi nuk donte fëmijë femra. Pranë varrit është Xhamia e Fitores, e ndërtuar në rrënojat e një kishe bizantine më 1430 –ën. Formën e fundme ia dha Ali Pashai. Fotis Rapakusis, rrëfen për grupin e turistëve dashurinë e madhe që Ali Pashai kishte për gruan e parë Eminenë, me të cilën edhe pse pa kokë prehet pranë. Thuhet se pas vdekjes së saj, Pashai dilte netëve dhe mbi varrin e saj lotonte.

Pamja piktoreske që ofron liqeni që rrethon kështjellën bëhet e zymtë nga legjenda se Pashai mbyti 18 vajza , duke i futur në thashë me grykë të mbyllur dhe lidhur me gurë…

Gjithçka nisi nga Zonja Frosina, gruaja pas së cilës u dashurua marrëzisht i biri i Ali Pashait, Muhtari .

“Frosina ishte e martuar me një tregtar. Kur iknin jashtë Pashai iu mbante familjet peng që të kishte sigurinë se ata do të ktheheshin. Frosina u lidh me djalin e Ali Pashës dhe kur u morr vesh kjo lidhje qe skandal për kohën”- rrëfen Rapakusis. Gruaja e Muhtarit dhe nusja e djalit tjetër, motra dhe bijat e Pashait të Beratit thuhet se i vunë veton Pashait për të vendosur nderin në vend.

Për të mos e bërë publik skandalin e familjes së tij, por edhe për të kënaqur nuset dhe për të ruajtur aleancën me Pashain e Beratit, Ali Pashai nxori një dekret për të pastruar qytetin nga prostitutat. U gjetën 17 vajza publike, ndërsa Frosina u bë e 18 –ta ndër to, të gjitha të mbytura në liqen…

Konica, Burazani dhe Taso shqiptari

Gjatë ditëve të bashkëpunimit kulturor e turistik mes dy vendeve, Jorgo Taso një sipërmarrës vendas, administrator i parkut natyror “Burazani”  në Konicë, theksoi shpesh se shkëmbimi mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm, por pa rrëfyer rrënjët e tij shqiptare, deri ditën e fundit , ku i ati, 95 –vjeçar suljoti i lindur në Leskovik Taso Tasodimitri përshëndeti me një shqipe të pastër e poetik. Me një mirëseardhje që dridhej në buzë nga emocionet që shihte aq shumë shqiptarë në shtëpinë e tij. “Shqipëria ishte një shtet më i vogli në Evropë por më i bukuri. Atëherë ishin shqiptarët për Shqipërinë dhe Shqipëria për shqiptarët. Po gëzohem se kjo qeveri punon për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”- thotë plaku flokëbardhë, i cili e la Leskovikun në moshën 18 –vjeçare gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Nuk ka harruar shqipen, as këngët, as lutjet. “Leskovik o gur i thatë sa të bukura i ke gratë!”- këndon duke buzëqeshur. “Kur na dogjën gjermanët ika nga Leskoviku në vitin 1943. Dogjën edhe një njeri në Leskovik. Kur vijnë shqiptarët këtu, ç’të them, me dhemb shumë për Shqipërinë. Se Shqipëria ishte një shtet i më i vogël e më i pasur dhe më i bashkuar, muhamedanët e të krishterët ishin si vëllezër”. Në Leskovik shkon shpesh, ndërsa rrëfen se ka kontribuuar për ngritjen e një kishe, që gjatë diktaturës ishte shndërruar në një depo.

“Unë kam punuar disa punë. Kisha bërë fabrikë pijesh , pastaj kisha depo të benzinës e naftës. Pastaj shitja dru nga pylli tonë dhe qymyr, pastaj erdha këtu. Familjet në Leskovik ishin bejlerë, evgjit, edhe të krishterë. “- kujton Tasoja. I biri, Jorgoja, me profesion veteriner e mori në dorë menaxhimin e hotelit dhe parkut që deri atë kohë kishte qenë me karakter gjuetarësh, duke e shndërruar në një park natyror ku rriten të lirë kafshë si arinj, drerë, lepuj por edhe lloje të rralla fluturash apo orkidesh.

“Në Shqipëri e në Greqi kemi në pronësi shumë pyje. 1944 u mbyll kufiri dhe familja ime në Burazani kishim 270 hektarë pyje. I gjithë pylli është yni. Sot kemi 350 hektarë. Xhaxhai ishte ekonomist dhe ishte gjahtar i mirë. dhe mendoi para 50 vitesh të organizonte një zonë gjahu. Me babanë, në 50 hektarë vunë disa kafshë, dhi, drerë, dhe filluan gjuetinë. Më pas menduan të ndërtonin një hotel që të vinin gjahtarë. Në Burazan dhe familjet e mëdha vinin për pushime” – rrëfen Jorgo, duke shtuar se ky është i pari  hotel në Greqi që rri në mes të asgjësë.

“Jam veteriner dhe kam mbaruar studimet në Selanik e në Paris. Në shekullin 21 duhet të jesh në mbrojtje të mjedisit. Më 1999-ën fola me familjen dhe ndaluam gjuetinë dhe të bënim një park natyror. Sot ne kemi me shumë se 85 hektarë 30 km rrugë, 800 kafshë të egra, dhe parku ynë është për turistët shkollat dhe kemi qendër konferencash, me 300 karrige”. Krahas kësaj sipërmarrje qëndron edhe muzeu fotografik i historisë natyrore. “Kemi bio-diversitetin  më të larët në Europë, dhe numrin më të larët 115 lloje fluturash. Kemi mikroklimë nga Adriatiku, Lugina, dhe klima mesdhetare. Nga malet vjen klima e maleve. Çdo gjë është jeshile. Kemi bashkëpunim me kryetrarin e Përmetit, dhe do të kërkojmë të krijojmë parkun e parë në Shqipëri si ky, mes Këlcyrës dhe Luginës së Vjosës”- përfundon Taso me shpresën e ngritjes së Tri urave nga Përmeti e cila do e shkurtojë distancën në 15 minuta mes dy vendeve.

Marrëveshja

Gjatë aktivitetit Irena Toçi nga Instituti i librit dhe Promocionit dhe  Kostantinos Gogos, nga Qendra Kulturore e Janinës, nënshkruan marrëveshjen që përfshin kinematografinë, artet pamore, muzikën, etj. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje u çel ekspozita me piktura dhe skulptura e Edi Kojanit dhe Zeqir Alizotit “Gjirokastra dhe Janina”. Do të promovohen librat e Dinos Koubatis dhe Telemak Kocas në Janinë, ndërsa autorë grekë do të jenë në stendën e Toenës në Panairin e Librit në Tiranë. Është rënë dakord që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të mbajë koncert në Janinë, Pargë, Artë, Prevezë dhe Igumenicë e po ashtu pritet gjatë këtij viti dhe një koncert të orkestrës së Radio Televizionit shqiptar në Janinë. Pjesa e Armando Borës, “Ata hynë pa trokitur” do të shfaqet po ashtu gjatë 2016 –ës në Greqi.

Gjatë Ditëve të Bashkëpunimit Kulturor e Turistik shqiptaro grek në Janinë u firmos edhe një memorandum për turizmin. Memorandumi i nënshkruar në Janinë pritet të sjellë investime në turizëm me projekte të përbashkëta. Sipas tij, Shqipëria dhe Greqia angazhohen të rrisin bashkëpunim për të nxitur promovimin e turizmit dhe investimet në këtë sektor nëpërmjet projekteve të përbashkëta. Nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar në Janinë, synohet promovim i përbashkët i destinacioneve turistike mes dy vendeve. Me ndërmjetësimin e Institutit të Librit dhe Promocionit Kulturor në Tiranë dhe nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, u nënshkrua në Janinë një memorandum bashkëpunimi midis Shoqatës Shqiptare të Turizmit dhe Shoqatës së Hotelierëve të Janinës. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryetari i sektorit të Hoteleve në ATA, Zak Topuzi dhe kryetari i IRHA-s, Konstandin Vllaho. Në takimin që delegacioni shqiptar i kryesuar nga Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Librit dhe Promocionit Kulturor Tiranë, Irena Toçi pati me kryetarin e Bashkisë së Janinës, Thomas Begas dhe prefektin e Janinës Alekos Kahrimanis, theksi u vu te promovimi i turizmit dhe investimet në këtë sektor nëpërmjet projekteve të përbashkëta, duke filluar nga programet europiane IPA II për të cilat kërkohet një bashkëpunim ndërkufitar. Një ndër objektivat e përbashkët të kësaj marrëveshjeje ishte koordinimi për promovimin e përbashkët të destinacioneve Shqipëri e Greqi, veçanërisht të zonave ndërkufitare, për të siguruar një pozicionim më të mirë në tregjet ndërkombëtare, që lidhen me turizmin dhe vlerat e tij ekonomike.

Janina1 Janina2 Janina3 Janina4 Janina5

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *